Protestë masive kundër projektit në Zvërnec/ Qytetarët para Kryeministrisë thirrje kundër qeverisë: Rama të japë dorëheqjen (PAMJET)
Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion 4 Qershor, 18:26 Sot pro...
Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion 4 Qershor, 18:26 Sot pro...
"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar! ...
Ish-ushtarak dhe njohës i armëve/ Kush është Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau një polic e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
• Republika e Kosovës shënon sot 18-vjetorin e pavarësisë së saj. • Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e vendit, duke e bërë atë shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Ndërkohë, qeveria e Kosovës ka mbajtur seancën solemne në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë. • Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shteti, Pavarësia dhe Kushtetuta janë të reja, por gjuha, kultura dhe populli Kosovës janë të lashtë. Kurti ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. • Ai ka thënë se nuk mund të kujtohet shpallja e Pavarësisë pa i përmendur ata që dhanë kontribut në ndërtimin e shtetit. • Gjithashtu, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani theksoi se sakrifica e popullit të Kosovës për të arritur deri këtu ka qenë shekullore. • Pas ngritjes solemne të flamurit të vendit, Osmani tha se sot qytetarët bashkohen për të festuar dhe për të përkujtuar të gjithë ata që dhanë gjithçka për Kosovën. • Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka uruar Kosovën. • Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rubio shkruan se SHBA-të mbeten të palëkundura në mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. • Ndër të tjera Rubio thekson se vlerëson mbështetjen e Kosovës për përpjekjet e SHBA-së për tu përballur me sfidat globale dhe mirëpresin udhëheqjen e saj si Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes. • Po ashtu Kryeministri Edi Rama ka uruar 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. • Me anë të një postimi në Facebook, Rama thekson se nuk mund të jetë i pranishëm në tubimin në mbështetje të “katër pengjeve të UÇK-së”, siç i cilëson ai, në procesin që po zhvillohet në Hagë.
13 artikuj për këtë temë.
KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti foli rreth procesit gjyqësor në Hagë të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se ata po përballen me akuza të padrejta, vetëm sepse guxuan të merrnin armët për liri. 17 shkurtin, Kurti e renditi këtë datë mes datave më të rëndësishme që shënjojnë historinë e Shqipërisë dhe Kosovës.
Në fjalën e tij në kuvend, nuk munguan as akuzat ndaj Beogradit, duke thënë se krime kundër njerëzimit ndaj popullatës shqiptare ka kryer 'Serbia e Millosheviçit’, ndërsa theksoi se kërcënim për përsëritjen e tyre është 'Serbia e Vuçiçit".
“Më 17 shkurt u arrit një shkallë tjetër e lartë në përfaqësimin tonë në Ballkan dhe Evropë. Dita e sotme është ditë përkujtimi për ata që flijuan për lirinë. Ne kujtojmë vizionet e parealizuara të aktivistëve. Ne kujtojmë sot qëndresën paqësore të 1990, kujtojmë UCK-në. Përkulemi me nderim para dëshmorëve.
Ndërsa kujtojmë datën e shpalljes së republikës, brengosemi që krerët e UCK po akuzohen padrejtësisht sepse ata guxuan të marrin armët kundër një regjimi gjenocidal. Akuzat ndaj tyre nuk qëndrojnë. Ato nuk marrin parasysh kontekstin historik dhe politik të luftës tonë çlirimtarë. Krime kundër njerëzimit ndaj popullatës shqiptare ka kryer Serbia e Millosheviçit. Kërcënim për përsëritjen e tyre është Serbia e Vuçiçit”, tha Albin Kurti./Dosja.al
KOSOVË- Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, theksoi se Kosova, 18 vjet më parë, u ngrit nga vuajtja në dinjitet, duke dëshmuar se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme. Në kuvendin e Kosovës ku po mbahet një seancë solemne në kuadër të 18 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Osmani u shpreh se, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është ideali më i madh që ka nderuar shqiptaret ndër shekuj.
Sipas Osmanit, çdo përpjekje për ta barazuar luftën çlirimtare me krimet gjenocidale të Serbisë, jo vetëm që minon drejtësisë, por dëmton rëndë themelet e paqes. Osmani u bëri thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke u shprehur se sot më shumë se kurrë se kemi për detyrë të qëndrojmë së bashku, për ta mbrojtur këtë shtet që është rezultat ti një sakrifice shekullore.
