Protesta për Zvërnecin/ Protestuesit çajnë kordonin metalik, policia i sulmon me ujë. Tubimi shpërndahet në gjithë Tiranën
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Tragjedia me dy viktima në Shëngjin, policia jep detaje: Të gjithë shtetas nga Kosova, tre persona në spital 3 Qersho...
“Ka forca në Shqipëri dhe jashtë që janë kundër”/ Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thot&eum...
"Shqipëria është e shqiptarëve"/ Qytetarët mbushin rrugët e Tiranës, kërkojnë anulimin e pr...
• Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot lidhur me debatin për ndërtimin e godinës 65 katëshe pas Teatrit të Operas dhe Baletit e quajtur “Mali i Tiranës”. • Në një postim të gjatë në rrjetet e tij sociale, kryeministri Edi Rama i quan akuzat për ndërtimin e kullës ikonike, ‘kunja të vjetra, gozhda inatesh, vida xhelozish e jargë zilie’. • Po ashtu, Rama i përgjigjet tërthorazi edhe akuzës se korrupton opozitën, duke thënë se nuk ka nevojë që t’iu hedhë kocka, se tani atyre s’iu ka mbetur më asnjë dhemb që ta kërcënojnë. • Lulzim Basha thotë se një zgjidhje është Vettingu në politikë të cilën PD e ka propozuar shumë herë. • Reagime kas pasur edhe nga Shkëlzen Berisha edhe nga Arlind Qori.
3 artikuj për këtë temë.
Sot në mëngjes padishahu u ngrit me nerva. “Një grupth që endet nëpër Tiranë me misionin e shpëtimit të Shqipërisë nga murtaja kapitaliste” ia kishte dalë të niste një zinxhir reagimesh te qytetarët dhe opinionbërësit shqiptarë që kundërshtojnë ngritjen e përbindëshit të radhës prej betoni në qendër të Tiranës. Përveç mllefit të shumë qytetarëve që do të hanë pluhur për të paktën shtatë vjet, nisën të bëzajnë edhe media që i ka nën kontroll, edhe gazetarë që i kanë shërbyer për vite me radhë. Çka duhet të kalonte si një krim i pazëshëm ndaj qytetit dhe qytetarëve u shndërrua në krim ku viktimat e ardhshme protestojnë, madje ulërijnë, në mes të gushtit, atëherë kur padishahu nga shkuar me pushime. “Qerrata milet!”
Padishahu surratvrerosur nuk kishte reaguar kurrë kështu, me një editorial të tërë të shkruar rromapërtoma, as kur e goditën me vezë në oborrin e Fakultetit të Shkencave Sociale, as kur dhjetëra mijëra studentë bllokuan Rrugën e Durrësit, as kur mijëra qytetarë iu mblodhën poshtë sarajit me rastin e rritjes së çmendur të çmimeve. Diç e ka bezdisur më shumë se zakonisht: orvatja e prishjes së një ëndrre, realizimi i të cilës do ta shndërrojë në njeriun më të pasur në Ballkan dhe, në delirin e tij të pashërueshëm, do ta bëjë njëkohësisht edhe figurën më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. “Si guxojnë këta jezitër?!”
Padishahu ynë është oksidental në propagandë. Për ta përligjur përbindëshin më të lartë të Ballkanit, iu referua një konkursi ndërkombëtar, me juri të ububushme, me firma daneze, me mijëra inxhinierë, madje edhe me një shqiptar të mrekulluar nga drejtësia e padishahut. Mirëpo kulla, edhe në qoftë më e bukura e historisë së kullave, nuk do të ngrihet në shkretëtirë, si piramidat e paraardhësve të tij imagjinarë, por në mes të një qyteti me dendësi urbane gjithnjë e më të papërballueshme. Në këtë kuptim, diskutimi mbi bukurinë arkitekturore fsheh faktin që qyteti dhe qytetarët e Tiranës do të kenë një park më pak, do të helmohen për vite të tëra nga pluhuri dhe grimca të rrezikshme për jetën dhe shëndetin, do të shohin copëza gjithnjë e më të ngushta qielli – të burgosur në një qytet që ngrihet lart, intensifikohet në qendër, zhduk trotuare e hapësira publike, shfaros këndet e lojërave dhe fushat për fëmijë dhe ku të gjithë janë të ftuar të blejnë me para që nuk kanë.
Padishahu ynë është vizionar. Hajdut, por vizionar. Më deliranti i hajdutëve, më i rrezikshmi i vizionarëve. Ndaj e sheh veten si Faust i ditëve tona, që do të sjellë qytetërimin në fushat e Kurrkundit, do të hedhë dritën e qendrave tregtare mbi shtëpitë e fukarenjve. Po ndryshe nga Fausti që ngrinte diga për të fituar tokë, padishahu ynë zapton tokë për të ngritur kulla. Gjithnjë në emër të progresit. Për projektet e tij është i gatshëm të sakrifikojë gjithkënd e gjithçka, si Fausti dy pleqtë kasollja e të cilëve i bënte hije pallatit të tij. Po pa brerjen e ndërgjegjes së një Fausti, pa përballjen tragjike të asaj epoke midis modernizimit dhe inercisë shoqërore, por si një kodosh i madh në trup dhe i vogël në karakter, që po përpiqet t’i fusë të gjitha vezët në një trastë.
Afërmendsh padishahu nuk mund të jetë vizionar nëse nuk përfytyron përballë një aleancë të madhe të së keqes që nis me Lëvizjen BASHKË dhe mbaron me oborrtarët e tij që kanë nxjerrë gishtin e vogël të këmbës jashtë gardhit. Ne, lakuriqtë e natës, jemi shumë. Po për çudi, për herë të parë në historinë e tij politike, madje edhe në kohën kur padishahu ynë ishte shkrues gazetash, në radhët e lakuriqëve që i dalin përpara shqiponjës nuk përmendet “Non Grata”, derëziu Sali Berishë. Kësaj radhe ka qenë luajal. As ka akuzuar njeri. Madje nuk ka pipëtirë fare. “Rroftë kulla që do të mbajë në këmbë edhe për ca kohë dordolecin me të cilin trembin votuesit tanë tradicionalë!”
Padishahu ynë me gjuhë e kalem oksidentali e di mirë rëndësinë e pronës private dhe kontratave mes privatëve. Kështu që përdor praktikën e këmbimit të shalqirit dhe 500 lekë për të justifikuar zaptimin e një parku. “Marrëveshje mes privatësh o qerrataj!” Mirë, mirë, po aty kishte një park, hapësirë publike. E sigurt që ai truall i takon një pronari të vërtetë apo është stisur rentieri i radhës? Edhe në qoftë pronë private, çfarë e pengon shtetin ta kthejë truallin në pronësi publike për ta bërë lulishte?! Ligji ia lejon, interesi dhe shëndeti publik e kërkojnë. Po askujt në piramidën e pushtetit nuk i shkon ndër mend. Sepse nga ndërtimi i një parku nuk përfiton askush. Përfitojnë qytetarët, por ata janë askushi në sytë e padishahut. E çojmë arsyetimin edhe më tutje dhe përfytyrojmë një shtet që nuk ka para për ta dëmshpërblyer pronarin e truallit sipas ligjit. Po pse jepet leja për kullë dhe jo, bie fjala, për një fushë tenisi të ndërtuar me paratë e pronarit të truallit, ku ky i fundit do të fitonte si sipërmarrës i vogël dhe jo, siç pretendon padishahu, gjysmën e kullës?! “Ç’më rrokanis kokën?! Ne duam të bëjmë lekë, ti e ke mendjen te njerëzia.”
