Protestë masive kundër projektit në Zvërnec/ Qytetarët para Kryeministrisë thirrje kundër qeverisë: Rama të japë dorëheqjen (PAMJET)
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar! ...
Ish-ushtarak dhe njohës i armëve/ Kush është Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau një polic e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
• Ka nisur Kongresi i Partisë Socialiste, ku do të votohet Asambleja e re Kombëtare, e cila del nga delegatët. • Asambleja e PS ka rreth 400 anëtarë, por Kongresi do të zgjedhë vetëm 156 prej tyre, pasi anëtarët e tjera janë automatikisht për shkak të funksionit. • Në nisje kanë mabjtur fjalën e tyre disa nga ministrat e kabinetit qeveritar. • Ministrja e Shtetit për Administratën Publike Adea Pirdeni, në fjalën e saj u shpreh se Shqipëria 2030, do të jetë anëtarja më e re e Bashkimit Evropian. • Pirdeni tha se Shqipëria u rendit e para në rajon për ofrimin e shërbimeve publike digjitale, sipas saj me 3.1 mln shqiptarë të regjistruar në e-Albania. • Më tej ka mbajtur fjalën e saj edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali u ndal edhe tek disa nga kolegët e tyre socialistë, të cilët janë nën hetim për vepra të ndryshme penale, mes tyre dhe për korrupsion e shpërdorim detyre. • Spiropali tha se është e pashmangshme që beteja e tyre me drejtësinë është individuale, ndërsa shtoi se "kush ka gabuar me dashje duhet të paguajë". • Në Kongres po ashtu ka mbajtur fjalën e tij edhe kreu i PS-së Edi Rama. • Ai tha se kongresi i sotëm është nisja zyrtare e projektit jo vetëm Shqipëria 2030 por edhe projekti PS 2030. • Më pas Rama shprehu falenderimet e tij për ish-kryetare e Kuvendit, Lindita Nikollën për të cilën tha se ishte shembulli sesi duhet të jetë individi i zgjedhur nga komuniteti i PS. • Ai tha se konflitki brutal politik e ka kthyer Parlamentin në shëmbëlltyrën më acaruese për nervat e njerëzve të zakonshëm. • Rama tha se burimi i konfliktit dihet, duke akuzuar liderin e opozitës, Sali Berishën se e ka "katandisur PD në një cisternë të ndryshkur helmi". • Kryeministri nuk ka kursyer edhe deputetët socialistë për të cilët shprehu edhe kritikat e tij. • Rama tha se në sallë janë deputetë të cilët paguhen nga taksat e shqiptarëve, ndërsa nuk e kanë përmbushur akoma as minimumin etik të paraqitjes në kohë dhe në çdo kohë për detyrën. • Teksa po komentonte ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe votën e diasporës, ai i cilësoi emigrantët si kontributorë të mëdhenj në ekonominë kombëtare, ndërsa shtoi se prej kohësh duhet ta gëzonin të drejtën e votës. • Në mbyllje të fjalimit, Rama njoftoi edhe ndryshimet në qeveri dhe parti. • Ai propozoi emrin e ministres Elisa Spiropali si kryetaren e re të Kuvendit, Bledi Çuçin si zëvendëskryetar. • Rama lajmëroi gjithashtu se ka menduar ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshin si kryetar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. • Rama gjithashtu tha se Taulant Balla do të largohet nga Ministria e Brendshme për të drejtuar Ministrinë e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. • Ndërkohë pasues i Ballës, do të jetë Ervin Hoxha. • Në krye të Ministrisë së Mbrojtes tha se do të jetë Pirro Vengu. • Rama ka shkarkuar nga detyra ministrin Ervin Mete, duke vendosur si drejtues të ministrisë së Financave, Petrit Malajn.
21 artikuj për këtë temë.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama pas lajmërimit për ndryshimet në qeveri gjatë mbledhjes së Kongresit të PS-a është paraqitur në Presidencë. Kjo paraqitje e tij vjen për të paraqitur propozimet e tij presidentit Begaj.
Pritet që ndryshimet në kabinet të dekretohen brenda ditës së sotme, ndërkohë që nëse kjo ndodh, nesër pritet të mbahet një seanca e jashtëzakonshme. Në seancë pritet të votohen nga deputetët emrat e ministrave të rinj të kabinetit Rama. Ndërkohë se sesioni parlamentar u mbyll të premten.
Propozimet për ndryshimet në Qeveri
Ervin Hoxha emërohet ministër i Brendshëm (Largohet Taulant Balla)
Petrit Malaj emërohet ministër i Financave (Largohet Ervin Mete)
Pirro Vengu emërohet ministër i Mbrojtjes (Largohet Niko Peleshi)
Taulant Balla emërohet ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin (Largohet Elisa Spiropali)
TIRANË- Ministrja për Rininë dheFëmijët, Bora Muzhaqi do të jetë kujdestarja e platformës “Deputeti që duam”. Gjatë fjalës e saj në Kongresin e PS, Muzhqi u shpreh se kjo platformë do të jetë e hapur nga sot dhe në vazhdim. Ministrja më tej tha se u bë e famshme nga memet e saj ndërsa shtoi se në fillim daljet në sallën e parlamentit ishin si gryka zjarri të një skuadre pushkatimi.
Sipas saj ajo arriti të mësohet natyrshëm me kamerat dhe se sot iu besua një detyrë si ajo e kujdestares së platformës së deputetit që duam. Ajo shtoi se ata që duan të hedhin hapin për të kërkuar të jenë pjesë e skuadrës PS 2025 do trajtohen sipas meritës.
“Më pas mu dha një detyrë, e më tej një ndër i madh i përfshirjesh në qeverinë e Edi Ramës. U bëra e njohur fillimisht nga memet e krijuar prej emocioneve kur dilja përballë kamerave dhe kisha përballë sallën e parlamentit. Herët e para, për të qenë e sinqertë më dukeshin si gryka zjarri të një skuadre pushkatimi. Por nuk më mungoi asnjëherë mbështetja e kam që më thoshte ti bëj punë, me kamerat do mësohesh natyrshëm. Dhe kështu ndodhi.
Sot më është besuar një detyrë, që e kam shumë për zemër, e kujdestares së platformës së deputetit që duam, ku edhe ne emër të kryetarit të PS, por edhe skuadrës i sigurojmë ata që duan të hedhin hapin për të kërkuar të jenë pjesë e skuadrës PS 2025 do trajtohen sipas meritës. Këtë herë platforma është më e pasur, por me vështrim nga Shqipëria 2030”, tha Muzhaqi.
TIRANË- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi ka folur në lidhje me ndryshimet e fundit të bëra nga kryeministri Rama në qeveri gjatë mbledhjes së Kongresit të PS-së. Rama propozoi shkarkimin e Peleshit si ministër i Mbrojtjes dhe vendosjen në një detyrë të re, kreu i grupit të PS. Peleshi tha për mediat se nuk kishte dijeni për këtë shkarkim.
Ai shtoi se s'ka nevojë për konsultim për një njeri që është 100% në politikë si puna e tij. Peleshi më tej shtoi se është ministri më i vjetër në këtë qeveri dhe sipas tij do ishte shumë naive nga ana e tij që në një moment kur merr një detyrë tjetër të ketë nocion negativ.
"Rama ka dhënë mesazhe të forta dhe ka artikular ambicie të mëdha dhe sfiduese për Shqipërinë 2030, nisma deputeti që dua është lajm shumë më i madh se sa lëvizjet tona politike. Nuk e kam ditur. S’ka nevojë për konsultim për një njeri që është 100% në politikë si puna ime.
Unë jam mbase ministri më i vjetër në këtë qeveri, do ishte shumë naive nga ana ime që në një moment kur marr një detyrë tjetër të kisha nocion negativ. Kam natyrën që shoh para, më vjen mirë që me seancën e fundit paraletrare arritëm të kalojmë 6 ligje në sektorin e mbrojtjes," tha Peleshi.
TIRANË- Pas ndryshimeve të njoftuara në fund të Kongresit të PS, kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Presidencë për t'i dorëzuar lëvizjet e tij në qeveri.
Kryeministri propozoi fillimisht emrin e Elisa Spiropalit si kryetaren e re të Kuvendit dhe Bledi Çuçit si nënkryetar. Më pas Rama tha se Taulant Balla do të largohet nga ministër i Brendshëm për të kaluar në ministrinë e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Ministri i ri i Brendshëm do të jetë Ervin Hoxha.
Niko Peleshi do të mbajë postin e kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, ndërsa ministria e Mbrojtjes do të drejtohet nga Pirro Vengu. Ervin Mete është shkarkuar nga posti duke u pasuar nga Petrit Malaj si ministër i ri i Financave.
