Protestë masive kundër projektit në Zvërnec/ Qytetarët para Kryeministrisë thirrje kundër qeverisë: Rama të japë dorëheqjen (PAMJET)
FOTO/ Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh 4 Qershor, 18:43 PAMJE ng...
FOTO/ Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh 4 Qershor, 18:43 PAMJE ng...
"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar! ...
Ish-ushtarak dhe njohës i armëve/ Kush është Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau një polic e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
• Kuvendi ka zhvilluar sot seancën plenare të radhës.• Në nisje të seancës kryeparlamentarja, Elisa Spiropali bëri me dije se dy salla në Kuvend do të emërohen "Bashkim Fino" dhe "Gert Bogdani". • Spiropali u shpreh se ky nderimi u bë për të përkujtuar dhe vlerësuar kontributin e tyre të çmuar në historinë politike dhe shoqërore të vendit, ndërsa shtoi se Bashkim Fino dhe Gerti Bogdani ishin politikanë modelë. • Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mori fjalën në nisje të seancës ku tha se një tërmet i madh politik ka ndodhur në botë dhe pasojat e tij janë ndjerë edhe në Shqipëri. • Berisha tha se ky tërmet po sjell përmbysja e "sorosizmit" dhe ekstremit të majtë në SHBA. • Ai bëri thirrje të bëhet me urgjencë ligji për "desorofikimin" e Shqipërisë. • Berisha tha se është më mirë të bëhet tani se pas zgjedhjeve kur, sipas tij, PD të jetë shpallur fituese. • Kreu i grupit parlamentar socialist, Niko Peleshi iu përgjigj Tabakut e cila u shpreh se PS nuk po bën asnjë hap për pranimin e propozimit i PD-së për Besim Ndregjoninsi avokat i Popullit. • Peleshi gjatë fjalës së tij u shpreh se ka deklaruar edhe më parë që nuk kanë kundërshtime për propozimet e PD-së. • Ai tha se duhe të diskutohet dhe të vendoset për këtë post ndërsa ka theksuar se nuk janë kundër asnjë emri. • Peleshi më tej shtoi se ai i ka kërkuar kryetarit të grupit të PD, Gazmend Bardhi që të nisin bisedimet për këtë çështje. • Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka deklaruar se numëri i shqiptarë me të drejtë vote të cilëve iu ka kaluar afati i vlefshmërisë së dokumentit të identifikimit ose mund t'iu skadoj deri më 11 maj, është 520 mijë. • Gjatë fjalës në Kuvend, Hoxha tha se tashmë është arritur një marrëveshje për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve, në mënyrë që shqiptarët jashtë vendit të votojnë. • Berisha tha nga foltorja e Kuvendit se nëse miratohet akti që 800 mijë shqiptarë të votojnë me dokumente të skaduara, duhet të shtyhet edhe afati i regjistrimit. • Kjo sepse kanë mbetur edhe 5 ditë kohë për regjistrimin e emigrantëve për zgjedhjet e 11 majit. • Berisha i ka cilësuar aktet si gjysmake dhe hipokrite dhe shtoi se këto diskriminojnë shqiptarët. • Ai iu drejtua mazhorancës në Kuvend duke iu thënë se po iu vjen fundi nga drejtuesi i tyre, kryeministri Edi Rama. • Berisha tha se dy janë arsyet që kryeministri nuk vjen në Kuvend, ku përmendi shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçin. • Sipas Berishës, laptopi i Agaçit ndodhet në Prokurori dhe përmban të gjitha vjedhjet e kryeministrit Rama dhe grupit të tij. • Berisha publikoi përgjime të tjera nga dosja 'Toyota Yaris' ku përmendet dhe Taulant Balla. • Ai lexoi një pjesë nga kjo dosje, ku janë mesazhet mes Erjona Daupajt, Radovan Çelës si dhe Astrit Vladit. • Berisha tha se “bundra” luan me “Taon” në këto përgjime, duke akuzuar politikanët e qeverisë aktuale për korrupsion dhe paaftësi në përfaqësimin e qytetarëve.• Kuvendi miratoi sot pa prezencën e opozitës me 76 vota pro, zgjatja e vlefshmërisë së kartave te identitetit apo pasaportave që kane skaduar. • Kjo është e vlefshme vetëm për qytetarët shqiptarë qe do të votojnë nga jashtë Shqipërisë. • Me miratimin e këtij Akti Normativ, emigrantët me dokumente të skaduara mund të votojnë për zgjedhjet e 11 majit. • Vlefshmëria e dokumenteve të skaduara të emigrantëve është deri më 31 maj 2025.
20 artikuj për këtë temë.
TIRANA- Kuvendi miratoi sot pa prezencën e opozitës me 76 vota pro, zgjatja e vlefshmërisë së kartave te identitetit apo pasaportave që kane skaduar. Kjo është e vlefshme vetëm për qytetarët shqiptarë qe do të votojnë nga jashtë Shqipërisë. Me miratimin e këtij Akti Normativ, emigrantët me dokumente të skaduara mund të votojnë për zgjedhjet e 11 majit. Vlefshmëria e dokumenteve të skaduara të emigrantëve është deri më 31 maj 2025.