Fjala e plotë e Presidentes Osmani:
“18 vite më parë, Kosova u ngrit nga vuajta në dinjitet dhe nga rezistenca në shtetësi duke dëshmuar se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme. 18 vite më parë u shpall shtet i lirë, i pavarur dhe sovran duke i dhënë fund një udhëtimi të dhimbshëm dhe duke hapur një kapitull të ri të historisë tonë. Sot me respektin më të thellë përulemi përpara atyre që ranë për këtë ditë, në mënyrë që Kosova të jetë Republikë, në themelet e shtetit tonë qëndron vizioni i presidentit historik Ibrahim Rugova, arkitekti i pavarësisë e me mençuri ,durim dhe vizion, me besim të palëkundur në dinjitetin e popullit tonë, ai udhëhoqi Kosovën në kohët më të renda.
UCK është ideali më i madh që ka nderuar shqiptaret ndër shekuj. Lufta ishte gjithnjë e drejtë, e pastër e domosdoshme. Çdo përpjekje për ta njollosur apo relativizuar viktimën me agresorin, është e padrejtë dhe historikisht e pavërtetë. Çlirimtarët e Kosovës që sot gjenden në Hagë, u ngritën për liri, dinjitet dhe të drejtën për të jetuar të lirë në atdheun e tyre.
Çdo përpjekje për ta barazuar luftën tonë çlirimtare me krimet gjenocidale të Serbisë, jo vetëm që minon drejtësisë, por dëmton rëndë themelet e paqes. Lufta e UÇK ishte shtylla jonë me fuqishme e rezistencës dhe e shpresës. Sot më shumë se kurrë se kemi për detyrë të qëndrojmë së bashku. Mbi cdo dallim ekziston përgjegjësia e përbashkët për ta mbrojtur këtë shtet që është rezultat ti një sakrifice shekullore. Duke mbrojtur të vërtetën mbrojmë shtetësinë tonë. Secili prej tyre i dha vulën në trup, në shpirt dhe kujtesë shtetit të cilin e gëzojmë sot”, tha ndër të tjera Osmani./Dosja.al

KOSOVË- Seanca solemne për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës ka nisur. E para që ka marrë fjalën është Presidentja Vjosa Osmani, e cila ka deklaruar se kremtimi i kësaj dite tregon se liria e fituar me mund është e përjetshme.
“Vetëm 18 vite më parë Kosova u ngrit nga vuajtja në dinjitet duke dëshmuar se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme. Çdo përpjekje për të barazuar viktimën me agresorin, e pa drejtë dhe e pa pranueshme. Krerët e UCCK dhe mijëra qytetarë u ngritën për liri dhe çdo përpjekje për të barazuar krimet gjenocidale të Serbisë dhe luftën tonë për liri, minon themelet e paqes në rajon. Sot e kemi për detyrën të jemi bashkë”, tha ajo./Dosja.al
TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar nga qelia pavarësinë e Kosovës. Me anë të një postimi në Facebook, Meta shpreh mirënjohjen për të gjithë ata që luftuan për shtetin e lirë. Meta gjithashtu thekson se, Pavarësia e Kosovës dëshmoi se është një faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe paqeje në rajon.
Postimi i Metës:
Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë e dashur! Mirënjohje e përjetshme për Heronjtë, Dëshmorët, luftëtarët dhe etërit e Pavarësisë, që me sakrificën dhe përkushtimin e tyre bënë realitet ëndrrën shekullore të lirisë. Nderim i veçantë për Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që udhëhoqën me vizion, guxim dhe vendosmëri rrugën drejt shtetësisë.
Pavarësia e Kosovës dëshmoi se është një faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe paqeje në rajon. Sot, Kosova qëndron krenare si një shembull i demokracisë funksionale, i zgjedhjeve të lira, i institucioneve të përgjegjshme dhe i llogaridhënies para qytetarëve të saj. Lavdi përjetë atyre që sakrifikuan për lirinë!/Dosja.al
TIRANË- Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka uruar 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Me anë të një postim në rrjetet sociale, Spiropali shkruan se sot Kosova është një realitet i pakthyeshëm, me institucione të konsoliduara, me demokraci në zhvillim dhe me një orientim të qartë euroatlantik.