TIRANË- Petrit Malaj do te jete ministri i ri i Financave propozuar sot nga kryeministri Rama ne kongresin e Partise Socialiste. Malaj aktualisht mban postin e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Burimeve Natyrore (AKBN)
Malaj është diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, ka vijuar studimet për Master në “Business Administration” në Universitetin Wisconsin- La Crosse në SHBA , është kualifikuar për “Banking and Finance” në Universitetin Georgetown, SHBA dhe më pas ka ndjekur një program kualifikimi për Drejtimin e Tregut të Kapitaleve, të Ministrisë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Gjermanisë.
Ai ka një përvojë të pasur pune në sistemin bankar në Shqipëri dhe më pas është angazhuar si Drejtor Ekzekutiv në kompaninë “BDO Albania”, pjesë e BDO International, grupi i pestë më i madh në botë në fushën e Konsulencës Financiare, Auditit dhe Taksave.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama lajmëroi në mbyllje të fjalimit të tij në Kongresin e PS ndryshimet e reja në ministrinë e Mbrojtjes dhe Financave.
Rama propozoi emrin e ministrit Niko Peleshi si kryetar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe në krye të Ministrisë së Mbrojtes tha se do të jetë Pirro Vengu. Ky i fundit mban e drejtorit të Përgjithshëm të portit të Durrësit.
Rama ka shkarkuar nga detyra ministrin Ervin Mete, duke vendosur si drejtues të ministrisë së Financave, Petrit Malajn. Malaj është aktualisht drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Burimeve Natyrore (AKBN).
TIRANË- Kryeministri Edi Rama në mbyllje të njoftimit të tij ka njoftuar disa ndryshime të reja në ministrinë e Brendshme.
Rama propozoi emrin e Elisa Spiropalit si kryetare të Kuvendit, ndërsa tha se Taulant Balla do të largohet nga Ministria e Brendshme për të drejtuar Ministrinë e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Ndërkohë si pasues të Ballës, Rama tha se do të jetë Ervin Hoxha. Ky i fundit mban postin e kryeinspektorit të IKMT-së.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama në mbyllje të fjalës së tij në Kongresin e PS, propozoi emrin e ministres Elisa Spiropali si kryetaren e re të Kuvendit.
“Do i propozoj grupit parlamentar që në një seancë të menjëhershme t’i japim besimin tonë Elisa Spiropalit për të marrë drejtimin e Parlamentit”, u shpreh Rama para delegatëve të Kongresit të PS.
Gjithashtu propozoi edhe emrin e kreut të grupit parlamentar, Bledi Çuçit si zëvendëskryetar të Kuvendit. Rama lajmëroi gjithashtu se ka menduar ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshin si kryetar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama teksa bënte thirrje të rinjve që duan të bëhen pjesë e politikës të aplikojnë në platformën “Deputeti që duam” për t’u bërë pjesë e politikës, tha se PS ka po ashtu problemet e saj.
Rama foli edhe për persona të paudhë brenda PS, që tjetër gjë i thoshin në sy, tjetër gjë i bënin pas shpinës. Sipas Ramës, pazari i politikës ka plot dyqane, por PS është e vetmja derë ku kush do hedhë një hap për tu angazhuar e ka një mundësi reale.
Rama: Shikoje platformën si një derë ku mund të trokasësh pa ndërmjetës. Regjistro emrin dhe mos prit, organizohu për të dalë në pah. Sigurisht gjatë gjithë kohës ne do jemi në kontakt. Unë nuk i siguroj dot ata se do bëhen deputet. Sepse secilit i takon të bindë njerëz, të bëjë ndjekës, por unë i siguroj që nëse dikush ka dëshirë, të angazhohet, të merret me politike deri të bëhet deputet, nuk ka asnjë derë tjetër që bën punë, asnjë. Pazari politikës ka plot dyqane, por PS është e vetmja derë ku kush do hedhë një hap për tu angazhuar e ka një mundësi reale. Jo sepse PS është një shtëpi pa probleme, nuk e them dot këtë. Kemi plot probleme edhe ne. I kam njohur edhe vetë të tillë të paudhë, aq të paudhë sa cilido do të habitej po të tregoja se cfarë më thoshin në sy dhe cfarë më bënin pas shpine. Kur kanë arritur të ngjiten dhe të më ngjiten mua, merreni me mend sesa nga këta ka më poshtë, deri aty ku këta njerëz që po u drejtohet duhet të nisin rrugën. Unë jam po ai që them, besojeni. PS është e vetmja rrugë për ju”.
TIRANË- Kreu i Partisë Socialiste nuk ka kursyer edhe batutat gjatë fjalimit të tij para socialistëve në Kongresin e sotëm. Rama komentoi fjalimin e parë në Kongres të anëtares së re të PS, Helenës, të cilën e cilësoi si një udhëheqëse e ardhshme e partisë.