Votimet në Kuvend:
Me 76 vota pro, u miratua Akti normativ nr.1 “Për një shtesë në ligjin nr.8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar”
Me 75 vota pro dhe 1 abstenim Akti normativ nr.2 “Për një shtesë në ligjin nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar”.
Me 75 pro dhe 1 abstenim u miratua Projektvendimi “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifiimin e pagave të personelit me kohë jo të plotë pune në mbështetje të procesit të votimit nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për Zgjedhjet për Kuvend 2025”.
TIRANË- Deputeti socialist, Damian Gjiknuri gjatë fjalës së tij në Kuvend e quajti antilogjike kërkesën e opozitës që të shtyhet afati i regjistrimit edhe për shqiptarët brenda Shqipërisë apo për dokumentet e skaduara të identifikimit për shtetasit brenda vendit. Gjiknuri u shpreh se në Shqipëri nuk bën dot veprime pa dokument të rregullt ndërsa mori shembullin e pensionistëve. Ai u shpreh se pensionistët kanë dokument identifikimi pasi u duhet për të tërhequr pensionin.
Gjiknuri u shpreh se shqiptarët jashtë vendit kanë dokumente pasi sipas tij ata nuk jetojnë në pyje. Sipas tij opozita po kërkon alibinë e radhës e nesër thonë me alibi "aaaa ja shkak ishte kjo". Ai ngriti pyetjen se shqiptari në Kanada e Amerikë a voton dot atje me dokumente shqiptare. Deputeti socialist tha se sipas opozitëa votuesit të shkojnë me duart në xhepa dhe të votojnë.
"Qeveria bëri aktin normativ për shtetasit jashtë vendit, ata kanë nevojë, sepse një pjesë e tyre nuk kanë pasur mundësi, kanë nevojë, kanë dokumente të shteteve të tjera. Ndaj u jepet afat, shtyhet afati i dokumentit të skaduara. Këta tani na thonë po këta brenda, të shtyhet dhe për këta. E kemi bërë herët e tjera, tani shtetasit shqiptarë brenda e dinë, një herë në 10 vjet rinovohen, nuk kushtojnë as nuk ka më radhë. Pse? Sepse në Shqipëri nuk bën dot veprime pa dokument të rregullt. Ndaj kjo që thoni nuk vlen. Mirë për shtetasit e huaj se nuk kanë mundësi. Tani le të themi, pensionistët a kanë dokument identifikimi, sigurisht që kanë se tërheqin pensionin, ata të asistencës, privatët dhe ata që punojnë në shtet. Ju thoni diskriminim, çfarë diskriminimi është ky.
Patjetër që kanë dokumente ata njerëz, ku jetojnë ata, në pyje? Ai që nuk e ka mundësin, ka kohën ta marrë. Për diasporën jam dakord, se janë jashtë. Po jo këta këtu. Ju po kërkoni alibinë e radhës, ua them unë, janë shifra për konsum, krijohet alibi, merret e trajtohet, e nesër të thonë me alibi aaaa ja shkak ishte kjo. Dëgjova dhe dokrra këtu. Janë absurditete logjike. Jam bashkëpunues me ju, ju e dini, e e thashë edhe me humor, të gjithë palët përgatiten për fitore. Kur humbin dallon e thonë aaaa na vodhën. Normalisht humbësi nuk pranon. Shqiptari në Kanada e Amerikë a voton dot atje me dokumente shqiptare? Pra ai që jeton jashtë, shqiptari, sipas jush të vijë me duart në xhepa dhe të votojë, ku e keni parë ju këtë?" tha Gjiknuri.
TIRANË- Nënkryetari i PD-së, Oerd Bylkbashi gjatë fjalës së tij në Kuvend u shpreh se Partia Socialiste nuk do të lejojë emigrantët shqiptarë. Ai theksoi se personat që nuk kanë një dokument iu mbyll dera për të votuar nga PS. Sipas tij emigrantët nuk janë në listën e patronazhimit.
Bylykbashi më tej shtoi se janë refuzuar 41 mijë persona për t’u regjistruar. Ai tha se çështjen e dërguan në KQZ ku atje ata dhanë një urdhër politik. Sipas tij kjo vjen edhe për shkak se është çarë plasmani i ekosistemit të OJF që mbaheshin me paratë e Soros. Ai u shpreh se reforma në drejtësi ka prodhuar kapjen totale të shtetit.
