Fredi Beleri
GREQI- Rasti i arrestimit të kandidatit për kryetar të Bashkisë Heimarë Fredi Beleri, mbrëmjen e së enjtes nga autoritetet shqiptare është kthyer në një “thriller”,- kështu e nis artikullin media greke 'CNN Greece'.

Ndërkohë në një artikull nga media greke 'Protothema', shkrimi fillon me: Nuk konfirmohet nëse është liruar kandidati për kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri'. Më tej raportohet se ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias ka kontaktuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si dhe ka informuar kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, për atë që po ndodh në vendin tonë.

Gjatë artikullit të 'CNN Greece' bëhet e ditur se reagime kanë ardhur nga Ambasadorja e Greqisë në Tiranë , Konstantina Kamitsi, e cila pas udhëzimeve të Ministrisë së Jashtme, doli në një marsh proteste drejt Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve, Takis Theodorikakos, ka telefonuar homologun e tij shqiptar, Bledi Çuçin, dhe i ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të kandidatit për kryetar bashkie mërgimtar.
Incidenti u dënua edhe nga kreu i departamentit të Punëve të Jashtme, Giorgos Katrougalos , duke theksuar se arrestimi i Belerit "krijon shqetësim dhe pikëpyetje". Giorgos Katraugalos ka komentuar arrestimin me anë të një postim ku shkruan: Arrestimi dhe ndalimi nga autoritetet policore të Shqipërisë të kandidatit për kryetar Bashkie në Himarë, Fredi Beleri dy ditë para zgjedhjeve bashkiake, krijon shqetësim dhe pikëpyetje të rënda. Duhet të ketë një reagim të menjëhershëm. Presim që përtej hapit të vetëkuptueshëm në nivel dypalësh, Qeveria të mobilizohet me vendosmëri edhe në nivel të BE-së dhe OSBE-së.
Shkrimi i medias greke CNN mbyllet me një njoftim të Bashkimit të Himariotëve ku thuhet:
Populli i Himarës ka vuajtur shumë prej 12 vitesh për të hequr dorë nga e drejta për të zgjedhur në mënyrë demokratike kryetarin e bashkisë. Banorët e Himarës e meritojnë të kenë kryetarin që duan. Beleri u ndalua me dhunë pa asnjë akuzë, me një qëllim dhe të vetëm: të trembte votuesit e tij që të mos shkonin në kuti dhe t'ia linin rrugë kryebashkiakut të zgjedhur nga Rama. U bëjmë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve që të mos dorëzohen. Ne i sigurojmë ata se nuk kanë asgjë për t'u frikësuar. Të dielën votojmë masivisht dhe të hënën kryetar bashkie do të jetë Beleri”.
Fredi Beleri u arrestua mbrëmjen e djeshme në ambientet e lokalit të tij. Bashkë me të në pranga u vunë edhe dy persona të tjerë. Ata akuzohen për blerje votash, gjë e cila hidhet poshtë të arrestuarit./Dosja.al