
TIRANË– Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se edhe kjo fundjavë do të vijojë të jetë gjysmë e bllokuar, njësoj si e shkuara. Përmes një statusi në Facebook, Rama shkruan se kjo fundjavë do të vijojë të jetë njësoj si e shkuara dhe uron që qytetarët t’ja kalojnë sa më bukur.
“Kjo fundjavë do të vijojë njësoj si e shkuara. Ta kaloni sa më qetë,”– shkruan Rama në statusin e tij në Facebook.
Por si ishin oraret javës që shkoi?
E shtuna u lejua që të kishte hapur vetëm marketet dhe farmacitë, ndërsa e diela ishte totalisht e mbyllur. Përjashtim bëjnë të gjithë ata që kanë autorizimin për të lëvizur me mjetet e tyre dhe për punë.
Të shtunën dhe të dielën në zonat e kuqe lejohen që të dalin nga banesat e tyre pensionitët dhe prindërit me fëmijë deri në moshën 14-vjeç. Pensionistët lejohen të dalin deri në orën 10:00, ndërsa prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç lejohen të dalin lirisht nga ora 11:00 deri në orën 17:30 të pasdites. Të shtunën lejohet hapja e dyqaneve ushqimore dhe farmacitë deri në orën 17:30. Ndërkohë të dielën të gjitha aktivitetet do të jenë mbyllur. Po kështu, në këto dy ditë nuk lejohet qarkullimi i makinave, përveç atyre që kanë autorizim.
Bashkitë që janë në zonën e kuqe: Tirana, Durrësi, Shkodra, Kurbini, Kruja dhe Fieri.
Pjesa tjetër e bashkive të gjelbra janë me rregulla të reja, ku aktualisht lejohet lëvizja e lirë dhe nuk ka nevojë për autorizime.
(f.m/dosja.al)