Protestë masive kundër projektit në Zvërnec/ Qytetarët para Kryeministrisë thirrje kundër qeverisë: Rama të japë dorëheqjen (PAMJET)
FOTO/ Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh 4 Qershor, 18:43 PAMJE ng...
FOTO/ Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh 4 Qershor, 18:43 PAMJE ng...
"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar! ...
Ish-ushtarak dhe njohës i armëve/ Kush është Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau një polic e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
• Takime maratonë tre ditë para raundit të dytë të bisedimeve mes liderëve Kurti-Vuçiç dhe zyrtarëve të BE-së, më 18 Mars në Ohër. • Pas të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak i cili zhvilloi takime me liderët, Kurti-Vuçiç këtë javë për t'u njohur edhe njëherë me qëndrimet e tyre lidhur me zbatimin e planit të BE-së, sot i dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kreu një vizitë zyrtare në Serbi në kuadër të bisedimeve për të njëjtën çështje. • Zyrtari i lartë amerikan u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç pasditen e sotme ndërsa pritet që të takojë edhe kryeministren Ana Brnabiç. • Pas takimit, Vuçiç ka deklaruar se me zyrtarin e lartë amerikan biseduan për gjetjen e një kompromisi në dialogun me Kosovën. • Paralelisht kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në takimin e Komitetit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. • Në fjalën e tij, Kurti ka përshëndetur vendimin për të miratuar liberalizimin e vizave për Kosovës. • Ndërsa sa i takon takimit të 18 marsit ai është shprehur se Kosova po tregohet konstruktive në dialogun me Serbinë. • Sakaq, vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Beograd vjen dy ditë para raundit të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku palët do të bisedojnë ose nënshkruajnë planin e propozuar nga BE. • Pas Serbisë, Escobar pritet të vizitojë edhe Kosovën.• Në takimin e 27 shkurtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb nuk nënshkruan propozimin por ranë dakord se nuk ka nevojë që për këtë dokument të ketë negociata të mëtejme.
11 artikuj për këtë temë.
KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon. Kjo e fundit tha se kanë diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi, si dhe takimin e ardhshëm i cili do të mbahet më 18 mars në Ohër.
Ajo ka ripërsëritur mbështetjen e plotë për planin e BE-së për Kosovën dhe Serbinë dhe ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë të gjejë një mënyrë për të siguruar zbatimin, pasi me të vërtetë do të hapë rrugën përpara për Kosovën në BE.
KOSOVË- Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, thotë se është “i sigurt” se Kosovën do ta njohin shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian, nëse ka rezultate në normalizimin e marrëdhënieve të saj me Serbinë. Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ai inkurajon udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, që ta shfrytëzojnë takimin e 18 marsit në Ohër, për të arritur marrëveshje për zbatimin e planit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.
Në mungesë të konstruktivitetit nga palët, Rohde përmend mundësinë e sanksioneve nga BE-ja. Ai, po ashtu, thotë se Kosova duhet ta përmbushë obligimin gati 10-vjeçar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Radio Evropa e Lirë: Këtë fundjavë, udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë pritet të takohen në Maqedoninë e Veriut për të diskutuar për aneksin e zbatimit të një marrëveshjeje që njihet si propozimi i BE-së. Ju keni thënë se dy vendet nuk duhet ta "humbasin autobusin" për këtë takim të ardhshëm. Përse?
Jorn Rohde: Sepse koha nuk është në anën e Kosovës dhe të Serbisë. Ne duhet ta kapërcejmë këtë përballje të përhershme me kriza.
Të 27 vendet e BE-së dhe Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë. Javën e kaluar, ju e dini se kryeministrja e Italisë, presidenti i Francës dhe kancelari gjerman kanë publikuar një letër për dy liderët [kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë], në të cilën kanë nënvizuar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje.
Jam i lumtur që më 27 shkurt, presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti janë pajtuar në parim për këtë propozim evropian, i cili është iniciuar nga Franca dhe Gjermania.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë kemi dëgjuar pritje të ndryshme nga takimi në Ohër. Ka pasur më shumë skepticizëm nga pala serbe. Si e komentoni këtë?
