6 interperlanca në Kuvend/ Seanca plenare nis me një minutë heshtje për vrasjen e efektivit në Korçë
Resorti në Zvërnec, Zhupa: S’ka turizëm të qëndrueshëm me beton të qëndrueshëm 4 Qershor, 1...
Resorti në Zvërnec, Zhupa: S’ka turizëm të qëndrueshëm me beton të qëndrueshëm 4 Qershor, 1...
E rëndë në Maliq/ Vritet polici gjatë operacionit për kapjen e një personi të kërkim, plagoset dhe nj&eu...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Tragjedia me dy viktima në Shëngjin, policia jep detaje: Të gjithë shtetas nga Kosova, tre persona në spital 3 Qersho...
• Kryeministri Edi Rama, në përfundim të takimit informal me liderët e rajonit në Tiranë, me përjashtim të Albin Kurtit, tha se po punohet për hartimin e një plani të ri ekonomik dhe financiar në mbështetje të Ballkanit Perëndimor. • Në një takim me gazetarët, Rama vuri theksin se për shkak të krizës ekonomike, luftës, pandemisë, hendeku mes BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor është thelluar. •Nga ana tjetër, ai preferoi që të mos e komentonte gjatë mungesën e Albin Kurtit në takimin me liderët e rajonit dhe komisonerin e BE-së, duke thënë se ishin të gjithë të ftuar dhe kush deshi erdhi. •Një nga gazetaret e ka pyetur rreth ngjarjeve të muajit të fundit, ku radhët e socialistëve janë tronditur, pas arrestimit të ish-kryebashkiakut Vangjush Dako, Safet Gjici dhe skandali i gurores, por ai vendosi t'i shmangej, duke i thënë se duhet ta lexojnë te faqja e tij në 'Facebook'. • Në takimin e sotëm mori pjesë komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç. • Takimi zgjati rreth 4 orë dhe u zhvillua në 'Vila 30'.
15 artikuj për këtë temë.
TIRANË- Ditën e sotme kryeministri Edi Rama u takua me disa prej liderëve të vendeve të Rajonit në Tiranë, në 'Vila 30'. Një mbledhje pa Kosovën, kryeministri Edi Rama nuk e sheh si problematike, për aq kohë sa Shqipëria e kishte ftuar kryeministrin Kurti. Ai nuk e komentoi shumë këtë mos prezencë, por mesa u pa edhe një lider tjetër mungonte, e kjo u vu re në foton që postoi kryeministri Edi Rama.
I pranishëm në foto ishte Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi, Kryeministri i Republikës së Malit të Zi, Dritan Abazovic, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovačevski dhe Kryeministrja e Republikës së Serbisë, Ana Brnabiç. Por, mungesë kishte nga Bosnje-Hercegovina.
As kryetarja e këshillit të Ministrave të Bosnjë Hercegovinës, Borjana Kristo dhe as kryeministri Nermin Nikšić nuk ishin në foton 'familjare', mungesa e të cilëve deri më tani ka mbetur mister.
Burime për "Dosja.al" nga Kryeministria konfirmojnë se asnjë përfaqësues i Bosnje-Hercegovinës nuk ishte prezentë.
"Ishin të gjithë të ftuar dhe kush deshi erdhi, kush s’mundi s’erdhi”, tha Rama, e mesa duket as përfaqësuesit e Bosnjes dhe Hercegovinës nuk mundën të vinin.
TIRANË- Kryeministri Rama i është shmangur ti përgjigjej gazetarëve për rastin Rraja dhe Ahmetaj, ku në një prononcim për mediat tha se duhet ti referohen përgjigjeve që ai ka dhënë më herët në Facebook.
Në pothuajse muajin e fundit në Shqipëri, përfaqësues të partisë suaj janë përfshirë në disa skandale, ishte ish kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako i cili u arrestua, më pas kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici i cili është në burg, më pas një deputet i PS, Rrahman Rraja dha dorëheqjen pasi familjarët e tij u përfshinë në një dhunë brutale dhe së fundmi, ish krahu juaj i djathtë, Arben Ahmetaj i cili tashmë është në arrati dhe kërkohet për çështjen e inceneratorëve. Në të gjithë këto raste është përgjegjësi personale, dhe ju si kryetar nuk keni fare përgjegjësi, dhe a do të anulohen kontratat e inceneratorëve duke qenë se pronarët e tyre vazhdojnë të marrin para, ndonëse janë në kërkim?
“Për të gjitha këto pyetje, do të klikoni në faqen time në Facebook dhe do ti referoheni mesazhit tim për të gjithë shqiptarët ku të gjitha këto pyetje se kanë marrë përgjigjen time”.
“Do të klikoni në faqen time në Facebook, ti referoheni mesazhit tim për të gjithë shqiptarët”.
Për Ballkanin e Hapur, duke qenë se keni thënë e duan 59 përqind e shqiptarëve, pse tashmë u’a mohoni shqiptarëve këtë nismë?
“Shifrën e keni gabim, është më shumë. Unë nuk u mohoj shqiptarëve asgjë dhe shqiptarët janë shumë të mençuar për të kuptuar ky shkëmbim i padobishëm në funksion të temës për të cilën u bë pyetja”.
Dhuna e fisit Rraja/ Rahman Rraja jep dorëheqjen nga mandati i deputetit
Anëtarë të fisit Rraja dhunuan dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, të cilët ishin ankuar se shpërthimet gjatë punimeve në gurore, po u shkatërronin banesat e tyre por dhe të zonës përreth. Mesditën e 6 korrikut 2023, ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, kur grupi i dhunuesve mësyu lokalin dhe ata ranë pre e një dhunë barbare. Gurorja është në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili kishte leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet, por pas ngjarjes gurorja u bllokua. Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, deputeti i Partisë Socialiste Rahman Rraja dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Rraja njoftoi tërheqjen nga jeta politike dhe u kërkoi falje qytetarëve që e kanë votuar dhe kolegëve të tij. “Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithë këto vite. Fatkeqësisht unë dështova si prind dhe ndihem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve te grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike. Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet. Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time”.
Kuvendi i hap rrugë arrestimit të Ahmetajt
Me 117 vota pro, asnjë kundër e tre abstenim Kuvendi i hapi rrugë pak ditë më parë arrestimit të ish zv/ kryeministrit Arben Ahmetaj dhe kontrollit të banesës. Në seancën e posaçme plenare, PS e PD bashkuan votat për t’i dhënë dritën jeshile SPAK për të kërkuar në GJKKO prangosjen e ish ministrit dhe kontrollit të banesës së tij. Kartonëve jeshilë iu bashkua e gjithë qeveria. Ndërsa nuk pati asnjë votë kundër, 3 deputetë të opozitës, Fatmir Mediu, Vangjel Dule dhe Agron Duka abstenuan.
TIRANË- Në përfundim të takimit informal me liderët e rajonit në Tiranë, kryeministri Edi Rama tha se po punohet për hartimin e një plani të ri ekonomik dhe financiar në mbështetje të Ballkanit Perëndimor. Gjatë konferencës me gazetarët, Rama vuri theksin se për shkak të krizës ekonomike, luftës, pandemisë, hendeku mes BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor është thelluar.
Sipas tij ky plan do të ndihmojë që të hapen shtigje të reja bashkëpunimi.
PJESË NGA FJALA E RAMËS:
Ditën e sotme në Tiranë u zhvillua një takim informal mes kryeministrave të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerit të Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi mbi planin e ri të mbështetjes financiare dhe ekonomike të BE-së.
