Protestë masive kundër projektit në Zvërnec/ Qytetarët para Kryeministrisë thirrje kundër qeverisë: Rama të japë dorëheqjen (PAMJET)
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar! ...
Ish-ushtarak dhe njohës i armëve/ Kush është Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau një polic e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
• Ish-kryeministri Fatos Nanos ka ndërruar pas rreth 1 muaji në gjendje të rëndë shëndetësore. • Nano ndodhej prej rreth 30 ditësh në gjendje kritike shëndetësore dhe në momentet e fundit të jetës ai mori trajtime në repartin e reanimacionit në një spital privat në Tiranë. • Ish-kryeministri pësoi arrest kardio-respirator në ambientet e shtëpisë së tij. • Për monitorimin e gjendjes shëndetësore të Nanos erdhi në spitalin privat në Tiranë edhe një epik i specializuar mjekësorë të huaj, por fatkeqësisht ish-kryeministri ndërroi jetë. • Për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit Fatos Nano, ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili ka shkruar 'Lamturmirë Kryetar'. • Gjithashtu ka reaguar edhe Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili shkruan se Nano ishte personalitet kryesor i të majtës shqiptare gjatë tranzicionit. • Kryedemokrati tha më tej se Nano ka meritën e reformimit të Partisë Socialste, anëtarësimin e saj në forume të majta ndërkombëtare si dhe pranimin nga ai vetë të rotacionit të pushtetit. • Po ashtu ish deputetit dhe ish-kryeministri, Pandeli Majko shkruan se Nano i ishte politikan i një tjetër kalibri, i cili i provoi të gjitha. • Mes demokratëve, ngushëllime shpreh Tritan Shehu, duke veçuar ndarjen nga jeta të Nanos, jo vetëm humbje për familjen socialiste, por dhe për politikën shqiptare. • Nga përtej kufijve të vendit, Ali Ahmeti kryetar i BDI-së në Maqedoninë e Veriut shkruan se humbi mikun e vjetër, që ishte vizionar e me urtësi politike. • Ramush Haradinaj ish-kryeministër i Kosovës e cilëson Nanon si kontributor kyç i çështjes shqiptare në kohëra krize brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
22 artikuj për këtë temë.
KOSOVË- Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Fatos Nano. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, teksa kujton dy takimet që ka pasur me Nanon, Kurti shkruan se ai do të kujtohet mes kryeministrave të Shqipërisë, për rolin e tij historik.
Kurti gjithashtu thekson se në biografinë e tij politike, Nano ka një kapitull të rëndësishëm për rolin e tij në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë vitit të parë të luftës nga dalja publike e UÇK-së, deri te ofensiva e verës së vitit 1998, kur terreni shqiptar ishte arenë e lirë e organizimit të UÇK-së.
Reagimi i Albin Kurtit:
Kur e mora lajmin për vdekjen e Fatos Nanos, më erdhën në mendje kujtime nga dy takimet që dikur i kam patur me të. Herën e parë në fillim të vitit 2002, disa muaj pasi kisha dalë nga burgu në Serbi, ku isha mbajtur si rob lufte bashkë me mbi 2000 shqiptarë të tjerë. Kjo përvojë e imja, u kthye natyrshëm në temë të bisedës sime me Nanon në atë takim tonin njohës.
Fatos Nanon e kam takuar për herë të dytë kur ishte zgjedhur Kryeministër i Shqipërisë, me ç’rast ai më priti bashkë me Adem Demaçin dhe Arbën Xhaferin. Nga atëherë, më kanë ngelur të pashqitshme nga kujtesa bisedat e tij plot pasion për politikën me Bacin Adem, simbolin e rezistencës sonë dhe me Arbën Xhaferin, liderin politik aq origjinal.
Në historinë politike të Shqipërisë së periudhës së tranzicionit nga sistemi monist dhe regjimi komunist tek ai demokratik liberal dhe pluralist, emri i politikanit Fatos Nano ishte një figurë qendrore. Ai shërbeu tre herë si Kryeministër i Shqipërisë: nga 22 shkurti deri më 4 qershor 1991, kur Shqipëria ishte në kapërcyell nga komunizmi në demokraci; pastaj nga 25 korriku i vitit 1997 deri më 27 shtator të vitit 1998, kur Shqipëria u përfshi nga trazirat kurse Kosova nga lufta; për herë të tretë dhe më së gjati, Nano shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë për tri vite, mes 29 shtatorit 2002 dhe 1 shtatorit 2005, kur Shqipëria po përballej me sfidat e ngritjes nga pasojat e regjimit të gjatë komunist dhe nga trazirat.