Jorn Rohde: Ne, gjithashtu, duhet ta kapërcejmë këtë kontinuitet: Unë e di atë që nuk e dua. Mendoj se kjo është dinamika, të cilën përpiqemi ta instalojmë te palët...
Duhet të biem dakord se çfarë mund të arrijmë së bashku. Kjo është një gjë e mirë. Keni një bazë. Dhe tani kemi aneksin e zbatimit.
E kemi bërë të qartë se çfarë presim nga Kosova, ashtu sikurse edhe i dërguari evropian [për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçak, i cili punon shumë, e ka mbështetjen tonë të plotë dhe e ka bërë të qartë dje [14 mars] se pa [themelimin] e Asociacionit të komunave me shumicë serbe [në Kosovë] nuk ka marrëveshje.
Në anën tjetër, Serbia gjithashtu duhet të pajtohet se Kosova është një fqinj dhe ka një të ardhme evropiane. Dhe Kosova ka shumë për të fituar.
Radio Evropa e Lirë: Përvoja nga e kaluara na ka mësuar se shumë marrëveshje të arritura në Bruksel, nuk janë zbatuar. Ka pasur shumë marrëveshje pasuese dhe udhërrëfyes për zbatimin e tyre. Pse mendoni se plani i BE-së do të jetë ndryshe?
Jorn Rohde: Sepse mendoj se gota tani është gjysmë e mbushur. I përmenda më parë disa liderë [që e mbështesin], ka një sinkronizim të plotë midis BE-së dhe SHBA-së...
E kemi bërë të qartë se koha është thelbësore. Kemi një luftë në Evropë. Nuk mund ta tolerojmë më këtë përballje të vazhdueshme me kriza, në lidhje me targat e makinave, barrikadat, zgjedhjet...
Andaj, na duhet një marrëveshje më 18 [mars]. Kjo është marrëveshja, e cila është në tryezë dhe duhet të zbatohet. Pajtohem plotësisht me ju se shumë marrëveshje në të kaluarën, nuk janë zbatuar. Kjo është arsyeja përse jemi kaq të etur që këtë herë të funksionojë. Për këtë arsye keni nivelin më të lartë politik pas kësaj marrëveshjeje.
Radio Evropa e Lirë: A mund të zgjedhin palët se çfarë të zbatojnë e çfarë jo nga ky propozim?
Jorn Rohde: Natyrisht, në fund varet nga palët e interesuara, por baza është ajo për të cilën është rënë dakord më 27 [shkurt]. Dhe tani vjen zbatimi më i detajuar.
Sigurisht, ka sekuenca, ka ende nuanca, të cilat mund të diskutohen, por aneksi i zbatimit, që është siguruar nga Lajçaku, është baza e marrëveshjes. Përsëri, e nënvizoj se është e rëndësishme që Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është një obligim gati 10-vjeçar.
Radio Evropa e Lirë: E keni përmendur Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është edhe njëra ndër temat më të diskutuara në këtë propozim. Të dyja palët kanë qëndrime të forta në lidhje me këtë. Si e shihni zgjidhjen për këtë?
Jorn Rohde: Ne e kemi bërë të qartë për të gjithë dhe për miqtë tanë këtu, në Kosovë, vijën e kuqe. Natyrisht, nuk ka asnjë mundësi të përafërt që të ketë një Republikë Sërpska të dytë.
Cilado zgjidhje duhet të jetë në vijë me Kushtetutën e Kosovës dhe duhet të jetë baza e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 që janë ratifikuar nga Kosova.
Një gjë tjetër që e shohim është se tashmë kemi struktura paralele dhe situata nuk është bërë më mirë, por më keq. Serbët e Kosovës i kanë lënë institucionet (e Kosovës), kështu që kemi një situatë të keqe. Duke e themeluar Asociacionin ne shpresojmë se do t’i integrojmë serbët e Kosovës brenda shtetit. Ky është një zhvillim i mirë, unë e shoh nga kjo perspektivë.
"Kosova ka shumë për të fituar"
Radio Evropa e Lirë: Keni përmendur se mund të ketë sekuenca (të implementimit). A mendoni se ka hapësirë për rinegocim, për shembull për Asociacionin?
Jorn Rohde: Unë nuk mund të flas në emër të aktorëve, por kam thënë se patjetër që detajet duhet të diskutohen. Detajet e ndryshme, të gjitha bazohen në atë që është zhvilluar nga (Miroslav) Lajçak.
Dhe, siç kam thënë, Kosova ka shumë për të fituar: Njohje de facto, integritet territorial, njohje të të gjitha dokumenteve dhe simboleve shtetërore dhe tejkalimi i së kaluarës i bazuar në vlera evropiane. Ky është një hap i madh përpara, nuk është fundi, por mendoj se i vendos të dyja palët në rrugën evropiane. Dhe, përsëris, të tejkalohet menaxhimi i vazhdueshëm i krizave.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, një nga nenet e propozimit evropian thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Por, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ai kurrë nuk do ta pranonte anëtarësimin e Kosovës në Kombe të Bashkuara.
Jorn Rohde: Unë nuk e komentoj atë se çfarë nuk është e mundur, por dua të komentoj atë që është e mundur. Dhe, kur Serbia dhe aktorët e tjerë e pranojnë një paragraf se nuk do të bllokojnë anëtarësimin (e Kosovës) në organizata ndërkombëtare… nuk jam në dijeni se Serbia ka veto në Kombet e Bashkuara.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund të thoni për organizatat e tjera ndërkombëtare?
Jorn Rohde: Ne nuk mund të flasim për ato, por mendoj se nëse ka një dinamikë që dy shtetet pajtohen për këtë, unë nuk besoj se palët e treta do ta ndotnin këtë. Është diskutuar edhe më herët se ka disa vende që nuk e njohin (Kosovën) brenda Bashkimit Evropian.
Kam shumë shpresë dhe në vazhdimësi jemi në kontakt me ta. Kam shumë shpresë që një rezultat pozitiv më 18 mars do të zhbllokojë edhe mosnjohjet. Nuk ka garanci, por nuk shoh ndonjë arsye për mosnjohje kur vetë dy shtetet (Serbia dhe Kosova) kanë njohje de facto mes vete.
Radio Evropa e Lirë: A ka pasur diskutime të brendshme apo a ka pasur ndonjë ndryshim të prekshëm të pozicioneve të vendeve mosnjohëse (të Kosovës) në rast se marrëveshja zbatohet?
Jorn Rohde: Do t’ju duhej të flisni me këto shtete, por kam njëqind për qind shpresë duke u nisur edhe nga vetë përvoja ime kombëtare. Unë jam rritur në një Gjermani të ndarë dhe si Gjermani Perëndimore, nuk e kemi njohur Gjermaninë Lindore.
Por, sapo e kemi arritur marrëveshjen bazë në mes këtyre dy shteteve, të gjitha shtetet të cilat ne i kemi ndaluar ta njohin Gjermaninë Lindore, më pas e kanë njohur Gjermaninë Lindore. Kjo nuk e ka ndryshuar marrëdhënien tonë të brendshme. Të gjitha shtetet mosnjohëse kanë thënë se nëse ka një dinamikë pozitive për normalizim të marrëdhënieve (Kosovë-Serbi), ne do ta rimendojmë pozicionin tonë.
Kështu që, për mua është pak a shumë “slam-dunk” (term që përshkruan një fitore të arritshme lehtë). Nëse keni një rezultat ideal, do të ketë shtete mosnjohëse që do ta njohin Kosovën, jam shumë i sigurt. Prandaj, është shumë e rëndësishme që ta kalojmë vijën dhe të mos na ikë autobusi, siç kam thënë më parë.
Radio Evropa e Lirë: A mund të flasim specifikisht për Gjermaninë? A i ka premtuar Gjermania Kosovës ndihmë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare?