Mes batutash, ai tha se ndoshta nuk do të jetë në këtë botë kur kjo të ndodhë, por u shpreh se Pandeli Majko, për të cilin tha se është i pavdekshmi i PS-së, do të jetë gjallë. Më tej shtoi se Majko do kujtojë parashikimin e Ramës, pas disa vitesh "se kushedi se sa do ketë përcjellë në Sharrë apo Tufinë se është edhe mik me Lalin Erin dhe ia gjen varret aty ku do".
Rama: Po ja lejon vetes një parashikim që koha do ta tregojë, mbase kur unë nuk do jem më dëshmitar i kësaj bote. Ti Helena një ditë më shumë gjasë do jesh këtu ku jam unë, udhëheqëse e PS. Me këtë që të thash sapo ta kam hapur një problem. Sepse t’i hyre e panjohur dhe e buzëqeshur, por kur të dalësh do të kesh sy që nuk do të shikojnë me dashamirësi.
Këtë konsiderojë si një favor, meqë the që s’ke pasur asnjëherë një favor, sepse kush nuk ka shumë kundërshtarë nuk ngjitet dot në majë. Do kem dëshmitar Pandi Majko, kur mos jem më, se Pandi është i vetmi i pavdekshëm që kemi këtu dhe kur Elena të bëhet kryetar e partisë, Pandi do të dëshmojë para gjeneratës X, që “e ka thënë dikur njëri nga ata, me duket se ishte Edi Rama”, se kushedi se sa do ketë përcjellë në Sharrë apo Tufinë se është edhe mik me Lalin Erin dhe ia gjen varret aty ku do.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar edhe ndryshimet e Kodit Zgjedhor, ku përmendi edhe votën e diasporës. Rama i cilësoi emigrantët si kontributorë të mëdhenj në ekonominë kombëtare, ndërsa shtoi se prej kohësh duhet ta gëzonin të drejtën e votës. Ai iu drejtua emigrantëve duke iu thënë se nëse nuk vijnë vetë të votojnë, le ta dërgojnë votën me postë.
"Shqiptarët e Evropës, janë kontributorë të mëdhenj në ekonominë kombëtare. Duhej prej kohësh ta gëzonin të drejtën e votës. Pavarësisht dëshirës, sanksionimi i kësaj, mori kohë të gjatë, në mungesë të votave të nevojshme. U them bujrum,. Shqipëria është shtëpia juaj, për të investuar, por edhe për të votuar. Nëse nuk vini të votoni këtu, dërgojeni votën me postë”, u shpreh Rama.
Ndryshimet e Kodit Zgjedhor u miratuan me 106 vota pro në seancën e fundit të sesionit parlamentar. Miratimi në Kuvend erdhi pas dakordësisë së arritur mes PS dhe PD. Marrëveshja e tyre mori kritika dhe nga disa prej deputetëve të opozitës të cilët votuan kundër saj në Kuvend.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama në Kongresin e PS nuk ka kursyer edhe deputetët socialistë për të cilët shprehu edhe kritikat e tij.
Rama tha se në sallë janë deputetë të cilët paguhen nga taksat e shqiptarëve, ndërsa nuk e kanë përmbushur akoma as minimumin etik të paraqitjes në kohë dhe në çdo kohë për detyrën.
Më tej kryeministri tha se ka po ashtu edhe nga ata deputetë që dalin në takimet me popullin vetëm kur shoqërojnë Ramën apo marrin pjesë në fushata anëtarësimesh për të realizuar një fotografi prezence.
Rama: Dua t’u kërkoj ndjesë sot gjithë atyre në këtë sallë dhe jashtë saj, që deputetë nuk janë, por kanë investuar mundin e tyre dhe kanë dhënë votën e tyre që një grusht njerëzisht të kësaj përfaqësie të madhe të PS të jenë këtu sot si deputetë.Dua t’ju kërkoj ndjesë për ata deputetë që janë këtu të ulur mes nesh që nuk e kanë përmbushur akoma as minimumin etik të paraqitjes në kohë dhe në çdo kohë për detyrën për të cilën paguhen nga taksat e shqiptarëve shumë më mirë, se sa shumica dërrmuese e shqiptarëve. Dua të kërkoj ndjesë për ata deputetë që dalin në popull vetëm për të më shoqëruar mua kur shkoj në zonën e tyre, apo që shkojnë në organizatat e partisë vetëm për të bërë një fotografi prezence ku zhvillohet një fushatë anëtarësimesh.