Në biografinë e tij politike, Fatos Nano ka një kapitull të rëndësishëm për rolin e tij në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë vitit të parë të luftës nga dalja publike e UÇK-së deri te ofensiva e verës së vitit 1998, kur terreni shqiptar ishte arenë e lirë e organizimit të UÇK-së. Historia moderne e shtetit shqiptar dhe historia politike e Shqipërisë dhe e Kosovës, do ta kenë të dendur emrin e tij mes emrave të politikanëve shqiptarë të viteve ’90 dhe fillimshekullit XXI. Ngushëllime familjes Nano, bashkëpunëtorëve dhe bashkëpartiakëve të Fatos Nanos, si dhe miqve e të afërmve të tij. U kujtoftë mes kryeministrave të Shqipërisë, për rolin e tij historik!/Dosja.al

TIRANË- Deartamenti i Komunikimit në FSHF ka njoftuar se në të gjitha ndeshjet e kësaj jave në kampionatin “Abissnet Superiore”, Kategorinë e Parë dhe Kategorinë e Dytë do të mbahet një minutë heshtje në nder të kujtimit të Fatos Nanos, ish-kryeministër i Republikës së Shqipërisë, i cili u nda sot nga jeta.
Ky homazh vjen si shenjë respekti për figurën e tij dhe kontributin në jetën publike të vendit. Gjithashtu Federata Shqiptare e Futbollit shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Nano në këtë moment të vështirë./Dosja.al
TIRANË- Ish-kryeministri Fatos Nano do të nderohet të dielën, me homazhe në Pallatin e Kongreseve. Ceremonia për liderin historik të Ps-së do të mbahet në Pallatin e Kongreseve.
Por, pritet të dalë Vendimi i Këshillit të Ministrave, ku dhe do të përcaktohen detajet e organizimit./Dosja.al
TIRANË- Qeveria ka shpallur të dielën e 2 nëntorit ditë zie kombëtare, në nderë të ndarjes nga jeta të ish- kryeministrit Fatos Nano. Në njoftimin zyrtar thuhet se në kuadër të kësaj dite, do të zhvillohet një ceremoni shtetërore dhe Homazhe Kombëtare në nderim të të ndjerit, në Pallatin e Kongreseve.
Gjithashtu në njoftim thuhet se në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtize, ndërsa në orën 12:00 të ditës së diel do të mbahet një minutë heshtje në mbarë vendin, si shenjë nderimi për Fatos Nanon.
NJOFTIM PËR MEDIAT
Shpallja e Zisë Kombëtare në nderim të të ndjerit Fatos Nano, ish-Kryeministër, udhëheqës dhe politikan i shquar. Këshilli i Ministrave ka vendosur shpalljen Zi Kombëtare ditën e diel, më 2 nëntor 2025, në nderim të Fatos Nanos, ish-Kryeministër dhe një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare.
Në respekt të kontributit të tij të çmuar në jetën publike dhe politike të vendit, do të zhvillohet ceremonia funebre shtetërore dhe Homazhet Kombëtare për të ndjerin. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtize.
Në orën 12:00, në nderim të tij, do të ndërpriten të gjitha veprimtaritë dhe do të mbahet një minutë heshtje në mbarë vendin. Radiotelevizioni Publik Shqiptar gjatë zhvillimit të ceremonialit shtetëror, do të transmetojë muzikë funebre.
Homazhet dhe Ceremonia Shtetërore
Pallati i Kongreseve, Tiranë
• 08:30 – 11:00 – Homazhe publike
• 11:15 – 11:45 – Homazhe shtetërore dhe nderim nga personalitetet
• 12:05 – Ceremonia funebre shtetërore e lamtumirës
Për organizimin e ceremonisë është ngritur një Komision i Posaçëm Shtetëror nën mbikëqyrjen e Kryeministrit, me përfaqësues nga institucionet kryesore shtetërore dhe të sigurisë./Dosja.al

TIRANË- Ish-presidenti, Ilir Meta ka raguar pas ndarjes nga jeta të Fatos Nanos. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta i ka shprehur ngushëllimet familjes dhe miqve të ish-kryeministrit Nano.
"Fatos Nano u prehtë në paqe! Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe simpatizantëve të tij!" shkuan Meta./Dosja.al
TIRANË- Erion Veliaj ka reaguar, pas ndarjes nga jeta të Fatos Nanos. Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Veliaj shkruan se me vizionin e tij qytetar dhe thellësisht europian, ai besoi se e majta duhet të ishte hapje, debat dhe progres, jo thjesht dogmë. Veliaj theksoi gjithashtu se demokracia nuk matet me sa shumë flasim, por si debatojmë me qytetari dhe sa shumë dimë të dëgjojmë njëri-tjetrin.
“Me trishtim mora lajmin e ndarjes nga jeta të Fatos Nanos, kryetari që formësoi Partinë Socialiste dhe politikën moderne shqiptare. Me vizionin e tij qytetar dhe thellësisht europian, ai besoi se e majta duhet të ishte hapje, debat dhe progres, jo thjesht dogmë. Sot kujtojmë me respekt një udhëheqës tolerant e liberal, i cili diti t’i tregojë këto cilësi edhe me mua, vite më parë, në ditët e rebelimit aktivist.
Demokracia nuk matet me sa shumë flasim, por si debatojmë me qytetari dhe sa shumë dimë të dëgjojmë njëri-tjetrin. Sepse liria nuk është vetëm e drejta për të folur, por edhe përgjegjësia për të kuptuar. Kjo ishte fryma që Fatos Nano i dha të majtës shqiptare dhe për çka duhet t’i jemi mirënjohës. U prehtë në paqe”, shkruan Veliaj./Dosja.al
TIRANË- Ish-presidenti Bamir Topi ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Fatos Nanos. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Topi u shpreh se ish-kryeministri Nano ishte një politikan qytetar liberal dhe komunikues modern në politikë e në shoqëri.
Ai tha se sjellja e tij politike me kundërshtarët politikë ishte plot predispozicion për dialog e kompromis. Topi deklaroi se i ishte mirënjohës Nanos, pasi tejkaloi pozicionin e tij politik për ta votuar si president i Republikës, duke mënjanuar krizën politike e kushtetuese.
"Nano ishte një politikan qytetar liberal dhe komunikues modern në politikë e në shoqëri. Sjellja tij politike me kundërshtarët politikë ishte plot predispozicion për dialog e kompromis. Personalisht i jam mirënjohës pasi tejkaloi pozicionin e tij politik për të më votuar si president i Republikës duke mënjanuar krizën politike e kushtetuese. U prehtë në paqen e përjetshme", shkruan Bamir Topi./Dosja.al
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Fatos Nanos. Me anë të një postimi në Facebook, Berisha shkruan se Nano ishte personalitet kryesor i të majtës shqiptare gjatë tranzicionit. Kryedemokrati tha më tej se Nano ka meritën e reformimit të Partisë Socialste, anëtarësimin e saj në forume të majta ndërkombëtare si dhe pranimin nga ai vetë të rotacionit të pushtetit.
Postimi i Sali Berishës:
Fatos Nanon mbyll sytë përgjithmonë. Të dashur miq, Fotos Nano, ish-kryeministër i vendit dhe ish-kryetar i Partisë Socialiste, personalitet kryesor i të majtës shqiptare gjatë tranzicionit, mbylli sytë përgjithmonë.
Fatos Nano ka meritën e reformimit të Partisë Socialste, anëtarësimin e saj në forume të majta ndërkombëtare si dhe pranimin nga ai vetë të rotacionit të pushtetit. Me këtë rast shpreh ngushëllime familjes, miqve, të afërmëve të tij dhe socialistëve. Amen!/Dosja.al
TIRANË- Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Fatos Nano. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Peleshi u shpreh se Nano mbetet një poltikan modern, i cili solli frymën e vërtetë europiane në mjedisin publik.
Ai tha se ish-kryeministri Nano ishte intelektuali që dinte të fliste gjuhën e ideve, liberali që besonte te liria individuale dhe zhvillimi ekonomik dhe europianisti i bindur që e shihte të ardhmen e Shqipërisë vetëm në familjen e madhe europiane. Kryeparlamentari deklaroi se për të majtën shqiptare, Fatos Nano është arkitekti i transformimit historik.
"Para pak çastesh u nda nga jeta Fatos Nano, politikani që dominoi një epokë të tërë të jetës politike shqiptare, themeluesi dhe drejtuesi vizionar i Partisë Socialiste deri në vitin 2005. Për mua personalisht, Fatos Nano mbetet figura që më hapi dyert e politikës, duke më besuar përgjegjësinë e parë publike, në atë kohë një ftesë ndaj një brezi të ri për të ndërtuar së bashku Shqipërinë që ne të gjithë e ëndërronim. Ai kishte atë aftësi të rrallë për t’u dhënë hapësirë njerëzve të provonin veten në shërbim të vendit. Por figura e Fatos Nanos tejkalon çdo përvojë personale. Për politikën shqiptare, ai mbetet politikani modern që solli frymën e vërtetë europiane në mjedisin tonë publik. Ishte intelektuali që dinte të fliste gjuhën e ideve, liberali që besonte te liria individuale dhe zhvillimi ekonomik, europianisti i bindur që e shihte të ardhmen e Shqipërisë vetëm në familjen e madhe europiane. Në një kohë kur shumë ende mendonin me mendësitë e së shkuarës, ai fliste për të ardhmen.