Pas takimit, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një komunikim me mediat lidhur me çështjet e diskutuara në takim:
Duke qenë se sot kaluat disa orë në kushte jo fort të mira për shkak edhe të vapës dhe duke qenë se takimi, për natyrën e tij informale, ishte një takim pa konferencë shtypi të përbashkët, e pashë të udhës që t’ju ftoj për t’ju informuar, duke ju falenderuar për mundimin e sotëm dhe pastaj sigurisht edhe për t’ju përgjigjur ndonjë pyetjeje lidhur me këtë, nëse keni.
Ju e dini që Shqipëria do të mikpresë samitin e parë të Procesit të Berlinit jashtë Bashkimit Europian në tetor dhe për këtë ne jemi angazhuar shumë seriozisht me kancelarinë në Gjermani, por edhe me aktorë të tjerë në mënyrë që ky Samit të ketë një produkt domethënës për Ballkanin Perëndimor dhe të shërbejë për të hedhur një hap të rëndësishëm më tutje në raport me ato që Procesi i Berlinit ka në bazën e vet, që janë lehtësimet e vazhdueshme në ndërveprimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, por nga ana tjetër edhe mundësisht për të hedhur një hap të rëndësishëm në raportet tona me Bashkimin Europian.
Për këtë të dytën, ne ishim sot këtu në Tiranë me Komisionerin Várhelyi, i cili mbulon rajonin dhe ka për detyrë trajtimin e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me zgjerimin dhe me fqinjësinë dhe për këtë diskutuam.
Prej disa kohësh ne jemi në një përpjekje si Shqipëri, për të nxitur një mënyrë të re të të parit të gjërave në raport me Ballkanin Perëndimor në aspektin e hendekut që ekziston përmes vendeve anëtare dhe vendeve tona, sidomos pas goditjeve të njëpasnjëshme të pandemisë, të krizës energjetike në tërësi, konflikti në Ukrainë që kanë bërë që Bashkimi Europian të shpërndaje fonde shumë të konsiderueshme mbështetjeje për vendet anëtare dhe kjo e ka zgjeruar hendekun mes nesh dhe vendeve anëtare, në aspektin e kapaciteteve plus mundësive të brendshme të çdo vendi.
Duke marrë parasysh jo vetëm këtë pasojë, por edhe kontekstin e përgjithshëm dhe të gjitha sfidat që sot janë të përbashkëta po aq sa janë dhe të përveçme, ne jemi përpjekur edhe duke u koordinuar me të tjerët, që të krijojmë një tjetër qasje, që do të thotë paralelisht me ecurinë e procesit të negociatave të kemi një mbështetje ekstra financiare dhe ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kjo është diçka që ka filluar të formësohet dhe një plan i ri mbështetjeje financiare dhe ekonomike për Ballkanin Perëndimor është duke u përgatitur dhe për këtë ne ishim sot me Komisionerin, për të diskutuar, për tu konsultuar, për të ndarë opinione për sesi nga njëra anë vendet e Ballkanit Perëndimor mund të mbështeten më shumë financiarisht dhe për sesi nga ana tjetër, vendeve të Ballkanit Perëndimor mund t’iu hapen disa shtigje të integrimit në tregun e bashkuar europian, pa pritur që ato të anëtarësohen në Bashkimin Europian.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama nuk e komentoi gjatë mungesën e kryeministrit Albin Kurti në takimin e sotëm me liderët e Ballkanit Perëndimor.
'A ju vjen keq që nuk ishte vëllai juaj i vogël Kurti?'- ishte pyetja që iu drejtua kryeministrit gjatë takimit me gazetarët.
Rama iu përgjigj: “Nuk shoh asnjë interes sepse ishin të gjithë të ftuar dhe kush deshi erdhi, kush s’mundi s’erdhi”.
Në takimin informal të ditës së sotme, i vetmi që nuk ishte i pranishëm nga liderët e Ballkanit Perëndimor ishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti./Dosja.al
TIRANË- Pas 4 orësh ka përfunduar samiti informal i krerëve të rajonit, të ftuar nga Edi Rama, ku ka marrë pjesë dhe komisioneri Europian i Zgjerimit, Oliver Varheyli.
