• Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin për mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike duke i kaluar asetet e këtij institucioni nën Akademinë e Shkencave. •Sipas projektvendimit, që pritet të firmoset nga kryeministri Edi Rama, të gjithë institutet në varësi të Akademisë së Studimeve Albanologjike do të shkrihen dhe do t’i bashkangjiten Akademisë së Shkencave e cila merr po ashtu të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme. •Në një dalje për mediat, pas vendimit të qeverisë, ministrja e Arsimit, Evis Kushi theksoi disa prej arsyeve që kishin çuar në marrjen e këtij vendimi ku mes tyre nënvizoi faktin që gjetjet pas kontrollit të bërë Akademinë e Studimeve Albanalogjike tregonin se ky institucion kishte kryer shkelje të rënda ligjore duke mos funksionuar si institucion i arsimit të lartë. • Kushi pretendoi se me shkrirjen e ASA-s si pjesë të Akademisë së Shkencave, e cila drejtohet nga Skënder Gjinushi, një ish-politikan komunist, albanologjia do të ngrihet në një nivel më të lartë, ndërsa shtoi se në institucion janë konstatuar shkelje, por theksoi se për to nuk do të merret asnjë masë. •Senati i Akademisë së Studimeve Albanalogjike ka deklaruar se është kundër vendimit të marrë sot nga Këshillit të ministrave duke e cilësuar këtë si vendim politik që godet shkencën e albanalogjisë në Shqipëri.
7 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE
Flutura Açka: Shkrirja e ASA-s, dëm i madh për gjuhën dhe historinë shqiptare
Flutura Açka
TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka ka komentuar vendimin për riorganizimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike pranë Akademisë së Shkencave. Me anë të një postimi në Facebook, Açka ka ironizuar faktin se asnjë zë autoritar nuk është ngritur për të kundërshtuar ndonjë shkelje. Po ashtu Açka doli në mbrojtje të profesorëve dhe të gjithë kontributorëve të nderuar të akademisë.
Postimi i Plotë:
Kushi dhe Gjinushi Mjafton shkrirja e fjalës “Akademi Albanologjike” për të nënkuptuar dëmin e madh që po i bēhet kulturës, gjuhës, arkeologjisë, letërsisē dhe historisë shqiptare. Pas mbylljes së kopshte e shkolla, nuk duhet të përfshinin në cv tuaj politike, për asnjë kusht, mbylljen e një akademie aq emblematike, zonja Kushi. Mjafton fakti që asnjë zë (ose ndonjë i rrallē) autoritar nuk u ngrit të kundërshtonte ndonjë shkelje (edhe pse ankesë kanē qenë të shpeshta, gjatë analizës vjetore të Akademisë së Shkencave Shqiptare, mjafton ngjyra mavi e ftesave dhe e posterit për përvjetoret e këtij institucioni, mjafton mënyra tinzare e zgjatjes së mandatit tuaj politik, për të kuptuar sa apolitik është ky agresion ndaj shkencës albanologjike, zoti Gjinushi. Ka edhe raste kür, me dëshirēn dhe qëllimin e mirë, gjërat rregullohen, jo rrënohen. Dhe ky është rasti. Në mbrojtje të profesorëve dhe të gjithë kontributorëve të nderuar. Dëshmi janë veprat, jo vitet politike, jo gjepurat dhe kulisat politike, të trashëguara nga regjimi i kontrollit dhe birësimi i dikurshëm me të.
Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur riorganizimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA). Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë tha se me vendim të Këshillit të Ministrave po e riorganizojnë këtë akademi, duke i vendosur institutet dhe njësitë përbërëse të saj si qendra autonome, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
1 VITE ME PARE
Debati për Akademinë e Studimeve Albanologjike, Neritan Ceka në krah të Gjinushit: Ishte kthyer vend qokash dhe interesash. Mos të kruhen kot
Neritan Ceka
TIRANË- Profesor Neritan Ceka ka dalë në krah të qeverisë dhe Akademisë së Shkencave në debatin për shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike. Në një intervistë të dhënë për "BW", Neritan Ceka e cilësoi vendimin e qeverisë të drejtë, ndërsa thekson se me këtë VKM korrigjohet një gabim që ka ndodhur në vitin 2008. Po ashtu, Ceka iu përgjigj akuzave të bëra nga Senati i Albanologjisë, se ai dhe studiues të tjerë nuk kanë asnjë interes që të dëmtohen kërkimet shkencore, duke shtuar se me këtë lëvizje i hapet rrugë dhe punonjësve të rinj shkencorë.
“Me largimin e tyre ASH u dobësua dhe u bë akademia e qokave, edhe këta ranë në shi dhe breshër dhe mbeten pa fonde dhe u bënë për të qarë hallin. Tani çfarë po ndodh? ASH mori veten. Janë ca që kanë kapur projektet dhe profesoratin dhe duan ta mbajnë kështu. Unë jam i familjes por nuk mund t’ja lë kolegëve të mi që të marrin peng, jo një institucione që ka nisur me babain tim, ka vazhduar me mua dhe vazhdon me vajzën time. Këta duan ta privatizojnë. Ta mbyllim këtë histori. Kjo është këshilla ime “me qeverinë këta nuk kanë pse kruhen” sepse qeverisë këta nuk i kanë çuar asnjë dokument sesi duhet të bëhej. Kanë pritur nga qeveria, si të gjitha që presin ata që nuk dinë nga bie rruga. Në vend që ta kuptojnë që qeveria e ka mirë, unë nuk kam qene adhurues i kësaj qeverie, por në këtë rast kjo qeveri ka bërë një veprim kombëtar. Tani bashkohet familja e madhe e studiuesve dhe kanë nevojë të shohin si do veprohet. Të ulemi dhe të shohim si të bëjmë shkencë kombëtare. Duhet të jetë një Akademi moderne. Të shkojmë një javë në Vjenë, një javë në Zagreb, Sofje të shohim si punojmë. Ata kanë një akademi shumë të mirë dhe shimë të fortë, por në programin me Shqipërinë janë në rrugë të gabuar dhe kundër nesh. Ne nuk jemi nacionaliste. Unë jam një pensionist që përtej pensionit drejtoj një seksion të Akademisë. Mos qahen sepse janë pjesë e grupit. Ikin nga gjykata, lëvizni nga karriget dhe hajdeni të punon.
Këta janë studentët e mi. Asnjë nga këta nuk e thotë që janë studentet e Neritan Cekës. Këta e kanë filluar historinë nga vetja e tyre. Edhe albanologjiken e fillojnë nga vetja e tyre. Është një vendim që korrigjon një gabim të bërë në vitin 2008, kur u shpërbë akademia e Shkencave që kishin edukatën vjenezë që ishte ky model. Ai përmbledh institutet e shkencave Fondamentale dhe që përpunon me perspektivë programet. Këto institute duhet të kishin kaluar pranë universitareve. Kjo nuk ndodhu. U grupuan të 4 institute dhe më pas kjo u shpërbë. Ne një institucion që quhet Akademia e Studimeve Albanologjie u trajtua si IAL. E ulën nivelin, nga Akademia e Shkencave, e ulën njësoj si një universitet. Njësi- është instituti, është term juridik. Në ligjin e Akademisë së Shkencave kemi sot 3 njësi kërkimore që janë të përkohshme. Nëse Akademia bën njësi afatgjate i bën Këshilli i Ministrave. Ndaj qeveria ia kthen prapë Akademisë, kjo po ndodh. Po e kthejmë në shtëpi Akademinë. S’po bëhet shpërbëjë e instituteve. në vend që të kenë një senat dhe kryesi, kjo kapele do të jetë më pak e politizuar. Kush është senati? E keni pyetur ju? Këta janë një grup studiuesish dhe zgjedhin njëri-tjetrin dhe iu pëlqen të jenë në këtë formë. Por ka interesa më të mëdha se sa personale, ato kombëtare. Këta që iu dhimbset, si dhimbset më shumë se sa unë. Ai institut është krijuar nga babai im. Emrin tim ka marrë instituti. S’mund të më akuzosh mua që të pranoj që të deformohet instituti. Sot gjërat funksionojnë me projekte. Kemi projektin e Apolonisë, të Finiqit,”- tha ai.
