Politike

Vota në Senat: Gjyqi ndaj ish-presidentit Trump është kushtetues

9 Shkurt 2021, 22:21 Nga DOSJA
Vota në Senat: Gjyqi ndaj ish-presidentit Trump është kushtetues

Senati amerikan votoi të martën në mbrëmje për t’i hapur rrugën gjyqit të plotë mbi akuzat ndaj ish-presidentit Donald Trump për nxitje rebelimi.

Në seancën e parë për këtë qëllim që do të përcaktonte nëse gjykimi i ish-presidentit ishte kushtetues, 56 anëtarë të Senatit votuan pro, dhe 44 kundër argumentit të demokratëve se procedimi është në përputhje me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.

Gjashtë senatorë republikanë votuan pro, një më shumë sesa pesë që kishin votuar muajin e kaluar kundër një përpjekjeje republikane për ta bllokuar gjyqin.

Avokatët e Trump argumentuan se meqenëse zoti Trump nuk është më në detyrë, Senati nuk ka autoritetin të mbajë një gjyq mbi akuzën e Dhomës së Përfaqësuesve se ai nxiti një rebelim ndërsa ishte në detyrë.
Donald Trump bëhet ish-presidenti i parë amerikan që gjykohet në Senat.

Ligjvënësit demokratë që shërbejnë si prokurorë e filluan paraqitjen e çështjes duke treguar video të mbështetësve të ish-Presidentit Trump që sulmonin dhunshëm policinë e Kapitolit më 6 janar, pasi ai i kishte inkurajuar gjatë një fjalimi që të “luftonin fort” për të zhbërë humbjen e tij në zgjedhje më 3 nëntor.

Videoja tregonte mbështetësit e ish-Presidentit Trump duke rrëzuar barriera, duke goditur oficerët e policisë dhe në një moment duke i thënë njërit prej tyre se “ne ua kalojmë nga numri, jemi një milion me një”.

Protesta u kthye në një përplasje të dhunshme. Rreth 800 mbështetës të zotit Trump sulmuan autoritetet e Kapitolit, thyen dyer e dritare, plaçkitën disa zyra të Kongresit dhe u përleshën me policinë. Si pasojë pesë persona mbetën të vdekur, mes tyre një oficer i policisë së Kapitolit, si dhe një protestuese e cila u qëllua nga një oficer policie.

100 senatorë, 50 për secilën palë, të cilët do të shërbejnë si anëtarë të jurisë gjatë procesit gjyqësor në Senat, ndodhen në një pozicion të pazakontë. Shumë prej tyre ishin dëshmitarë të kaosit të 6 janarit, ditë gjatë së cilës u detyruan të largohen nga kjo dhomë e Kongresit për arsye sigurie.

Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, i quajti akuzat kundër zotit Trump “më të rëndat të ngritura ndonjëherë kundër një presidenti të Shteteve të Bashkuara në historinë amerikane”.

Marrë nga VOA

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike donald trump gjyqi i trump donald trump gjyqi i trump

Sondazh

Poll