Ajo thekson se Shqipëria qëndron pranë Kosovës si motër dhe si aleate, me përkushtim të plotë për sigurinë, zhvillimin dhe të ardhmen tonë europiane.
Urimi i Spiropalit:
Urime 18-Vjetorin e Pavarësisë! Kjo është një ditë që kujton sakrificën, qëndresën dhe vendimin e një populli për të jetuar i lirë. Një rrugë e vështirë, por e drejtë, që çoi te shteti i Kosovës dhe te dinjiteti i qytetarëve të saj.
Kosova sot është një realitet i pakthyeshëm. Me institucione të konsoliduara, me demokraci në zhvillim dhe me një orientim të qartë euroatlantik, ajo vazhdon të ecë përpara, hap pas hapi, me besim dhe përgjegjësi.
Në këtë përvjetor, Shqipëria qëndron pranë Kosovës si motër dhe si aleate, me përkushtim të plotë për sigurinë, zhvillimin dhe të ardhmen tonë europiane. Urime nga zemra për qytetarët e Kosovës dhe për të gjithë ata që e bënë të mundur këtë ditë. Gëzuar Pavarësinë!/Dosja.al
Me ngritjen solemne të flamurit shtetëror, Kosova nisi ceremonitë zyrtare për shënimin e 18-vjetorit të pavarësisë.
Flamuri i Republikës së Kosovës u ngrit në oborrin e ndërtesës së Qeverisë në Prishtinë, në praninë e krerëve më të lartë të shtetit, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Presidentja Osmani e cilësoi këtë ditë si një moment reflektimi dhe krenarie dhe nderoi sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.
“Sakrifica ka qenë shekullore, kanë qenë breza të tërë që kanë dhënë gjithçka që sot ta gëzojmë shtetin e Kosovës. Shprehim respektin e thellë për presidentin historik, Ibrahim Rugova, sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë ata që dhanë jetën që ne ta gëzojmë shtetin tonë”, tha ajo.
Kryeministri Kurti theksoi përparimin e vendit në forcimin e institucioneve dhe zhvillimin e ekonomisë, ndërsa kryeparlamentarja Haxhiu tha se “sot e edhe çdo ditë tjetër kujtohen me nderim të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për pavarësi”.
Në seancën solemne të Qeverisë, Kurti përmendi edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ai tha se shpallja e pavarësisë nuk mund të përkujtohet pa u nderuar ata që kontribuuan në ndërtimin e shtetit.
"Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do ta bëjë gjykimin e drejtë", tha Kurti.
Ai shtoi se ky vit i pavarësisë e gjen Kosovën në fillim të mandatit të ri qeverisës, ndaj "punët janë të shumta".
"Mësuesë e studentë, mjekë e punëtorë, gra e burra, vajza e djem, të gjithë duhet të japim maksimumin tonë. Këtë e presin të gjithë. Le t’i bëjmë krenarë duke punuar e forcuar shtetin", tha Kurti.
Pavarësia e Kosovës u shpall më 17 shkurt të vitit 2008 nga institucionet vendore, pas një periudhe të gjatë administrimi ndërkombëtar dhe negociatash për statusin.
Ajo u mbështet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian.
Që nga ajo kohë, Kosova bëri përparim në ndërtimin e institucioneve shtetërore, konsolidimin e sigurisë me mbështetjen e NATO-s dhe zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare.
Megjithatë, shteti vazhdon të përballet me sfida të mëdha, përfshirë kundërshtimet e pavarësisë nga Serbia dhe disa vende të tjera, si dhe pengesa në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare./REL
SHBA- Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio i ka shprehur urimet Kosovës me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë.
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rubio shkruan se SHBA-të mbeten të palëkundura në mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Ndër të tjera Rubio thekson se vlerëson mbështetjen e Kosovës për përpjekjet e SHBA-së për t’u përballur me sfidat globale dhe mirëpresin udhëheqjen e saj si Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes.
“Ndërsa Kosova shënon këtë përvjetor të rëndësishëm, mezi presim një bashkëpunim edhe më të fortë në vitet në vijim. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Kosovën ndërsa ajo vazhdon të ndërtojë një të ardhme të sigurt dhe të begatë”, shkruhet në mesazhin e Rubios./Dosja.al

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar qytetarët me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ajo theksoi se sakrifica e popullit të Kosovës për të arritur deri këtu ka qenë shekullore. Pas ngritjes solemne të flamurit të vendit, Osmani tha se sot qytetarët bashkohen për të festuar dhe për të përkujtuar të gjithë ata që dhanë gjithçka për Kosovën.
“Ju uroj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për 18 vjetorin e pavarësisë së shtetit. Është një ditë ku të gjithë bëhemi bashkë për të festuar këtë përvjetor të shtetit tonë të ri, që po hyn në moshë të pjekur. Sakrifica për të arritur deri këtu ka qenë shekullore, në fakt kanë qenë breza të tërë që kanë dhënë gjithçka që sot ne ta gëzojmë shtetin e Kosovës. Shprehim respektin më të thellë për rrugën, kontributin dhe vizionin e presidentin historik Ibrahim Rugova, për sakrificën e familjes Jashari në krye me komandantin Adem Jashari dhe për mijëra dëshmor, heronj të UÇK-së, për të gjithë ata që dhanë jetën dhe bën sakrificë në mënyrë që ne sot ta gëzojmë shtetit tonë”, tha presidentja Osmani./Dosja.al
KOSOVË- Kosova kremton sot me krenari 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së saj. Ceremonia ka nisur me ngritjen solemne të flamurit shtetëror përpara objektit të Qeverisë në Prishtinë.
Në këtë ngjarje morën pjesë krerët më të lartë të shtetit, përfshirë Presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti dhe Kryetaren e Kuvendit Albulena Haxhiu. Ky përvjetor shënon një moment historik të pjekurisë së shtetit më të ri të Evropës./Dosja.al
KOSOVË- Qeveria e Kosovës ka mbajtur seancën solemne në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shteti, Pavarësia dhe Kushtetuta janë të reja, por gjuha, kultura dhe populli Kosovës janë të lashtë. Kurti ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Ai ka thënë se nuk mund të kujtohet shpallja e Pavarësisë pa i përmendur ata që dhanë kontribut në ndërtimin e shtetit.
“Vërtetë shteti, Pavarësia dhe Kushtetua janë të reja, por gjuha, kultura dhe populli ynë janë të lashtë. Shteti jonë është ndërtuar dhe qëndron për vlerat e lirisë e demokracisë, barazisë e drejtësisë, prosperitetit dhe përfshirjes. Secili qytetar pavarësisht gjuhës e etnisë, fesë apo prejardhjes është i barabartë para ligjit.
Nuk mund të mos kujtojmë se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë së Republikës, sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do ta bëjë gjykimin e drejtë.
Ky vit i pavarësisë na gjen në fillim të mandatit të ri qeverisës. Punët që na presin janë të shumta por i lartë është qëllimi që kemi para vetës. Mësues e student, mjekë e punëtorë, gra e burra, vajza e djem, të gjithë duhet të japim maksimumin tonë. Këtë e presin të gjithë. Le t’i bëjmë krenar duke punuar e forcuar shtetin. Ne si kabinet qeveritar jemi vetëm instrument në realizimin e këtyre qëllimeve”, ka thënë ai./Dosja.al
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka uruar 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Me anë të një postimi në Facebook, Rama thekson se nuk mund të jetë i pranishëm në tubimin në mbështetje të “katër pengjeve të UÇK-së”, siç i cilëson ai, në procesin që po zhvillohet në Hagë. Gjithashtu postimin e tij, Kryeministri e ka shoqëruar me një album fotografik nga vizita një dite më parë në Prishtinë.
Postimi i Ramës:
MIRËMËNGJES dhe me FotoALBUMIN e vizitës sime dje në Prishtinë, i uroj Kosovës gëzuar pavarësinë me keqardhjen që s’mund të jem sot në manifestimin popullor të solidaritetit me katër pengjet e UÇK-së në ferrin e (pa)drejtësisë ndërkombëtare në Hagë./Dosja.al

Për Hashim Thaçin, e marta e 17 shkurtit është dita e parë pas gjashtë sosh që nuk niset për në sallën e gjyqit për t’i dëgjuar deklaratat përfundimtare në rastin kundër tij dhe tre ish-eprorëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Po të njëjtën ditë, 18 vjet më parë, ai e shkruante historinë: e shpallte Kosovën shtet të pavarur.
Thaçi, ish-president, Veseli e Krasniqi, ish-kryeparlamentarë, dhe Selimi, ish-deputet, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale në Hagë, dhe janë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.
Gjykata Speciale funksionon me ligje të Kosovës, ndërsa për çështje sigurie selinë e ka në qytetin holandez. Ajo i heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetorin e vitit 2000.
Në këtë video keni më shumë hollësi për punën e Gjykatës:
Pavarësisht mijëra kilometrave larg, ky proces e ka ndikuar shpesh përditshmërinë në Kosovë.
Njëjtë edhe në përvjetorin e pavarësisë: 17 shkurti do të jetë ditë e përzier mes festës dhe protestës. Festë, sepse vendi mbush 18 vjet – numër që simbolizon moshën e pjekurisë në shumë vende, dhe protestë për, siç thuhet, trajtimin e padinjitetshëm të të akuzuarve në Hagë.
Në këtë proces, Prokuroria i ftoi rreth 125 dëshmitarë, një pjesë e mirë e të cilëve ishin anonimë, ndërsa mbrojtja e Thaçit dhe ajo e Krasniqit ftuan emra me nam, sikurse gjeneralin amerikan në pension Wesley Clark, ish-ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe të dërguarin e posaçëm të SHBA-së gjatë luftës në Kosovë, Christpher Hill.
Prej 9 deri më 18 shkurt, përjashtuar datën 17, në Hagë shpalosen deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor kundër Thaçit dhe të tjerëve.
Amer Alija, hulumtues ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto deklarata janë një lloj analize e provave që janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor, dhe kanë peshë të madhe në krijimin e opinionit te trupi gjykues.
“Palët që do të arrijnë të argumentojnë dhe të bindin trupin gjykues që prova të caktuara kanë apo nuk kanë peshë relevante, si dhe vlerësimi i rrethanave, mund të kenë ndikim në marrjen e vendimit përfundimtar”, vlerëson ai.
Prokuroria, gjatë fjalës së vet, kërkoi dënim me nga 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve. Për ekipet mbrojtëse, një kërkesë e tillë është e barasvlershme me burgim të përjetshëm, prandaj ato i hodhën poshtë të gjitha pretendimet e palës tjetër.
Alija thotë se kërkesa e Prokurorisë nuk ka bazë ligjore – as në ligjin ish-jugosllav, që ishte në fuqi në kohën kur pretendohet të jenë kryer krimet më 1998-’99, dhe as në ligjet aktuale të Kosovës.
Asokohe, dënimet maksimale mund të shkonin deri në 20 vjet burgim, ndërsa me ligjet e tanishme të Kosovës dënimet parashohin deri në 35 vjet burgim.
“Në procedurat ligjore, trupi gjykues duhet ta ketë parasysh parimin universal ‘lex midio’, që do të thotë se ligji që është më i favorshëm në rastin e shqiptimit të dënimit duhet të aplikohet në procedurën penale”, pohon Alija.
Agon Maliqi, njohës i çështjeve politike në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se kërkesa e Prokurorisë e ka prekur “një nerv publik” në gjithë Kosovën.
Për të, kërkesa e tillë është fyese dhe skandaloze, dhe një përpjekje dëshpërimi e Prokurorisë që të kërkojë maksimumin, që të sigurojë të paktën një dënim më të vogël.
“Nuk mendoj se Prokuroria ka prodhuar rast bindës, ekziston një hendek jashtëzakonisht i madh mes dokumentimit të krimeve, të cilat edhe mbrojtja nuk po i konteston, dhe ndërlidhjes së tyre me Shtabin e Përgjithshëm [të UÇK-së], dhe pretendimin se kjo ka qenë e centralizuar. Me një hendek kaq të madh, verdikti fajësues për mua duket i pabesueshëm. Të kërkosh dënim sikurse për kriminelët e luftës, që kanë vrarë me dhjetëra mijëra civilë të pafajshëm, është krejtësisht joproporcionale”.
Por, përveç zërave që i kanë mbështetur gjithmonë ish-eprorët e UÇK-së, këtë herë fjala në mbrojtje të tyre u përhap edhe në nivele institucionale.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e nisi fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit, gjatë prezantimit të përbërjes së re të Qeverisë më 11 shkurt, duke thënë se përpjekjet e Prokurorisë në Hagë janë "një orvatje që bie ndesh me të vërtetën".
Ai, madje, e themeloi edhe një ministri të re: për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.
Një ditë më vonë, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutë e cila kërkon gjykim të drejtë për të akuzuarit në Hagë.
Kurti, me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, kanë qenë tejet kritikë ndaj Gjykatës Speciale, dhe patën votuar kundër formimit të saj. Më 2017, në Kuvendin e Kosovës ishin bërë përpjekje edhe për shpërbërjen e gjykatës, por pa sukses.
Duke kthyer në kujtesë këtë fakt, për Maliqin qasja kaq e zëshme e Kurtit në mbrojtje të luftës së UÇK-së është përpjekje e tij për t’u dukur më gjithëpërfshirës, ndërsa risi është qasja e presidentes Osmani, meqë në të kaluarën, siç thotë ai, ajo e ka ushqyer një narracion mjaft të ndryshëm me ish-krerët e UÇK-së, sa ata ishin në pushtet.
Osmanit i skadon mandati si presidente edhe disa javë, dhe ajo e ka bërë tashmë të qartë synimin për një mandat të dytë. Megjithatë, nuk dihet nëse do t’i ketë votat e nevojshme.
A mund të jetë kjo njëra prej arsyeve pse Osmani është kaq e zëshme për UÇK-në dhe luftën e saj?
Maliqi nuk e përjashton si mundësi: “Presidentja Osmani është treguar viteve të fundit, le te quaj kështu ‘skiatore e sllallomit’ në mjaft momente të caktuara, e aftë t’i ndryshuar dhe përshtatur qëndrimet në përputhje me interesat e saj politike”.
Sa i përket aspektit juridik, Alija rikujton që deklaratat dhe rezoluta janë veprime politike, protesta është e drejtë kushtetuese, por që në procesin gjyqësor nuk kanë asnjë peshë.
Rezoluta për gjyqin në Hagë përbën ndër vendimet e para që i ka miratuar legjislatura e re e Kosovës, e dalë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Gjithë viti 2025 mund të përshkruhet lehtësisht si vit i humbur legjislativ, pa institucione funksionale dhe me qasje thellësisht përçarëse ndërmjet partive, çka rezultoi me proces të ri zgjedhor, në të cilin Kurti shënoi fitore bindëse – me mbi 51 për qind të votave – dhe kështu e formoi lehtësisht Qeverinë e re.
Por, kur Maliqit i kërkohet të kthehet mbrapa në kohë, përtej 2025-tës, dhe të reflektojë për 18 vjetët e shtetësisë së Kosovës, ai thotë shkurt se sheh rritje simbolike të pjekurisë shtetërore, dhe një përparim të dukshëm, por që mundësitë e humbura janë të jashtëzakonshme.
“Ka konsolidim të demokracisë, por është shumë e brishtë. Dhe, nën presion të vazhdueshëm. Në këtë mandat të dytë të plotë të Kurtit, do të jetë sfidë se si të mbrohen institucionet nga përpjekja për sundim”.
Me raste, Qeveria paraprake e Kurtit është kritikuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian për veprime të njëanshme, kur bëhej fjalë për të drejtat e minoritetit serb dhe për mungesë të theksuar kompromisi. Për pasojë, Uashingtoni e ka pezulluar Dialogun Strategjik ende pa nisur, ndërsa Brukseli e ka ndëshkuar vendin me sanksione, që vetëm tani ka nisur t’i heqë gradualisht.
Shikuar në rrafsh ndërkombëtar, Kosova nuk ka arritur as anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në BE, në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), apo në Këshillin e Evropës.
Shtetësia e saj njihet prej 121 vendeve të botës sot, por sfidë ende përbën mungesa e njohjeve nga katër vende të NATO-s dhe nga pesë të bllokut evropian.
Si histori suksesi mund të veçohen rastet kur sportistët e kanë ngritur flamurin në gara ndërkombëtare, veçanërisht në sportin e xhudos, ku janë siguruar medalje olimpike.
Në aspektin ekonomik, Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet më të varfra në Evropë, dhe pa investitorë të mëdhenj.
Si vend me 1.5 milion banorë, prioriteti kryesor duket lehtë i identifikueshëm: ruajtja e aleancave me vendet që i ndihmuan të pavarësohej, sidomos me SHBA-në.
Në këtë drejtim luajnë rol edhe lëvizjet, sikurse ajo e presidentes Osmani për të qenë pjesëmarrëse në themelimin e Bordit të Paqes, nismë e presidentit amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.
“Kosova e ka jetike marrëdhënien me SHBA-në, njësoj sikurse e ka rrugën drejt Bashkimit Evropian. Kosova nuk ka çfarë të humbë nëse futet në nisma që nuk bien ndesh me asnjërën prej këtyre dy objektivave”, thekson Maliqi.
Një tjetër proces me rëndësi, sipas tij, është integrimi i serbëve të Kosovës.
Ai porosit liderët që të mos kenë si pikënisje qasjen krejtësisht reaktive ndaj Serbisë, por që ta shpërfillin atë dhe të mos ia mundësojnë prishjen e agjendave të saj.
Serbia vazhdon të mos e njohë shtetësinë e Kosovës, dhe pavarësisht dialogut që zhvillojnë dy palët në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së, rezultatet janë të zbehta.
Në këtë drejtim, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, zotim i Kosovës që del nga ky proces, përbën ndër sfidat më të mëdha për Qeverinë e re të vendit.
Në periudhë afatshkurtër, rëndësi do të ketë edhe se si përfundon procesi gjyqësor në Hagë.
Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, rasti do të kalojë te gjyqtarët, të cilët do t’i kenë tre muaj kohë që të marrin një vendim.
Alija beson që ata mund të kërkojnë edhe dy muaj shtesë për shqyrtimin e provave, meqë rasti është goxha voluminoz.
Ndërkohë, më 17 shkurt, sheshet e Prishtinës do të jenë sërish të mbushura me njerëz.
Do të ketë emocione krenarie e mburrjeje për paradën e parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që është në rrugë për t’u transformuar në ushtri, por edhe thirrje për drejtësi për të akuzuarit në Hagë.
Sheshet ishin plot edhe më 17 shkurt 2008.
Gëzimi atëherë e kishte prekur kulmin, pavarësisht motit të acartë. Ndoshta ishte ogur për gjithë sfidat që do t’i përjetonte Kosova përgjatë rritjes së saj…/REL

KOSOVË- Republika e Kosovës shënon sot 18-vjetorin e pavarësisë së saj. Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e vendit, duke e bërë atë shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Me rastin e këtij përvjetori, institucionet e vendit kanë përgatitur aktivitete të ndryshme festive.
Shpallja e Pavarësisë ishte rezultat i një procesi të gjatë dialogu. Por propozimi i presidentit Martti Ahtisaari nuk kishte marrë mbështetjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Edhe pse u kundërshtua nga Serbia e Rusia, Kosova deklaroi Pavarësinë, akt ky që mori mbështetje nga shtete të rëndësishme të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Axhenda e aktiviteteve
18-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës do të përcillet me shumë aktivitete institucionale. Nga ora 7 do të bëhet ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës, pas 20 minutave, përkatësisht në orën 7:20 do të mbahet mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në orën 7:30 do të bëhen nderime te Monumenti i të Pagjeturve e pas pesë minutash do të bëhen homazhe te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë. Në orën 8:00 mbahen homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova e pas 10 minutash te te varri i veprimtarit Adem Demaçi.
Nga ora 9 do të ketë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz e në 10:30 do të mbahet seancë solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nga ora 11:25 do të bëhen nderime te Monumenti Heroinat, në orën 11:30 mbahet parakalimi i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Në 17:30 pritje shtetërore nga Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe dita do të përmbyllet me koncertin solemn të Filharmonisë së Kosovës.