Rama
KUKËS- Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij nga Kukësi ka folur në lidhje me rëndësinë që kanë zgjedhjet e 11 majit për rrugëtimin e vendit tonë në anëtarësimin në BE. Ai tha se janë 1 mijë veta që po punojnë për negociatat me BE-në lidhur me të gjithë sektorët.
Teksa po bënte batuta, Rama tha se burrat e Kukësit e kanë të qartë se pa gratë nuk kanë ku shkojnë, ndërsa shtoi se "edhe ngaqë janë burra të mençëm nuk janë shumica çyryk". Rama tha se
"Janë 1 mijë vetë nga ana jonë, djem e vajza, meqë ra fjala, shumica gra dhe vajza, se burrat janë pakicë, meqë ra llafi, se besoj që burrat e Kukësit janë shumë të qartë, që pa gratë nuk kanë ku shkojnë fare, edhe ngaqë janë burra të mençëm nuk janë shumica çyryk, kështu që janë shumica gra dhe vajza të ulura në tavolinë me Bashkimin Europian, 1 mijë vetë janë nga ana e tyre dhe çdo ditë merren me të gjithë sektorët ekonomia, drejtësia, mjedisi, uji, peshqit, zogjtë dhe për të gjitha këto janë 250 mijë faqe me rregulla, me masa, me kritere, me ligje për të cilat ne duhet të biem dakord. Biem dakord atje, duhet të vijmë këtu dhe duhet t'i kthejmë këto dakordësi në ligje, në vendime, në masa.", tha kryeministri.
Rama ironizoi opozitën duke u shprehur se gjëja më madhështore që kanë janë mustaqet e Kujtim Gjuzit. Sipas tij do të ishte fatale që për mustaqet e Gjuzit vendi të humbasë trenin e historisë. Rama më tej theksoi se në zgjedhjet e 11 majit kuksianët duhet të votojnë për PS-në. Ai tha se dera e BE-së nuk qëndron shumë gjatë hapur dhe se duhet të shfrytëzohet ky rast për tu bërë pjesë e familjes evropiane.
"E pra, ne prandaj na duhet një fuqi e veçantë në 11 maj. Po ua përsëris, se do të ishte fatale, do të ishte vërtetë fatale që për mustaqet e Kujtim Gjuzit ne të humbasim trenin e historisë. Se është realisht për mustaqet e Kujtim Gjuzit? Gjëja e vetme madhështore që ka në atë kënetë madhështore janë mustaqet e Kujtimit. Më tregoni ndonjë gjë tjetër! Dhe 2027 është një afat, pse?
Sepse historia e Bashkimit Europian ka treguar një gjë shumë të thjeshtë. Bashkimi Europian është një shtëpi të pasurish edhe dera e asaj shtëpie nuk rri hapur. Ti mund të trokasësh sa të dush, dera nuk hapet. Ajo derë hapet kur të gjithë ata që janë brenda, 27 shtete, bien dakord për ta hap derën dhe ata e hapin derën vetëm kur kanë interes ta hapin derën dhe sot ka ndodhur ajo për të cilën unë, bashkë me të gjithë ata që më mbështesin, kam kaq vite që luftoj që nuk është vetëm interesi jonë që të hyjmë atje, po është dhe interesi i atyre që të na marrin atje.
Ama, siç ka ndodhur në të shkuarën, ajo derë mund të mbyllet. Na kanë dhënë afatin 2027, nëse ne nuk i plotësojmë kushtet, sepse ndërkohë këtu vijmë, shkojmë në parlament, del bufi, dalin kukumjaçkat, shfaqet zhapiku, janë edhe ca nga këto insektet e reja; i keni pa këto insektet e reja që janë shfaq nëpër fushë, se ata janë më të mëdhenjtë fare.", tha Rama.