Dua të kërkoj ndjesë për ata deputetë që u del zëri vetëm kur trokasin në punët e shtetit vetëm për punët e tyre, të familjes së tyre dhe tarafit të tyre. Apo edhe ata deputetë që kur kanë zbritur në sallë nga tryeza e qeverisë duken në foltoren e kuvendit një herë në Hënë dhe flasin sikur kanë ardhur nga Hëna, ndërsa takimet me njerëzit i bëjnë vetëm me njëri tjetrin. Natyrisht për vatanin por kryesisht për të rejat e fundit nga portalet e thashethemeve për qeverinë.
Një ndjesë të veçantë edhe për disa që u është bërë ves të bëjnë komentatorin e kolegëve dhe të qajnë halle karriere me dashakeqës lloj lloj të kësaj shtëpie, apo të gjuajnë brenda shtëpisë nga frëngjijtë e disa pocaqi kanaleve dhe portaleve duke hedhur gurin dhe fshehur dorën, por duke harruar jashtë gjuhën e tyre që nuk pushon. Ndjesë për këdo deputet që nuk u takon kjo fjalë sepse fatmirësisht nuk janë të gjithë dembelë dhe kokëçarës ndaj detyrave që ose e nderojnë deputetin në sytë e zgjedhësve.
TIRANË- Në fjalimin e tij para socialistëve, kryeministri Edi Rama pas falenderimeve për Lindita Nikollën, komentoi edhe debatet e herëspashershme në Kuvend.
Ai tha se konflitki brutal politik e ka kthyer Parlamentin në shëmbëlltyrën më acaruese për nervat e njerëzve të zakonshëm. Rama tha se burimi i konfliktit dihet, duke akuzuar liderin e opozitës, Sali Berishën se e ka "katandisur PD në një cisternë të ndryshkur helmi".
Rama: Konflikti brutal politik që na ka shoqëruar e ka kthyer Parlamentin në shëmbëlltyrën më acaruese për nervat e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi dhe për këdo që politikën e sheh si një mundësi se çfarë ndodh në arenën e saj jo për të hedhur helm fjalësh të liga.
Ne mund të gjejmë shumë arsye për të thënë se ai konflikt skandaloz, në atë mexheliz që është prekja e përjavshme e nivelit më të ulët e sjelljes publike nuk është faj ynë, por nuk jemi të pafajshëm. Faji ynë nuk është se jemi burimi i konfliktit, dihet që burimi është i njëjti që doli nga të thellat e historisë së trishte të shqiptarit kundër shqiptarit që kur nisi jeta pluraliste në Shqipëri.
I njëjti që mori peng Shqipërinë sapo ajo u vetëshpall shtet në 1912 e që tanimë e ka katandisur PD në një cisternë të ndryshkur helmi që si bën më punë as dreqit. I njëjti që çorodit jetën politike çdo ditë, që helmon turmën e tij të tkurrur si një sy i verbuar nga drita. Faji ynë është se jo vetëm se nuk kemi bërë dallimin me bartësin e konfliktit, por as nuk e kemi bërë të gjithë përpjekjen e duhur për ta bërë të qartë për të gjithë këtë dallim të domosdoshëm.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama po mban fjalën e tij në Kongresin e Partisë Socialiste. Ai tha se kongresi i sotëm është nisja zyrtare e projektit jo vetëm Shqipëria 2030 por edhe projekti PS 2030.
Më pas Rama shprehu falenderimet e tij për ish-kryetare e Kuvendit, Lindita Nikollën për të cilën tha se ishte shembulli sesi duhet të jetë individi i zgjedhur nga komuniteti i PS. Më herët Nikolla u fotografua e ulur pranë kryeministrit Rama në sallën e Pallatit të Kongreseve.
Rama: Të nderuar kongres i PS, shokë, shoqe, miq dhe të ftuar! Ky është një stacion në rrugëtimin e PS. Jo thjesht sepse do të zgjedhim përfaqësuesit e familjes së madhe politike në Asamblenë Kombëtare prej të cilës në sezonin e ardhshëm politik, do të dalin dhe Kryesia dhe Sekretariati i ri i PS. As sepse sot nis praktikisht mbjellja e fushës së fitores që do të korrim pranverën e ardhshme me një punë të gjithëanëshme. Sot nis natyrshëm projekti i PS të vitit 2023. Është kjo koha e duhur për të nisur një tjetër investim të ri për kapitalin njerëzor të PS-së, dhe për të punuar në një ambicie të re, të madhe. Jo vetëm për Shqipërinë e 2023-ës, por dhe për PS-në e 2030-ës.