"Që kur votoi pa lexuar Kushtetutën, Majko tha se PS-PD në KQZ kanë lejuar votimin të atyre që s’kanë dokument tjetër, gënjeshtër e pastër. Ose është rasti tipik i Majkos që s’ka lexuar ose është gënjeshtër. S’duan të lejojnë të votojnë shtetasit shqiptarë, e rrëzuan. Të nderuar qytetarë kudo që jeni, që nuk keni një dokument, dje PS ua mbylli derën për të mos votuar, sepse nuk ju ka në listën e patronazhimit. Nëse vini e votoni, u prishni punë, jashtë parashikimeve të PS. Keni refuzuar 41 mijë persona për t’u regjistruar, nuk doni. Në këtë histori ne kishim zgjidhur çështjen, me amendament në ligj, që të mos ia lëmë qeverisë. E refuzuat e cuat në KQZ, dhe atje dhatë urdhër politik.
Kjo vjen edhe për shkak se është çarë plasmani i ekosistemit të OJF që mbaheshin me paratë e Soros. Po ngordhin mizat brenda. Reforma në drejtësi është shembull, sot ato po ngordhin. I keni parë rrogat e drejtuesve të OJF-ve tuaja, turp, tmerr. Ju i kishit. Kjo që kemi sot, që e lavdëronit, 130 mijë çështje janë të bllokuara. Prokuroria është më e vogël. 66% janë çështje civile, ia keni nxirë jetën qytetarëve me këtë reformë. Ka ardhur koha urgjente për të ndryshuar reformën. Produkti që keni prodhuar ju, është shëmtia e asaj që kemi parë dje me rektorin.
Reforma në drejtësi ka prodhuar kapjen totale të shtetit. Që grupi parlamentar janë shteti, gjykata, prokurori, parlamenti, admanistrat. Kjo po ju rrëshket ndër këmbë. Ashtu keq si është ndërtuar SPAK, në atë hall që keni hyrë ju s’ju shpëton asgjë. Këta prokurorët që keni vënë, do t’u mbysin, boll t’u hapësh kapakun e dosjeve që firmosni, e zeza që do ju ndjekë, do shihni se çdo të ndodhë me ju," tha Bylykbashi.
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula gjatë fjalës së tij në Kuvend ka akuzuar qeverinë për shpërdorim të pushtetit, duke ngritur pyetje se kush është përgjegjës për tenderët dhe koncesionet. Sipas tij situata ka arritur në një pikë kaq të keqe saqë është bërë objekt talljeje dhe meme-esh.
Sula tha se kryeministri Edi Rama është shprehur se kush është akuzuar nga drejtësia do vijë këtu te Grupi Parlamentar i PS-së. Ai ngriti pyetjen se pse nuk i morëm Ahmetajn dhe Beqajn në dëgjesë. E keni ju në burg deputetët apo i kemi ne.
"Rama tha se kush është akuzuar nga drejtësia do vijë këtu te Grupi Parlamentar i PS-së. Kur kishit dëgjesa, pse nuk morët Ahmetajn, Beqajn në dëgjesë ju? E keni ju në burg deputetët apo i kemi ne.
I bëni tenderat ju apo ne, koncesionet i bëni ju apo ne. Ka shkuar gjendja aq keq sa jeni bërë meme. Çfarë nuk kemi parë. Një kryetar bashkie me brekë të grisura," tha Sula i cili u ndërpre nga Spiropali për fjalorin e tij.

TIRANË- Deputeti socialist Toni Gogu gjatë fjalës së tij në Kuvend foli në lidhje me praninë e rektorit të UBT-së Fatbardh Sallaku në grupin parlamentar të PS-së. Gogu u shpreh se PD po bën gjyq publik ndaj një rektori në sallën e Kuvendit, duke pasqyruar një kulturë komuniste që sipas tij jeton i gjallë mes asaj partie.
Gogu më tej shtoi se nuk mund të bëhet i pandehur rektori i cili nuk është. Sipas tij të pandehurit i merr PD dhe i bën kryetar. Ai theksoi se kur të merren me grupin e PS duhet të lajnë gojën por edhe ndërgjegjen.
"Që ti bësh gjyq një akademiku në sallën e kuvendit nga një forcë politike që i ka bërë gjyq publik kryetarit, anëtarëve, që merr thashthemet e kënetës, është kulturë e komunizmit që jeton i gjallë mes asaj partie, nuk është e drejtë.
Nuk mund ta bësh rektorin të pandehur, kur nuk është, të pandehurit i merrni ju i bëni kryetar, kështu që kur të merreni me grupin e PS, jo vetëm lani gojën por edhe pastroni ndërgjegjen," tha Gogu.
TIRANË- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi i është përgjigjur deklaratave të demokratit, Gazment Bardhi lidhur me dëgjesën me rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallakun.
Peleshi tha se rektori nuk erdhi në dëgjesë për të mbrojtur veten nga akuzat apo personat, por për të sqaruar. Ndërkohë tha po ashtu se Sallaku ishte treguar i gatshëm të dëgjohej dhe nga grupi parlamentar i PD-së. Ai shtoi më tej se si kryeministri Edi Rama edhe rektori hetimet ja kanë lënë drejtësisë.