Më tej, shtoi se gjithçka do të operojë siç ka operuar në Akademinë e Studimeve Albanologjike.
“Ata që vendosin sot. Nuk do të shpërbehen atributet e tyre. Zhvendosen institute siç janë. Quhen njësi në termin juridik, por do të kenë të gjitha kompetencat që kanë sot. Buxhetin e marrin nga Kryeministria. Kontratat siç i kanë sot, do të vijnë atje. S’do të ndryshojë asgjë. Këto janë sajesa për të trembur punonjësit shkencor, për të bërë punime shkencore. Për t’i trembur për të ardhur atje. Unë do ju them një gjë që ata se thonë. Ata thonë se do të ndërpritet karriera shkencore, pra që duhet të jepnin 600 orë mësim. Po ku do t’i marrin orët këta? Këta nuk kanë mësim, apo studentë. Këta janë kërkues shkencor. Këta janë bërë për vete profesorë të asociuar se kanë miq në fakultet, dhe mësimet dhe orët që marrin i marrin nga Fakulteti. 30 vetë që kanë këta doktor, janë të bllokuar dhe nuk bëhen doktor të asociuar se s’kanë student. E kanë marrë një vend e kanë privatizuar, dhe ndaj s’ju pëlqen kalimi në Akademi. Ata nuk kanë shkruar libra. Drejtoresha e Institutit të Arkeologjisë, çfarë libri ka bërë? Ka libër që ka bërë në emër të vetë?! I ka bllokuar atje. Miqësia e tyre me fakultetin e Histori-Filologji i ka bllokuar të tjerët,"- pohoi ai.
Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur riorganizimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA). Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë tha se me vendim të Këshillit të Ministrave po e riorganizojnë këtë akademi, duke i vendosur institutet dhe njësitë përbërëse të saj si qendra autonome, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Akademia e Studimeve Albanologjike është institucioni ku bëjnë pjesë Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA), Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Instituti i Historisë dhe Qendra e Enciklopedisë Shqiptare.
1 VITE ME PARE
Artan Fuga për shkrirjen e ASA: Sot flamurin vëreni në gjysmë shtizë, hendeku u bë greminë
Artan Fuga
TIRANË- Akademiku Artan Fuga ka komentuar vendimin e qeverisë për shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike. Në një postim në Facebook, Fuga shkruan se sot flamuri duhet vënë në gjysmë shtizë pasi kultura kombëtare ka marrë një goditje vdekjeprurëse. Sipas tij, hendeku është bërë greminë, ndërkohë që e ka quajtur ditën e sotme një disfatë
Statusi i Plotë:
Mbaroi! Vijeni flamurin ne gjysme shtize sot! Mos kujtoje njeri se nuk e dija qe letra ime me shume do ta ndizte zjarrin e pasionit shkaterrues. Por, te lutesh per kulturen kombetare nuk eshte kurre turp. Eshte nder. Une mund edhe te lyp per kete. Di edhe te tjera gjera te bej. Me durim. Qysh sot, Shqiperia, pas ndofta nje shekulli, nuk do te kete me institute per albanologji, as nje Qender albanologjike si institucion me vete. Hendeku eshte bere gremine. Kultura kombetare ka marre keshtu nje goditje vdekjeprurese.
