LIVE UPDATES
LIVE UPDATES

Derek Chollet takon liderët e RMV-së dhe Kosovës, zyrtari i DASH: Prishtina të formojë Asociacionin! Kurti: Duam njohje reciproke

• Zyrtari amerikan Derek Chollet ka nisur turin ballkanik ditën e sotme në Maqedoninë e Veriut. • Chollet është takuar me kryeministrin maqedonas Dimitar Kovaçevksi, ku kanë diskutuar për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian por edhe për luftën kundër korrupsionit. • Po ashtu sipas Kovaçevskit, Chollet mbështet ndryshimet kushtetuese. Pas Maqedonisë së Veriut, Chollet ka shkuar në Kosovë. • Chollet është takuar me Presidenten Vjosa Osmani ku diskutimet janë fokusuar në dialogun me Serbinë. • Pas takimeve me Osmanin, Chollet është pritur në zyrë nga kryeministri Albin Kurti. • Gjatë fjalës së tij pas takimeve në Kosovë, zyrtari amerkian është shprehur se prezin propozime për Asosacionin serb në Kosovë, por gjithashtu edhe përparime në dialogun Kosovë-Serbi. • Pas vizitës në Kosovë, Chollet ditën e nesërme do të niset në Serbi, ku do të takohet me presidentin Aleksandër Vuçiç.

7 artikuj për këtë temë.

3 VITE ME PARE

Derek Chollet: Presim propozime nga Kosova për Asociacionin

Derek Chollet takon liderët e RMV-së dhe Kosovës, zyrtari i DASH:
Derek Chollet dhe Vjosa Osmani

KOSOVË- Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, deklaroi se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe”. Kështu u shpreh Chollet, gjatë një bisede me gazetarët në Prishtinë.

“Ne besojmë se jemi në një moment kritik. Ne besojmë se Kosova me Serbinë duke të angazhohen urgjentisht në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili po punon drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke”.

Chollet tha se SHBA-ja beson se dialogu është mjeti më i mirë për Kosovën për të siguruar të ardhmen e saj të plotë evropiane dhe euroatlantike. Ai tha se SHBA-ja dëshiron ta shpenzojë energjinë e saj diplomatike në punën drejt të ardhmes euroatlantike të Kosovës, dhe se do të donin të shpenzonin më pak energji në menaxhimin e krizave. Chollet tha gjithashtu se mesazhi i tyre për Beogradin është që mos të ketë akte provokuese dhe të punohet drejt shtensionimit të situatës.

Zyrtari amerikan shtoi se marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën “mbeten shumë të forta”, dhe se vizioni i tyre për vendin është “një Kosovë multietnike, e pavarur, sovrane, e sigurt dhe demokratike”, duke shtuar se janë për integrimin e plotë të vendit në strukturat evropiane dhe euro-atlantike”.

“Ashtu si SHBA-ja, edhe Kosova është një shoqëri e larmishme, multietnike dhe ne besojmë se diversiteti i bën vendet tona më të forta. Ne besojmë se Qeveria e Kosovës duhet ta festojë atë diversitet dhe duhet të vendosë politika që sjellin sukses për të gjithë kosovarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”.

Chollet tha se duhet të festohet për të gjitha ato që ka arritur Kosova ndër vite, por shtoi se do të “vijnë shumë sfida”.

“Ne nuk duam ta shohim duke u shpërdorur gjithçka që është arritur dhe nuk duam ta shohim atë potencial të madh, që mendoj se është real, të parealizuar”, tha ai

Para takimit me gazetarë, Chollet takoi liderët institucional dhe të partive politike opzitare në Kosovë. Procesi i dialogut, plani evropian dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishin ndër temat e diskutimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Cholletit. Kështu u tha në njoftimin për media të 11 janarit të Zyrës së Kryeministrit.

“U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në njoftim.

Para Kurtit, Chollet, i cili më 11 janar nisi vizitën në Kosovë, takoi presidenten Vjosa Osmani.

Në takim, presidentja Osmani, sipas një njoftimi për media, tha se angazhimi i shtuar i SHBA-së në dialogun me Serbinë është "vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve të Kosovës”.