Jorn Rohde: Shikoni, ne jemi ndër aleatët më të ngushtë të Kosovës. Ne investojmë shumë edhe në nivelin njerëzor, kemi marrëdhënie të ngushta. Ju e dini, pothuajse gjysmë milioni kosovarë gjermanë jetojnë në Gjermani. Dua të them, ju e dini, ka një shkëmbim të vazhdueshëm. Ne jemi investuesi më i madh i huaj, burimi më i madh i remitencave, partner në tregti... Natyrisht ne flasim me partnerët tanë dhe kjo është edhe arsyeja pse unë kam shpresa.
Mirëpo, unë nuk mund të jap garanci, secili shtet vendos për vete. Por, fillimisht, është e vështirë të përgjigjesh në pyetje hipotetike.
Së pari, ne duhet ta kalojmë vijën më 18 [mars, në Ohër] dhe, nga të dyja palët kërkohet gatishmëria për të dhënë më shumë nga vetja: Për Kosovën lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe; për Serbinë, ta pranojë që Kosova është aty dhe se ka një perspektivë evropiane.
Radio Evropa e Lirë: Ne kemi folur për përfitime për të dyja vendet. Cilat mund të jenë pasojat e mundshme për të dyja vendet nëse nuk janë konstruktive në këto takime?
Jorn Rohde: Sërish, [është] pyetje hipotetike. Por, natyrisht që ka pasoja. Nuk po e shoh këtë gatishmërinë, si të them, për të dhënë më shumë nga vetja. Dua të them, gjatë muajve të fundit, liderët në Evropë kanë investuar shumë. Ka pasur takime... dhe duhet ta keni parasysh situatën gjeopolitike, ne e kemi një luftë në Ukrainë.
Ka shumë sfida dhe për këtë arsye Ballkani Perëndimor përket në Evropë, por ne me të vërtetë duhet t’i japim fund këtij menaxhimi të vazhdueshëm të krizave. Do të ketë pasoja, do të ketë më pak fokus... Nëse nuk mund ta zgjidhni konfliktin, ndoshta do të menaxhohet... por, dua të them, nëse aktorët kryesorë nuk japin më shumë nga vetja, atëherë pse duhet të vazhdojnë ta bëjnë këtë liderët tanë?
Ne duhet t’i investojmë burimet tona në... ka një luftë përsëri dhe tani ne e kemi parë që ka një zgjidhje në tavolinë dhe unë mendoj se presin nga të dyja palët ta pranojnë atë dhe të punojnë me zell mbi të.
Premtim për investime shtesë
Radio Evropa e Lirë: Nëse mund të insistoj për këtë temë... në një intervistë të mëparshme për REL-in, kryeministri (Albin) Kurti tha se është diskutuar për pasoja të mundshme nëse palët nuk janë konstruktive në dialog. A ka diçka specifike që i është thënë Serbisë apo Kosovës si shtytje për konstruktivitet në dialog?
Jorn Rohde: Shikoni, dua të them, ka një premtim për përkrahje dhe investim shtesë. Dhe nëse ka dështim, atëherë nuk ka përkrahje shtesë. Dhe, ju e dini, kjo veçse është një pasojë.
A do të jetë më i lehtë anëtarësimi në organizata ndërkombëtare? Jo, nuk do të jetë. Do të bëhet më i vështirë sepse si mund të prisni... dua të them, rruga drejt Evropës është ndërmjet këtij propozimi dhe ne duam që të dyja vendet të jenë pjesë e Evropës. I gjithë Ballkani Perëndimor përket në BE. Shumica e vendeve, disa prej tyre, tashmë janë në NATO. Kosova dëshiron të bëhet pjesë e NATO-s. Për ta arritur këtë, ju duhet t’i bindni të gjitha vendet anëtare të NATO-s se jeni partner konstruktiv.
“Pa njohje reciproke, nuk e shoh ndonjërin vend në BE”
Radio Evropa e Lirë: Propozimi, ashtu siç është publikuar, nuk përmend njohje “de jure” nga Serbia. A mendoni se është i mundur normalizimi pa njohje reciproke?
Jorn Rohde: Të gjithë e kanë bërë të qartë që ky është një hap i ndërmjetëm, por shumë i rëndësishëm sepse nis një dinamikë që çon në normalizim të plotë.
Njohja reciproke është faza përfundimtare për ne, sepse pa njohje reciproke, nuk e shoh ndonjërin vend në BE, sepse ne nuk pranojmë vende që nuk e njohin njëra-tjetrën. Por, tani për tani, kjo është marrëveshja më e mirë që mund ta merrni dhe ka shumë përfitime, të cilat ua përmenda dhe fundi i [tentimeve] që Serbia ta bllokojë Kosovën nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.
KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Strasburg, ka zhvilluar takim me Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, në të cilin u bisedua edhe për Propozimin Evropian dhe për takimin e radhës të nivelit të lartë politik, mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet këtë fundjavë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se me presidenten Metsola, Kurti kryesisht ka biseduar për raportin dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, konkludimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe nivelin e zbatueshmërisë së marrëveshjes për Stabilizim-Asociimin. Kurti e ka falënderuari Parlamentin Evropian për mbështetjen e aplikimit të Kosovës në BE dhe në Këshillin e Evropës, krahas asaj për liberalizimin e vizave.
Duke qenë në prag të dyvjetorit të Qeverisë, kryeministri Kurti e njoftoi Presidenten Metsola për arritjet e sukseset e deritanishme dhe planet për gjysmën e dytë të mandatit. Theks iu dha përmirësimeve në sundimin e ligjit, luftimit të korrupsionit dhe indikatorëve demokratikë, por edhe trendit pozitiv të indikatorëve ekonomikë të dy viteve të fundit, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, këtu kryeministri Kurti përmendi edhe Raportin e Vendit të BE-së për vitin 2022, më i miri për Kosovën ndonjëherë, në të cilin evidentohet progresi i Kosovës në shumë fusha. Në takim u fol edhe për Strategjinë e Energjisë 2022-2031, e miratuar javën e kaluar në Kuvend, dhe për qasjen e planet e Qeverisë për investime në energji të ripërtritshme. Bashkimi Evropian i ka dhënë Kosovës mbështetje të vazhdueshme në këtë sektor, përfshirë këtu pakon mbështetëse në përballje me krizën energjetike në vlerë prej 75 milionë euro, të shkaktuar nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë.
SERBI- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaron se ka zhvilluar një bisedë të hapur dhe korrekte me të dërguarin e posaçëm të Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i cili vizitoi sot Serbinë dhe pritet të zhvillojë një takim edhe me kryeministren serbe Ana Bërnabiç.
"Besoj në përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së”, shkroi Vuçiç në llogarinë e tij në Instagram.
View this post on Instagram
Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Beograd vjen dy ditë para raundit të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku palët do të bisedojnë ose nënshkruajnë planin e propozuar nga BE.
Pas Serbisë, Escobar pritet të vizitojë edhe Kosovën. Në takimin e 27 shkurtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb nuk nënshkruan propozimin por ranë dakord se nuk ka nevojë që për këtë dokument të ketë negociata të mëtejme.
GJERMANI- Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka komentuar takimin që kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë me deputetë të Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës. Rohde ka thënë se Parlamenti Evropian e mbështet plotësisht propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ai gjithashtu ka thënë se marrëveshja për zbatimin e planit është thelbësore për të ecur përpara.
“Gjithashtu mbështetje e plotë për propozimin e BE-së nga Parlamenti Evropian. Marrëveshja për zbatimin e aneksit nga Kosova dhe Serbia më 18 mars në Ohër është thelbësore për të ecur përpara në rrugën evropiane”, ka shkruar Rohde në Twitter.
Also full support for the ???????? proposal from the ???????? Parliament!
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) March 15, 2023
Agreement on implementing the annex by ???????? and ???????? on the 18th in Ohrid now is essential to move forward on the European path. https://t.co/EshpNJqUle
KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në takimin e Komitetit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Në fjalën e tij, Kurti ka përshëndetur vendimin për të miratuar liberalizimin e vizave për Kosovës.