Pallavrat pa lidhje ne sherbim te lobive antikombetare nuk e mbulojne dot gjemen e ndodhur. Shihni programet mesimore te gjimnazit, aprovuar nga ministria e arsimit, nje keqtrajtim i ndyre i trashegimise letrare, filozofike, artistike, kulturore kombetare, nje minim me tritol administrativ i traditave tona qe duhej te mbanin lidhur popullin me atdheun. Eshte nje platforme e tere! Dhe pyesin gjoja te habitur: Perse ikin shqiptaret nga atdheu, nuk ikin serbet, nuk ikin boshnjaket, nuk ikin maqedonasit! Ja perse ikin. Se n’a kane thare cdo gje kombetare. Eshte nje disfate tjeter. Shume me e ndershme ama se ajo e atyre qe me te tilla fitore do te kene turpin me vete. Mund te luash me pushtetin, por me Historine kurre. Kujtesa nuk do ta harroje. Ka pasur kohe edhe me erreta dhe hiri eshte ndezur perseri.
Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur riorganizimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA). Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë tha se me vendim të Këshillit të Ministrave po e riorganizojnë këtë akademi, duke i vendosur institutet dhe njësitë përbërëse të saj si qendra autonome, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
1 VITE ME PARE
Përplasja për "shkrirjen" e Albanologjisë / Gjinushi: Bashkim institucionesh. Shamku: S'do të ketë Institute, ligji shkelet me të dyja këmbët
Foto ilustruese
TIRANË- Një vendim i qeverisë që u morr këtë të mërkurë, që synon të vendosë Akademinë e Studimeve Albanologjike nën varësinë e Akademisë së Shkencave është kthyer në kryefjalë debati mes akademikëve shqiptarë dhe jo vetëm. Këshilli i Ministrave miratoi mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike duke i kaluar asetet e këtij institucioni nën Akademinë e Shkencave që drejtohet nga Skënder Gjinushi. Asetet dhe studiuesit e saj të transferohen deri në dhjetor (sipas vendimit), ndërsa projektet e ASA ndërpriten.
Akademia e Studimeve Albanologjike e cilëson si të paligjshëm këtë vendim të qeverisë. Gjuhëtarja dhe kryetarja e Këshillit Etik të ASA-s, Ledi Shamku thotë për Gazetën “Si” se situata është e gjitha në paligjshmëri sepse shkelet ligji i Arsimit të Lartë, me të dyja këmbët. Ajo thotë se Akademia e Studimeve Albanologjike ka statutin e saj dhe pretendimi i Ministrisë për ta “shkrirë” (për mosristrukturim) është i pavërtetë.
“Akademia e Studimeve Albanologjike është brenda ligjit të Arsimit të Lartë, sa i takon faktit që ajo tashmë ka 4 institute. Po të shikosh ligjin e Arsimit të Lartë, neni përkatës thotë që institutet barazohen me fakultetet, dhe ka statutin e saj të miratuar 5 vjet pasi ka dalë ligji i Arsimit të Lartë në maj 2018 nga Lindita Nikolla. Ky statut i njeh ASA të ofrojë master dhe doktoraturë, pra pretendimi i Ministrisë së Arsimit që ASA nuk është ristrukturuar është krejt i pavërtetë dhe i pambështetur në ligj. ASA është ristrukturuar siç e do ligji, siç e do statuti i saj, i njohur po nga kjo qeveri, madje nga po kjo forcë politike”, shprehet gjuhëtarja Shamku për Gazetën “Si”.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi i pyetur nga Gazeta “Si” shprehet se nuk kemi të bëjmë me shkrirje të Akademisë së Studimeve Albanologjike, por bashkim të saj me Akademinë e Shkencave.
“Ministria e Arsimit duke konstatuar statutin ekzistues të ASA ka vlerësuar që ajo të mos jetë më nën Ministrinë e Arsimit apo pjesë e sistemit arsimor, por të jetë pjesë e sistemit shkencor, duke u bashkuar me Akademinë e Shkencave. Në këtë rast kemi të bëjmë me ngritje në status të Akademisë së Studimeve Albanologjike. Kjo është shprehur shumë qartë edhe me propozimin që ka bërë Akademia e Shkencave 2-3 vjet më parë, në kuadër të reformimit të sistemit të kërkimit në Shqipëri”, shprehet Gjinushi për Gazetën “Si”.
Sipas Gjinushit, vetë fjala bashkim, do të thotë që institucioni nuk preket.