"Po dal këtu për të sqaruar, sepse e keni keqkuptuar. Rektori nuk erdhi për të mbrojtur veten nga akuzat apo personat, por për të sqaruar. Ai e tha se është i gatshëm të vijë edhe në grupin tuaj parlamentar. Zoti Bardhi sapo e bëre gjyqin tënd këtu në Parlament. As rektori dhe as kryeministri nuk ka thënë se do mbajë anën e këtij apo atij, apo se kush është fajtor. Ne nuk bëjmë hetime. Është e padrejtë të dezinformohet publiku, se është foltore e shenjtë këtu. Nëse ju lidheni me primaret dhe tensionet atje e paqartësinë që keni atje ta sillni këtu kjo është sjellja juaj. Pse ia hapëm derën rektorit?
Sepse edhe ai vetë nuk u mor me procesin, por ngriti shqetësimin për një tjetër proces të universitetit dhe që preket edhe ai. Ai erdhi të sqarojë dhe të kërkojë mbështetje për të mos u ndotur imazhi por të mbështetet edhe për procesin ndërkombëtar. E kundërta është e vërtetë nga ajo që tha Bardhi këtu, mos e ndotni.", tha Peleshi.
TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka gjatë fjalës së tij në Kuvend ka lexuar një mesazh nga një qytetar ndërsa ka nxjerrë në pah gjendjen e keqe të spitaleve në vend. Noka u shpreh se spitalet janë në gjendje të rëndë dhe se njerëzit po vdesin ndërsa nga spitalet ne vënd vuri theksin tek spitali Onkologjik.
Noka u shpreh se spitali i Hasit është mbyllur dhe shndërruar në një sallë kuajsh. Ai u shpreh se shkaktarët nuk skuqen pasi sipas tij atyre u ka humbur fytyra që më trafikun e parave të drogën me Toyota Yaris. Sipas tij qeverinë e ka zënë tmerri dhe se Amerika ka diferencuar se kush është ai që dëshiron zhvillimin e botës dhe ata që janë me Sorosin. Ai përgëzoi SHBA-në për qëndrimin e saj dhe që nuk mbështët regjim e George Sorosit.
"Njerëzit po vdesin tek Onkologjiku. Më shkruajnë edhe për spitalin në Lushnjë dhe në Has. Janë në gjendje të rëndë. Spitalin e Hasit e kanë mbyllur dhe e kanë kthyer në sallë kuajsh. Nuk skuqen, se kur bën trafikun e parave të drogës me Toyota Yaris, e ke humbur fytyrën.
Ju ka zënë tmerri. Amerika ka diferencuar, se kush është ai që dëshiron zhvillimin e botës dhe ata që janë me Soros. Mirënjohje SHBA-ve, që nuk mbështet një regjim të George Soros. Këta nuk e shpëtojnë dot lëkurën. Do kenë punë me ligjin," tha ai.
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka komentuar seancë dëgjimore të zhvilluar në Grupin Parlamentar të PS dje me rektorin e UBT, Fatbardh Sallakun. Bardhi tha se rektori kërkoi strehim te Partia Socialiste për të justifikuar aferën e abuzimeve me tendera të zbuluara nga SPAK.
Bardhi tha më tej se ajo që po ndodh në Universitetin Bujqësor të Tiranës është injorim i ligjit dhe Kushtetutës. Ai tha gjithashtu se kishte informacion se dhe Safet Bajri ka kërkuar të dëgjohet nga grupi parlamentar socialist.
"Një rektor kërkoi strehim në grupin parlamentar për të justifikuar një aferë të rëndë. Ky akt i paprecedent ndodh në një kohë kur rektori nuk ka kërkuar të sqarojë atë organ, por kërkon të rrëfehet në grupin parlamentar të PS në shkelje të kushtetutës dhe ligjit. Kjo na krijon bindjen e plotë se ajo që po ndodh në Universitetin Bujqësor është një injorim i ligjit. Ju nuk mund të bëheni strehë e cdo të korruptuari për të zhvilluar seanca dëgjimorë. Më thonë që ka ardhur në grupin tuaj nga Safet Bajri për tu dëgjuar edhe ai pretendon se është i intimiduar nga SPAK. Nëse thirrni për të dëgjuar një të korruptuar thirrni edhe një që është i përfshirë në krim të organizuar.", tha Bardhi.
Kreu i Grupit të PD-së kërkoi që presidenti i Republikës, Bajram Begaj të shkarkojë rektorin Sallaku për shkelje të Kushtetutës.
TIRANË- Deputeti demokrat Edi Paloka ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për servilizëm. Gjatë fjalës në Kuvend, Paloka theksoi se Rama përpara të fortëve tërhiqet zvarrë. Ndërkohë që këtu shtoi se dikur Rama përkulej para Fatos Nanos, ndërkohë që tani kërkon t'i shkelë me këmbë ata që ka poshtë.
"E dëgjuat Ramën dje se si bërtiste i revoltuar se qenkan arrestuar nja 20 veta për 300 mije euro…Po e mbani mend ku ky ulërinte e kërcënonte gjyqtarët e mori në telefon gjyqtaren e i tha të pres këmbët. Sepse kishte liruar nga burgu nje nënë pa burrë që e kishin arrestuar se nuk kishte paguar 20 mijë lekë të energjisë elektrike. Ulërinte këtu, në burg ata që nuk kanë paguar energjinë elektrike. Pra kur ndryshon qëndrim Rama pse të mos ndryshojmë edhe ne.
Në fakt ne ndryshe nga Rama kemi një të mirë. Rama përpara të fortëve tërhiqet zvarrë. E mbani mend kur i përkulej Fatos Nanos. Dhe sapo merr pak pushtete kërkon ti shkelë më këmbë ata që ka poshtë. Një këshillë e kam për patronazhistët. E shof që Rama përpiqet tu japë zemër. Në fakt patronazhistët ne dikur i kemi quajtur fuksa, spiunonin ke kishin inat. Këta janë patronazhistëtm por hoqën kusuret.
Për këta patronazhistët e Ramës, mos dëgjoni Ramën se ai nuk, mbron dot veten. E jo më juve. Mos dëgjoni këtë që ju thonë të shkelni ligjin, të abuzoni që të rrijë Rama në pushtet. Beni si ata socialistë e ndershëm që po kthehen. Mos e shkelni ligjin se ka qejf Rama të udhëtojë me çareter apo që Ajola, apo ajolat të blejnë brekë 800 mijë Euro. Rama do ikë ju do paguani kusuret," tha Paloka.
TIRANË- Deputeti socialist Pandeli Majko i ka dhënë një 'këshillë' Opozitës ditën e sotme në Kuvend. Gjatë fjalës së tij, Majko deklaroi se PD-ja duhet që të ndërrojë godinë, pasi ajo që ka nuk i sjell fat të mirë. Ndërkohë që ka theksuar se godina ku është bërë vakia e Ramiz Alisë, nuk i nxit njerëzit që të reflektojnë.
"Unë kam pasur një mik që ishte anti-komunist. Kur drejtuesi juaj ishte anëtar i Partisë Komuniste, ai ka luftuar në Vjetnam. E kam për nder dhe kënaqësi, e kam pasur mik. Quhej Leka Zogu, sot nuk jeton më. Mbi të gjitha si mik t’ju jap një këshillë, sado ironike t’u duket ajo dëgjojeni me qetësi. Ndërroni godinë se ajo është godinë që sjell fat jo të mirë. Në forcat e Armatosura godina e SHQUP-it së fundmi është përdorur kryesisht për vaki. Në atë godinë është bërë edhe vakia e Ramiz Alisë. Më dëgjoni mua, godina ku është bërë vakia e Ramiz Alisë, nuk iu nxit që njerëzit të reflektojnë për ndonjë fillim. Kam frikë se është e kundërta," tha Majko.
TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka publikuar ditën e sotme përgjime të tjera nga dosja 'Toyota Yaris' ku përmendet dhe Taulant Balla. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha lexoi një pjesë nga kjo dosje, ku janë mesazhet mes Erjona Daupajt, Radovan Çelës si dhe Astrit Vladit. Berisha tha se “bundra” luan me “Taon” në këto përgjime, duke akuzuar politikanët e qeverisë aktuale për korrupsion dhe paaftësi në përfaqësimin e qytetarëve.
Fjala e Berishës:
Së pari, të dashur qytetarë, siç e shihni, këta kanë marrë fund. Ai deklaron se do dalë dëshmitar për Edi Ramën, ky tjetri flet në emër të tij për PS. Jeni katandisur aty ku e meritoni. Por unë, meqë ky tha nuk quhem Tao, por quhem Krenar, do u lexoj pak disa rreshta prej tij.
Përgjimet:
Daupaj: Nuk do i bëj nder Ballës unë.
Çela: Këto ditë po më pyet, do jetë prapë Balla, apo do jesh ti?
Vladi: OK, se flas unë, por të na tregojë mënyrën se si do ta mbyllë?
Çela: Nga Tao, Tao. Dhe thotë se i ka në rregull letrat.
Çela: Se bundra luan edhe me Taon.
E kuptoni ju sa e rëndë është kjo? Se kush është ajo, ia dredh edhe Taos.
Çela: Jo, bundra kësaj radhe do ia marrë...
Të lutem, ky është fjalor me shkrim. E ka përdorur vetë ai.
Çela: I dola borxhit Taos.
Ja pra kush u përfaqëson ju. Ja kush del krenar para jush. Po si jeni kështu mo, si ka mundësi? “Dakord, do ta pengoj unë, i dola borxhit”.
TIRANË- Lideri i opozitës, Sali Berisha tha gjatë fjalës së tij në Kuvend se Shqipëria sponsorizoi në OKB dy rezoluta të ndryshme që kundërshtonin njëra-tjetrën. Berisha e cilësoi këtë si aktin më të turpshëm në historinë e sallës së OKB.