Për të majtën shqiptare, Fatos Nano është arkitekti i transformimit historik. Ai e ngriti të majtën e re mbi themelet e shëndosha të socialdemokracisë europiane, duke bërë atë që dukej pothuajse e pamundur, ta mbante atë në këmbë në një kohë kur filli ku varej ishte jashtëzakonisht i hollë. Ai kishte guximin të thyente dogmat, vizionin për të parë përtej krizave të çastit dhe forcën për të ndërtuar një lëvizje politike që mund të qeveriste dhe të modernizonte vendin. Historia do ta gjykojë me drejtësi kontributin e tij. Ne që patëm privilegjin ta njohim, ta dëgjojmë dhe të punojmë pranë tij, e dimë se Shqipëria humbi sot një nga figurat më të mëdha të politikës së saj postkomuniste. I paharruar, Fatos Nano!" shkroi Niko Peleshi./Dosja.al
TIRANË- Ish-deputeti i PS-së Pandeli Majko ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Fatos Nano. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Majko shkruan se Nano si çdo njeri me pushtet kërkoi nga jeta gjëra që nuk janë në “menu”. Majko shkruan gjithashu se ka plot politikanë që do të mbahen mend nga servilët e tyre por Nano nuk ishte kjo kategori.
Postimi i plotë i Majkos:
Fatos Nano ka ndërruar jetë!… Përpara se të ishte drejtues i Partisë Socialiste, Fatosi, ishte djali i Maries dhe i Thanasit! Ai ishte një vlla i mirë dhe prind i dhimbsur! Në politikë, Fatos Nano nuk tentoi ti shpëtonte asaj që ishte!
Si çdo njeri me pushtet, ai kërkoi nga jeta gjëra që nuk janë në “menu”! Në rrugëtimin e jetës së tij, ai i provoi të gjitha, ku burgosja si drejtues i PS në opozitë, ishte momenti më i vështirë, por edhe më i lartë i veprimtarisë së tij si politikan dhe njeri!
Në politikë, pushteti është i shpërndarë mes njerzve që e meritojnë dhe njerzve që e adhurojnë! Fatosi do mbahet mend për rregullat që theu! Ai ishte produkt i kohës që jetoi! Në konkluzionin njerëzor të jetës, të gjithë dështojnë të jenë ata që duan! Ndaj çdo njeri nuk mund të gjykohet vetëm nga gabimet që ka bërë! Fatosi nuk ishte një përjashtim!
Historia ka plot politikanë që do të mbahen mend nga servilët e tyre! Fatosi nuk ishte kjo kategori! Kundërshtarët e tij, mund të mbështeteshin tek ai për të vepruar me dinjitet. Pushteti, është shfaqja më e vjetër, por edhe irracionale e natyrës njerëzore. Fatosi doli prej saj me titullin “njeri”!
Djali i Maries dhe i Thanasit nuk është më! U end pak kohë, midis dy botëve, duke bërë “negociatën” e fundit! Beteja e fundit midis “kush je” me “çfarë je”! Dheu i lehtë Fatos! Qofsh i parajsës!/Dosja.al
TIRANË- Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar për ndarjen nga jeta të Fatos Nano. Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj shkruan se Nano ishte kontribuues kyç i çështjes shqiptare në kohëra krize brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
"Telegram ngushëllimi! Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, z. Fatos Nano. Në emrin tim dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Nano, të afërmve, kryeministrit Edi Rama, Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve. Mirënjohje për rolin e tij udhëheqës dhe vizionar. Kontribuues kyç i çështjes shqiptare në kohëra krize brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. U prehtë në paqe!”, shkruan Haradinaj./Dosja.al
TIRANË- Ervin Salianji, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Fatos Nanos. Me anë të një postimi në Facebook, Salianji shkruan se Nano krijoi një parti moderne të majtë ku lejoi garën dhe lirinë e mendimit brenda saj. Salianji gjithashtu u shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.
"Fatos Nano, një nga personalitetet më të rëndësishme të tranzicionit politik shqiptar, drejtues historik i Partisë Socialiste dhe një nga protagonistët e pluralizmit pas viteve ’90. Edhe pse në krahë të ndryshëm politikë, Fatos Nano përfaqësonte një profil të veçantë, liberal në mendim, i hapur ndaj debatit, me kulturë politike dhe respekt për mendimin ndryshe. Ai krijoi një parti moderne të majtë, lejoi garën dhe lirinë e mendimit brenda saj, dhe formoi breza politikanësh që vijojnë të jenë aktivë edhe sot. Ngushëllime familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Qoftë i paharruar!", shkrun Salianji./Dosja.al
TIRANË- Ogerta Manastirliu ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Manastirliu tha se Nano ishte lideri, i cili themeloi dhe drejtoi Partinë Socialiste në kohëra sfiduese.
Manastirliu shkruan se Nano la gjurmë të pashlyeshme në politikën shqiptare. Në fund, ajo i shprehu ngushëllimet familjes dhe miqve të ish-kryeministrit Fatos Nano.
“U prehsh në paqe Kryetar. E trishtuar për ndarjen nga jeta të udhëheqësit historik të socialistëve shqiptarë, Fatos Nano. Lideri që themeloi dhe drejtoi Partinë Socialiste në kohëra sfiduese për vendin dhe la gjurmë të pashlyeshme në politikën shqiptare. Ngushëllime familjes, të afërmve, miqve dhe familjes sonë të madhe socialiste”, shkruan Manastirliu./Dosja.al

TIRANË- Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ahmeti tha se me Nanon i lidhte bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë.
Ahmeti tha se ish-kryeministri Nano ishte një njeri me vizion, guxim dhe urtësi politike dhe një personalitet, i cili la gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të Shqipërisë. Në fund, Kreu i BDI i shprehu ngushëllimet familjes dhe miqëve të tij.
"Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim të vjetër, shokut tim të orëve të vështira, Fatos Nano. Na lidhte miqësia, bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë që lindi në kohëra sfidash, kur idealet për liri, demokraci dhe zhvillim ishin udhërrëfyesit tanë të përbashkët.
Fatosi ishte njeri me vizion, guxim dhe urtësi politike, një personalitet që la gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të Shqipërisë. Në këto çaste dhimbjeje, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe gjithë ata që e deshën e e vlerësuan. U prehtë në paqe miku im, Fatos Nano. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë gjithmonë," tha Ali Ahmeti./Dosja.al
TIRANË- Deputeti socialist, Ulsi Manja, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Manja theksoi se Fatos Nano përfaqësonte epokën ku sipas tij, mbaroi frika e komunizmit dhe nisi debati për demokracinë.
“Ka politikanë që përfaqësojnë kohën ku jetojnë, dhe ka të tjerë që përfaqësojnë epoka. Fatos Nano ishte ndarja mes dy botëve: aty ku mbaroi frika e komunizmit dhe nisi debati për demokracinë. Lamtumirë, Kryetar!”, shkroi Manja./Dosja.al
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokrat, Tritan Shehu ka reaguar për ndarjen nga jeta të Fatos Nano. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Shehu e ka cilësuar ndarjen nga jeta të Nanos, jo vetëm humbje për familjen socialiste, por dhe për politikën shqiptare. Gjithashtu Depueti demokrati shpreh ngushëllimet e tij për familjarët, miqtë dhe e bashkëpunëtorët.
“Ngushellimet me te sinqerta per humbjen e Z. Fatos Nano! Nje humbje per familjen socialiste. Nje humbje per politiken shqiptare. Ngushellime familjes se tij, qe e ndjen e perjeton me shume se gjithesekush kete humbje. Bashkepuntoreve ne vite. Miqve e shokeve. Ngushellime!”, thuhet në postimin e Tritan Shehut./Dosja.al
Nano, njeriu që nuk ra viktimë e pushtetit të tij! Nëse ka një politikan që koha e vendosi menjëherë si “sanduiç” mes “të vjetrës që shembet dhe të resë që po lindte”, ky është Fatos Nano.
Ai e nisi karrierën politike në anën tjetër të barrikadës. Në momentin kur diktatura po shkërmoqej përballë presionit të kohës dhe studentëve, ndryshe nga shumë intelektualë, ai u rreshtua me Partinë e Punës. Në Dhjetor 1990, u shfaq si “njeriu liberal”, fasada që regjimi kishte nevojë ta përdorte për të treguar se “po ndryshojmë edhe ne”. Nga sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave shumë shpejt arriti majën e piramidës. Në shkurt 1991, u emërua kryeministër në qeverinë tranzitore, për t’u përballur menjëherë me grevën e minatorëve, e cila e rrëzoi qeverinë e tij.