“Ka dy pika: e para, Asambleja e Akademisë së Shkencave ka shprehur vlerësimin dhe gatishmërinë që të bashkohet, do të thotë që institucioni nuk do preket. I vetmi debat është që dikush e quan zgjidhje të mirë, dikush jo. Është punë vizionesh. Ata s’mund t’i referohen ligjit se deri sot janë të parregulluar me ligj. E dyta, ajo që ndryshon është se nuk janë më nën Ministrinë e Arsimit, por janë pranë Akademisë së Shkencave. Të dyja bashkë konsolidojnë autoritetin e Akademisë në tërësi dhe njëra-tjetrën në veçanti. Qëllimi është që të rrisim bashkëpunimin”, vijon më tej Gjinushi.
Ndërkohë, gjuhëtarja Ledi Shamku e kundërshton ashpër deklaratën e kryeakademikut Gjinushi se institucioni nuk preket.
Shamku thotë se nga 4 institute që janë në ASA (Arkeologji, Gjuhësi e Letërsi, Histori, Antropologji Kulturore dhe Studim Arti) nuk do të ketë më asnjë s'do të ketë më asnjë, pasi Ligji për Akademinë e Shkencave, nuk njeh institute, por njësi kërkimore të cilat punojnë me një numër të limituar punonjësish shkencor, maksimalisht 5 persona.
“Në nenin 19 të Akademisë së Shkencave thuhet në mënyrë eksplicite që Akademia e Shkencave nuk ka të drejtën e mësimdhënies, pra ne shkëputemi krejt nga procesi i formimit, (master dhe doktoraturë) dhe shndërrohemi krejt në shkencë për shkencë. Nëse kalon në varësi të Akademisë së Shkencave e pengon që të marrë këto të katër institute siç janë sepse ligji i Akademisë së Shkencave në nenin 19 thotë që Akademia e Shkencave ka të drejtë vetëm të ketë njësi kërkimore të përkohshme afatshkurtra ose afatgjata, pra maksimumi shkojnë dy vjet. Pra ai nuk ka mundësi të ketë struktura të përhershme. Njësitë kërkimore janë 3-5 veta, por secili institut nga ne nga mbi 20 punonjës. Kryetari i Akademisë së Shkencave edhe sikur të dojë kaq personel, me ligj nuk na merr dot. Që të bëhej kjo shkrirje, duhej më parë të ndryshonte ligji i Akademisë së Shkencave”, vijon argumentin e saj Shamku.
Nga ana tjetër, Gjinushi thotë se këto institute do të kalojnë pranë Akademisë së Shkencave pa u cenuar as në mjedise, as në asete, as në personel.
“Unë nuk merrem me njerëz që duan ta lexojnë ligjin siç dinë ata. Fjala njësi përdoret edhe për njësitë e kërkim-studimit në Akademi, edhe në shkollën e lartë, edhe fakultetet quhen njësi, kjo fjalë as të shton as të pakëson, nuk ka kufi në punonjës. Të gjitha komentet janë të pavërteta që do reduktohen”, thotë Skënder Gjinushi për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “një ndër ndërmarrjet tona është ngritja e Qendrës Nano dhe do ketë me dhjetëra punonjës në të ardhmen”.
Një tjetër problem sipas Shamkut është se Ministria e Arsimit nuk e ka në varësinë e vet Akademinë e Shkencave.
“Kjo VKM që pritet të miratohet sot ka një problem shumë serioz ligjor, sepse i referohet nenit 19, për ligjin e Akademisë së Shkencave, ndërkohë që Ministria e Arsimit nuk e ka në varësinë e vet Akademinë e Shkencave. Nuk mund të referohet një ligji që nuk e ka ligj organik të saj, ne jemi vartës të Ministrisë së Arsimit dhe nuk mund të na reformojë, të na shkrijë më saktë duke iu referuar ligjit të Akademisë së Shkencave. Akademia e Shkencave është në varësi të Kryeministrisë”, thotë gjuhëtarja Shamku.
Shamku ngre pyetjen edhe se çdo bëhet me rektorin e Akademisë së Studimeve Albanologjike?
“Ndër të tjera, ASA ka një rektor, i cili është i dekretuar nga presidenti, dhe asnjë VKM nuk ka fuqi të zhbëjë dekretin e një presidenti”, vijon gjuhëtarja Shamku.
Gjuhëtarja Ledi Shamku u ndal edhe te marrëveshjet që Akademia e Studimeve Albanologjike ka universitetet europiane, si dhe te ndërprerja e karrierës së studiuesve aktualë të ASA-s.
“Sa i takon përmbajtjes, secili nga ne ka projektet e veta, studimet e veta. Po ashtu janë 45 marrëveshje me universitet europiane, të cilat automatikisht bien poshtë, sepse ASA nuk është më i njëjti subjekt juridik, dhe askush tjetër veç saj nuk ka tagër t’i mbart këto marrëveshje. Prandaj ka edhe një reaksion shumë të madh nga kolegët tanë të universiteteve europiane. Vërtet Gjinushi thotë që institutet do kthehen aty ku ishin, por me cilin ligj do i kthejë. Ai nuk ka të drejtë as për të marrë në punë, sepse ne nuk jemi të përputhshëm me titujt dhe gradat, ne jemi strukturë krejt universitare, nuk bashkohet uji me vajin. Aty nuk vazhdon dot as të avancosh me karrierën”, përfundon gjuhëtarja Shamku për Gazetën “Si”./GazetaSI
1 VITE ME PARE
Qeveria mbylli institucionin, Akademia e Studimeve Albanologjike: Jemi plotësisht kundër, tërësisht vendim politik
Mbledhja
TIRANË- Akademia e Studimeve Albanologjike kundërshton vendimin e qeverisë për mbylljen e këtij institucioni dhe kalimin në varësi të Akademisë së Shkencave. Pas një mbledhje urgjente, ASA deklaron për mediat se vendimi i qeverisë nuk njihet dhe se misioni i këtij institucioni do të vijojë.
AKADEMIA E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE
Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike i mbledhur urgjentisht pas deklaratës publike të ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, për miratimin e projektvendimit për mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike, shpall: Është plotësisht kundër këtij vendimi të Këshillit të Ministrave; Është një vendim politik që godet shkencën e albanologjisë në Shqipëri; Është hartuar pa konsultime dhe pa transparencë. Akademia e Studimeve Albanologjike do të vazhdojë misionin e saj për mbrojtjen e lirisë akademike duke përdorur të gjithë instrumentet ligjore të një shteti demokratik. ASA u shpreh mirënjohjen qindra mijra qytetarëve, institucioneve kërkimore shkencore brenda dhe jashtë vendit, partnerëve tanë, aktivistëve dhe mediave që i dhanë jehonë këtij akti të paprecedent dhe të ndërmarrë në limitin e kohës.
Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur riorganizimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA). Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë tha se me vendim të Këshillit të Ministrave po e riorganizojnë këtë akademi, duke i vendosur institutet dhe njësitë përbërëse të saj si qendra autonome, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Kushi theksoi se Akademia e Studimeve Albanologjike është e pa akredituar, sipas saj si nga ana institucionale, po ashtu edhe nga ana e programeve të studimeve. Kushi tha më tej se "Ky vendim që morëm sot jo vetëm që e sjell në ligjshmëri albanologjinë shqiptare, por e ngre në një nivel më të lartë".
1 VITE ME PARE
Mbyllja e Albanologjisë, Akademia e Shkencave: Vendim që i jep dy institucioneve mundësinë dhe përgjegjësinë për zhvillim
REAGIMI:
Akademia e Shkencave e Shqipërisë përshëndet vendimin e Qeverisë për rikthimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike pranë Akademisë së Shkencave së Shqipërisë.