Pjesë e këtij takimi ishin kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, shefi i qeverisë malazeze Dritan Abazoviç dhe kryeministrija e Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo, si edhe komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli.

Siç shihet, pas takimit Rama ka dalë duke qeshur e përqafuar, sidomos me kryeministrin shqiptar të Malit të Zi, Dritan Abazoviç.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga takimi informal me liderët e Ballkanit Perëndimor, i mbajtur ditën e sotme në Tiranë. Përmes një reagimi në Facebook, Rama shkruan se takimi informal është zhvilluar mbi planin e ri të mbështetjes financiare dhe ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
REAGIMI I RAMËS:
Sot pas takimit informal mbi Planin e Ri të mbështetjes financiare dhe ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor, me Komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi Kryeministrin e Republikës së Malit të Zi, Dritan Abazović Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovačevski dhe Kryeministren e Republikës së Serbisë, Ana Brnabić
TIRANË- Këto janë fotot kur Kryeministri Edi Rama përcjell kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiç. Kjo e fundit, ishte e para që u largua nga takimi informal me liderët e Rajonit në kuadër të samiti të Berlinit.
Ky takim ishte paralajmëruar nga Edi Rama në turin Ballkanik të zhvilluar pak ditë më parë, ndërsa në Samitin e NATO-n në Lituani Rama konfirmoi edhe një vizitë të Presidentit francez Emanuel Macron. Më 6 dhjetor 2022 në Tiranë u mbajt samiti i Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian./Dosja.al
TIRANË- Komisionieri BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi ka mbërritur në takimin me liderët e Ballkanit Perëndimor. Takimi po mbahet në 'Vilën 30' në Tiranë, ku më pas do të shoqërohet nga një drekë mes të pranishmëve.
Deri më tani ka mbërritur në takim, kryeministrja serbe Ana Brnabiç dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës Borjana Kristo. Ndërkohë që Rama shoqërohet nga Ilir Beqja si dhe Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka.
TIRANË- Në takimin që po mbahet në 'Vilën 30' mes kryeministrit Edi Rama dhe liderëve të Ballkanit Perëndimor, u janë bashkuar dhe dy emra të tjerë të qeverisë Rama. Drekës së tyre u është bashkuar drejtuesi i agjencisë shtetërore te programit strategjik dhe koordinimit te ndihmës Ilir Beqja.
Ndërkohë që pas tij ka hyrë dhe Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka. Takimi po bën rreth 1 orë e 30 minuta që ka nisur.

TIRANË- Kryeministrja serbe Ana Brnabiç dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës Borjana Kristo kanë mbërritur në Tiranë. Siç shihet nga fotot e mëposhtme, Brnabiç dhe Kristo kanë mbërritur së bashku në 'Vilën 30', ku i pret Rama.
Tani pritet që të mbërrij në takim kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç si dhe kryministri maqedonas Dimitar Kovaçevski.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama do të pres mesditën e sotme liderët e Ballkanit Perëndimor për një takim informal në kuadër të procesitë të Berlinit. Mësohet se Rama do të shtrojë drekë në Vilën 30 pranë zonës së Bllokut.
Në takimin e sotëm do të marrë pjesë dhe komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi. Ndërkohë që kanë konfirmuar pjesëmarrjen kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, kryeministrja e Borjana Kristo Bosnjë&Hercegovinës Nermin Nikshiç si dhe kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç.
KOSOVË- Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu e ka konfirmuar që kryeministri Albin Kurti nuk do të marrë pjesë sot në drekën joformale në Tiranë. Me anë të një postimi në Facebook, Kryeziu shkroi se për këtë është njoftuar edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pasi Kurti e kishte konfirmuar muaj më parë pjesëmarrjen në një konferencë në Greqi. Kryeziu ka bërë të ditur se kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet më 16 tetor në Tiranë.
“Para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, ka shkruar Kryeziu.