Ajo përsëriti qëndrimin se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.

“Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-në, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, tha Osmani.

Chollet dhe Osmani, sipas Presidencës kosovare, biseduan edhe për zhvillimet në rajon dhe botë dhe ajo tha se me mbështetjen e Rusisë, “Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon”.

Zyrtari amerikan takoi edhe përfaqësuesit e Listës Serbe. Në rrjetin social në Facebook, nënkryetar i kësaj partie, Dalibor Jevtiq, tha se në takim u diskutua për situatën aktuale politike dhe atë të sigurisë.

Kjo vizitë e zyrtarit të lartë amerikan vjen në kohën e përpjekjeve të reja ndërkombëtare për të përshpejtuar procesin e normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Këshilltari i DASH-it, në takimin me Osmanin dhe Kurtin, ishte i shoqëruar edhe nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Chollet më herët gjatë 11 janarit qëndroi edhe në Shkup, teksa pas Prishtinës do të niset drejt Beogradi.

Para nisjes së vizitës në Kosovë, DASH tha se ai do të bisedojë me krerët në Kosovë dhe të Serbisë për integrimin euroatlantik, përfshirë edhe arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes dy shteteve, të bazuar në njohje reciproke. Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë se vizita e zyrtarit të lartë amerikan është e rëndësishme, sa i përket dinamizimit të procesit të dialogut.

“Është e qartë se kërkesa kryesore e Chollet do të jetë angazhimi më i madh, më energjik, më i mirëfilltë, më kualitativ i Qeverisë së Kosovës në dialog sepse edhe investimet madhore amerikane në Ballkan janë të drejtuar në arritjen e marrëveshjes finale dhe gjetjen e një zgjidhjeje për krijimin e një etape të re historike”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Sa i përket Serbisë, Muhaxhiri thotë se ky shtet ka presione të mëdha, si nga SHBA-ja, po ashtu edhe nga BE-ja, mirëpo sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po tenton që fokusin ta vendosë te “mospajtimet dhe refuzimet e Kosovës ndaj kërkesave amerikane”.

“Por, është absolutisht e qartë që edhe Serbia do të duhet të bëjë kompromise shumë të mëdha nëse dëshiron që të mos stigmatizohet si bllokuese e procesit dhe nëse dëshiron që të ketë të ardhme normale evropiane”, thotë ai.

Vizita e Chollet në Kosovë dhe Serbi vjen disa javë pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës, që kulmoi me vendosjen e barrikadave nga grupe të serbëve lokalë në veri të shtetit, për shkak të arrestimit të një ish-polici serb.

Vetë Chollet deklaroi se u shpenzuan kohë në përpjekjet diplomatike në uljen e tensioneve, në vend se palët të përqendroheshin në dialog.

Në këtë drejtim, ai ka përmendur planin franko-gjerman, apo siç po quhet së fundi edhe si plani i BE-së, që synon çuarjen përpara të dialogut drejt një marrëveshjeje përfundimtare.

“Mendojmë se BE-ja ka parashtruar një drejtim të arritshëm, një drejtim të mirë. Sërish, do të jetë e vështirë. Do të dojë shumë punë. Do të dojë vendime të vështira dhe kurajë nga udhëheqësit, që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të vendit të tyre”, ka deklaruar Chollet në një intervistë për Zërin e Amerikës të dhënë më 6 janar.

Muhaxhiri pret që pikërisht plani franko-gjerman të jetë në fokus të vizitës së Chollet në Prishtinë dhe Beograd. Sipas tij, ky plan, që nuk është bërë publik, por u është dorëzuar palëve vitin e kaluar, po konsiderohet si baza më realiste për dialog, andaj ai thotë se palët janë të interesuara që të dialogojnë mbi këtë bazë.

“Mirëpo, natyrisht që edhe çështja e Asociacionit është pjesë e planit franko-gjerman dhe zoti Chollet do të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të gjendet një zgjidhje kreative për angazhimin e Qeverisë kosovare në këtë aspekt, sepse me bllokadën aktuale të kësaj teme rrjedhimisht bllokohet edhe dialogu”, thotë Muhaxhiri.

Zyrtarët në SHBA janë shprehur se prioritet për ta është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje, më 2013 dhe më 2015.

Edhe evropianët kanë kërkuar që Kosova të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin, teksa Muhaxhiri thotë se pa nisur së trajtuari këtë temë, “nuk mund të ketë ndonjë avancim kuptimplotë në dialog”.

SHBA-ja madje ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës nuk do të krijojë Asociacionin, për të do të gjenden “partnerë alternativë”. Sipas Muhaxhirit, kjo formë është presion indirekt që kjo çështje të zgjidhet, nëse presioni direkt ndaj Qeverisë nuk rezulton i suksesshëm.

“Prandaj, kjo ideja e kërkimit të bashkëpunëtorëve alternativë ka ardhur pas refuzimeve të Qeverisë së Kosovës që të bisedohet për Asociacionin, për çfarëdolloj formati të Asociacionit, edhe pse SHBA-ja e ka bërë të qartë 100 herë se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të lejohet bosnjëzimi i Kosovë”, thotë ai.

Pavarësisht kërkesave të SHBA-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një Asociacioni njëetnik.

Por, Muhaxhiri thotë se Kosova nuk ka shumë alternativa dhe se duhet të pranojë një zgjidhje edhe nëse përfshin Asociacionin në të.

“Gjithsesi edhe Kosova duhet të bëjë kompromise në mënyrë që të shkohet përpara”, thotë ai.

Radio Evropa e Lirë siguroi propozimin e BE-së, që njihet si plani franko-gjerman, që synon të çojë përpara procesin e dialogut.

Në të parashihen të drejta të barabarta të Kosovës dhe Serbisë, respektim të integritetit territorial, mosprekjen e kufijve, njohjen e simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Muhaxhiri thotë se Kosova do të përfitonte njohjen e pesë shteteve mosnjohëse të BE-së dhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Sipas dokumentit të siguruar nga REL-i, aty nuk përmendet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në OKB, por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

Pas Prishtinës, Chollet do të qëndrojë në Beograd më 12 janar. Sipas kryetarit të Komisionit për Kosovën në Parlamentin serb, Millovan Drecun, Serbia nuk do të refuzojë kurrë bisedimet me faktorin ndërkombëtar.

"Por, është plotësisht e qartë se biseda do të jetë shumë e shkurtër. Prandaj, ne refuzojmë çdo ide për ta trajtuar Kosovën si shtet", tha për REL-in Drecun, i cili është pjesë e Partisë Progresive Serbe, të presidentit Vuçiq.

Millovan Drecun tha se nisma e ardhshme diplomatike ka për qëllim që Serbia “të detyrohet” që të diskutojë për planin franko-gjerman.

Në janar, në Kosovë dhe Serbi po ashtu pritet të qëndrojnë i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ata pritet të shoqërohen nga të dërguarit e presidentit të Francës dhe kancelarit gjerman, Emmanuel Bonne dhe Jens Pletner.

Emisarë evropianë dhe amerikanë po ashtu kanë vizituar Kosovën dhe Serbinë muajve të fundit. Fushatat diplomatike, sipas Muhaxhirit, janë treguar të suksesshme në të kaluarën.

“Është një privilegj për Kosovën që ekziston një interesim kaq i madh për arritjen e marrëveshjes finale nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, pasi që edhe në Rambuje dhe Vjenë është dëshmuar se kjo është qasja e vetme e cila mund të dërgojë deri në suksesin e marrëveshjeve”.

“E njëjta po ndodh edhe tash, prandaj edhe Kosova duhet të jetë bashkëpunuese me ndërkombëtarët në mënyrë që të përfitojë nga interesimi i tyre dhe që përfundimisht dialogu me Serbinë ta marrë një epilog dhe kjo të shndërrohet në një etapë historike për Kosovën, dhe Ballkanin në përgjithësi”, thotë ai.

Përderisa propozimi i BE-së, në Kosovë është pranuar dhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është parë si “bazë e mirë për diskutime të mëtejme”, zyrtarët në Serbi janë shprehur më të rezervuar.

Madje Kurti ka deklaruar se Serbia e ka refuzuar këtë plan, gjatë një mbledhjeje të Këshillit Nacional të Sigurisë të mbajtur në tetor të vitit të kaluar, duke iu referuar një deklarate të ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, që atëbotë deklaroi se Serbia nuk do të mund të pranonte një plan ku njihet pavarësia e Kosovës. Daçiq më 10 janar tha se Serbia ka tri vija të kuqe sa i përket Kosovës: çdo marrëveshje e arritur duhet të zbatohet, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës dhe garantimi i sigurisë së serbëve që jetojnë në Kosovë. I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka paralajmëruar se viti 2023 mund të jetë vit vendimtar për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme. Ai ka deklaruar se “dritarja e vetme e mundësive” që të arrihet një marrëveshje është nga marsi i këtij viti deri në dhjetor apo në fillim të vitit të vitit 2024.

Loic Tregoures, profesor i shkencave politike dhe ekspert për Ballkanin, i tha Shërbimit të Ballkanit të REL-it, se Uashingtoni dhe Brukseli, me këto përpjekje po dëshirojnë të shmangin shpërthimin e një konflikti të ri.

Sipas tij, 15 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, është koha që palët të arrijnë një marrëveshje dhe se është në interesin e Prishtinës që të përshpejtohet ky proces për të normalizuar situatën e saj ndërkombëtare.

“Megjithatë, nga pikëpamja e Serbisë nuk ka nguti, status quo-ja është e mirë për presidentin Vuçiq”, tha ai.

Tregoures shtoi se sa më shpejt që mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme, BE-ja mund t’ia kujtojë Vuçiqit se të qenët kandidat për BE nënkupton se duhet të jesh serioz për disa çështje “që aktualisht po mbahen të heshtura”. Në këtë drejtim ai përmendi reformat në sundimin e ligjit, gjyqësor, lirinë e medias, legjislacionet për mjedisin si dhe luftën kundër korrupsionit.

Kosova dhe Serbia dialogojnë me ndërmjetësimin e BE-së që nga vitit 2011. Procesi është thënë se synon të përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Prishtina kërkon që marrëveshja të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa treguar saktësisht se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Marrë nga REL

3 VITE ME PARE

Takimi Kurti-Chollet: U diskutua për dialogun, planin evropian dhe raportet mes Kosovës e Serbisë

Derek Chollet takon liderët e RMV-së dhe Kosovës, zyrtari i DASH:
Derek Chollet dhe Albin Kurti

KOSOVË- Kryeministri Albin Kurti priti ​këtë të mërkurën në ndërtesën e Qeverisë, Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili po qëndron në Kosovë në kuadër vizitës së tij në rajon. Zyra e Kryeministrit njofton se në këtë takim u diskutua për procesin e dialogut, planin evropian dhe raportet ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në njoftimin për media.

Tutje, bëhet e ditur se Kurti e njoftoi Chollet me punën e qeverisë në vitin që sapo lamë pas.

“Ai ndau me të indikatorët më të fundit ekonomikë dhe demokratikë në vend, dhe nënvizoi qëllimet e përbashkëta për zhvillim dhe demokratizim. Kryeministri Kurti e falënderoi Këshilltarin e Lartë, Chollet për vizitën, komunikimin e vazhdueshëm dhe për angazhimin e tij. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner dhe aleat i domosdoshëm i Republikës së Kosovës, u shpreh kryeministri Kurti, teksa vuri theksin te synimet e vendit për partneritet edhe më të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe integrim në NATO”, thuhet më tej në njoftim.

Në takim Chollet ishte i shoqëruar nga dërguari i posaçëm amerikan, Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtës për Politika Evropiane dhe NATO, Spencer Boyer, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Shefja e Stafit të Këshilltarit Chollet, Laura Updegrove, Ndihmësja e posaçme e Këshilltarit, Dr. Florence Akinyemi dhe Këshilltarja e Politike dhe Ekonomike në Ambasadën amerikane në Kosovë, Ralan Hill.

Kurse, Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Ushtruesja e Detyrës së Kryesueses së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, Këshilltari Politik i Kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. 

3 VITE ME PARE

Chollet pret në Ambasadën amerikane përfaqësuesit e Listës Serbe, diskutimi mbi sigurinë në vend

Derek Chollet takon liderët e RMV-së dhe Kosovës, zyrtari i DASH:
Pamje nga takimi

KOSOVË- Anëtari i Listës Serbe, Dalibor Jevtic, ka bërë të ditur se sot janë pritru në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë nga zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe emisari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në këtë takim në të cilin është diskutuar për situatën aktuale politike dhe të sigurisë ka qenë i pranishëm edhe ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier. Ky takim me Listën Serbe ka ardhur pas atyre që Chollet kishte zhvilluar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

“Përfaqësuesit e Listës Serbe me zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit Derek Shole, të dërguarin e Ballkanit Perëndimor Gabriel Escobar dhe ambasadorin Jeffrey Hovenier për situatën aktuale politike dhe të sigurisë”, ka shkruar Jevtic.

3 VITE ME PARE

Osmani-Cholletit: Marrëveshja ta ketë njohjen reciproke, jemi të gatshëm të bëjmë propozime

Derek Chollet takon liderët e RMV-së dhe Kosovës, zyrtari i DASH:
Foto nga takimi

KOSOVË- Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, të udhëhequr nga zyrtari i lartë Derek Chollet, i shoqëruar nga ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, zëvendësndihmës sekretari i Shtetit Gabriel Escobar, zëvendësndihmës sekretari i Mbrojtjes Spencer Boyer, si dhe përfaqësues të tjerë të Departamentit të Shtetit dhe ambasadës amerikane. Në këtë takim, Osmani tha se marrëveshja përfundimtare, e cila duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe arritjen e paqes së qëndrueshme dhe afatgjate në rajon.

“Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-të, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, tha Presidentja Osmani.

Siç njofton Osmani dhe Chollet kanë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara, aleatin kryesor të Republikës së Kosovës, si dhe janë angazhuar për fuqizimin e mëtejmë të  bashkëpunimit ndërmjet  dy shteteve.

Presidentja Osmani ka falënderuar z. Chollet për angazhimin proaktiv të Shteteve të Bashkuara në procesin e dialogut, duke theksuar se angazhimi i shtuar amerikan në këtë drejtim është vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në takim me z. Chollet, Presidentja Osmani bisedoi për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, duke potencuar aleancën dhe afërsinë e theksuar të Serbisë me Rusinë dhe rreziqet që paraqet ky raport jo vetëm për Kosovën, por edhe për aleancën euroatlantike. Presidentja Osmani theksoi se me mbështetjen e Rusisë, Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon”, thuhet në njoftim.

3 VITE ME PARE

Përfundon takimi me Osmanin, Derek Chollet takohet me Kurtin

Derek Chollet takon liderët e RMV-së dhe Kosovës, zyrtari i DASH:
Takimi

KOSOVË- Ka përfunduar takimi i presidentes Osmani me këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Pas takimit me Osmanin, Chollet është drejtuar për tek zyra e Kryeministrit, Albin Kurti me të cilin po ashtu pritet të zhvillojë takim. Përpos me krerët e shtetit, zyrtari i lartë amerikan do të takojë edhe krerët opozitarë.

Paraditen e sotme, Chollet do të takojë krerët e opozitës, Memli Krasniqin e PDK’së, Lumir Abdixhikun e LDK’së dhe Ramush Haradinajn e AAK’së. Sipas njoftimit të DASh-it, ai do të bisedojë me krerët në Kosovë dhe të Serbisë për integrimin euroatlantik, përfshirë edhe arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet dy shteteve, të bazuar në njohje reciproke.

Chollet muajve të fundit ka realizuar disa telefonata me Kryeministrin Kurti ndërsa një herë e ka pritur edhe në ShBA. Chollet vjen në Kosovë e Serbi pas tensioneve të fundit në veri dhe në kulmin e përpjekjeve që janë duke bërë SHBA dhe BE për të arritur një marrëveshje mes dy vendeve mbi bazën e planit franko-gjerman. Pas Prishtinës, Chollet do të qëndrojë në Beograd më 12 janar.

