8 Shtator 2025, 11:34
Nga E. D
foto ilustruese
FRANCË- Franca rrezikon të humbë kryeministrin e të tretë brenda 12 muajve, sepse kryeministri i tanishëm, François Bayrou, e ka kërkuar votëbesimin e Parlamentit, të cilin pritet ta humbë gjatë një seance të hënën pasdite. Kjo pritet të shkaktojë edhe më shumë paqëndrueshmëri për ekonominë e dytë më të madhe të Bashkimit Evropian.
Kryeministri centrist, 74 vjeç - i emëruar nga presidenti Emmanuel Macron para më pak se nëntë muajsh - po rrezikon me shpresën se votimi do t’i bashkojë deputetët e ndarë thellësisht të Asamblesë Kombëtare, pas kërkesave të tij për shkurtimin e shpenzimeve publike. Bayrou beson se shkurtimet janë të nevojshme për t’i frenuar deficitin dhe borxhet në rritje të shtetit francez.
Por, deputetët e opozitës janë zotuar se do ta shfrytëzojnë rastin për ta rrëzuar Bayroun dhe Qeverinë e tij pakicë të përbërë nga ministra centristë dhe djathtistë. Shkarkimi i tij do ta detyronte Macronin ta nisë një tjetër kërkim të lodhshëm për ta gjetur zëvendësuesin e tij.
Asambleja Kombëtare, e cila ka 577 deputetë, i ndërpreu pushimet verore për ta mbajtur seancën e jashtëzakonshme që kërkoi Bayrou, e cila fillon në orën 15:00 të hënën.
Pas një fjalimi të Bayrout, ku pritet të argumentojë se kursimet janë në interesin kombëtar, deputetët do të diskutojnë dhe më pas do të votojnë pro ose kundër Qeverisë së tij. Deputetët gjithashtu mund të abstenojnë.
Bayrou ka nevojë për shumicë votash për, për të mbijetuar. Nëse shumica voton kundër tij, atëherë, në përputhje me Kushtetutën e Franës, Bayrou duhet t’ia paraqesë dorëheqjen Macronit, me çka do ta fusë Francën në një krizë të re.
Deputetët e ekstremit të djathtë dhe të majtë, të cilët kanë thënë se do të votojnë kundër Qeverisë së Bayrout, kanë mbi 320 ulëse në Asamblenë Kombëtare, ndërsa centristët dhe aleatët konservatorë kanë 210 sosh, gjë që e bën dukshëm të pamundur për kryeministrin t’i mbijetojë votëbesimit.
Bayrou shprehu zhgënjimin të dielën duke thënë se kundërshtarët e hidhur në të dy skajet e spektrit politik janë bashkuar kundër tij.
“Ç’kuptim ka të rrëzohet Qeveria? Këto janë grupe politike që, jo vetëm nuk pajtohem për asgjë, por, edhe më keq, po zhvillojnë luftë të hapur civile kundër njëri-tjetrit”, tha ai në një intervistë për median online Brut.
Nëse Bayrou humb, Macroni do të detyrohet sërish të gjejë një pasues që do të punojë në të njëjtin mjedis të brishtë dhe do të përballet me të njëjtat telashe buxhetore që i kanë munduar si Bayroun, ashtu edhe paraardhësit e tij.
Edhe vetë Macroni është zotuar se do të qëndrojë në detyrë deri në fund të mandatit, por rrezikon të kthehet në një president pa ndikim në planin e brendshëm nëse paraliza politike vazhdon.
Sipas sistemit politik francez, kryeministri emërohet nga presidenti, i jep llogari Parlamentit dhe është përgjegjës për zbatimin e politikave të brendshme, veçanërisht atyre ekonomike. Presidenti ka pushtet të madh mbi politikën e jashtme dhe çështjet evropiane, si dhe është komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
Duke argumentuar se nevojiten shkurtime të mëdha për t’i rregulluar financat publike, Bayrou ka propozuar një kufizim prej 44 miliardë eurosh në shpenzime në vitin 2026, pasi deficiti i Francës vitin e kaluar arriti në 5.8 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, pra shumë më i lartë se caku zyrtar i BE-së prej 3 për qind.
Franca përballet gjithashtu me një krizë të madhe borxhi. Në fund të tremujorit të parë të vitit 2025, borxhi publik i Francës arriti në 3.346 trilionë euro, ose 114 për qind të PBB-së.
Plani i Bayrou, që përfshin heqjen e dy festave zyrtare, është kritikuar ashpër nga rivalët e tij politikë, të cilët tani kanë mundësi të artë për ta rrëzuar atë./REL
Bota
8 Shtator 2025, 08:12
r.ll
foto ilustruese
BJELLORUSI- Një zonë neutrale vetëm rreth 15 metra e gjerë shënon kufirin midis Lituanisë dhe Bjellorusi...
Bota
8 Shtator 2025, 07:56
r.ll
foto ilustruese
RUSI- Faqja online e Institutit të Kërkimeve Shkencore për Kimi të Aplikuar të Rusisë (NIIPH) ka shumë f...
Bota
8 Shtator 2025, 07:38
r.ll
foto ilustruese
BOUYO- Një tragjedi e paimagjinueshme ndodhi të premten në mëngjes në lumin Sassandra në qytetin jugper&...
Bota
8 Shtator 2025, 07:32
r.ll
tom phillips
ZELANDË E RE- Një baba i tre fëmijëve, i cili kishte qenë në arrati me fëmijët e tij në Zela...
Bota
8 Shtator 2025, 07:27
r.ll
erin patterson
AUSTRALI- Erin Patterson, 50 vjeç, është dënuar me burgim të përjetshëm me mundësin...
Bota
7 Shtator 2025, 22:46
I.A
Protesta
BRAZIL- Mijëra mbështetës të Jair Bolsonaros filluan të mblidheshin sot në qytetet më të mëdha t...
Bota
7 Shtator 2025, 22:16
I.A
Huthet
JEMEN- Huthët e Jemenit kanë konfirmuar se kanë shënjestruar aeroportin Ramon të Izraelit duke përdorur dron...
Bota
7 Shtator 2025, 21:51
I.A
SERBI- Të dielën në Serbi janë mbajtur marshe të mbështetësve të Qeverisë, të cilët kundërshtojn&e...
Bota
7 Shtator 2025, 21:30
I.A
Hena
Ndodh fenomeni i hënës së përgjakur. Mbrëmjen e sotme qielli po ndriçohet nga një spektakël unik: H&eum...
Bota
7 Shtator 2025, 20:59
I.A
Protesta
BRUKSEL- Dhjetëra mijëra njerëz demonstruan sot në Bruksel, duke shprehur solidaritetin e tyre me palestinezët. Pjes...