Dua të ndalem për një moment, për të falënderuar në emër të çdo anëtari të PS, Lindita Nikollën. Shërbeu për disa vite, bëri më të mirën e saj si gjithmonë, që në ditën e parë në shërbimin publik, si mësuese, si drejtoreshë shkolle, kryetare e Njësisë Bashkiake nr,3, ministre e Arsimit dhe kryetare Kuvendi. E ka vënë unin e vetë në shërim të komunitetit politik. Shembull kuptimplotë se si duhet të jetë në çdo rrethanë dhe vështirësi, individi i zgjedhur nga ky komunitet dhe në çdo hap përfaqësimi. Faleminderit për shembullin që je.
TIRANË- Ministrja Elisa Spiropali gjatë fjalës së saj në Kongresin e Partisë Socialiste u ndal edhe te kolegët e saj të cilët ndodhen nën hetim për vepra të ndryshme penale.
Spiropali tha se është e rëndë por e pashmangshme që beteja e tyre të jetë individuale. Më tej shtoi se kush ka gabuar me dashje duhet të paguajë, ndërsa tha se kush e vërteton të kundërtën i ka të hapura dyert sipas saj të mbyllura përkohësisht.
Spiropali: Ne kemi rikthyer në jetë pushtetin e drejtësise. Ka një listë jo të vogël me kolegë që kanë një bast personal me drejtësinë. Është e rendë, por e pashmangshme që beteja e tyre të jetë individuale. Di që nuk ka asnjë të vërtetë në pohimin cinik që e gjithë klasa politike është njëlloj dhe njëlloj në futjen të dorës në fondet publike
Këtë gjë e ndan drejtësia dhe ne duhet të presim. Kush ka gabuar me dashje duhet të paguajë dhe kush vërteton të kundërtën e ka të hapur derën e mbyllur përkohësisht. Askush nuk mund të linçohet në emër të gjyqeve popullore. Prezumimi i pafajësisë është i drejtë.
Ne duhet të kooptojmë se zgjidhjet juridikë janë të pamjaftueshme nëse ato nuk parashoqërohen me mjete politike. Ne shkojmë në zgjedhje si një organizatë politike që reflektojmë nivelin e shoqërisë shqiptare. PS është i vetmi propozim realist për Shqipërinë.
TIRANË- Ministrja e Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali u shpreh në mbledhjen e Kongresit të PS, se ky ishte një çast reflektimi për të vlerësuar punën e bërë.
Spiropali tha se ky ishte një moment ripërtëritje për PS. Më tej u shpreh se gara e tyre nuk ishte me kundërshtarët e tyre por me pritshmëritë e qytetarëve.
Spiropali: Ky kongres është një çast reflektimi për të parë se ku kemi qenë, për të vlerësuar se çfarë kemi bërë dhe për të vendosur se çfarë do të bëjmë edhe më mirë nesër. Të bekuar nga besimi i publiku dhe të detyruar prej tij të vazhdojmë të jemi ende e vetmja alternativë që duhet të bëjmë edhe më shumë se sa dimë deri tani. Miq e kundërshtarë, ind e të tjerë kanë pritshmëri të jashtëzakonshme për atë që do ndodhë sot, të bindur se vendimet që do marrin ndikojnë e reflektojnë në jetën e gjithë vendit. Kjo dëshmon jo vetëm rëndësinë e PS si forcë e vetme qeverisëse, por edhe peshën e përgjegjësisë që PS ka dhe aftësinë e saj ripërtëritjes.
Shumë horoskop kanë hamendësuar se çfarë do të ndodhë sot, kush ikën e kush vjen, ka shumë dilema nëse do notojmë në të njëjtat ujëra apo do ndryshojmë do mbetemi robër të kënaqësisë apo do ofrojmë zgjidhje të reja drejt stacionit të afërt të zgjedhjeve të përgjithshme. Unë besoj se është edhe më shumë se kaq, ky është momenti i ripërtëritjes së një force, që rishpik vetveten kur koha dhe sfidat e kohës kërkojnë rishpikjen e saj.
Duke qenë 3 mandate rresht, PS ka qenë opozita më serioze dhe më e ashpër e vetvetes në një proces ripërtëritje dhe përshtatje me sfidat më të komplikuara të kohës. Ne kemi krijuar pakënaqësi ndaj vetes, gara jonë nuk është me ata që kemi përballë qe janë për faqe të zezë, por me pritshmëritë e qytetarëve. PS duhet të ribëjë veten.
Kundërshtarët janë të paaftë të qeverisin veten në opozitë, jo më vendin. Për këtë shkak dhe këtë kalendar domethënës suksesesh që ka prodhuar qeverisja jonë duket se kemi çdo arsye të jemi me kokën lart për çfarë kemi bërë.
TIRANË- Në nisje të Kongresit ka mbajtur fjalën edhe kryenegociatorja me BE-në, Majlinda Dhuka. Ajo u shpreh se qëllimi i qeverisë është që në vitin 2030 Shqipëria të ulet si e barabartë në tryezën e BE.
Më tej shtoi se procesi kërkon gjithëpërfshirje, në mbikëqyerjen e përbashkët të 3 pushteteve legjislative të vendit. Dhuka u shpreh se agjenda kombëtare parasheh thellimin e mëtejshëm të reformave.
"Anëtarësimi në BE është objektivi madhor i Shqipërisë. Në Shqipëri anëtarësimi në BE ka mbështetjen më të lartë nga të gjitha vendet e Rajonit, kjo sepse historia e jetuar më shumë sundime, na mësoi si popull si askund tjetër përveçse në familjen e evropiane nuk mund të jetë e sigurtë.
Qëllimi ynë është të përmbushim të gjitha kushtet për anëtarësim dhe Shqipëria në 2030 të ulet si e barabartë në tryezën e përbashkët evropiane. Të gjithë po punojmë për këtë qëllim. PS do t’ia dalë kësaj sfide të madhe historike. Shqipëria arriti të çelë negociatat me BE, falë progresit dhe reformave të rëndësishme.
Progresi i metejshëm kërkon gjithëpërfshirje në këtë proces unikal, në umbrellën e përbashkët të të 3 pushteteve legjislative të vendit tonë. Agjenda kombëtare parasheh thellimin e mëtejshëm të reformave. Rrugëtimi është i qartë, së pari nevojitet të forcojmë sundimin e ligjit dhe thellojmë progresin e reformës në drejtësi, të rrisim cilësinë e institucioneve të drejtësisë. Së dyti, nevojitet të thellojmë modernizimin e qeverisjes dhe transformimin e administratës tonë publike. Së treti, nevojitet të thellojmë luftën anti-korrupsion. Së katërti, duhet të dinamizojnë vijimësisht reformat tona ekonomike." tha ndër të tjera Dhuka.
TIRANË- Ministrja e Shtetit për Administratën Publike Adea Pirdeni, në fjalën e saj në Kongresin Zgjedhor të PS-së se Shqipëria 2030, do të jetë anëtarja më e re e Bashkimit Evropian.
Pirdeni u shpreh se Shqipëria u rendit e para në rajon për ofrimin e shërbimeve publike digjitale, sipas saj me 3.1 mln shqiptarë të regjistruar në e-Albania.
Më tej tha se vala e rienergjizimit shoqërohet edhe me frymën antikorrupsion, në aspektin e modernizimit të proceseve të punës dhe cilësisë së filtrave amdinistrativë.
“Përtej bukurive natyrore, zonave urbane që vizitohen gjithnjë e më shumë, vazhdon puna në kantieret për rilindjen urbane dhe rurale të vendit, në tryezat e Brukselit administrata nguliti një imazh suprizues e madje befasues falë profesionistëve të përkushtuar. Ishte një dëshmi kuptimplotë e pjekurisë institucionale. Përgjatë kësaj dekade shndërruam shumë sfida në mundësi. Nuk ka më kthim pas, por vetëm ngjitje lart deri në majën e Shqipërisë 2030. U rendit e para në rajon për ofrimin e shërbimeve publike digjitale, 3.1 mln shqiptarë të regjistruar në e-Albania. Krahas transformimit të madh digjital, u punua për forcimin e skuadrës së admnistratës. 1 mijë euro është sot paga mesatare në këtë sektor. Vala e rienergjizimit shoqërohet edhe me frymën antikorrupsion, në aspektin e modernizimit të proceseve të punës dhe cilësisë së filtrave amdinistrativë.
Një shembull domethënës për këtë është krijimi i Operatorit të Shërbimeve të Prokurimit, një trupë e specializuar për kryerjen e garave publike, e cila praktikisht ka mundësuar qysh prej disa muajsh që asnjë ministri të mos bëjë më tendera. Mbase pak, po shumë e sigurtë, që kjo ndërhyrje e fortë strukturore shmang titullarët dhe stafet teknike të ministrive në organizimin e tenderave, duke i ndarë institucionet qëndrore politikëbërëse, qoftë nga barra e një detyre me shumë ngarkesë të natyrës teknike, po qoftë edhe nga ngarkesa e lartë e paragjykimeve që është bërë zakon të shoqërojnë çdo tender publik. Jo më larg se këtë javë nisëm një raund të gjerë konsultimesh publike për strategjinë e re antikorrupsion, me fokus goditjen e tij në jetën, shëndetin dhe biznesin e qytetarëve, në sektorët më të ndjeshëm.”