TIRANË- Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, e cila do të jetë sot në Tiranë në takimin informal që do të zhvillohet me liderët e Rajonit. Brnabiç deklaroi për mediat serbe se beson se e ardhmja e nismës së Open Balkan është e ndritur dhe se do ta diskutojë me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Tiranë.
“Pavarësisht disa deklaratave, nuk besoj se Rama është kundër nismës Ballkani i Hapur, mendoj se për këtë ka folur në konferencën e fundit për shtyp me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Besoj se e ardhmja e saj është e ndritshme dhe e sigurt dhe që edhe vendet e tjera të rajonit t'i bashkohen kësaj nisme”, -tha ajo.
Sipas saj Open Balkan është një iniciativë autoktone dhe jashtëzakonisht praktike.
"Ky është vetëm fillimi dhe nëse shihni shkëmbimin e ndërsjellë të mallrave mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, harmonizimin e procedurave doganore dhe fitosanitare, shkurtimin e kohës së pritjes në pikat kufitare, qytetarët dhe ekonominë do të na detyrojnë jo vetëm neve, por edhe gjenerata e ardhshme e politikanëve të vazhdojë me këtë iniciativë dhe ta zgjerojë atë”, -tha Brnabiç.
TIRANË- Takimi i mbajtur ditën e sotme në Tiranë për liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, mesa duket do të bëhet pa praninë e Kosovës në tryezë. Kjo pasi kryeministri Albin Kurti ka vendosur që të marrë pjesë ditën e sotme në një sumpozium që po mbahet në Greqi.
Por megjithatë Kurti konfimroi pjesëmarrjen e Kosovës në takimin në Tiranë me anë të zv/kryeministrit Besnik Bislimi. Por as Bislimi nuk do të mundet të marrë pjesë, pasi është refuzuar për shkak se niveli i tij është dytësor dhe jo i përshtatshëm për takimin e sotëm.
Ndërkohë që do të marrë pjesë kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, kryeministrja e Borjana Kristo Bosnjë&Hercegovinës Nermin Nikshiç si dhe kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç.
TIRANË- Një takim joformal i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor është paraparë të zhvillohet të hënën e 17 korrikut në Tiranë. I pranishëm në këtë mbledhje pritet të jetë edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli.
Takimi është menduar të zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, më 16 tetor. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vendi i të cilit sivjet kryeson Procesin e Berlinit, ka paralajmëruar takimin joformal gjatë turneut të tij nëpër shtetet e Ballkanit Perëndimor, pak ditë më parë.
Ky takim është thënë se ka për qëllim diskutimin dhe koordinimin, për të hartuar kërkesa të përbashkëta, për t’i paraqitur në samitin e tetorit, ku pritet të marrin pjesë udhëheqës të vendeve të Bashkimit Evropian. Megjithatë, as ky takim joformal nuk pritet të ulë në një tryezë kreun e ekzekutivit shqiptar, Rama, dhe homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti, marrëdhënia e të cilëve është ftohur prej disa muajsh.
Një projektstatut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, i propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, si dhe anulimi i mbledhjes së përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, që ishte parashikuar të mbahej më 14 qershor, i ka rritur tensionet mes Ramës dhe Kurtit, të cilët kanë preferuar të argumentojnë me njëri-tjetrin nga distanca, përmes deklaratave.
Mospajtimet mes dy udhëheqësve kulmuan më 6 korrik, kur Kurti refuzoi të takonte Ramën, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Prishtinë. Rama u prit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Raportohet se në takimin joformal të së hënës në kryeqendrën e Shqipërisë, Kosova do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Kreu i ekzekutivit kosovar, Kurti, sipas një njoftimi nga zyra e tij, të hënën do të jetë në Greqi, ku do të marrë pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, i cili është themeluar nga ish-kryeministri helenik, George Papandreou. Në takimin e së hënës mes udhëheqësve të rajonit, Serbia pritet të përfaqësohet nga kryeministrja Ana Bërnabiq.
Marrë nga REL