Vetëm katër muaj më pas, në qershor 1991, ai u zgjodh kryetar i partisë trashëgimtare të PPSH-së. Detyra ishte gati e pamundur: transformimi i komunistëve në një forcë socialiste. Kjo ishte, ndoshta, sfida e tij më e madhe: të bënte që 120 mijë anëtarë të PPSH-së të ndërronin mentalitetin, statusin, stilin, dhe të pranonin se kishte ardhur një epokë tjetër; se pushteti nuk u takonte vetëm komunistëve dhe se përballë nuk ishin armiqtë, reaksionarët, ballistët e zogistët, por shqiptarët.
Në 22 mars 1992, Partia Socialiste (PS) humbi thellë në zgjedhjet parlamentare, shenjë se shqiptarët prisnin ndryshim rrënjësor. Vetëm tre muaj më pas, në zgjedhjet lokale, PS u rikuperua shpejt. Kjo rimëkëmbje tregon aftësinë e Nanos dhe të ekipit të tij për të reflektuar, për t’u riorganizuar dhe për të mbijetuar politikisht. Ndërkohë, erdhi arrestimi dhe burgosja i tij, në një proces që la më shumë hije sesa dritë. U akuzua dhe dënua për abuzim detyre dhe falsifikim dokumentesh, në lidhje me ndihmat italiane. Burgu çimentoi postin e kryetarit të partisë dhe e ktheu në “martir” politik. (Është nga ata që në fillimin ka bërë burgun, me pas zullumet - thoshte me shpoti një vëzhgues i hollë i jetës politikës)
Kur vendi ra në kaos total në vitin 1997 (kolapsi i skemave piramidale), Nano u rikthye në krye të PS-së me premtimin e madh: “Do të kthehen paratë e humbura.” Ai nuk u hakmorr për çfarë kishte pësuar; përkundrazi, u përpoq të ringrinte ekonominë e rrënuar dhe të qetësonte sa të mundte një vend të armatosur deri në dhëmbë.
Vetëm 14 muaj më pas, pas vrasjes së deputetit demokrat Azem Hajdari, dha dorëheqjen, duke ia lënë drejtimin dy të rinjve të Forumit Rinor Eurosocialist (Majko-Meta).
Në 2002, u rikthye për herë të tretë si kryeministër. Në këtë mandat, ai provoi të balancojë pushtetet, të punojë për pavarësinë e institucioneve dhe të siguronte që rotacioni të bëhej në kutinë e votimit dhe jo në rrugë apo me dhunë.
“Organizmi i zgjedhjeve të lira e të ndershme është më i rëndësishëm se rezultati" – kjo thënie që i atribuohet Nanos nuk shprehte vetëm një ideal larg realitetit të kohës, pasi u bë realitet shumë shpejt.
Në këtë periudhë shënohet edhe paqja e madhe politike, pas një konflikti të gjatë me rivalin e tij Berisha. (zgjedhja e Presidentit me konsensus, disa emërime në Gjykatën e Larte/Kushtetuese, reforma zgjedhore)
Në kohën e “qeverisjes” së tij (2002-2005), pushteti u nda jo vetëm me aleatët, por edhe brenda vetë Partisë Socialiste, duke lejuar shfaqjen e figurave të forta politike edhe brenda kabinetit, edhe brenda grupit parlamentar.
Në retrospektivë, ajo çka quhej dhe akuzohej për korrupsion në kohën e tij, shpesh duket si lojë kukullash kur krahasohet me aferat e dekadës së fundit, një kontrast i dhimbshëm që e vendos periudhën e Nanos në një dritë tjetër, ku e ku më të zbehtë, krahasuar me aferat dhe babëzitë e sotme për pushtet dhe pasuri.
Në 2005, PS humbi zgjedhjet parlamentare, dhe Nano dha dorëheqje nga drejtimi i partisë. Fishekët e fundit të kapitalit politik në Parlament i përdori që Bamir Topi të zgjidhej President më 2007. Në vitin 2012 e synoi vetë postin e kreut të shtetit, por e kuptoi menjëherë se sa i vetmuar kishte mbetur. Dëshira dhe këmbëngulja e tij për t’u rikthyer përplasej me një të vërtetë brutale: miqtë e shumtë në politikë janë të përkohshëm dhe i takojnë vetëm pushtetit, jo personit.
Vitet e fundit i kaloi në heshtje, si një burrë që i kishte bërë herët dhe me intensitet betejat e mëdha, kryesisht të imponuara nga koha dhe fati. Nano ishte njeri me pasione dhe vese (pija, kumari, neglizhenca), të cilat e bënë shpeshherë objekt kritikash dhe përfoljesh.
Ironikisht, natyra e tij "liberale" dhe vetë veset e bënë më njerëzor, më të aksesueshëm, duke krijuar një kontrast që i vuri në pah edhe më shumë virtytet e tij. E quajtën liberal, por toleranca ishte ves i tij.
Reformimi dhe demokratizimi i PS-së, ndarja e pushteteve (në krahasim me përqendrimin e sotëm); organizimi i zgjedhjeve të lira (krahaso sot pas 20 vitesh); dorëzimi i pushtetit dhe ngulitja e idesë se shteti nuk i përket një partie të vetme, janë kontributet e Fatos Nanos në tranzicionin shqiptar.
Në retrospektivë politike, Fatos Nano spikat si “sanduiçi” që dha një hapësirë “liberalizmi” midis dy modeleve të fuqishme dhe shpesh autoritare të qeverisjes: pushtetit të centralizuar të Sali Berishës në vitet ’90 dhe dominimit të gjatë autoritarist të Edi Ramës në dekadën e fundit. Ai u thirr në skenë në Dhjetor 1990 dhe jetoi 15 vite intensive politike. U largua i qetë si nga drejtimi politik, ashtu edhe nga kjo jetë, duke lënë pas një trashëgimi të debatueshme, por të pamohueshme!
TIRANË- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Docialiste, Taulant Balla ka reaguar për ndarjen nga jeta të Fatos Nano. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Balla e cilëson Nanon si njeriu që moderinzoi Shqipërinë, duke modernizuar partinë.
"Sot e humbëm Kryetarin Nano, Do ta kujtojmë gjithmonë udhëheqësin e parë të Partisë Socialiste Fatos Nano për kontributin vendimtar në 14 vite me radhë kur Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment nga graviteti i interesit kombëtar, çka u skalit si një vijë sjelljeje e palëkundur e partisë sonë, duke e bërë unikale mes partive politike në Shqipëri. Fatos Nano modernizoi Shqipërinë, duke modernizuar partinë. Faleminderit për mundësinë që më dhe të mësoj shumë prej teje, U prehsh në paqe shef," shprehet Taulant Balla./Dosja.al
TIRANË- Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit dhe ish-kreut të Partisë Socialiste, Fatos Nano. Me anë të një postim në rrjetet sociale, Braçe shpreh mirënjohje dhe respekt Nanon, duke e cilësuar atë si njeriun që ribëri të majtën shqiptare.
“Fatos Nano, njeriu që ribëri të majtën shqiptare, sapo u shua! Pusho në paqe dhe faleminderit për gjithçka!” shkruan Braçe./Dosja.al
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos. Me anë të një postimi në Facebook, Rama ndan një foto Nanos të shoqëruar me një ikonë zemërthyer dhe krahas fotos shkruan lamtumirë kryetar.
"Lamtumirë Kryetar", shkruan Kryeministri rama në Facebook./Dosja.al

TIRANË- Ish-kryeministri Fatos Nanos ndërroi jetë mbrëmjen e sotme, pas 11 ditësh në reanimacion. Nano ndodhej prej 30 ditësh në gjendje kritike shëndetësore dhe në momentet e fundit të jetës ai mori trajtime në repartin e reanimacionit në një spital privat në Tiranë. Ish-kryeministri pësoi arrest kardio-respirator në ambientet e shtëpisë së tij por pas rreth 1 muaji 'luftë' për jetën nuk ia doli të mbijetojë.
Por kush është Fatos Nanos?
Fatos Nano lindi më 16 shtator 1952 në Tiranë. Nano Mbaroi gjimnazin Sami Frashëri në Tiranë dhe kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës (Fakulteti i Ekonomisë). Në vitin 1975 kreu specializimet për Ekonomi Politike. Ndërsa në vitin 1983 me vendimin nr.81, 23 shtator 1983 të Universitetit të Tiranës merr titullin "Doktor i Shkencave" ne fushën e ekonomisë, ndërsa në vitin 2000 titullin "Profesor Doktor" në fushën e ekonomisë.
Nga Universiteti Ndërkombëtar i Milanos në vitin 2000 dekorohet me titullin "Doktor Honoris Causa", në fushën e Ekonomisë dhe Teknikës së Komunikimit dhe po në këtë vit merr titullin e nderit "Doktor Honoris Causa", në fushën e shkencave ekonomike, nga Universiteti i Barit (Itali).
Karriera e tij politike
Nano e filloi karrieren e tij politike ne vitin 1991 pasi u zgjodh Kryeminister i Qeverisë së Tranzicionit me qëllim që të organizojë zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri, në po atë vit dhe të përgatise vendin për tranzicionin drejt një ekonomie tregu dhe sistemi demokratik. Zgjedhjet në 31 Mars 1991 u fituan nga Partia Socialiste e Shqipërise dhe ai u caktua përsëri Kryeministër. Pas dy muajsh ai u detyrua të jep dorëheqje dhe atë vit ai u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste e cila ishte pasardhëse e Partisë së Punës së Shqipërise.
Si u burgos?
Në Mars 1992 Partia Demokratike fitoi zgjedhjet dhe një vit me pas Fatos Nano u burgos pasi u akuzua për korrupsion dhe abuzim detyre nga gjykata. Burgosja e tij u bë problemi kryesor i Shqipërise post komuniste, sepse shumë socialistë besonin se kjo burgosje ishte shkase e opozicionit të Nanos ndaj qeverrisë së Berishës. Gjatë vitit 1994 skemat piramidale po bëheshin të njohura në Shqipëri dhe rrënia e tyre në vitin 1997 shkaktoi një revoltë të armatosur të nxitur nga opozita kundër qeverisë me kërkesën për kthimin e parave të humbura në firmat piramidale.
Kjo revoltë çoi në shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme nga presidenti Berisha. Nano u lirua nga burgu pas një amnistie të dhënë nga presidenti Berisha. Zgjedhjet u fituan nga Partia Socialiste. Presidenti Berisha dha dorëheqjen dhe kuvendi i ri zgjodhi president Rexhep Mejdanin. Presidenti Mejdani emëroi kryeministër Fatos Nanon. Në shator të vitit 1998 forcat e policisë së Tropojës vranë në një atentat udhëheqësin e lëvizjes studentore antikomuniste Azem Hajdari.
Dorëheqja e Nanos
Kjo çoi në një revoltë popullore dhe meqënëse u krye nga një segment i shtetit, e detyroi Fatos Nanon të japë dorëheqjen. Nano u gjykua i pafajshçm nga një Gjykate ne Tiranë ndaj akuzave per shperdorim detyre dhe korrupsion ne vitin 1999. Partia Socialiste vazhdoi qeverisjen e vendit dhe fitoi zgjedhjet në qershor 2001.
Kryeministër sërish
Nano u bë Kryeministër për të 4-ën herë në korrik, 2002 i emëruar nga presidenti Alfred Moisiu. Në 3 korrik 2005 PS humbi zgjedhjet dhe shumicën në parlament. PD fitoi shumicën dhe kryetari i saj Sali Berisha u emërua Kryeministër i qeverisë së re. Më 1 shtator 2005 Nano dha dorëheqjen si kryetar i Partise Socialiste.
Nano kritikoi kryetarin e ri Edi Rama për stilin autoritar te drejtimit të Partisë Socialiste dhe praktikat përjashtuese të anëtarëve themelues dhe me kontribut të madh në Partinë Socialiste. Nano kërkoi të zgjidhej si president në 8 korrik 2007 mbas mbarimit të mandatit të presidentit Moisiu, por nuk pati mbështetjen e Ramës.
Por, shumica e deputetëve të opozitës të drejtuar nga Partia Socialiste nuk e përkrahën kandidaturën e tij dhe bojkotuan zgjedhjet. Nano mori vetëm 3 vota ndërsa Bamir Topi, kandidati i PD fitoi 75 vota. Megjithatë Topi nuk fitoi votat e nevojshme për tu zgjedhur president. Parlameti përsëri nuk arriti të zgjidhte presidentin, me Nanon që mori 5 vota dhe Topi 74 vota. Si deputet i parlamentit Shqiptar, Nano ka shërbyer zonën e Kucovës, Tepelenës dhe Sarandës./Dosja.al
TIRANË- Ish-kryeministri Fatos Nanos ka ndërruar pas disa ditësh në reanimacion. Nano ndodhej prej rreth 30 ditësh në gjendje kritike shëndetësore dhe në momentet e fundit të jetës ai mori trajtime në repartin e reanimacionit në një spital privat në Tiranë.
Ish-kryeministri pësoi arrest kardio-respirator në ambientet e shtëpisë së tij. Për monitorimin e gjendjes shëndetësore të Nanos erdhi në spitalin privat në Tiranë edhe një epik i specializuar mjekësorë të huaj, por fatkeqësisht ish-kryeministri ndërroi jetë./Dosja.al