Sipas tij, kryeministri Edi Rama është i gatshëm "t'i vërë flakën vendit" për veten e tij. Ai akuzoi mazhorancën se është bërë strehë e hajdutëve.
"A e morët vesh ju, ku është ky ministri i shtetit bektashi, islamik, nuk ka ardhur sot ky? Se ky Igli është ministri i jashtëm i shtetit islamik bektashi. Shko në Nju Jork, akti më i turpshëm në historinë e asaj salle, sponsorizon dy rezoluta krejt të ndryshme, njërën të BE, tjetrën të SHBA. Dhe voton atë të BE.
O servilizëm, o turp nuk mund të kesh emër tjetër përveç kësaj. Po ç’jeni kështu mo? Po çfarë dinjiteti keni? Po si mund të përfaqësoni Shqipërinë kështu? Sponsorizon njërën, edhe tjetrën dhe pastaj voton vetëm njërën. Po si mund të dilni para qytetarëve shqiptarë ju?
Si mund të flasësh për flamur ti mor, kur e shkelmoni flamurin kombëtar në mes të sallës së OKB-së? Ç’punë keni me flamurin ju? Shqipëria sponsore e dy rezolutave të ndryshme që kundërshtonin njëra-tjetrën. A ka akt më të turpshëm se ky? Por ky zotëria, për prapanicën e tij, por e ka shumë qejf këtë term, nuk i ndahet nga goja, është i gatshëm t’i vërë flakën këtij vendi dhe të bëjë çdo akt, çdo poshtërsi. Prandaj vazhdoni dhe bëni siç u shndërruat në strehë të hajdutëve, bëni dëgjesa ju.
Pse i bëni? Për mburojë të atij, që kërkon të zbusë vjedhjet që ka bërë vetë me Erion Veliajn.", tha Berisha.

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka replikuar ditën e sotme me deputetin socialist Damian Gjiknuri në lidhje me dosjen McGonigal. Berisha ka deklaruar se Gjiknuri të fshihet ku do dojë, por sërish do të thirret si dëshmitar për Ramën. Ndërkohë që Gjiknuri i është kthyer Berishës duke i thënë se nuk ia vlen që të bëjnë debate të vjetra.
“Damian shko ku të duash, edhe në malin Atos, dëshmitar do thirresh për Edi Ramën. Nuk ke ku të shkosh pa u thirrur. Është akti më flagrant, i korrupsionit. I ka dhënë 225 mijë dollarë nga zyra e tij. Ato nuk ia ke dhënë ti. Nuk e them këtë. Por ti ke dijeni të plotë. Dëshmitarin e ke të sigurt, më mire bëhu ‘pentito’. Prisni kur t’i bjerë tavolinës me kokë tani, jo më me grusht”, tha Berisha.
“Sali me ty nuk ia vlen të bësh debate të vjetra. Sa herë del ndonjë akuzë, del gjithmonë diçka e lidhur me ty. Ta kam thënë aty jashtë “të kujtohet Xhejms Trafikani?. Po the, ma fute”. Unë nuk kam problem fare, dëshmoj kudo, kam dëshuar por e vërteta qëndron në tjetër vend. Ti je shqetësuar për negociatat jo të mira që ke bërë me mua nëpërmjet përfaqësuesit tënd, këtë nuk di ta them. Kompleksi i Xhejms Trafikantit do të përsëritet për herë të dytë. Mos mbaj shpresa te gjera që nuk ke siguri," replikoi Gjiknuri.
TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha iu drejtuar mazhorancës në Kuvend duke iu thënë se po iu vjen fundi nga drejtuesi i tyre, kryeministri Edi Rama. Berisha tha se dy janë arsyet që kryeministri nuk vjen në Kuvend, ku përmendi shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçin. Sipas Berishës, laptopi i Agaçit ndodhet në Prokurori dhe përmban të gjitha vjedhjet e kryeministrit Rama dhe grupit të tij.
Berisha: Po u vjen fundi nga njeriu që nuk guxon të vijë më në parlament. Nuk guxon të shkelë më në parlament. Që është bërë i shkallmuar me një gjuhë me të cilën meriton çdo epitet. Me një gjuhë të denjë... nuk e prish gojën unë, por një gjuhë qenefi. Sa herë flet, vetëm gjëra të tilla nxjerr.
Atëherë pse nuk vjen ai këtu? Pse nuk vjen? Dy arsye madhore janë që nuk vjen dot. Së pari, ku është Sekretari juaj i Përgjithshëm i kryeministrisë? Ku është Agaçio që dhuron edhe 30 hektarë? Ku e keni? A keni përgjegjësi para qytetarëve shqiptarë kur Sekretari i Përgjithshëm ia mbath dhe i mashtroni e thoni se është në spital? Madje një ditë kur unë thashë se është arratisur, përhapni thashethemin se është në intubim. Të gjithë ju këtë rrugë do ndiqni? Arratinë do ndiqni?