Nëse ndokush ka pasur një grimcë dyshimi për vizionin e padishahut për zhvillimin, pas çarçaf-jastëk-dyshek reagimit të tij kuptohet qartë se çfarë synon dhe çfarë do të arrijë ai nëse e lëmë në pushtet gjatë. Për të, kullat janë njëlloj si shkollat, spitalet e rrugët – shenja të progresit të pashmangshëm të qytetërimit. Do të thotë dikush se ka plot qytete nëpër Evropë që janë tejet të zhvilluara, por nuk kanë kulla, ose të paktën nuk kanë kulla në qendrën historike të qytetit. “Punë e madhe! Shikoni Manhatanin!” – do të përgjigjej padishahu pa i dalë mirë gjumi, pasi e ka parë veten në ëndërr si Robert Moses-i. Po Moses-i, ky pinjoll kontrovers i modernizmit, vërtet prishte shtëpi përdhese e ngrinte pallate gjigande në Nju Jork, por njëkohësisht hapte plazhe të reja, ndërtonte rrugë të gjera, ura, tunele etj. Ndërkohë që padishahu ynë dhe satrapët e tij nuk po mbarojnë dot unazën e qytetit. Vetëm kulla, kulla e kulla, të gjitha në qendër, gjithnjë e më afër njëra-tjetrës, pa rrugë e infrastrukturë të përshtatshme rreth e përqark, pa parqe e vende çlodhëse. Vetëm beton, pluhur e skela. Kulla jo vetëm si model zhvillimi, por edhe si motor zhvillimi. Kështu e gënjen veten padishahu, pa e vrarë shumë mendjen se sektori i ndërtimit është lokomotivë e (keq)zhvillimit vetëm në vende ku egërsirat në pushtet kanë zhdukur çdo potencial të zhvillimit të bujqësisë, industrisë e shërbimeve, paratë e pista duhen ngurosur dhe lulëzon spekulimi. “Përpara!”
Padishahun e trazon diç më shumë se kaq. I sotmi nuk është fundi i procesit të kullëzimit të qytetit. Me gjasë jemi vetëm në fillim të një procesi shumë të gjatë e tjetërsues. “Nuk keni parë asgjë akoma!” Na e thotë vetë ai: “Kulla tjetër e radhës do të shfaqet me patjetër, si një tjetër fryt i pasionit dhe këmbënguljes për Shqipërinë.” Me fermanin e sotëm padishahu do të përgatisë terrenin për çka do të ndodhë pas ngritjes së kullës së fundit. Ai nuk do kundërshtarë, nuk do as dëshmitarë të plojës së vet urbane. Nuk i duhen qytetarë. I nevojiten vetëm nënshtetas të dorëzuar, që e pranojnë si të natyrshme mbytjen e qytetit, që ndërrojnë temë nga pafuqia dhe në fund detyrohen të brohorasin në kor arritjet e padishahut. Ai do të na vërë jo vetëm përpara faktit të kryer, por edhe përpara fakteve që do të kryhen me domosdoshmërinë e rënies së shiut nga lart-poshtë. Kulla që po ngrihet sot (ndërkohë që po shkruaj këto radhë, më njoftojnë se fadromat kanë nisur qethjen e pemëve) nuk do të jetë e fundit për atë park. Në pjesën tjetër të parkut mund të ngrihet një, dy, pse jo edhe tre kulla të tjera. Ka vend për një kullë edhe te lulishtja përpara Partizanit të Panjohur, ku gojët që lajmërojnë të ligën thonë se po gatuhet leja e ndërtimit. Pastaj e ka radhën Parku Rinia. E mbani mend që pak vite më pare diskutohej që aty do të bëhej parking? Tajvani është pronë private, apo jo?! Hajde një kullë në vend të tij! Pastaj një kullë edhe te shatërvani. Në mbettë ndonjë copëz lulishteje, mund të përdoret si dekor i kullave.
Gjithsesi preja e madhe që po kërkon padishahu është Parku i Liqenit; parku të cilit në 30 vitet e fundit i janë gllabëruar mbi 40 hektarë për të ngritur në hyrje të tij përbindësha prej betoni, aty ku ka ende parkingje e lokale që presin lejen e ndërtimit. Parku të cilit ia kanë vënë syrin të gjithë oligarkët dhe trafikantët e vendit. Parku nuk do të zaptohet i gjithi në një ditë, por çdo vit në të do të nisin punimet për 2-3 kulla, në emër të zhvillimit dhe investitorëve strategjikë, në emër të pronarëve të sajuar, në emër të Progresit të Pararcaktuar nga Ligjet e Hekurta të Historisë.
Në mendjen e padishahut tonë gjithnjë e më të plakur ka gjithmonë vend për diç më shumë se vjedhja, përvetësimi, pastrimi i parave, nginja e oligarkëve, joshja e trafikantëve, kompromentimi i pseudo-opozitës dhe mbajtja në këmbë e një ushtrie jeniçerësh e bashikozukësh që blen e kushtëzon vota. Ai në fund kërkon lavdinë. “Kush qenka Skënderbeu përpara meje?!” Këtë zë dëgjon në kokë. E dëgjon edhe nga eunukët e oborrtarët që e rrethojnë. Si çdo njeri i vogël me pushtet të madh, ai kërkon të hyjë në histori. Pavarësia nuk shpallet përsëdyti. As ndonjë pushtues nuk kemi rretheqark. Emancipimi i shoqërisë, pastaj, nuk është punë padishahësh. Ndaj kërkon t’ia veshë me shkelm derës së historisë si bartës i një qytetërimi të ri shqiptar, atij të kullave, duke fshehur në garazhet e tyre hordhinë e trafikantëve që financojnë ndërtuesit, si ata që denonconte i ndjeri Fernando Villavicencio, kandidat për president i Ekuadorit i vrarë pardje nga mafia rajonale, kur vinte gishtin edhe te mafia shqiptare e trafikantëve të drogës që kishin kapur për fyti vendin e tij.
Padishahu do ta materializojë lavdinë e tij. Ai e ka në kokë kullën e fundit, më të lartën në botë, në majë të së cilës, si në Pallatin e Sovjetëve që nuk arriti të ndërtohej në Moskën e epokës staliniste, do të ngrihet monumenti i Padishahut tonë që sheh nga e ardhmja e ndritur, poshtë këmbëve të të cilit shtrihet Skënderbeu.
TIRANË- Shkëlzen Berisha ka reaguar pas ‘çarçafit të gjatë’ të kryeministrit Edi Rama, duke dhënë sqarime lidhur me kullën që do të ndërtohet në qendër të Tiranës. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Berisha shkruan se Rama nuk vendosi që ta anulonte lejen e ndërtimit me qëllim që të vazhdojnë "zërat" se kulla ëq do të ndërtohet, është në pronësi të tij.
REAGIMI I PLOTË:
Sepse 20%-shi vlen më shumë se balta!
Ashtu siç dhe pritej vendosi ta hajë me “nder” njëlloj siç ka ngrënë me qindra pazare të tjera 20%-she ndërsa betonizonte Tiranën, gjatë gjithë karrierës së tij 30 vjeçare, për të “mirën” e vendit dhe të popullit!
Kjo për faktin e thjeshtë se, 20%-shi i radhës vlen më shumë se përbaltja e kundërshtarit! Por ne këtë rast nuk e hëngri krejt vetëm por la dhe për derdimenët e tij mediatike që vazhdojnë llomotitjet se fajin për skandalet që firmos Rama e ka …. Shkëlzeni!
TIRANË- Kryeministri Edi Rama renditi sot disa prej arsyeve pse mbështet ndërtimin e kullës ikonike “Mali i Tiranës”, ndërsa iu përgjigj edhe të gjithë atyre që kritojnë projektin. Në një shkrim të gjatë, kryeministri theksoi se synimi është si të nxjerrim maksimumin e fuqisë rrezatuese dhe tërheqëse për Tiranën, duke realizuar një tjetër kullë ikonike, të cilën nuk e financon e as e ndërton shteti, po e mundëson marrëveshja krejt private mes pronarëve, investitorëve, arkitektëve e inxhinierëve. Gjithashtu shënoi edhe disa fjalë për opozitën, veçanërisht për Lulzim Bashën, ndaj të cilit nuk e kurseu ironinë.
"Fillimisht një grupth që endet nëpër Tiranë me misionin e shpëtimit të Shqipërisë nga murtaja kapitaliste, u mblodh tek rrethimi i kantierit për të vënë kujën e tij karakteristike të kundërshtisë qorre, duke hedhur pjesën e vet të baltës rreth hurit të mullarit të ri, ku shumë shpejt nxituan të turren plot nga të zakonshmit e këtyre rasteve; ca të pagjumë nga drejtësia e re që po u rrethon trojet e xanuna të jetës së tyre publike pa atdhe, din e iman; ca të vrerosur nga dështimet e njëpasnjëshme të revolucioneve të dhunshme, që i plakën kanal më kanal e portal më portal, po s’erdhën kurrë; ca me vulë, ca pa vulë e ca me vulëasvulë, mes të cilëve edhe ndonjë derdimen i sapozgjuar, me bluzën e jeshilosur nga djersa e gjumit të stërgjatë, ama me flokët pikë, njësoj si në çastin kur u zhduk nën jë në hyrje të verës së shkuar, plus ndonjë pinjoll i përcëlluar, si thëngjill ende i pazbuluar në nëntokat e xanuna, po edhe ndonjë tjetër akoma, pa lidhje fare me këta, që i’u turr projektit të kullës, si të ishte hartë e vjetër romake që të çon tek zbulimi i një thesari, krijuar këtë herë nga një konspiracion i madh financiar, me prapavijë konsensuale politike, i cili orkestrohet nga kush tjetër, përveçse nga unë dora vetë, që u hidhkërkam kocka kundërshtarëve nga frika se mos më kafshojnë me gojën e tyre të mosozotshme, ku thuajse s’ka mbetur asnjë dhëmb,"- shkruan Rama.
Edhe padinë e dorëzuar në SPAK nga Partia Demokratike e quajti letër anonime që i mbërrin drejtësisë në një kohë kur po merret me çështje serioze të korrupsionit e krimit të organizuar.
"U ngrit rrufe edhe padia e radhës për SPAK-un, e cila tanimë është bërë patatja dhe gjella e çdokujt që ka një gur për të hedhur, një dorë për të fshehur a një kunjë për të nxjerrë, duke e detyruar organin më të fuqishëm të akuzës në vend, që për shkak të një legjislacioni të mbingarkuar mbi shpinën e tij, të merret edhe me letrën e fundit anonime, ndërkohë që i ka duart e zëna seriozisht me patate gjithnjë e më të nxehta të korrupsionit dhe krimit të organizuar,"-shtoi Rama.
Më pas, një përgjigje i erdhi edhe nga Lulzim Basha, i cili edhe njëherë shprehet se një zgjidhje është Vettingu në politikë.
“Sa më shumë zgjatet lista e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë që janë në burg, arrati apo nën hetim për shkak të makutërisë me të cilën është mbrujtur qeverisja e tij, aq dhe më të gjata bëhen hartimet e Ramës. Por atë që nuk e thotë dot me pak fjalë, nuk ka shans ta mbulojnë fjalët shumë e për lumë. Meqë mali i korrupsionit në qendër të Tiranës i duket si një “mullar balte”, ka një zgjidhje shumë të thjeshtë për të ndarë të vërtetën nga balta: Veting në politikë.
Kur është i mirë për gjyqtarët, prokurorët, policët, pse të mos jetë i tillë edhe për politikanët?! Propozimi i Partisë Demokratike është në Parlament, mjafton vullneti politik për ta miratuar. Me këtë rast u kursejmë qytetarëve andrallat e njëpasnjëshme të cirkut 33 vjeçar, pas të cilave fshihet frika nga e shkuara e atyre që ndonëse e kërkojnë votën për t’i shërbyer njerëzve, i kanë shërbyer vetëm interesave personale dhe klientelës oligarkike,”- shkroi Basha.
SHKRIMI I PLOTË I RAMËS:
KULLA E RRADHËS DHE MULLARI I BALTËS
Gati një vit më parë u organizua një konkurs ndërkombëtar, ku një juri ndërkombëtare që në shumicë kishte arkitektë dhe ekspertë të mirënjohur nga disa vende të Europës, gjykoi me një debat skrupuloz në çdo detaj dhe mes pesë studiove të huaja, zgjodhi projektin e studios daneze CEBRA, për kullën që sot, një vit më pas është vendosur si një hu i sapogjetur në rrugë për mullarin e ri të baltës politiko - mediatike. Projekti fitues nuk pati asnjë kontestim për t’u mbajtur shënim dhe u pasqyrua pëlqyeshëm jo vetëm (shumë çuditërisht) në mediat tona, po edhe (aspak çuditërisht) në disa media të specializuara ndërkombëtare për zhvillimet më të reja arkitektonike nëpër botë. Në grupin danez bënte pjesë edhe një arkitekt i ri shqiptar, me banim në Danimarkë. Në momentet e fitores së konkursit ai tha shprehimisht: Do t’u telefonoj tani prindërve të mi në Elbasan dhe do t’u them, para se të thoni herë tjetër që në Shqipëri nuk ia del dot askush pa miq e pa rryshfet, mos e harroni rastin tim e të kolegëve të mi danezë, që erdhëm pa njohur askënd dhe pa pikën e besimit se konkursi ishte real, por do të kthehemi në Danimarkë të lumturuar nga eksperienca fantastike që patëm me organizimin e me seriozitetin mbresëlënës të këtij konkursi.
Pas përgatitjes thuajse njëvjeçare të projektit ekzekutiv, ku është përfshirë edhe njëra nga kompanitë më të mëdha inxhinierike të botës, Arup, me eksperiencë 75 vjeçare, 18.000 inxhinjerë, dizajner, ekspertë e këshilltarë me aktivitet në 140 vende të botës, si edhe pas pagesës së taksës rreth 4 milionë € në Bashkinë e Tiranës, kompania zhvilluese në marrëveshje me pronarët e tokës, që zakonisht në Tiranë përfitojnë deri gjysmën e investimit, rrethoi truallin për të ngritur kantierin e ndërtimit.
Fillimisht një grupth që endet nëpër Tiranë me misionin e shpëtimit të Shqipërisë nga murtaja kapitaliste, u mblodh tek rrethimi i kantierit për të vënë kujën e tij karakteristike të kundërshtisë qorre, duke hedhur pjesën e vet të baltës rreth hurit të mullarit të ri, ku shumë shpejt nxituan të turren plot nga të zakonshmit e këtyre rasteve; ca të pagjumë nga drejtësia e re që po u rrethon trojet e xanuna të jetës së tyre publike pa atdhe, din e iman; ca të vrerosur nga dështimet e njëpasnjëshme të revolucioneve të dhunshme, që i plakën kanal më kanal e portal më portal, po s’erdhën kurrë; ca me vulë, ca pa vulë e ca me vulëasvulë, mes të cilëve edhe ndonjë derdimen i sapozgjuar, me bluzën e jeshilosur nga djersa e gjumit të stërgjatë, ama me flokët pikë, njësoj si në çastin kur u zhduk nën jorgan në hyrje të verës së shkuar, plus ndonjë pinjoll i përcëlluar, si thëngjill ende i pazbuluar në nëntokat e xanuna, po edhe ndonjë tjetër akoma, pa lidhje fare me këta, që i’u turr projektit të kullës, si të ishte hartë e vjetër romake që të çon tek zbulimi i një thesari, krijuar këtë herë nga një konspiracion i madh financiar, me prapavijë konsensuale politike, i cili orkestrohet nga kush tjetër, përveçse nga unë dora vetë, që u hidhkërkam kocka kundërshtarëve nga frika se mos më kafshojnë me gojën e tyre të mosozotshme, ku thuajse s’ka mbetur asnjë dhëmb.
U hapën kështu thasët e baltës, marrë turravrap në krahë për të ngritur rreth hurit të gjetur mes vapës së gushtit mullarin e “grabitjes” së radhës, duke ushqyer dëgjues, lexues e thashethemues që kanë ende dëshirë e nge të përtypin baltë nga e thasëve të këtyre hamejve të së shkuarës dhe duke mbajtur kësisoj vetveten me gajretin e pavdekshëm të iluzionit të vjetër, se kështu do të rrëzojnë regjimin. Dhe u nakatosën bashkë me baltën e gërrgërrditësve të zakonshëm edhe kunja të vjetra, gozhda inatesh të pandryshkura, vida gjelozirash të pashërueshme e jargë zilirash të pangushëllueshme dhe mullari u lartësua me shpejtësi, në pikën që u krahasua deri edhe me “djegësat” famëkëqinj apo u shikua si një i atillë katallan i zi, që mund edhe t’i linte vetë “djegësat” nën hijen e tij. U ngrit rrufe edhe padia e radhës për SPAK-un, e cila tanimë është bërë patatja dhe gjella e çdokujt që ka një gur për të hedhur, një dorë për të fshehur a një kunjë për të nxjerrë, duke e detyruar organin më të fuqishëm të akuzës në vend, që për shkak të një legjislacioni të mbingarkuar mbi shpinën e tij, të merret edhe me letrën e fundit anonime, ndërkohë që i ka duart e zëna seriozisht me patate gjithnjë e më të nxehta të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Arsyeja pse po i shkruaj këto radhë nuk është, largqoftë, të merrem me tërë ata e