Ekonomi

Monopoli i kontrollit teknik, Ministria shtyn afatin e kontratës me SGS, koncesionari do të vijojë të marrë miliona euro

Në 10 vite të operimit të koncesionarit nga vlerësimet edhe të Ministrisë nuk ka patur përmirësim në ofrimin e shërbimeve. Përkundrazi shërbimi është ofruar me kosto edhe më të larta.
Featured image of article: Monopoli i kontrollit teknik, Ministria shtyn afatin e kontratës me SGS, koncesionari do të vijojë të marrë miliona euro Kryeministri, Edi Rama

TIRANË- Ashtu siç edhe pritej, është shtyrë kontrata me koncesionarin që ka monopol në kontrollin teknik të automjeteve, kompaninë zvicerane SGS.Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shtyrë kontratën me SGS deri në 2020.

Kryeministri Edi Rama premtoi se do të hiqej monopoli nga koncesionari SGS për të lejuar edhe operatorë të tjerë që të ofrojnë shërbimin e kolaudimit, por duket se Ministria dhe qeveria nuk janë në të njëjtën linjë.

Shtatori shënoi zyrtarisht afatin e fundit që ky koncesion 10 vjeçar të administrohej nga kompania SGS Albania.

Sipas kontratës, ky duhet të ishte viti i fundit i këtij koncesioni dhe shërbimi i kontrollit teknik të automjeteve duhej ti rikthehej shtetit, së bashku me të gjitha asetet dhe investimet e kryera nga privati. Por edhe pse duhet të kishte nisur procedurat për marrjen e shërbimit në shtet që disa muaj më parë, por Ministria e infrastrukturës hodhi asnjë hap.

Koncesioni i kolaudimit të automjeteve ka qenë një prej kontratave më të debatueshme.

Në 10 vite të operimit të koncesionarit nga vlerësimet edhe të Ministrisë nuk ka patur përmirësim në ofrimin e shërbimeve. Përkundrazi shërbimi është ofruar me kosto edhe më të larta.

Ndonëse në kontratë është parashikuar që koncesionari do të ofronte sportele të lëvizshme të kontrollit të automjeteve, ato nuk janë realizuar, çka ka bërë që shërbimi të ofrohet duke krijuar radhë ta gjata në pikat e kolaudimit.

Për këtë fakt kompania u gjobit nga Autoriteti i Konkurrencës me 51 milionë lekë gjobë, për abuzim me pozitën monopol në treg. Tashmë i mbetet qeverisë të vendosë në do të liberalizojë tregun apo të vijojmë më situatën monopol në ofrimin e këtij shërbimi.

(f.g/dosja.al)

Shto Koment