Tani, e dyta, laptopi është në prokurori. Ta dini mirë. Jeni të pashpresë. Laptopi është në prokurori. Prandaj thirreni më mirë të vijë se sa t’u nxjerrë laptopi një nga një ju. Laptopi ka të gjitha vjedhjet e tmerrshme që ka bërë Edi Rama me grupin e tij.
TIRANË- Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka deklaruar se numëri i shqiptarë me të drejtë vote të cilëve iu ka kaluar afati i vlefshmërisë së dokumentit të identifikimit ose mund t'iu skadoj deri më 11 maj, është 520 mijë. Gjatë fjalës në Kuvend, Hoxha tha se tashmë është arritur një marrëveshje për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve, në mënyrë që shqiptarët jashtë vendit të votojnë.
"Nisur nga vlerësimet tona, numri i shtetasve shqiptarë me të drejtë vote të cilëve iu ka kaluar afati i vlefshmërisë së dokumentit të identifikimit dhe mund t’iu skadojë deri në 11 maj, është 520 mijë shtetas. Është rënë dakord shtyrja e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve. Sipas Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, çdo shtetas shqiptar që ka mbushur moshën 18 vjeç pa dallim race, etnie, gjuhe, bindje politike, gjendje ekonomike ka të drejtë të zgjedhë dhe zgjidhet. T’u ofrojmë ndihmë dhe të mbrojmë të drejtat e qytetarëve tanë, në çështje me rëndësi për atdheun, siç është votimi në zgjedhjet e 11 majit. Qeveria propozon që vlefshmëria e dokumenteve të zgjatet deri në 31 maj 2025, për shtetasit me banim jashtë vendit. Ju ftoj të gjithëve të miratojmë këto akte me rëndësi për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve, për të përmbushur vendimin historik që diaspora për herë të parë në histori, të votojë jashtë vendit," tha Hoxha.
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha nga foltorja e Kuvendit se nëse miratohet akti që 800 mijë shqiptarë të votojnë me dokumente të skaduara, duhet të shtyhet edhe afati i regjistrimit. Kjo sepse kanë mbetur edhe 5 ditë kohë për regjistrimin e emigrantëve për zgjedhjet e 11 majit. Berisha i ka cilësuar aktet si gjysmake dhe hipokrite dhe shtoi se këto diskriminojnë shqiptarët.
Berisha: Aktet që paraqiten këtu janë gjysmake dhe hipokrite. Sepse në qoftë se bëjmë fjalë se 800 mijë shqiptarë i kanë të skaduar dokumentet dhe miratojmë aktin për t’u mundësuar votimin duke u lënë vetëm 5 ditë afat, ky është akt qesharak që do damkosë këtë mazhorancë me një damkë tjetër të zezë dhe të merituar.
Në qoftë se miratojmë këtë akt sot, atëherë të paktën të shtyjmë me 10 ditë, të bëjmë 15 ditë mundësinë e votimit të tyre. Së dyti, ju propozoni këtu një akt që i diskriminon shqiptarët. Në qoftë se e zgjatni afatin për shqiptarët që janë jashtë, duhet të zgjatet edhe për ata që janë edhe brenda. Nuk mund të ketë dy standarde. Këto i bëni se si të shpëtoni, por u garantoj se asgjë në botë nga 11 maji nuk do u shpëtojë.
TIRANË- Kreu i grupit parlamentar socialist, Niko Peleshi në nisje të seancës së sotme plenare ka folur në lidhje me propozimin për Avokatin e Popullit. Peshi iu përgjigj Tabakut e cila u shpreh se PS nuk po bën asnjë hap për pranimin e propozimit i PD-së për Besim Ndregjoninsi avokat i Popullit.
Peleshi gjatë fjalës së tij u shpreh se ka deklaruar edhe më parë që nuk kanë kundërshtime për propozimet e PD-së. Ai tha se duhe të diskutohet dhe të vendoset për këtë post ndërsa ka theksuar se nuk janë kundër asnjë emri. Peleshi më tej shtoi se ai i ka kërkuar kryetarit të grupit të PD, Gazmend Bardhi që të nisin bisedimet për këtë çështje.
"Vetëm sqarim. Siç ju thashë në konferencën e kryetarëve. E kam thënë publikisht jemi të gatshëm skemi kundështim të vijojmë traditën mbi bazën propozimeve tuaja.
Të diskutojmë dhe të vendosim nuk jemi kundër asnjë emri. Se kush po pret kë, ju them hapur i kam kërkuar kryetari të grupit të PD të vijojmë me këtë çështje," tha ai.
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka marrë fjalën në nisjen e seancës plenare ku tha se një tërmet i madh politik ka ndodhur në botë dhe pasojat e tij janë ndjerë edhe në Shqipëri.
Berisha tha se ky tërmet po sjell përmbysja e "sorosizmit" dhe ekstremit të majtë në SHBA. Ai bëri thirrje të bëhet me urgjencë ligji për "desorofikimin" e Shqipërisë. Berisha tha se është më mirë të bëhet tani se pas zgjedhjeve kur, sipas tij, PD të jetë shpallur fituese.
"Siç e shihni, një tërmet i madh politik ka ndodhur në botë dhe ju nuk mund të bëni të paditurin. Nuk mund të fshiheni sepse ky tërmet ka pasur pasqyrime apo reflektimin më të madh pas SHBA në Shqipëri. Ky tërmet është përmbysja e sorosizmit dhe ekstremit të majtë në SHBA, por që pati reflektime të tmerrshme edhe në këtë vend.
Ju kërkoni ta kaloni në një kohë kur atje, në atë vend, çdo ditë presidenti firmos zinxhir dekretesh për desorosifikimin e SHBA, ju vazhdoni të bëni sikur do mund t’i mbani ato në këmbë. Të mbani në këmbë akte, qëndrime, të cilat janë në armiqësi të plotë jo vetëm me Shqipërinë, por me të gjitha vendet e lira, me të gjitha vendet që aspirojnë të mbeten të tilla.
Ndaj me urgjencë ligji për desorosifikimin e Shqipërisë është një emergjencë kombëtare. Është më mirë të behet tani se sa kur ta bëjmë ne fill pas zgjedhjeve se do thoni po na persekutoni. Por unë u garantoj se do ketë të njëjtën peshë me ligjin që do bëhet për dekomunistizimin. Pra, më mirë të bëjmë një ligj tani. Sepse ju e dëgjuat mbrëmë Kongresin e SHBA. Nuk janë më tash vetëm tre organizatat më të mëdha në botë partiake, por është institucioni themelor i demokracisë, ku ju u cituat për akte antidemokratike dhe për plaçkitje të fondeve të SHBA. Prandaj dhe ligjin pranojeni më mirë si e keqja më e vogël për ju, se ai do bëhet pas zgjedhjeve, u garantoj se do u dhembë shumë. Më mirë tani se pas zgjedhjeve.", tha Berisha.
TIRANË- Ka nisur seanca e sotme plenare në Kuvend. Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali njoftoi gjatë fjalës së saj dy salla në Kuvend do të emërohen "Bashkim Fino" dhe "Gert Bogdani".
Spiropali u shpreh se ky nderimi u bë për të përkujtuar dhe vlerësuar kontributin e tyre të çmuar në historinë politike dhe shoqërore të vendit, ndërsa shtoi se Bashkim Fino dhe Gerti Bogdani ishin politikanë modelë.
"Bashkim Fino dhe Gerti Bogdani ishin politikanë modelë. Kjo ishte arsyeja pse sallat po emërohen me emrat e tyre. Bashkim Fino ishte kryeministër në periudhën më të vështirë të vendit. Ka kontribuar në hartimin e disa prej reformave më të rëndësishme në vend. Gerti Bogdani ishte drejtues i respektuar, që dha kontribut të çmuar për shoqërinë shqiptare.", tha Spiropali.
TIRANË- Në Kuvend ditën e sotme do të mbahet seanca e radhës plenare. Gjatë seancës pritet të diskutohen dy aktet normative të Këshillit të Ministrave, të cilët synojnë shtyrjen e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit deri në fund të muajit maj.
Në këto dy akte propozohet që të zgjatet afati i vlefshmërisë përkatësisht për letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën për udhëtim jashtë shtetit deri në fund të muajit maj 2025, për shqiptarët me vendbanim jashtë vendit, gjë që do të mundësojë votimin për shtetasit shqiptarë jashtë vendit, të cilët kanë dokumente identifikimi të skaduara.
Miratimi i këtij propozimi do të mundësojë pjesëmarrjen e gjerë të votuesve nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë që do të mund të regjistrohen në platformën PER deri më 4 mars për të votuar me postë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në Kuvend do të shqyrtohet edhe projektvendimin i cili parashikon një shtesë prej 80 punonjësish me kohë jo të plotë pune në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të përballuar fluksin e madh të regjistrimeve të shtetasve shqiptarë për të votuar nga jashtë vendit. Punonjësit janë të ndarë në kategori specialistë dhe operatorë.
Ata do t’i vijnë në ndihmë administratës së KQZ-së për disa procese pune të tilla si përgatitja e dokumentacionit zgjedhor që i dërgohet zgjedhësit nga jashtë vendit, dërgimi i dokumentacionit zgjedhor të zgjedhësit, votimi dhe dërgimi i dokumentacionit zgjedhor në KQZ nga zgjedhësi, si dhe ruajtja dhe administrimi i dokumentacioni zgjedhor të dërguar nga zgjedhësi nga momenti i mbërritjes në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe deri në fillimin e numërimit dhe vlerësimit të votave nga jashtë. Në seancën e sotme Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektvendimin për zgjedhjen e Komisionerit për Mbrojtjen dhe Diskriminimin.