ato, të cilët gjetjen e hunjve dhe ngritjen e mullarëve të baltës e kanë si reaksion kimik të trurit ndaj absolutisht çdo vepre, që kjo qeveri e poshtër realizon në këtë vend. Fundja në 1 nga 100 hunj që ngulin arrinë të qëllojnë në shenjë dhe nuk është pak, po të llogarisësh se kanë 100 vjet që gjejnë e ngulin mesatarisht 1 hu çdo 3 ditë. Po duke e ndjekur nga larg ngritjen e këtij mullari balte të radhës dhe duke qenë personalisht i përfshirë në këtë “aferë” për shkak të detyrës e të pasionit tim për transformimin e Shqipërisë, nuk rrija dot pa ndarë me ata që kanë pasur ngenë e nervat të arrinë deri tek ky rresht i këtij çarçafi të gjatë, hallin tim përballë kësaj gjykate laramane të mbledhur kundër kullës së re, ku halli i një gjykatësi nuk i ngjan hallit të gjykatësit tjetër, ndërkohë që i imi nuk ka lidhje fare, po fare, me asnjë nga hallet e tyre. Halli im këtu është fatmirësisht më i rëndi dhe më i thjeshti! Si të nxjerrim maksimumin e fuqisë rrezatuese dhe tërheqëse për Tiranën, duke realizuar një tjetër kullë ikonike, të cilën nuk e financon e as e ndërton shteti, po e mundëson marrëveshja krejt private mes pronarëve, investitorëve, arkitektëve e inxhinierëve, po ku, ama, autoriteti përkatës shtetëror ka jo vetëm detyrën që t’i hapë rrugë zhvillimit legjitim të një prone private, konform vizionit të zhvillimit të kryeqytetit, po edhe të drejtën të kërkojë nga zhvilluesit cilësinë më të lartë të mundshme arkitektonike e inxhinierike.
Po pse e mbaj unë këtë hall, për çfarë qëllimi tjetër përveç atij që sapo thashë?! Eh, ja këtu, mu këtu, halli im bëhet, fatkeqësisht, shumë thjeshtësisht i rëndë, sepse s’ka Zot apo më saktë, sepse përveç Zotit dhe atyre që më njohin sadopak nga afër, më është e pamundur, absolutisht e pamundur, t’ia rrëfej gjykatës laramane, po edhe ndjekësve të saj të etur për baltë, gjak e teori konspiracioni, se halli im nis e mbaron me realizimin sa më bukur të një vepre si kjo apo si çdonjëra nga kullat, ndërtesat, shkollat, spitalet, rrugët, bulevardet, muzetë e me radhë, që po e ndryshojnë këtë vend dita - ditës, po që nuk mjaftojnë e duhen bërë më shumë, më shumë, më shumë… E pamundur t’u shpjegosh atyre që kanë Zot paranë, që udhëhiqen në jetë nga urrejtja, që verbohen në gjykim nga xhelozia, që sundohen në veprim nga ndjenja të ulëta në emër të parimeve të larta apo që thjesht duan t’u dalë e tyrja edhe sikur të bëhet shkrumb e hi, lumturinë e krijimit, realizimit të një vepre që i shërben njerëzve, vendit, historisë së shkruar duke ndezur në çdo hap një dritë tjetër, për ta bërë ditë natën e vjetër qindra vjet mbi këtë tokë të vogël shqiptare, në vend se të mallkosh përditë errësirën, pa të cilën lakuriqët e turlillojshëm të këtij vendi nuk e luajnë dot rolin e shqiponjave! E pamundur t’u tregosh se si nata bëhet më e shkurtër nga zgjatja e ëndrrave me sy hapur për veprat që i mbars pasioni, i ushqen dëshira për t’i lindur dhe i sjell në jetë e i zhvillon mundimi, shpeshherë i pashoq, në kapërcimin e dhjetë pengesave të parashikuara e nganjëherë, edhe e njëqind të tjerave të paparashikuara! E pamundur të ndash me ta dhimbjet torturuese të lindjes së një vepre mbi tokën e rrëshqitshme të “Shqipërisë që nuk bëhet” dhe çlirimin jetëzgjatës të kundrimit të saj, kur vepra ka hyrë në jetën e përditshme si një hallkë e re e zinxhirit të ëndrrës që vazhdon drejt dritës!…
Shqipëria sot është bërë lajmi i mirë, për shumëkënd befasues, i një destinacioni të ri në Mesdheun e peshqve më të mëdhenj të turizmit botëror, e kjo Shqipëri s’ka dalë nga deti, s’ka rënë as nga mali, se detet e malet aty ishin edhe kur këtu, turisti më europian vinte nga Gjakova a nga Tetova, po ka ardhur nga vite të tëra pune, Rilindjeje Urbane nga Vermoshi në Berat e Gjirokastër, në Lezhë, Durrës, Vlorë, Himarë e Sarandë, investimesh të mirëshënjestruara në infrastrukturë, aty ku janë çliruar potenciale të fjetura turistike, nga Thethi në Nivicë; agroturizmash që mbijnë përditë si këpurdhat në Shqipërinë rurale apo kantinash vere që tërheqin çdo vit e më shumë turistë deri në Mirditë e në Poliçan, falë mbështetjes me grante nga qeveria e Bashkimi Europian; parqesh arkeologjike e monumentesh kultura të rilindura në buzë të humnerës së zhdukjes përgjithmonë; investimesh gjithnjë e më cilësore private në industrinë e mikpritjes përgjatë bregdetit, nga Velipoja e deri në Ksamil, po edhe natyrisht, transformimit rrënjësor të zemrës së madhe të Shqipërisë, Tiranës, ku kullat e ngritura krahas mullarëve të baltës që shoqërojnë si hije vajtojcash të “këtij vendi që s’bëhet” ndërtimin e tyre, janë motorët e fuqishëm të ndryshimit, optimizmit, shpresës dhe ambicies për të ardhmen. I gjithë ky zhvillim që po e nxjerr përgjithnjë Shqipërinë nga cepi i errët i përbuzjes botërore në detin e hapur të jetës europiane, ku era e ndryshimit po sjell nga të katër anët numra marramendës turistësh të magjepsur prej këtij vendi që më në fund ka filluar të bëhet, ka patjetër edhe gabimet, deformimet, ekseset e veta, por s’ka mullar balte dhe gjyq qëllimesh që ia zeron dot përmasën historike, e cila është krijesë e pasionit dhe këmbënguljes së paepur, në një mjedis politik e mediatik të pushtuar nga ligësia e gjallesave të destinuara të harrohen, njësoj si balta pas shiut apo si mullarët e baltës pas ndërtimit të kullës së radhës.
Prandaj, teksa gjyqi inkuizicional i kullës më të re do të përmbushë edhe ai misionin e vet të mallkimit të vjetër të çdo gjëje të mirë që mbin në këtë tokë, kulla tjetër e radhës do të shfaqet me patjetër, si një tjetër fryt i pasionit dhe këmbënguljes për Shqipërinë, e për pasojë edhe si ftesë për një tjetër gjyq me mullarin përkatës të baltës së dalë nga thasët e aradhesë së bartësve të mallkimit, sepse mbase ky vend s’do shpëtojë kurrë nga ata që baltën e kanë bukën e gojës, po pa asnjë diskutim, as Tirana e as Shqipëria nuk kanë kohë për të humbur pas shekujsh zvarritjeje dhe as fëmijët e Shqipërisë nuk ia kanë borxh të nesërmen e tyre tufës laramane të atyre që vesi i vjetër i baltosjes me shkulm e zulm të çdo vepre a qoftë edhe vetëm qëllimi të mirë në këtë vend, do t’u dalë veç me shpirtin.
POST SCRIPTUM
Mbase kushedi ndonjëri ngrihet e thotë s’kemi gjë me kullën, po me këtë e atë që themi-thuhet-thanë- thonë-thomi-thumi se fshihen pas saj, prandaj po e përsëris se ky çarçaf u var këtu thjesht e vetëm për hallin e autorit, që për të tëra arsyet e thëna më lart e dëshiron me gjithsej ndërtimin e kullës së re. Të askujt tjetër.