Gentian Sula
TIRANË - Biznesmeni, Gentian Sula, është paraqitur paraditen e kësaj të mërkure në Prokurorinë e Posaçme, SPAK për tu marrë në pyetje lidhur me hetimet e dosjes "Veliaj", ku përmendej edhe emri i tij.
Sula është në mesin e biznesmenëve që janë nën hetim në dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe dyshohen si përfitues të tenderave nga Bashkia e Tiranës. Ndaj tij GJKKO caktoi masën e sigurisë detyrim paraqitje. Sipas vendimit të gjykatës Sula duhet të paraqitet në SPAK të Premten e parë dhe të katërt të çdo muaj, në orën 14:00.
Lidhja e Sulës me Veliajn sipas Dosjes së SPAK
Gentian Sula, është pronar i kompanisë së ndërtimit ‘Agi Kons’. Lidhja e të cilit me Veliaj sipas SPAK, fillon që në momentin kur kryebashkiaku i sotëm mbulonte detyrën e Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale.
Koha kur Veliaj blen një banesë në bllokun rezidencial Kodra e Diellit në Tiranë. Bllok banimi që është në pronësi të Gentian Sulës. Ku fill pas këtij momenti, Veliaj, asokohe në detyrën e Ministrit të Punës, emëron si zv/ministre bashkëshorten e biznesmenit Gentjan Sula.
Marrëdhënie sipas SPAK e cila është e pandarë edhe në vazhdim. Edhe gjatë kohës kur Veliaj zgjidhet si kryetar i Bashkisë Tiranë. Koha kur shoqëria ‘Agi Kons’ me pronar Gentian Sulën fillon dhe fiton leje të pafundme ndërtimi. Leje të cilat sipas SPAK, i kthehen në shpërblim Veliajt në formën e vilave në bregdet.
Sipas SPAK, Veliaj posedon 3 vila në fshatin rezidencial Qerret në Kavajë të ndërtuara nga shoqëria ‘Agi Kons’ në pronësi të biznesmenit Gentian Sula. Një nga vilat posedohet nga vëllai i tij, një vilë e ka vetë Veliaj dhe një të tretë e ka shembur për të krijuar hapësira shtesë.
Sipas SPAK shkuarja te këto vila dhe lidhjet e çiftit Veliaj-Xoxa, me biznesmenin Gentian Sula kanë ardhur pas denonncimit të bërë nga shtetasi me emrin Nesti Angoni. Emri i të cilit duket një krijim fiction i vetë SPAK, për të ruajtur të paprekur identitetin e tij. Ai i cili ka treguar edhe fakte të tjera rreth Erion Veliaj dhe lëvizjeve që kanë kryer familjarë të tij të ngushtë.
Kjo lidhje klienteliste midis Gentian Sulës dhe Erion Veliaj si zyrtar publik sipas SPAK është shoqëruar edhe me tenderë të shumtë të cilët kanë shkuar në favor të kompanisë së ndërtimit në pronësi të biznesmenit. I cili gjatë kësaj kohe ka fituar tenderë të rëndësishëm që kanë të bëjnë me zhvillimin e qytetit. Si në infrastrukturën arsimore deri te punët publike, që përkthehen në miliona euro fonde të tenderuara nga Bashkia Tiranë.
Arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj
Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Po ashtu, në GJKKO është paraqitur edhe bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa, e cila është lënë fillimisht në masë sigurimi “arrest shtëpie”, por pas rivlerësimit të masës është lënë në detyrim paraqitje.
Sipas SPAK nga të dhënat konkrete, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, Veliaj, bashkëshortja e tij dhe 6 biznesmenët e tjerë është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.
Masat e sigurisë dhe akuzat përkatëse për të pandehurit
-Erion Veliaj – Arrest me burg; korrupsion (9 raste) dhe pastrim parash
-Ajola Xoxa – Detyrim paraqitje; korrupsion (9 raste), pastrim parash, fshehje pasurie
-Elman Abule -Arrest me burg; Pastrim Parash
-Gentian Sula – Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv
-Meriman Palushi – Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv
-Fatmir Bektashi -Detyrim paraqitjeje; Korrupsion aktiv
-Sokol Kryeziu – Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv
-Shkëlqim Fusha – Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv