Protestë masive kundër projektit në Zvërnec/ Qytetarët para Kryeministrisë thirrje kundër qeverisë: Rama të japë dorëheqjen (PAMJET)
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar! ...
Ish-ushtarak dhe njohës i armëve/ Kush është Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau një polic e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
• Planeti po përjeton javën më të nxehetë ndonjëherë. • Shkencëtarët paralajmërojnë se ka një shans të madh që korriku të sjellë temperaturat më të nxehta globale në 120,000 vjet. • Java më e nxehtë ishte midis 3 dhe 10 korrikut, por meteorologët thonë se "më e keqja nuk ka ardhur ende". • Nivelet e larta të dioksidit të karbonit në atmosferë dhe një zinxhir i pazakontë erërave të forta që fryjnë mbi Atlantik kanë shkaktuar tashmë valë të nxehti në Greqi, Spanjë, Itali dhe shumë shtete të tjera të Mesdheut. • Një alarm i kuq është vendosur në të gjithë Evropën, ndërsa zjarret po shpërthejnë në Kroaci, bregdetin e Adriatikut dhe Navarrën e Spanjës. • Për shkak të temperaturave vendet turistike si Akropoli janë mbyllur pasi temperaturat arrijnë në 40 gradë Celsius. • Një nga shkaqet më të rëndësishme të valëve të të nxehtit rekord të sotëm është fenomeni El Niño në Paqësor, i cili ka filluar të bëjë të ndjeshme praninë e tij në mbarë botën. • Pasojat e një vale të re rekord të të nxehtit shumë shpejt do të jenë të thella dhe të rrezikshme, shtojnë shkencëtarët. Më shumë se 61,000 njerëz vlerësohet të kenë vdekur për shkak të temperaturave të larta që goditën Evropën verën e kaluar.
5 artikuj për këtë temë.
Tirana nuk gumëzhin këtë fundjavë nga banorët, të cilët duket se janë mbyllur në shtëpi për shkak të temperaturave të larta, apo të tjerë sipas mundësive zgjedhin të freskohen buzë detit. Megjithatë, ka edhe nga ata të cilët janë të detyruar të jenë në punë dhe të përballen me vapën, si dhe nëpër rrugët e kryeqytetit takon edhe emigrantë të cilët rikthehen për pushime në atdhe.
“Vapë e madhe plasëm. Ja po freskohem. Po ka njerëz që sdurojnë nxehtësinë e ju bie të fikët, po këtu ska në cep asnjë ambulancë”, tha një qytetar.
Nga ana tjetër, pikat turistike të Tiranës i gjen plot me të huaj, që nuk i tremben diellit të fortë, por që shfaqen kritikë për masat e munguara parandaluese në rast incidentesh prej vapës. Kryesisht, turistëve ju bie në sy mosprania e ambulancave në zonat e nxehta me fluks më të madh vizitorësh, si te sheshi Skënderbej.
“Më duket se është më shumë seç duhet vapë. Unë e ndjej kështu se vij nga Gjermania. Nuk kam parë ambulance në qytet dhe nuk e di sa larg është spitali nga qendra në rast nevoje”, tha turistja nga Gjermania.
“Këtu është shumë nxehtë, por unë vij nga Spanja që është gjithashtu vapë e madhe, edhe jam mësuar. Mirëpo atje ndihmën e shpejtë e gjen në pikat kryesore të qytetit. Duhet të ndiqet edhe këtu ky shembull”, tha turistja nga Spanja./TopChannel
Qysh në fillim të korrikut të sivjetmë, rekordet për temperaturën më të lartë mesatare në botë u thyen tri herë brenda një jave. Rekordi i ri u vendos më 7 korrik, kur bota ishte për 0.31 gradë Celsius më e nxehtë sesa në gusht të vitit 2016, kur ishte vendosur rekordi i mëparshëm. Ndër shkaqet që kanë çuar në këto temperatura të larta është sasia e madhe e dyoksidit të karbonit në atmosferë. Në këtë sasi kontribuojnë edhe Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor – më së shumti Serbia.
Sipas agjencisë për klimën në Administratën Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sasia e rritur e dyoksidit të karbonit në atmosferë shkakton “ngritjen e temperaturës globale”.
“Duke shtuar më shumë dyoksid të karbonit në atmosferë, njerëzit janë bërë katalizatorë të efektit serrë,”- thuhet në ueb-faqen e kësaj agjencie. Ndërkaq, Agjencia Kombëtare Aeronautike dhe Hapësinore (NASA) e SHBA-së pohon se efekti serrë është “proces që ndodh kur gazrat në atmosferën e Tokës e mbajnë brenda nxehtësinë e Diellit”, dhe shkaktohet nga “djegia e lëndëve djegëse fosile, si thëngjilli dhe nafta”. Ndonëse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë ndotësit më të mëdhenj të ambientit me dyoksid të karbonit, edhe ato kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës ndër vite.
Serbia është vendi që emeton ndjeshëm më shumë dyoksid të karbonit nga të gjitha vendet e rajonit brenda një viti, e ndjekur nga Bosnje e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut. Sipas të dhënave të Administratës Ndërkombëtare për Tregti (ITA) të SHBA-së, rreth 70 për qind e energjisë në Serbi prodhohet nga thëngjilli. Problem thelbësor, sipas Kornizës së Konventës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), mbetet sistemi i ngrohjes në Serbi.
UNFCCC-ja parashikon që përditësimi i sistemit të ngrohjes të Serbisë do të “eliminonte rreth 252.270 tonë dyoksid karboni, të emetuar gjatë tridhjetë vjetëve”. Por, rreth 31 milionë tonët e dyoksidit të karbonit që emetohen nga Serbia nuk janë shumë, në krahasim me ndotësit më të mëdhenj në botë: Kina, SHBA-ja, India dhe Rusia. Këto shifra paraqesin vetëm emetimin e dyoksidit të karbonit, por jo të të gjithë gazrave serrë, si metani, oksidi nitrik, hidrofluorokarbonet, e të tjera. Pamja, po ashtu, ndryshon ndjeshëm, kur merret parasysh madhësia e popullsive të vendeve të ndryshme.
Edhe pse Serbia mbetet sërish vendi që liron më së shumti dyoksid të karbonit në atmosferë, nga vendet e rajonit, dallimi mes saj dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor është dukshëm më i vogël.
Përderisa në rajon radhitet e treta, Kosova është e 92-ta, nga gjithsej 197 shtete të botës, në listën e vendeve që emetojnë më së shumti dyoksid të karbonit për kokë banori. Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), lëndët djegëse, si thëngjilli, nafta dhe gazi, janë kontribuuesit më të mëdhenj në ndryshimet klimatike, duke qenë “përgjegjëse për mbi 75 për qind të emetimit global të gazrave serrë, dhe pothuajse 90 për qind të emetimit total të dyoksidit të karbonit”.
Në Kosovë, rreth 95 për qind e energjisë elektrike prodhohet nga thëngjilli. Kjo varësi mbetet problematike, pasi që Kosova synon të jetë e dekarbonizuar deri në vitin 2050, ndërsa mëton që deri më 2031 ta rrisë kapacitetin e energjisë së prodhuar nga burimet e ripërtërishme në 35 për qind./REL
Evropa Juglindore vazhdon të përballet me atë që ekspertët po e quajnë “stuhi të nxehti”. Spanja, Italia dhe Greqia janë vendet më të prekura. Akropoli është mbajtur mbyllur edhe sot në Athinë deri në orët e pasdites. Një ishull spanjoll ka evakuuar katër mijë banorë nga rreziku i zjarreve pyjore. Agjencia Evropiane e Hapësirës njoftoi për shifra rekord duke thënë se temperaturat e larta që vijnë kryesisht si pasojë e ndryshimeve klimatike janë pjesë e një realiteti të ri me të cilin duhet të përshtatet bota.
Spanja, Italia dhe Greqia prej disa ditësh po përjetojnë temperatura përvëluese, duke dëmtuar bujqësinë dhe duke ua vështirësuar pushimet turistëve. Agjencia Evropiane e Hapësirës që vëzhgon temperaturën e sipërfaqes së tokës nga Hapësira paralajmëron që edhe në ditët në vijim të ketë temperatura më të larta.
“Kemi regjistruar javën e kaluar temperaturën e sipërfaqes së tokës në 60 gradë Celsius. Kjo nuk është temperatura e ajrit në kuptimin meteorologjik, por ajo tregon temperaturën aktuale të sipërfaqes së tokës, se si do të ndihej në prekje. Dhe ne besojmë se do të intensifikohet”, thotë Clement Albergel, Shkencëtar i Aplikimeve Klimatike në Agjencinë Evropiane të Hapësirës.
Italia lëshoi sot alarmin për motin e nxehtë për 16 qytete, pasi meteorologët paralajmëruan se temperaturat do të arrijnë nivele rekord në të gjithë Evropën Jugore në ditët në vijim.
Turistët arritën të shijojnë Venecian vetëm për pak kohë përballë temperaturave në rritje të shtunën. Qyteti po përgatitet për festivalin “Redentore”, një festival fetar dhe popullor, që përkujton fundin e murtajës shkatërruese të viteve 1575, e cila brenda dy vjetësh vrau më shumë se 50000 venecianë.
“Nxehtësia është vërtet e dëmshme për ne sepse nxehtësia në gondola arrin deri në 50 gradë. Unë jam një nga të paktët që përdor një mbulesë në dysheme për të mos ndjerë nxehtësinë e gondolës që të djeg këmbët. Ndonjëherë turistët nuk shkelin dot në gondola nga i nxehti ”, thotë Vinçenco, një gondolier në Venecia.
Në mëngjes, grupe të mëdha turistësh shëtisnin me çadra ndërsa të tjerët përpiqeshin të gjenin mundësi të tjera për t’u mbrojtur.
Në ishullin spanjoll La Parma, të paktën 4,000 njerëz u evakuuan pasi një zjarr në pyll doli jashtë kontrollit, thanë autoritetet.
Dhjetë njësi ajrore dhe 300 zjarrfikës në terren bënë përpjekje të vinin nën kontroll zjarrin në ishull, i cili është pjesë e një arkipelagu spanjoll në brigjet e Afrikës perëndimore.
Të paktën 13 shtëpi u shkatërruan ndërsa zjarri u përhap, tha Fernando Clavijo, president i Ishujve Kanarie.
“Kam parë shumë zjarre, por asnjë si ky. Kjo është e tmerrshme, e tmerrshme”, tha një e evakuuar që nuk u identifikua.
Në Athinë, ndërsa paralajmërohej se temperaturat do të arrijnë deri në 41 gradë Celsius për tre ditë radhazi, autoritetet e mbajtën të mbyllur zonën arkeologjike të Akropolit edhe të dielën gjatë orëve më të nxehta.
Tempulli i Partenonit që vizitohet nga miliona turistë çdo vit dhe i cili nuk ka hije, u mbyll nga ora 1 e drekës deri në orën 17:00 sipas të përditshmes greke ‘Kathimerini’.
“Nxehtësia, është e vështirë, por do ta përballojmë pasi nuk e di nëse do të vijmë përsëri, kështu që duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi. Do të pijmë ujë, mbajmë kapele dhe pushojmë kur të mundemi”, thotë turistja nga Shtetet e Bashkuara, Pandora Sohal ndërsa po qëndron në Athinë.
Ministri i Shëndetësisë i Italisë Orazio Schillaci tha se autoritetet po vëzhgonin me vëmendje Romën.
“Të shkosh në Koloseum kur është 43 gradë clecius nuk është e këshillueshme, veçanërisht për një person të moshuar” i tha ai gazetës Il Messaggero të dielën.
Përveç kryeqytetit italian, alarmet shëndetësore janë vendosur nga qyteti i Firences deri në Palermo në Siçili dhe Bari, në juglindje të gadishullit.
Meteorologët italianë po e quajnë këtë fazë të nxehtit “Charon” një referencë për një figurë mitologjike greke që ka të bëjë me shpirtrat e të vdekurve. “Charon” u fut në rajon nga Afrika e Veriut të dielën dhe mund të ngrinte temperaturat mbi 45 Celsius në disa pjesë të Italisë.
Sipas Agjencisë Evropiane të Hapësirës për javën e ardhshme pritet edhe një tjetër valë të nxehti në Evropën Jugore me temperatura edhe më të larta.
“Shoqëria jonë duhet të përshtatet me këto temperatura që po bëhen një lloj normaliteti i ri, vit pas viti. Për shkak të ndryshimeve klimatike ne mund të ndjejmë se këto valë të nxehtit po ndodhin me një frekuencë më të lartë. Ajo që kemi përjetuar vitin e kaluar dhe tani është një paralajmërim për klimën tonë të ardhshme”, thotë shkencëtari i Agjencisë Evropiane të Hapësirës, Clement Alebergel.
Ai tha se temperaturat e larta mund të shkaktojnë një sërë problemesh shëndetësore, nga rraskapitja nga nxehtësia dhe dehidratimi i rëndë, si dhe të rrisin rrezikun e goditjeve në zemër ose goditjeve në tru. Alebergel tha se përveçse në Evropën Juglindore, kudo në mbarë globin, nga Japonia në Amerikën e Veriut, priten temperatura që mund të shënojnë rekorde në ditët në vijim./VOA
EUROPË- Evropa po piqet nën diellin e nxehtë, me potencial që temperaturat të arrijnë 45 gradë Celsius në disa pjesë të Spanjës.
Italia dhe Greqia po përjetojnë gjithashtu valë të nxehta, me ekspertët e klimës që deklarojnë se bota sapo ka pasur javën e saj më të nxehtë në histori. Por çfarë po ndodh në Evropë dhe ku do të jetë vendi më i nxehtë këtë javë? Po ndryshimet klimatike? Sky News u përgjigjet disa prej pyetjeve kryesore në këtë artikull shpjegues.
Çfarë po ndodh, dhe pse?
Temperaturat në të gjithë Evropën po rriten pasi kontinenti është goditur nga një valë të nxehti, me mërkurin që kap shifra 5 ose 10 gradë Celsius mbi mesataren.
Pse po ndodh e gjithë kjo? Ka disa arsye.
Një zonë me presion të lartë është bllokuar mbi Mesdheun jugor, në veçanti në Spanjë, dhe retë e pluhurit të Saharasë po përkeqësojnë gjithashtu kushtet atmosferike.
A ndikon ndryshimi i klimës?
Një faktor tjetër që kontribuon janë temperaturat jashtëzakonisht të larta të sipërfaqes së detit, që do të thotë se ajri më i freskët nuk po fryn në brendësi të Mesdheut. "Shoqëria Meteorologjike Italiane" e ka quajtur valën e të nxehtit sipas përbindëshit mitik, Cerberus, i cili thuhej se ruante portat e Ferrit.
Në Ferrin e Dante Alighierit, veprën e famshme të poetit italian për një udhëtim nëpër Ferr, Cerberus është një qen me tre koka që mundon mëkatarët në rrethin e tretë të Ferrit.
Ku është pjesa më e nxehtë e Evropës?
Duket se Spanja do të zërë vendin e parë këtë javë, pasi termometrat mund të arrijnë 45 gradë celcius në zonat juglindore të Gadishullit Iberik. E njëjta temperaturë u arrit të hënën në një fshat afër Granadës në fillim të valës së të nxehtit. Ndërkohë, 10 qytete në Itali kanë vënë alarmin për të moshuarit.
Kur do të përfundojë vala e të nxehtit?
Ka potencialisht disa lajme të mira për Spanjën, pasi pritet mot më i freskët në ditët në vijim.
Ruben del Campo, një meteorolog nga agjencia kombëtare e motit të Spanjës, tha: Të mërkurën, ne presim që temperaturat të bien në përgjithësi me ardhjen e erërave të ftohta nga veriu dhe lindja, me përjashtim të Andaluzisë juglindore dhe jugore, ku fryjnë erëra të nxehta.
Ndërsa pritet një lehtësim në ditët në vijim për Gadishullin Iberik, vendet e tjera evropiane do të djersiten gjatë fundjavës. Sipas Met Office, vala e të nxehtit mund të zgjasë edhe një javë dhe ndoshta më gjatë në disa zona.
A shkaktohet kjo nga ndryshimet klimatike?
Vala e fundit e të nxehtit vjen pasi bota përjetoi javën e saj më të nxehtë të regjistruar në fillim të korrikut - pas qershorit më të nxehtë ndonjëherë. Të dhëna këto të siguruara nga Organizata Botërore Meteorologjike. Në fillim të kësaj jave, një studim i ri zbuloi se më shumë se 61,000 njerëz humbën jetën në Evropë verën e kaluar si rezultat i nxehtësisë ekstreme.
SHBA- Disa pjesë të Shteteve të Bashkuara pritet të regjistrojnë temperatura rekorde të dielën, ndërsa me mot të nxehtë pritet të përballen edhe javën e ardhshme. Gati një e treta e amerikanëve, rreth 113 milionë njerëz, janë aktualisht të paralajmëruar për rreziqet e motit të nxehtë, që është shtrirë nga Florida dhe Kalifornia e deri në Uashington.
Shërbimi Kombëtar i Motit u ka bërë thirrje njerëzve që të mos e nënvlerësojnë rrezikun që mund t’iu shkaktohet. Të shtunën në Feniks të Arizonës temperatura ka arritur në 48 gradë Celsius. Klinikat mobile kanë raportuar se i kanë trajnuar të pastrehët, pasi ata kanë pësuar djegie të shkallës së tretë.
Ka parashikime që zona e Kalifornias – një prej vendeve më të nxehta në botë – të regjistrojë temperaturë 54 gradë Celsius, shifër që nuk është regjistruar më parë në botë. Përdorimi i kondicionerëve ka shënuar rekord të ri, derisa parqet, muzetë dhe kopshtet zoologjike ose janë mbyllur, ose i kanë shkurtuar oraret e punës.
Shkencëtarët besojnë se temperaturat po rriten për shkak të ndryshimeve klimatike dhe si pasojë e fenomenit El Nino, i cili aktivizohet çdo tre deri në shtatë vjet dhe ndikon në rritje të temperaturave. Temperatura e Tokës është rritur për 1.1 gradë Celsius prej nisjes së epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten, përveç nëse qeveritë në mbarë botën marrin hapa për t’i ndalur emetimet e karbonit.
Marrë nga REL