Protesta për Zvërnecin/ Protestuesit çajnë kordonin metalik, policia i sulmon me ujë. Tubimi shpërndahet në gjithë Tiranën
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Tragjedia me dy viktima në Shëngjin, policia jep detaje: Të gjithë shtetas nga Kosova, tre persona në spital 3 Qersho...
“Ka forca në Shqipëri dhe jashtë që janë kundër”/ Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thot&eum...
"Shqipëria është e shqiptarëve"/ Qytetarët mbushin rrugët e Tiranës, kërkojnë anulimin e pr...
•Udhëheqësit e aleancës ushtarake të NATO-s kanë nisur sot samitin në Vilnius të Lituanisë. •Temat që do të diskutohen sot dhe nesër janë përpjekjet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO si dhe pranimi i Suedisë në aleancë. •I pranishëm në samit ka qenë edhe kryeministri Edi Rama. •Gjithashtu pjesëmarrës në samit ishte edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i cili më herët u shpreh se pret që vendit të tij t’i bëhet sa më shpejt ftesa për t’u bërë pjesë e aleancës. •Sakaq, Turqia ka miratuar kërkesën e Suedisë dhe ka hapur rrugën drejt anëtarësimit të vendit në NATO. •Po ashtu Hungaria sinjalizoi sot se është e gatshme të japë dritën jeshile për ofertën e saj. •Presidenti amerikan Joe Biden e ka quajtur një moment historik zgjerimin e aleancës me Finlandën dhe Suedinë. •Sakaq, Gjermania ka premtuar se do të dëgojë në Ukrainë armë me vlerë rreth 700 milionë euro si ndihmë shtesë ushtarake. •Në axhendën e diskutimeve në Samit, Kosova është përjashtuar. •Samiti zhvillohet në një kohë kritike për sigurinë në Evropë, pasi lufta në Ukrainë është në mesin e një kundërofensive të Kievit.
31 artikuj për këtë temë.
LITUANI- Kryeministri Edi Rama është takuar ditën e sotme me delegacionin e Senatorëve Amerikanë në Samitin e NATO-s për të biseduar rreth situatës në veri të Kosovës. Me anë të një postimi në Facebook, Rama shkruan se tensionet janë kthyer në një përshkallëzim të rrezikshëm. Sipas tij, kjo duhet të ndalet sa më parë dhe palët të kthehen në tryezën e dialogut.
Postimi i Plotë:
Vilnius, Lituani - Me delegacionin e Senatorëve Amerikanë në Samitin e NATO-s, në një takim të kërkuar prej tyre nisur nga shqetësimi për situatën në Veriun e Kosovës dhe qasjen jokonstruktive të palëve, e cila ka çuar në një përshkallëzim të rrezikshëm që duhet ndalur një orë e më parë, për t’u kthyer në tryezën e Dialogut duke finalizuar Marrëveshjen e Normalizimit.
LITUANI- Teksa mbahet samiti i NATO-s, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka mbajtur një fjalim para një grupi të madh qytetarësh në Vilnius të Lituanisë. Zelenskyy u shpreh se anëtarësimi i Ukrainës do e bëjë NATO-n më të fortë, por edhe anasjelltas, shkruan Sky News.
“NATO do ta bëjë Ukrainën më të sigurt dhe Ukraina do ta bëjë NATO-n më të fortë”, ishin fjalët e Zelenskyy-t.
Samiti zhvillohet në një kohë kritike për sigurinë në Evropë, pasi lufta në Ukrainë është në mesin e një kundërofensive të Kievit.
LITUANI- Kryeministri Edi Rama është takuar me homologun grek ditën e sotme në Lituani. Protothema shkruan se tema e takimit mes tyre ishte çështja e arrestimit të Fredi Belerit.
Gjatë takimit Mitsotakis theksoi nevojën për zgjidhjen e menjëhershme të çështjes, duke nënvizuar se në Shqipëri ka një çështje shteti ligjor. Po ashtu Mitsotakis i kujtoi Ramës së, çështja e shtetit ligjor në Shqipëri është një nga kriteret e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Fredi Beleri, kandidat i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit dhe akuzohet për blerje votash. Prokuroria dhe Policia e Vlorës e ndoqën rastin me metoda speciale hetimi, duke përdorur agjent të infiltruar, i cili për tetë vota mori 400 mijë lekë të vjetra. Beleri u arrestua në kushtet e flagrancës. Pavarësisht se u arrestua para zgjedhjeve, Beleri qëndroi si kandidat nga burgu dhe me ardhjen e mijëra minoritarëve nga Greqia arriti të fitonte zgjedhjet me një diferencë minimale votash, ndaj kandidatit socialist Jorgo Goro./Dosja.al
LITUANI- Kryeministri Edi Rama ka pasur një moment të sikletshëm gjatë samitit të NATO-së në Lituani. Teksa do të jepte një intervistë, Rama iu kthye gazetares Rachel Rizzo, duke i thënë se karriget ishin të vogla për madhësinë e tij. Gazetarja e ka pritur këtë koment të Ramës me të qeshur, ndërkohë që shtoi se do ta kenë parasysh sugjerimin për të pasur karrige më të mëdha.
Rama: Ju prisni njerëz të vegjël në këto karrige.
Rachel Rizzo: Duhet t’i kishim ndryshuar keni të drejtë. Do ta kemi në mendje për herë të tjetër.
Rama: Rishi Sunak.
Rachel Rizzo: Mënyra më e mirë për të filluar.
Rama: Si mund të qëndroni këtu, si në plazh.
LITUANI- Kryeministri Edi Rama ka folur në lidhje me marrëdhëniet që ka vendi ynë me Rusinë dhe me Kinën. Gjatë samitit të NATO-së në Lituani, Rama ka kujtuar kohën e diktaturës në Shqipëri, por ka theksuar se këto janë martesa të vjetëra. Po ashtu ai theksoi se me Kinën, vendi ynë ka marrëdhënie më miqësore se sa me Rusinë, por shtoi se nuk pret bum investimesh nga asnjë prej këtyre shteteve.
"Ne nuk i kemi këto probleme sepse ne e patëm Kinën dhe Rusinë kur të gjithë të tjerët vendosën ti lëshonin ato. Ne u bashkuam me Stalinin dhe më pas me Kinën duke e konsideruar zotin të paligjshëm dhe shkatërruam mbi 200 objekte fetare. Si Rusia dhe Kina janë martesa të vjetëra të cilave ne nuk do të donim t’iu kthehshim. Me Kinën ne jemi ndryshe sepse kemi marrëdhënie miqësore, pro nuk është vendi ku Kina ka ndërhyrë kaq shumë me investime dhe nuk presim bum investimesh kineze të të them të drejtën. Me këtë, them se i thash të gjitha," tha Rama.
LITUANI- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaron se aleanca do të dwrgojw një ftesë për Ukrainën për t’u bashkuar kur aleatët të bien dakord dhe të plotësohen kushtet.
Ai tha se detyra më urgjente tani është të sigurohet që Ukraina të mbizotërojë kundër agresionit rus. Ai tha se pa këtë rezultat, nuk mund të ketë fare diskutim për anëtarësim, shkruan BBC.
Stoltenberg tha se ai mirëpret mbështetjen e liderëve të NATO-s për Kievin, duke shtuar se ka pasur njoftime të reja thelbësore për mbështetjen ushtarake nga anëtarët në ditët e fundit.
LITUANI- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se muxhahedinët në Shqipëri kishin një marrëveshje për të respektuar. Gjatë një bisedë në samitin e NATO-së në Lituani, Rama tha se ata nuk do e përdornin Shqipërinë si një platformë politike për të sulmuar regjimin. Rama tha se për shkak të MEK-ut, Shqipëria u sulmua nga Irani.
"Si shembull mund të them se ne jemi një vend i vogël dhe nuk jemi në një pozitë për të ndryshuar fatin e ndonjë luftë konflikti apo beteje, por kur ne na kërkohet që të ndihmojmë, jemi shumë të lumtura që ta bëjmë. Në na kërkuan që të ndihmojmë për grupin MEK që janë një kafshatë e fortë, ndryshe do t’i ishin masakruar nga shërbimet sekrete në Iran na u kërkuan që të shpëtojmë jetën e tyre. Shqiptarët e kanë ADN-në tyre të shpëtojnë jetën e tjerëve. Marrëveshja ishte e qartë se ata do të qëndronin në Shqipëri të ishin të sigurt dhe jo për ta kthyer Shqipërinë në një platformë politike për të sulmuar regjimin. Ne u prekëm nga sulmet kiberentike nga Irani. Po përpiqemi të bëjmë shumë të për forcuar sigurinë kibernetike," tha Rama.
LITUANI- Kryeministri Edi Rama ka folur në lidhje me tensionet në veri të Kosovës. Gjatë një bisede në samitin e NATO-së në Lituani, Rama ka deklaruar se tensionet po krijojnë një palë të tretë në veri të Kosovës, e cila po fuqëzohet çdo ditë e më shumë. Sipas Ramës, kjo palë e tretë janë grupet ekstreme.
“Jam shumë i rehatuar nga fjala e presidentit Biden sot në Këshill, që foli për këto tema. Problemi i Ballkanit Perëndimor sot, në lidhje me sigurinë, ndoshta mund të mos jetë në të njëjtën madhësi, të problemit të madh ukrainas, por nuk është aq e vogël sa të trajtohet si diçka e pavlefshme. Dhe çfarë po ndodh, diçka që është vërtetë shumë e rrezikshme me veriun e Kosovës, që të bëhet një vatër zjarri me një kërcënim të hapjes së konfliktit dhe teksa lehtësimi i dialogut të BE-së punon me të dyja palët, me Beogradin dhe Prishtinën, ka një palë të tretë që është duke u ngritur, grupet ekstreme në veriun e Kosovës”, tha Rama.
LITUANA- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se popullariteti i Presidentit rus Vladimir Putin në Shqipëri varion nga 0.7 deri në 1.2%. Në një bisedë gjatë samitit të NATO-së në Lituani, Rama ka deklaruar se shqiptarët e kanë mësuar vlerën e lirisë dhe demokracisë. Për këtë Rama tha se ka shërbyer regjimi diktatorial që kemi qënë.
“Për ne vjen natyrshëm, sepse ne e kemi mësuar vlerën e lirisë dhe demokracisë gjatë gjithë jetës së shtetit tonë. Ne kemi qenë të deprimuar nga të drejtat me metodat më brutale të para ndonjëherë brenda perandorisë komuniste. Shqipëria është një vend ku popullariteti i Vladimir Putinit shkon nga 0.7-1.2%. Pra, ne nuk kemi asgjë tjetër përveç një mirëkuptimi të plotë dhe një mbështetje të plotë nga i gjithë opinioni publik në Shqipëri. Pyetja e madhe që shtrohet, është sesi demokracitë mund t’i bëjnë ballë një diktatori, ose një regjimi diktatorial në një konflikt, sepse demokracitë duhet të luftojnë dhe të njëjtën kohë, duhet të dëgjojnë njerëzit. Ndërsa, Vladimir Putini nuk ka ndokënd tjetër që të dëgjojë”, tha Rama.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg thotë se aleanca ushtarake dëshiron të ketë 300,000 trupa në gatishmëri të lartë. Duke folur në samitin e NATO-s në Vinius të Lituanisë, Stoltenberg u shpreh se shtetet anëtare duhet të investojnë më shumë në mbrojtje, shkruan BBC.
“Ne duhet të investojmë më shumë në mbrojtje. Vlerësimi ynë i fundit tregoi se shpenzimet e mbrojtjes nga aleatët evropianë dhe Kanadaja do të rriten me 8.2 për qind në vitin 2023. Kjo është rritja më e madhe në dekada", tha ai.
Kreu i NATO-s tha gjithashtu se 11 aleatë kanë arritur ose tejkalojnë standardin prej 2 për qind dhe aleanca pret që ky numër të rritet ndjeshëm vitin e ardhshëm.
BRITANI- Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace shprehet se Ukraina mund t'i bashkohet NATO-s vetëm pas përfundimit të luftës.
"Ukraina duhet t’i bashkohet NATO-s sa më shpejt që të jetë e mundur por vetëm pas përfundimit të luftës”, tha Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace për CNN.
Presidenti ukrainas Volodymyr ZelenskYy ka kërkuar prej kohësh të bashkohet me aleancën, por shumë anëtarë kanë rezerva për shkak të luftës së saj me Rusinë. Presidenti i SHBA-së Joe Biden tha për se CNN se Ukraina nuk është ende gati për t’u bashkuar me NATO-n, një mesazh që Wallace e bëri jehonë në intervistën me CNN.
“Unë jam plotësisht dakord me Shtetet e Bashkuara se ne nuk mund të kemi një anëtar të ri në mes të një konflikti. Kjo thjesht do të çonte aleancën në luftë me Rusinë”, tha Wallace.
Wallace tha se anëtarët e NATO-s duhet të punojnë së bashku për të siguruar që Rusia të humbasë në luftën e paligjshme në Ukrainë.
RUSI- Turqia bën mirë të mos ketë iluzione se një ditë do të lejohet që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, tha Kremlini më 11 korrik, teksa Moska shprehu dëshirën për forcimin e raporteve me Ankaranë pavarësisht mosmarrëveshjeve, përfshirë edhe atë për zgjerimin e NATO-s.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, iu përgjigj pyetjeve lidhur me vendimin e Turqisë për të mbështetur pranimin e Suedisë në NATO, një ditë para se aleanca të niste samitin dyditor në Vilnius.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka synuar që të mbajë raporte të mira edhe me Moskën, edhe me Kievin, gjatë luftës në Ukrainë. Ai ka refuzuar që t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe ka ftuar presidentin rus, Vladimir Putin, që në gusht ta vizitojë Turqinë.
Turqia ka bllokuar pranimin e Suedisë, duke e akuzuar shtetin nordik se nuk ka bërë mjaftueshëm për të shtypur personat që Ankaraja i konsideron terroristë. Të hënën, megjithatë, Erdogan hoqi dorë nga kundërshtimet e tij, duke i mundësuar Suedisë që të bëhet anëtarja e 32-të e NATO-s.
Rusia e sheh zgjerimin e NATO-s si kërcënim për sigurinë e saj, por Peskov minimizoi sugjerimet se Turqia po largohej nga Rusia dhe po i afrohej Perëndimit.
“Turqia mund ta orientojë veten drejt Perëndimit. Ne e dimë që në historinë e Republikës së Turqisë ka pasur periudha të orientimit intensiv drejt Perëndimit, dhe ka pasur periudha më pak intensive”, tha ai gjatë një konference për media.
“Por, ne po ashtu e dimë se askush nuk dëshiron ta shohë Turqinë në Evropë, e kam fjalën për evropianët. Partnerët tanë turq nuk duhet të krijojnë iluzione”, tha ai.
Ai aludoi në rezistencën e kamotshme të BE-së për ta pranuar Turqinë, e cila për herë të parë ka aplikuar për anëtarësim në bllokun evropian më 1987.
Erdogan tha të hënën se BE-ja duhet të hapë rrugën për rinisjen e bisedimeve për anëtarësimin e shtetit të tij në bllok në këmbim të heqjes së bllokadës turke për anëtarësimin e Suedisë në NATO.
Peskov tha se Rusia e kupton se Turqia ka përmbushur obligimet e saj si anëtare e NATO-s sa i përket çështjes së Suedisë, por shtoi se Moska dëshiron të vazhdojë të ndërtojë raporte më të mira dypalëshe me Ankaranë, pavarësisht “të gjitha mosmarrëveshjeve”.
Kremlini po kërkon që të ndërtojë një qendër të re në Turqi për eksportimin e gazit rus, pasi Moska ka ndryshuar rrugët e transportimit të gazit, për shkak se pas nisjes së pushtimit, Evropa reduktoi ndjeshëm varësinë e saj ndaj energjisë ruse./REL
LITUANI- Ashtu siç u lajmërua, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy do të ishte i pranishëm në samitin e sotëm të NATO-s në Vilnius. Siç raportojnë mediat e huaja, Zelenskyy sapo ka mbërritur në kryeqytetin e Lituanisë, ku liderët e vendeve anëtare të NATO-s do të diskutojnë anëtarësimin e Ukrainës në aleancë.
Më herët, ne raportuam se Zelenskyy tha se do të ishte "absurde" nëse Ukrainës nuk i ofrohet anëtarësimi në samit. Presidenti ukrainas tha në Twitter se nuk shihte gatishmëri as për ta ftuar Ukrainën në NATO dhe as për ta bërë atë anëtare.
Zyrtarë të tjerë ukrainas po marrin pjesë gjithashtu në samit, duke përfshirë ministrin e mbrojtjes të vendit Oleksii Reznikov.
LITUANI- Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken gjatë një interviste mëngjesin e së martës në NBC tha se Ukraina do të marrë një paketë të fuqishme mbështetjeje politike dhe praktike nga aleatët e NATO-s në samitin në Vilnius, Lituani.
"Ne kemi një aleancë të unifikuar që do të demonstrojë në mënyra shumë praktike mbështetjen e saj të qëndrueshme për Ukrainën, duke përfshirë faktin e anëtarësimit," tha Blinken.
Ai tha se do të ketë një demonstrim të qartë të përparimit që ka bërë Ukraina drejt anëtarësimit, shkruan CNN.
"Kjo do të reflektohet në atë që do të dalë nga samiti, si dhe në punën që ende duhet të bëhet. Unë mendoj se të gjithë e kanë qenë të qartë, duke përfshirë presidentin (Volodymyr) Zelenskyy, se në mes të një lufte, anëtarësimi nuk mund të ndodhë, por ata kanë bërë përparim të vërtetë dhe aleanca do të përcaktojë reformat e mëtejshme si në aspektin e sigurisë së tyre. puna dhe demokracia e tyre që janë të nevojshme për të vazhduar ecjen në atë rrugë," tha ai.
Komentet e Blinken vijnë pasi presidenti ukrainas shprehu shqetësimin e tij për atë që NATO po konsideron t'i ofrojë Ukrainës në samit, duke kërkuar nevojën për një ftesë për Ukrainën për t'u bashkuar me aleancën.
LITUANI- 'Një moment historik' kështu e cilësoi presidenti amerikan Joe Biden zgjerimin e ardhshëm e NATO-s, duke komentuar përfshirjen e Finlandës dhe Suedisë në agjendën e samtiti të NATO-s.
“Ky moment historik i anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO ka një rëndësi të madhe”, tha presidenti amerikan, me Jens Stoltenberg në krah, të cilin e uroi për rinovimin e mandatit të tij.
Po ashtu ai shprehu kënaqësinë e tij për gjuhën e përdorur nga aleatët, në lidhje me mundësinë e ardhshme të Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, pasi lufta e Rusisë në Ukrainë është ndër temat kryesore në axhendën e liderëve të NATO-s në Vilnius.
LITUANI- Siç është tradicionale në këto ngjarje, udhëheqësit e NATO-s qëndruan të gjithë së bashku për të bërë një foto familjare. Në fotot e publikuara nga BBC, shihet kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe presidenti amerikan Joe Biden, të cilët ndanë disa fjalë.
Nga ana tjetër Olaf Scholz me sa duket po i tregonte Emmanuel Macron një anekdotë rreth kalërimit, gjë që u kap edhe nga mediat.
RUSI- Teksa në Lituani po mbahet samiti i NATO-s, në Rusi është zbuluar lëvizja e fundit e presidentit rus, Vladimir Putin. Siç raportojnë mediat e huaja, Putin ka mbajtur një takim në Kremlin me shefin ekzekutiv të bankës VTB, Andrey Kostin.
Presidenti rus është ulur përballë tij në një tavolinë mjaft të shkurtër. Në të kaluarën, Putin ka zgjedhur të ulet shumë më larg zyrtarëve gjatë takimeve në Kremlin, si ky për ekonominë ruse shkurtin e kaluar.
Më herët sot, Kremlini tha se do të bënte një analizë të thellë të deklaratave të liderëve perëndimorë në samit dhe do të merrte masa për të mbrojtur sigurinë e vetë Rusisë.
Kremlini paralajmëroi gjithashtu se Ukraina në NATO do të ishte potencialisht shumë e rrezikshme për sigurinë evropiane, duke shtuar se po ndjek nga afër samitin dy-ditor.
LITUANI- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të marrë pjesë në samitin e NATO-s në Vilnius. Lajmi është konfirmuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ai tha se presidenti ukrainas do të marrë pjesë në takimin e parë të Këshillit Ukrainë-NATO, shkruan TASS.
“Presidenti Zelenskyy do të vijë. Jam i lumtur ta mirëpres atë, si në darkën sonte ashtu edhe në takimin inaugurues të Këshillit të NATO-s për Ukrainën nesër,” u tha gazetarëve të martën në samit Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.
Ndër të tjera Stoltenberg bëri me dije se gjatë samitit, NATO do të miratojë një program afatgjatë të ndihmës ushtarake për Ukrainën që do të zbatohej pavarësisht se si po përparonte konflikti me Rusinë.
SLOVENI- Kryeministri Edi Rama ndodhet në Vilnius, aty ku ditën e sotme po zhvillohet samiti i NATO-s. Në momentin e shkrepjes së fotografisë së të gjithë liderëve së bashku, kryeministri i Shqipërisë ishte i vetmi që po fliste. Në një bashkëbisedim me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, Rama duket se bënte batuta me gjatësinë e tij, ndërsa dhe e pyeti për dikë.
E vetmja gjë që u kuptua nga biseda, ishte përgjigjia e Rutte-s, i cili i tha: Nuk është këtu!
Pas fotos, Rama dhe Macron ecin krah për krah me njëri-tjetrin.
Udhëheqësit e NATO-s do të qëndrojnë dy ditë në Vilnius. Ata do të adresojnë sfidat më urgjente për aleancën, për të rritur kapacitetet mbrojtëse dhe parandaluese të NATO-s si dhe për të sjellë më afër grupit Ukrainën. E lufta në Ukrainë pritet që të jetë në krye të axhendës.
LITUANI- Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov shprehet se samiti i NATO-s n demostron një qëndrim anti-rus. Peskov në një deklaratë për mediat tha se vendet e NATO-s e konsiderojnë Rusinë armikun e tyre, shkruan TASS.
“Bëhet fjalë për samitin e një aleance, e cila ka natyrë të ashpër anti-ruse; Rusia gjithashtu perceptohet nga ata (anëtarët e aleancës) si një armik, si një kundërshtar dhe diskutimet do të zhvillohen pikërisht në këtë frymë. Ne po e ndjekim këtë (ngjarjet në samitin e NATO-s) me shumë kujdes, sepse, sigurisht, shumë vërejtje do të analizohen me kujdes për të marrë masa që synojnë sigurimin tonë. Nuk është aq e rëndësishme se ku po mbahet konkretisht, afër apo larg Rusisë, ajo që është e rëndësishme, ndoshta është përmbajtja e kësaj ngjarjeje. Në prag të këtij samiti, përmbajtja e tij, në fakt, tashmë filloi të shfaqë një qëndrim antirus, i cili ka depërtuar në fjalimet dhe deklaratat e përfaqësuesve nga të gjitha vendet anëtare të aleancës", tha zyrtari i Kremlinit.
Një samit dy-ditor i NATO-s filloi në Vilnius të martën. Të pranishëm janë 31 liderë nga vendet anëtare dhe Suedia.
LITUANI- Kjo është fotoja familjare e realizuar nga liderët që po marrin pjesë në samitin e NATO-s në Vilnius të Lituanisë ku do të diskutohet për situatën në Ukrainë dhe kërkesën e këtij shteti për t’u bërë pjesë e aleancës ushtarake.
Siç shihet, mes tyre është edhe kryeministri Edi Rama, i cili mbërriti mëngjesin e sotëm.
Samiti vjen, një vit pas takimit të Madridit, ku aleatët e NATO-s kanë rënë dakord për një koncept të ri strategjik, i cili e ka veçuar Rusinë si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë. Udhëheqësit e vendeve anëtare të organizatës më të madhe ushtarake në botë pritet të diskutojnë për një gamë të gjerë temash, në mesin e të cilave do të dominojnë përpjekjet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, si dhe pranimi i Suedisë në aleancë. /Dosja.al
LITUANI- Gjermania do të dëgojë në Ukrainë armë me vlerë rreth 700 milionë euro. Berlini, furnizuesi i dytë më i madh i Ukrainës me armë për t'i rezistuar pushtimit rus, ka njoftuar tashmë një paketë të re armësh me vlerë 2.7 miliardë euro për Kievin në maj, përpara një vizite të Presidentit Volodymyr Zelenskyy.
Një zyrtar i lartë i qeverisë deklaroi të hënë se Gjermania do të bënte një premtim të ri "shumë thelbësor" të pajisjeve ushtarake për Ukrainën në takimin e NATO-s.
Që kur Rusia nisi agresionin në Ukrainë në shkurt të vitit të kaluar, Gjermania ka hequr dorë nga një qëndrim tradicionalisht pacifist dhe ka dërguar një gamë të gjerë armatimi në Kiev, nga mbrojtja ajrore te sistemet e artilerisë. Tani është furnizuesi i dytë më i madh i Ukrainës me armë pas Shteteve të Bashkuara, shkruajnë mediat e huaja.
Berlini në fillim të këtij viti filloi të dërgojë tanke të avancuara luftarake Leopard në Ukrainë, pas muajsh lutjesh nga Kievi për armët e rënda për të forcuar luftën kundër Rusisë.
LITUANI- Jashtë një ndertesë ku po mbahet samiti i NATO-s, është vendosur një pankartë në të cilët shkruhet: “Putin, Haga ju pret”. Vilnius ndodhet vetë 32 kilomentra nga Bjellorusia, aleati i afërt i Rusisë, e për këtë arsye masat për zhvillimin e samitit janë shtuar.
Gjithsej 16 anëtarë të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut kanë dërguar rreth një mijë trupa. Gjermania vendosi 12 raketa Patriot, të afta për të rrëzuar raketa balistike ose avionë luftarakë.
Polonia dhe Gjermania kanë dërguar forca speciale të mbështetura nga helikopterë, ndërsa vendet e tjera po dërgojnë pajisje kundër sulmeve të mundshme kimike, biologjike dhe bërthamore.
HUNGARI- Një ditë pasi Turqia njoftoi se ishte e gatshme të ratifikonte pranimin e Suedisë në NATO, Hungaria sinjalizoi të martën se është gjithashtu e gatshme të japë dritën jeshile për ofertën e saj.
“Pozicioni ynë është i qartë: qeveria mbështet anëtarësimin e Stokholmit në Aleancën Atlantike. Përfundimi i procesit të ratifikimit tani është vetëm një çështje teknike”, tha ministri i Jashtëm Peter Szijjarto në llogarinë e tij në Facebook përpara se të nisej për në samitin e NATO-s në Vilnius, Lituani.
Parlamenti i Hungarisë përfundoi seancën e tij të jashtëzakonshme verore të premten, por mund të mblidhet sërish në ditët në vijim për të votuar, shkruajnë mediat e huaja.
Javën e kaluar, kryeministri nacionalist Viktor Orban shprehu mbështetjen e tij për aplikimin e Suedisë, duke premtuar asnjë pengesë nëse Ankaraja ndryshon qëndrimin e saj.
Turqia ra dakord të hënën që të dërgojë protokollin e pranimit të Suedisë në Parlamentin turk sa më shpejt të jetë e mundur, një veprim i mirëpritur nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në prag të samitit të Vilnius.
SHBA- Presidenti amerikan, Joe Biden ka mbërritur në Vilnius për ditën e dytë të samitit të NATO-s. Biden shihet duke ecur krah presidentit Lituanez Gitanas Nauseda.
Biden është zotuar të mbështesë Ukrainën, por nuk do të miratojë hyrjen e saj në aleancë për momentin nga frika se NATO mund të tërhiqet në luftën me Rusinë, shkruan CNN. Ai gjithashtu mund të pyetet edhe për vendimin e tij për të dërguar bomba thërrmuese në Ukrainë.
LITUANI- Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Vilnius të Lituanisë, në kuadër të samitit që do të mbajnë përfaqësuesit kryesore të vendeve anëtare të NATO-s. Udhëheqësit e NATO-s do të mblidhen sot dhe nesër në Vilnius të Lituanisë, ku do të diskutohet për situatën në Ukrainë dhe kërkesën e këtij shteti për t’u bërë pjesë e aleancës ushtarake.
Aleatët shpresojnë t’i tregojnë Rusisë se kanë vendosmërinë për të mbështetur ushtarakisht Ukrainën, për një afat të gjatë. Samiti mund të jetë vendimtar që mund të formësojë drejtimin e luftës në Ukrainë, dhe të ardhmen e aleancës perëndimore.
Lidhur me këtë samit ka reaguar edhe kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Rama shkruan se aletët e NATO-s janë në këtë takim më të fortë e të vendosur, për të mbrojtur lirinë e sigurinë e popujve të Evropës.
“Mirëmëngjes dhe me mesazhin e këtij viti të Samitit të Vilnius, Lituani që i gjen aleatët e NATO-s më të fortë e më të vendosur, për të mbrojtur lirinë dhe sigurinë e popujve tanë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se është i gatshëm të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, teksa bëri thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.
Presidenti serb Vuciç ka thënë më 6 korrik se do të kërkojë takim me Stoltenbergun pas samitit të NATO-s në Vilnius, dhe më pas, një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për shkak të situatës në Kosovë.
“Jam në kontakt të vazhdueshëm me [presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe patjetër që jam i gatshëm të takohem. Jemi të shqetësuar për rritjen e tensioneve në Kosovë dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të shtensionojnë [situatën] dhe të përmbahen nga çdo veprim që mund të përshkallëzojë më tej situatën në rajon”, tha Stoltenberg.
Duke folur në konferencën për media para fillimit të samitit të NATO-s në Vilnius të Lituanisë, Stoltenberg përsëriti se NATO është në Kosovë për të garantuar siguri dhe stabilitet në rajon.
“NATO është aty për të garantuar siguri dhe stabilitet për popullin e Kosovës. Ne e zbatojmë mandatin tonë në mënyrë të paanshme. E shtuam praninë tonë për shkak të destabilitetit, dhunës dhe tensioneve që kemi parë për disa javë”, tha ai.
Pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, NATO ka angazhuar 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë të dislokuar në Kosovë.
Udhëheqësit e aleancës ushtarake të NATO-s janë mbledhur në Vilnius të Lituanisë. Samiti zhvillohet në një kohë kritike për sigurinë në Evropë, pasi lufta në Ukrainë është në mesin e një kundërofensive të Kievit.
Në samit nuk pritet të diskutohet fare për Kosovën, pavarësisht rritjes së tensioneve në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.
Trazirat e fundit në këtë pjesë të vendit kanë çuar në sulme të protestuesve serbë kundër ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë - KFOR, por, megjithatë, Kosova është jashtë agjendës zyrtare të diskutimeve.
Që nga fundi i majit, serbët që jetojnë në komunat veriore të Kosovës, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po kundërshtojnë që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë nga ndërtesat komunale. Ata po ashtu po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.
Që nga ajo kohë, në veri janë shënuar disa incidente me shok-bomba dhe granata dore si dhe më 29 maj në Zveçan protestuesit serbë janë përleshur me pjesëtarët e KFOR-it.
Nga këto përleshje kanë mbetur të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët. Në mesin e ushtarëve të lënduar ishin 19 ushtarë hungarezë dhe 11 ushtarë italianë.
Tre nga ushtarë të Hungarisë ishin plagosur me armë zjarri.
Bashkimi Evropian i ka paraqitur tri kërkesa Kosovës dhe Serbisë për të ulur tensionet.
Për shkak të mospërmbushjes së tyre, BE-ja nga fundi i qershorit ka nisur të zbatojë disa masa ndëshkuese./REL
LITUANI- Udhëheqësit botërorë kanë shkuar në qytetin lituanez të Vilniusit për samitin e liderëve të NATO-s, qindra kilometra larg vijës së parë të luftës në Ukrainë.
Mes tyre është edhe kryeministri i Zelandës së Re, Chris Hipkins, i cili sapo ka ardhur nga Suedia, raportojnë mediat e huaja.
Ndërsa në samit ai do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama do marrë pjesë ditën e sotme në samitin e NATO-së në Vilnius. Aty do të jenë të pranishëm të gjithë udhëheqësit e shteteve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).
Rama shkruan se Samiti në Vilnius i gjen aleatët më të fortë dhe më të vendosur për ruajtjen e paqes.
“Dhe me mesazhin e këtij viti të Samitit të Vilnius, Lituani që i gjen aleatët e NATO-s më të fortë e më të vendosur, për të mbrojtur lirinë dhe sigurinë e popujve tanë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama, bashkëngjitur me videon e mëposhtme.
TURQI- Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka pranuar të mbështesë ofertën e Suedisë për t'u bashkuar me NATO-n, tha shefi i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg. Ai tha se udhëheqësi turk do të përcjellë ofertën e Suedisë në Parlamentin në Ankara dhe "të sigurojë ratifikimin", raporton "BBC".
Ndërkohë, kryeministri suedez Ulf Kristersson tha: “Jam shumë i lumtur, është një ditë e mirë për Suedinë”.
Turqia kishte kaluar më parë disa muaj duke bllokuar aplikimin e Suedisë, duke e akuzuar atë për pritjen e militantëve kurdë.
Si një nga 31 anëtarët e NATO-s, Turqia ka të drejtën e vetos mbi çdo vend të ri që i bashkohet grupit. Duke reaguar ndaj lajmit, presidenti i SHBA Joe Biden tha se ai përshëndeti angazhimin e Presidentit Erdogan për të vazhduar me "ratifikimin e shpejtë".
"Jam gati të punoj me Presidentin Erdogan dhe Turqinë për rritjen e mbrojtjes dhe parandalimit në zonën euro-atlantike. Mezi pres të mirëpres kryeministrin Kristersson dhe Suedinë si aleatin tonë të 32-të të NATO-s", thuhej në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, shkroi në Twitter: "Në moshën 32 vjeç, ne jemi të gjithë më të sigurtë së bashku". Kryeministri britanik Rishi Sunak tha se bashkimi i Suedisë do të "na bënte të gjithëve më të sigurtë".
Stoltenberg njoftoi marrëveshjen vonë të hënën, pas bisedimeve midis liderëve turq dhe suedez në kryeqytetin lituanez Vilnius. Shefi i NATO-s e përshkroi atë si një "hap historik", por theksoi se nuk mund të jepej një "datë e qartë" se kur Suedia do të bashkohej me aleancën ushtarake - pasi kjo mbështetej në parlamentin turk.
Suedia dhe fqinji i saj lindor Finlanda - të dy kombet me një histori të gjatë neutraliteti gjatë luftës - njoftuan synimin e tyre për t'u bashkuar me NATO-n në maj të vitit të kaluar, disa muaj pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës. Finlanda u bashkua zyrtarisht në prill.
Çfarë është NATO dhe çfarë do të diskutohet në takimin e kësaj jave?
Stoltenberg tha se Turqia dhe Suedia kishin trajtuar "shqetësimet legjitime të sigurisë së Turqisë" dhe si rezultat Suedia kishte ndryshuar kushtetutën e saj, ndryshoi ligjet e saj, zgjeroi operacionin e saj kundër terrorizmit kundër PKK (Partia e Punëtorëve të Kurdistanit) dhe rifilloi eksportet e armëve në Turqi.
Turqia dhe Hungaria janë aktualisht dy anëtarët e vetëm të NATO-s, që s'kanë ratifikuar ende kërkesën për anëtarësim të Suedisë.
I pyetur për kundërshtimin nga Budapesti, Stoltenberg tha se "Hungaria e ka bërë të qartë se nuk do të jenë të fundit që do ta ratifikojnë".
“Unë mendoj se ky problem do të zgjidhet”, shtoi ai.
Turqia aplikoi për herë të parë për t'u bashkuar me BE në vitin 1987, por prirja e saj drejt autoritarizmit nën Presidentin Erdogan e ndaloi procesin e pranimit. Megjithatë, që nga pushtimi rus i Ukrainës, Erdogan ka luajtur gjithashtu një rol unik si lider i NATO-s me ndikim në Moskë.
Ai ndihmoi ndërmjetësimin e nismës së vitit të kaluar për drithërat e Detit të Zi, e cila i mundëson Ukrainës të eksportojë produkte bujqësore nga portet e saj.
Turqia ka ndihmuar që marrëveshja të mbahet gjallë, pavarësisht kërcënimeve të shpeshta ruse për t'u tërhequr.
Por Turqia ka zemëruar gjithashtu Kremlinin, duke furnizuar me dronë të armatosur Ukrainën.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dëshiron që NATO të japë një "sinjal të qartë" mbi ofertën e anëtarësimit të Ukrainës në samitin e Vilniusit.
Zyrtarët rusë u zemëruan gjithashtu në fundjavë kur Turqia, në një lëvizje të befasishme, lejoi pesë ish-komandantë të garnizonit ukrainas në Mariupol të fluturonin përsëri në Kiev në fund të një vizite të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Sipas kushteve të shkëmbimit të të burgosurve vitin e kaluar, Rusia priste që ata të qëndronin në Turqi deri në fund të luftës.
Anëtarësimi i ardhshëm i Ukrainës do të diskutohet në samitin e NATO-s
Të gjithë anëtarët e aleancës pajtohen se Ukraina nuk mund të bashkohet me bllokun gjatë luftës - mes frikës se kjo do të çonte në një konflikt të drejtpërdrejtë me një Rusi të armatosur bërthamore.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka thënë vetë se nuk pret anëtarësim deri pas luftës - por ai dëshiron që samiti të japë një "sinjal të qartë" për ofertën e Ukrainës.
Disa anëtarë të NATO-s në Evropën Lindore po bëjnë presion për një anëtarësim të shpejtë për fqinjin e tyre, por të tjerët, duke përfshirë SHBA-në dhe Gjermaninë, shihen si më hezitues.
Zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin, Dmitry Peskov, paralajmëroi të hënën se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të kishte "pasoja negative për të gjithë arkitekturën e sigurisë, e cila është gjysmë e shkatërruar siç është në Evropë".
Anëtarësimi ukrainas do të "përfaqësonte një rrezik absolut, kërcënim për vendin tonë, i cili do të kërkojë nga ne një reagim mjaft të fortë dhe të qartë", tha Peskov.
Poker para samitit të NATO-s në Vilnius. Fillimisht presidenti turk deklaroi se Suedia do të anëtarësohet në NATO, vetëm nëse Turqia lejohet të anëtarësohet në BE. Por më vonë ndryshon mendje.
Në qendër të samitit të NATO-s janë ndihmat për Ukrainën dhe mbrojtja e krahut lindor të NATO-s. Por një ditë para fillimit të samitit presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, tërhoqi vëmendjen me deklaratën e tij mbi anëtarësimin e Suedisë në NATO.
Autokrati i rizgjedhur Erdogan është ankuar vazhdimisht se Suedia nuk ekstradon terroristë të dyshuar kurdë dhe lejon tubime anti-islamike. Suedia nuk i ka plotësuar ende kushtet për anëtarësim në NATO, kritikoi Erdogani.
Erdogani vendos një kusht të ri: bisedimet për pranimin në BE
Rexhep Tajip Erdogan shkaktoi zemërim në radhët e NATO-s me një kërkesë të re. Ai tha se Suedia, që është anëtare e BE-së, mund të anëtarësohet në NATO, vetëm nëse në këmbim Turqia mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Negociatat e pranimit janë ngrirë de fakto nga BE-ja, sepse Turqia nuk i përmbush më kërkesat minimale të shtetit të së drejtës. Negociatat kanë nisur që nga viti 2005, por edhe presidenti turk Erdogan ka kohë që tregon vetëm pak interes për anëtarësimin e vendit të tij në BE.
Kritika nga parnerët e NATO-s
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, i kritikoi deklaratat e Erdoganit duke thënë se kushtet e reja të vëna në minutën e fundit nuk i ndihmojnë bisedimet për anëtarësimin e Suedisë në NATO dhe se në këtë mënyrë nuk mund të arrihet kurrë një përfundim. Edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, e hodhi poshtë lidhjen mes pranimit të Turqisë në BE dhe pranimit të Suedisë në NATO. Njëra nuk ka lidhje me tjetrën, tha Scholz, sipas të cilit Suedia i ka plotësuar të gjitha kërkesat.
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, dhe kryediplomati i NATO-s, Jens Stoltenberg, i hodhën poshtë akuzat. Suedia i ka ndryshuar ligjet e saj, ka hequr embargon e armëve ndaj Turqisë, ka dëbuar aktivistët e parë të PKK-së dhe ka plotësuar të gjitha kushtet e vendosura një vit më parë në samitin e NATO-s në Madrid, ku Finlanda dhe Suedia u ftuan njëzëri për t’u bërë anëtare të NATO-s.
Kryeministri suedez Ulf Kristersson vuri në dukje se në një shtet ku sundon ligji si Suedia nuk mund të ndalohen thjesht demonstratat kritike ndaj fesë islame, sepse ndryshe nga Turqia në Suedi ekziston liria e shprehjes.
Erdogani ndryshon mendje
Pas bisedimeve të ndërmjetësimit me Erdoganin dhe me kryeministrin suedez Ulf Kristersson në kryeqytetin lituanez, Vilnius, Erdogani premtoi se do t’i hapë rrugën Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO. “Suedia do të bëhet anëtare e plotë e aleancës”, tha të hënën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, Sipas tij Erdogani u zotua se do të sigurojë ratifikimin e vendimit të pranimit të Suedisë nga parlamenti i vendit të tij.
Diplomatët e NATO-s njoftuan se edhe më parë ishte zhvilluar edhe një bisedë telefonike midis Erdoganit dhe Presidentit të SHBA, Joe Biden, e cila mund të ketë sjellë një lloj lëvizje në çështjen e pranimit të Suedisë.
Turqia dëshiron të blejë avionë luftarakë F-16 nga fuqia kryesore e NATO-s, SHBA. Por Recep Tayyip Erdogan tha për mediat se nuk ka asnjë lidhje midis avionëve F-16 dhe Suedisë.
Pas Erdoganit dhe Orbani
Diplomatët e NATO-s mendojnë gjithashtu se tani që Turqia do të miratojë përfundimisht pranimin e Suedisë në NATO, do të dorëzohet edhe presidenti hungarez Viktor Orban, i cili me kushtet e tij dëshiron që Bashkimi Evropian të paguajë paratë e ndihmës që i ka ndërprerë Budapestit për shkak të disa mospajtimeve me Brukselin. /DW