“Derisa presim hapat e ardhshëm, shpresojmë se qytetarët tanë kanë për të qenë në gjendje të udhëtojnë pa viza sikurse vendet tjera të rajonit në Evropë nga 1 janari i vitit 2024”, tha ai.
Ai ka thënë se Kosova qëndron në krahë të Ukrainës dhe popullit të saj përballë agresionit rus. Kryeministri gjithashtu tha se Kosova tashmë është shtet prej 15 vitesh dhe sipas tij ky shtet organizon zgjedhje të lira dhe të drejta dhe ka një shkallë të lartë të demokracisë. Ndërsa shtoi se vendi është e zotuar për dialog konstruktiv me Serbinë.
“Sa i përket dialogut me Serbinë, ne jemi të zotuar, konstruktiv dhe kreativ. Besojmë që marrëveshja themelore mes Kosovës dhe Serbisë përbën avancim të marrëdhënieve mes dy shteteve”, tha ai.
Ai ka thënë se Kosova ka kornizën më të avancuar për respektimin e të drejtave të pakicave. Kurti ka përmendur edhe sukseset e qeverisë së drejtuar nga ai duke vënë theksin në luftimin e korrupsionit dhe reformave në drejtësi dhe administratës publike.
KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Ohër, më 18 mars, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Mediat kosovare raportojnë se ata pritet të diskutojnë dhe ta nënshkruajnë zbatimin e planit evropian për normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve.
Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Fqinjësi, Joseph Borrell, do të zhvillojë fillimisht takime të ndara me dy liderët, të cilat do të nisin në orën 10:00, para se të mbahet takimi mes Kurtit dhe Vuçiçit. BE ka njoftuar se të dy liderët tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takim. Kryeministri Kurti e ka pranuar planin evropian në takimin e 27 shkurtit në Bruksel dhe më herët deklaroi se është i gatshëm të nënshkruajë, por presidenti serb nuk pranoi të nënshkruante dokumentin.
KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç më 18 mars pritet të takohen në Ohër për të diskutuar për planin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën dy shtetet kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt në Bruksel. Në njoftimin e zyrës së Bashkimit Evropian bëhet e ditur se takimet e ndara do të zhvillohen duke filluar në ora 10:00.
“Duke filluar nga ora 10:00, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiç”, thuhet në njoftim.
KOSOVË- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se plani i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi sjell përfitime reale, praktike, politike dhe ekonomike. Ai kujtoi se palët e kanë pranuar atë dhe tha se për zbatimin e tij do të diskutohet në fundjavë.
“Më duhet të jem i qartë, SHBA-ja vlerëson se, në këtë moment, nuk ka marrëveshje më të mirë në dispozicion. Ky është një hap i rëndësishëm përpara”, tha Hovenier.
Ai tha se fokusi kryesor tani duhet të jetë te zbatimi i suksesshëm dhe efektiv i planit. Sipas Hovenier, nëse Kosova kontribuon në mënyrë konstruktive në këtë drejtim, SHBA-ja do e ndihmojë në përpjekjet që vendi t’i bashkohet NATO-s.
KOSOVË- Dy partitë opozitare vazhdojnë të kritikojnë kryeministrin e vendit, Albin Kurti për qasjen që ka ndjekur në raport me dialogun me Serbinë. Ndonëse SHBA ka ngritur shqetësime për qëndrimet e opozitës ndaj planit evropian, disa nga partitë politike vazhdojnë ta kundërshtojnë disa pika të atij plani të pranuar të paktën gojarisht nga kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Opozita kërkon më shumë detaje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti lidhur me pikat që përmban plani evropian. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa thotë se kryeministri Kurti, duhet të jetë më transparent lidhur me këtë çështje, derisa ka adresuar edhe një mori pyetjesh ndaj tij. I pyetur për qëndrimet e SHBA-së kundrejt opozitës, Beqa tha se planin e sheh si pozitiv, porse sipas tij, kryeministri Kurti duhet të sqarohet më shumë.
“Ne e shohim pozitiv planin, megjithatë kryeministri Kurti ka ikur nga sqarimi, duhet t’ua sqarojë qytetarëve edhe deputetëve, të jetë transparent për planin. Pra, të jetë i hapur dhe mos të ikë kjo temë, sepse është kryesorja. Nuk mund të thuash sot në Kosovë që nuk është prioritet dialogu, kur të gjitha çështjet lidhen me njohje reciproke, pa pas një statut të qëndrueshëm Kosova nuk mund të krijojë as zhvillim ekonomik. Kryeministri Kurti të jetë i hapur, transparent, të tregojë çfarë ka pranuar, a duhet të ndryshohet Kushtetuta, çfarë nëse ka qenë çështje mere ose leje, çfarë ishim dëmtuar nëse e kishim lënë një çështje të tillë dhe çfarë po përfiton Kosova me pranimin e planit franko gjerman, si do të implementohet plani”, thotë Beqa.
Edhe deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Rrezarta Krasniqi tha për KosovaPress, se i gjithë procesi lidhur me dialogun nuk ka qenë aspak transparent nga kryeministri Kurti. Krasniqi thotë se si parti vazhdojnë të jenë kundër këtij plani, sipas saj, është pritur që të ketë një njohje përfundimtare.
“Ne si opozitë kemi prit që ky plan të ketë një njohje përfundimtare, gjithashtu jemi të paqart se pse nuk është ardhë të prezantohet në Kuvendin e Kosovës, sepse i gjithë procesi lidhur me dialogun nuk ka pas aspak transparencë dhe të njëjtit njerëz kanë kërkuar që kur kemi qenë ne në Qeveri me pas transparencë. Për ne është shumë shqetësuese neni 7 kur thuhet të ketë një vetmenaxhim të komunave serbe dhe gjithashtu thuhet të krijohet një kanal, i cili do të jetë direkt me Qeverinë e Kosovës. Për ne këto janë shumë shqetësuese dhe kryeministri Kurti duhet të vijë në Kuvend dhe të na shpjegojë nenin 7 se çfarë do të thotë vetmenaxhim dhe çfarë do të thotë të krijohet një kanal që të bashkëpunoj ose raportoj direkt Qeverisë së Kosovës… Jemi ende kundër për arsyeje se kemi prit që të ketë një njohje përfundimtare dhe jo një njohje bazë”, thotë Krasniqi.
Ajo shtoi se Kurti dialogun me Serbinë e kishte si pikë të shtatë dhe tani atë e ka vendosur si të parën.
“Gjithashtu lidhur me këtë plan janë shkelur të gjitha parimet për të cilat kryeministri Kurti ka ardhë në proces. Është shqetësuese se kryeministri e ka barazuar të pagjeturit me agresorin. Pjesën e dialogut e ka pas si pikë të shtatë të planit të qeverisjes së tij, ndërsa tani e ka si pikë të parë, ku pothuajse i ka harruar të gjitha shqetësimet dhe dikasteret të tjera që të kemi stagnim, si në shëndetësi, politikë të jashtme, ekonomi e shumë të tjera”, tha Krasniqi.
KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka nisur qëndrimin dyditor në Strasburg të Francës duke u takuar me eurodeputetë të Grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian, Lukas Mandl nga Austria, Michael Gahler, Rainer Wieland dhe Niklas Herbst nga Gjermania, Karlo Ressler nga Kroacia, Franc Bogovic nga Sllovenia dhe Vladimir Bilcik nga Sllovakia.
Gazeta Express shkruan se Kurti i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami njoftoi eurodeputetët europianë për zhvillimet e fundit në vend, për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Europian, për aplikimin në Këshillin e Europës. Në këtë takim u bisedua edhe për takimin e 18 marsit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
“U fol edhe për takimin e 18 marsit në Ohër, mundësitë që paraqet dhe pritjet nga ai takim”, njoftoi ZKM-ja.
Eurodeputetët dhanë vlerësimin e tyre pozitiv dhe shprehen mbështetjen e plotë ndaj reformave të qeverisë, përparimit demokratik, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. Kurti po qëndron në Strasburg për të marrë pjesë në takimin e 10-të të Komitetit Parlamentar për marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në.