\
Banori në Bërxullë
TIRANË- Një banor i Bërxullës që ka dalë në protestë thotë se po trajtohet me kimioterapi, por nuk ka marrë asnjë ndihmë nga shteti. I pranishëm edhe sot në rrugën që është bllokuar nga qytetarët për gjashtë muaj rresht, ai komentoi vendimin e kryeministrit Edi Rama për të shpërblyer pensionistët me 5 mijë lekë. Ai tha se vetë nuk ka marrë asnjë paracetamol nga qeveria, pavarësisht se është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Pjesë nga fjala e banorit:
Kemi 7 muaj që protestojmë për të drejtat tona, kthimi i sistemit bëri një Kushtetutë, ku e quajti shtet laik, pa shtet, pa fe. E gjithë bota betohet në ungjill, këtu nuk ka as Kur’an, por vetëm ateistë. Hipoteka është buka e gojës, të mbyll e të hap kasafortën, në të kundërt ngordh për bukë. Prej 3 vitesh sistemi i hipotekës është i djegur, të vijnë te ne të bëjnë të gjithë procedurat pastaj të vendosin projektin në zbatim. Të gjithë tokat i kanë marrë pushtetarët, rrugën e kanë bërë për faqe të zezë, gjithë bota ka autostrada, këtu një rrugë nuk bëhet. Parat e tyre nuk janë, por të Europës. Del në televizion Rama pa pikë turpi dhe thotë do të jap 5 mijë lekë për pensionistët, po për ne pse nuk mendon, nuk na ka dhënë një aspirinë. A mendon kush nëse ne jetojmë a jo, kërkon te na marrë pronën. Kjo zonë është punëtore, jo me gjëra që nuk i shkon. Të gjithë këtu janë të lodhur, të gjithë duan të qetësohen dhe në këtë muaj Ramazani, të bëhet diçka për ne. Drita e Kur’anit, fjala hyjnore e ka thënë qartë, një ditë do fitoni, një prej brezave tanë do fitojë. Sado të mundohen ata, kush i merr vëllait një metër tokë, do futet 7 pashë nën dhe. Të gjithë ata që e ndjejnë në shpirt pronën, të kundërshtojnë në parlament. Nuk ka fyerje më të madhe se të nxjerrësh tjetrin në rrugë, nuk ka frikë nga asnjë, policët janë heronj. E drejta jonë do triumfojë. Ndërkombëtarët nuk janë për shqiptarët, ne me një pasaportë do qarkullonim në gjithë botën. Ata e kanë frikë Shqipërinë nga këto kokat e huaja, këta bëhen mbreta.
Banorët e Bërxullës kanë 6 muaj që protestojnë kundër ndërtimit të aksit 'Thumanë-Kashar', segmenti 20.9 kilometrash pjesë e autostradës Milot –Fier. Me ndryshimin e projektit banorët deklarojnë se parashikohet të shemben banesat e tyre. Ato nuk bien dakord me vlerën e shpronësimit për banesën dhe tokën. Të vendosur, thonë se ato do të mbrojnë tokat e tyre deri në vetëflijim, dhe se nuk do të lejojnë firmën 'Gener 2' të futet në tokat e tyre, pa arritur më parë një marrëveshje me to.