TIRANË- Kreu i Komisionit Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj ka mabjtur fjalimin e tij në Kongresin e Partisë Socialiste.
Xhafaj gjatë fjalës së tij për PS nuk la jashtë edhe kundërshtarët e tij politik, të cilët sipas tij kanë mbetur në shekullin e kaluar.
Ish-ministri u shpreh se opozita edhe vitin e ardhshëm, do të marrin të njëjtin rezultat që kanë marrë deri më tani.
Xhafaj në Kongresin e PS: Me gjithë vitet mbi supe, eksperiencën dhe sprovat e një kohë të gjatë, emocionet e daljes para jush, mbeten po ato të herëve të para.
Pyes veten, se sa më shumë kalon koha, kristalizohet akoma më shumë marrëdhënie me këtë familje politike. S’ka shpërblim më të madh që në kohën e duhur ke bërë edhe ti gjënë e duhur falë kësaj force politike.
Si të mos jemi krenar për rrugën që i kemi shtruar vendit tonë, duke mishëruare interesin kombëtar, vullnetin shtet-ndërtues dhe reformat, c’ka ka përcaktuar në esencë vetë ADN-në e PS. Kjo nuk është një klishe, por një fakt i pakundërshtueshëm.
Kjo familje politike, është ajo që 1998 e bëri vendin me të parë Kushtetutë moderne, pavarësisht një bojkoti fuqimisht absurd nga kundërshtarët tanë politikë, që fatkeqësisht që edhe sot vazhdojnë me të njëjtën avaz, me të njëjtin metër, me po të njëjtën mendësi.
Na vjen vërtet shumë keq që kanë mbetur po ata që ishin në shekullin e kaluar, por nuk them dot që më vjen keq, që po marrin po atë rezultat që do të marrin edhe vitin tjetër.
TIRANË- Partia Socialiste mbledh sot Kongresin. Ministrat e kabinetit qeveritar kanë mbërritur në Pallatin e Kongreseve, ku punimet pritet të nisin rreth orës 11:00. Sipas raportimeve pjesa më e madhe e delegatëve janë mbledhur me herët dhe po kryejnë procesin e verifikimit.
Gjithashtu në Pallatin e Kongreseve ka mbërritur edhe kryeministri Edi Rama, i cili u prit nga sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi.
Bëhet me dije se gjatë Kongresit do të votohet Asambleja e re Kombëtare, e cila del nga delegatët. Asambleja e PS ka rreth 400 anëtarë, por Kongresi do të zgjedhë vetëm 156 prej tyre, pasi anëtarët e tjera janë automatikisht për shkak të funksionit. Në kongres parashikohet të ketë edhe dy panele ku do të flitet për mirëqeverisjen, antikorrupsioni, turizmin. Veç Ramës pritet të flasin edhe ministrat sipas fushave të përcaktuara si prioritet për platformën e qeverisjes. Gjatë kongresit pritet të bëhet edhe një analizë çfarë ka arritur në këto tre vite qeverisja socialiste.
TIRANË- Partia Socialiste do të mbledhë ditën e sotme Kongresin Zgjedhor në orën 11:00 në pallatin e Kongreseve. Bëhet me dije se gjatë Kongresit pritet të votohet Asambleja e re Kombëtare, e cila del nga delegatët. Asambleja e PS ka rreth 400 anëtarë, por Kongresi do të zgjedhë vetëm 156 prej tyre, pasi anëtarët e tjera janë automatikisht për shkak të funksionit.
Në kongres parashikohet të ketë edhe dy panele ku do të flitet për mirëqeverisjen, antikorrupsioni, turizmin. Veç Ramës pritet të flasin edhe ministrat sipas fushave të përcaktuara si prioritet për platformën e qeverisjes. Gjatë kongresit pritet të bëhet edhe një analizë çfarë ka arritur në këto tre vite qeverisja socialiste.
Pak ditë më parë, kreu i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi tha se pjesa e parë e Kongresit do të jetë me shumë interes, pasi do të flitet për çështjen e shtetit të së drejtës dhe për gjithë përpjekjet për ta bërë Shqipërinë një yll polar në rajon, sipas tij. Çuçi bëri me dije se në pjesën e dytë do të zgjidhen anëtarët për Asamblenë Kombëtare që del nga delegatët.