Akademia e Shkencave e Shqipwrisw përshëndet vendimin e Qeverisë për bashkimin e saj me Akademinë e Studimeve Albanologjike, duke e konsideruar atë si një vendim që u jep të dy institucioneve mundësinë dhe përgjegjësinë për zhvillimin në një nivel të ri të shkencave albanologjike. Statusi i ri që u jepet instituteve shkencore të albanologjisë si pjesë elitare e sistemit të kërkimit shkencor, pas një periudhe veprimtarie jo në përputhje me ligjet në fuqi, do të forcojë dukshëm edhe vetë statusin e punonjësve shkencorë. Ky vendim shpreh rritjen e interesit e të angazhimit të qeverisjes për të rritur dhe evidencuar financimin dhe investimet për kërkimin shkencor, ashtu siç po vepron me mbështetjen për tri projektet madhore në albanologji e për ngritjen e njësive të reja kërkimore-shkencore me impakt kombëtar.
1 VITE ME PARE
Shkrihet Akademia e Albanalogjisë! Kushi liston problemet: Ka shkelje të rënda ligjore, nuk i plotëson kriteret
Evis Kushi
TIRANË- Qeveria shqiptare mori ditën e sotme vendimin për shkirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike. Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministrja Kushi që në një deklaratë për mediat bëri publik vendimin, duke u shprehur se institucioni ka bërë shkelje të rënda ligjore.
Kushi deklaroi se Ministria e Arsimit ushtroi kontroll dhe konstatoi një sërë problematikash dhe shkelje të rënda ligjor, nga ana e administrimit dhe financave. Ajo tha se Akademia e studimeve Albanologjike nuk ka pasur një fakultet, detyrimi i parë ligjor, nuk ka mësimdhënie që e bën të pamundur të funksionoj, është e pa-akredituar nga ana e programeve të studimit, nuk është akredituar asnjëherë. Sipas saj, ka 8 vite që Akademia nuk regjistron asnjë student në asnjë program studimi dhe kjo i bën pasive të gjitha programet.
“Kemi miratuar një vendim që ka pasur shumë diskutime debate, dezinformime e spekulime. Është fjala për riorganizimin e Akademisë për Studimet Albanologjike nga Akademi se nuk i plotëson kriteret. Në njësi autonome pranë Akademisë së Shkencave me qëllim ta ngremë në një nivel të ri për rëndësinë që ka sa i takon vlerave dhe identitetin tonë kombëtar. Ka qenë shkëputja e instituteve duke krijuar qendrën e studimeve albanologjike që me miratimin e ligjit të arsimit të lartë të kthehej në Akademi. Ministria e Arsimit që kjo akademi të riorganizohej. Edhe pse mori këtë emër dhe u mbështet nuk arriti të riorganizohet për të qenë në respekt të ligjit. Në janar të 2023, Ministria e Arsimit ushtroi kontroll dhe janë konstatuar një sërë problematikash dhe shkelje të rënda ligjor, nga ana e administrimit dhe financave. Janë të renditura problematikat por unë mund t’ju përmend disa. Akademia e studimeve Albanologjike nuk ka pasur një fakultet, detyrimi i parë ligjor, nuk ka mësimdhënie që e bën të pamundur të funksionoj, Është e pa-akredituar nga ana e programeve të studimit. Nuk është akredituar asnjëherë. Edhe kur qeveria shqiptare mori kompani të huaj angleze, kjo akademi ishte e vetmja që nuk u akreditua që e bën të pamundur edhe të lëshoj diploma sepse sipas ligjit një institucion lëshon diploma vetëm nëse është i akredituar. Një shkelje tjetër e rëndë ligjore. Ka 8 vite që Akademia nuk regjistron asnjë student në asnjë program studimi dhe kjo i bën pasive të gjitha programet. Ka një sërë argumentesh që e bën të pamundur ekzistencës, ka problematika edhe në institutet e saj, hierarkia, përgatitja e ngarkesave mësimore. Ne sot po e riorganizojmë këtë akademi duke i vendosur si qendra autonome pranë akademisë së Shkencave të Shqipërisë”-tha ministrja e Arsimit Evis Kushit.