3 VITE ME PARE

Kovaçevski: Chollet mbështet ndryshimet kushtetuese

Derek Chollet takon liderët e RMV-së dhe Kosovës, zyrtari i DASH:
Dimitar Kovaçevski dhe Derek Chollet

SHKUP- Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Derek Chollet, gjatë vizitës në Shkup ka konfirmuar “partneritetin strategjik me Maqedoninë e Veriut”, ndërsa ka theksuar edhe nevojën për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, që konsiderohet si shqetësuar për shkak të përmasave që ka marrë në veçanti në sistemin e drejtësisë.

Kështu tha kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, pas takimit që zhvilloi me zyrtarin e lartë amerikan në Shkup më 11 janar. Kovaçevski tha se në këtë takim është konstatuar se për Maqedoninë e Veriut nuk ka alternativë tjerë pos integrimit në Bashkimin Evropian.

“Integrimi evropian dhe nevoja për të vazhduar me reformat, por edhe vendimet që duhet të merren gjatë vitit 2023, sikurse ndryshimet kushtetuese, ishin në fokus të takimit tonë. Ne kemi mbështetjen nga SHBA-ja për ndryshimet kushtetuese që do të mundësojnë vazhdimin e integrimit evropian. Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së, ashtu sikur nuk kishte alternativë tjetër përveç NATO-s kur miratuan vendimet të vështira, por të domosdoshme për t’u bërë pjesë e aleancës”, tha kryeministri maqedonas.

Vitin e kaluar, Shkupi nisi bisedimet për anëtarësimin në BE, por bisedimet thelbësore për kapitujt nuk do të fillojnë pa ndryshimin e Kushtetutës maqedonase për përfshirjen e pakicës bullgare në të.

Kjo parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në propozimin francez për zgjidhjen e kontesteve mes dy vendeve lidhur me çështjet historike, gjuhën dhe identitetin maqedonas.

Kovaçevski tha se me këshilltarin e lartë të DASH-it, Derek Chollet, kanë biseduar edhe për krizën energjetike dhe përballjen me të gjatë vitit 2022 dhe planet për vitin 2023, pasi në këtë fushë, sipas Kovaçevskit, Shkupi ka marrë mbështetje të fuqishme nga Uashingtoni.

Vizitat që zyrtarët amerikanë kanë zhvilluar në Maqedoninë e Veriut gjatë muajve të fundit kanë pasur në fokus luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, më 9 janar bëri të ditur se për Uashingtonin, kjo çështje do të ketë prioritet, krahas çështjeve që lidhen me energjetikën dhe ekonominë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, në Maqedoninë e Veriut ka qëndruar një ekip për sanksione nga Uashingtoni për të hetuar funksionarët dhe ish-funksionarët e dyshuar për korrupsion. Siç pati njoftuar Ambasada e Shteteve të Bashkuara, ky ekip ka për detyrë “të ketë një qasje më agresive për aktorët e korruptuar, si për ata në të kaluarën, ashtu dhe ata aktualë”.

Marrë nga REL

3 VITE ME PARE

Presidentja Osmani pret në zyrë Derek Chollet, nis takimi me zyrtarin e lartë të DASH

Derek Chollet takon liderët e RMV-së dhe Kosovës, zyrtari i DASH:
takimi në Presidencë me Derek Chollet

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka filluar takimin me zyrtarin e Lartë të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet. Mediat kosovare raportojnë se, pas takimit me Osmanin, Chollet do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.

Chollet para vizitës, ka folur për pritshmëritë gjatë vizitës që do të bëjë në Kosovë, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut. Në njoftimin e DASH-it është thënë se Chollet në Kosovë vjen për të diskutuar për përpjekjet e SHBA-së për ta ndihmuar Kosovën drejt avancimit euroatlantik.

Ndërsa sërish është cekur rëndësia e një marrëveshje në dialogun Kosovë-Serbi, e cila në qendër do ta kishte njohjen e ndërsjellë./ Dosja.al

dimitar kovaçevksi derek chollet vjosa osmani albin kurti

Sondazh

Poll

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje