Foto ilustruese
TIRANE- 4 zyrtarë të Policisë në Farkë përfshirë edhe shefin e Komisariatit nr.1, Bujar Mehmeti janë pezulluar nga detyra. Vendimi është marrë nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore që ka vendosur pezullimin për 30 ditë edhe për Flamur Sulën, shef i postës policore në Farkë, inspektorin e krimeve, Alban Rama dhe specialistin Nazmi Kareci. Ata akuzohen se janë përfshirë në çështjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Farkës, ku dyshohet se nuk kanë marrë masa për të ndaluar ndërtimet pa leje. 4 zyrtarët kanë patur informacion për punimet dhe katet në pallate por nuk kanë vepruar. Për këtë AMP, ka dyshime se shkelja është e qëllimshme dhe favorizimi është bërë kundrejt pagesave monetare.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur urdhrat e pezullimit 30-ditor, të nxjerrë nga Drejtoria e Standardeve në Policinë e Shtetit, pasi Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka filluar hetimin disiplinor për shkelje të rëndë për disa punonjës policie të Komisariatit të Policisë Nr.1, të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Ka kërkuar pezullimin nga detyra, për:
– Kryekomisar B. M., me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Nr.1, Tiranë;
– Nënkomisar F. S., me detyra Shef dhe Specialist i Postës së Policisë Farkë, në Komisariatin e Policisë Nr.1, Tiranë;
– Nënkomisar A. R., me detyrë Shef i Seksionit për Krimet, në Komisariatin e Policisë Nr.5, Kamzë, Tiranë (i cili ka kryer më parë detyrën e Specialistit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.1);
– Inspektor N. K., me detyrë Ndihmës/specialist SPZ i Postës së Policisë Farkë, në Komisariatin e Policisë Nr.1, Tiranë.
Pezullimi i tyre u bë pas hetimeve të kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në lidhje me ndërtimet pa leje të konstatuara në territorin që ka në juridiksion Komisariati i Policisë Nr.1.
Por si erdhi pezullimi? AMP vendosi të pezullojë nga detyra 4 zyrtarët pas hetimit që nisi me vendimin e qeverisë kundër ndërtimeve pa leje. Zbatimi i vendimit nisi me pallati 9 katësh të biznesmenit Julian Morina, që ishte ndërtuar pa leje. Shtesa tjetër ishte një tjetër pallat në Farkë në pronësi të biznesmeni Pëllumb Salillari. Për të dyja këto ndërtesa, 4 zyrtarët nuk zbatuan procedurën ligjore për të parandaluar ndërtimet. Ndërkohë që godinat janë "sekuestruar" përmes vendimit të qeverisë, që parashikon shembjen vetëm në rast kur godina sipas IKMT nuk përmbush kriteret e sigurisë dhe planifikimit urban, ndërsa pronari ka të drejtë të blejë godinën ose ta falë atë për shtetin. Dje, u firmos edhe akti i parë. 4646 metra katrorë të ndërtuara pa leje te pallati i njohur si "Syri i Tiranës" iu falën shtetit nga kompania ndërsa vetë Rama tha se metrat do të përdoren për interes publik.