Edi Rama
MALI I ZI- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se kanë dakordësuar dokumentat individuale të secilit vend për të gjitha reformat që lidhen me planin e ri të rritjes. Duke folur nga Mali i Zi, Rama tha se nga sot nis zbatimi dhe mundësia e lëvrimit të granteve dhe kredive për projektet. Po ashtu ai ka theksuar se Shqipëria dotë plotësojë të gjitha detyrat e saj në afat, në mënyrë që të hapen dyert e anëtarësimit në BE.
"E para sot, ne praktikisht sot kemi dakordësuar plotësisht dokumentat individuale të secilit vend për të gjitha reformat që lidhen me planin e ri të rritjes. Janë të gjitha të dakordësuara dhe nga sot fillon zbatimi dhe nga sot fillon edhe mundësia e lëvrimit të parave. E dyta, unë nuk thashë gangrenë, por thashë fenomen shqetësues. Gangrenë ka qenë, tani është një fenomen shqetësues korrupsioni dhe ato reforma që unë prezantova janë reforma, të cilat kërkohen edhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian sepse kam dëgjuar shumë broçkulla lidhur me këtë. Interpretime të tipit, “pse tani pas 11 vitesh u kujtua Edi Rama që të reformojë administratën”, ndërkohë që kjo është një mënyrë e të parit shumë dritëshkurtër sepse pikërisht pse në këto 11 vjet, që s’janë bërë akoma se bëhen në tetor ekzaktësisht, kemi bërë gjithë ato që kemi bërë, kemi hapur dhe negociatat.
Ose kur vjen puna te drejtësia që lidhet kjo me SPAK-un, por në fakt po të lexosh udhërrëfyesin e shtetit të së drejtës miratuar edhe të dakordësuar me BE dhe po të shikosh raportin e BE nga diagnoza e procesit të screening, më shumë se 50% të detyrave për Shqipërinë janë detyra që lidhen me sistemin e drejtësisë. Pra, të gjitha këto se bashku do të bëjnë të mundur që ne të jemi anëtar të Bashkimit Europian, ndërsa plani i ri i rritjes lidhet specifikisht me reforma dhe masa të caktuara që janë dakordësuar, i kemi vendosur në tavolinë cilat do të jenë, kur do të bëhen dhe ata do të ndjekin në rrugë e sipër nëse ne do t’i bëjmë dhe do t’i bëjmë në afat. Unë jam i bindur që do t’i bëjmë në afat, se s’ka asnjë arsye për të mos i bërë. Ndërkohë kundër kësaj do të fitojmë ato pjesë të integrimit të plotë sipas atyre hapësirave që janë hapur për momentin. Pra do të bëhemi anëtar të Bashkimit Europian në ato hapësira dhe nga ana tjetër do të marrim dhe fondet, patjetër," tha Rama.