LIVE UPDATES
LIVE UPDATES

Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi për targat: Kurti: Është dakordim. Vuçiç: Fitore e vogël për ne

• Arrihet marrëveshja për targat mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. • Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Joseph Borrell ka njoftuar mbrëmjen e djeshme se Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje. • Borrell përmes një postimi në Twitter tha se takimi i kryenegociatorëve e Kosovës dhe Serbisë Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç ka qenë i frytshëm dhe se ata ranë dakord për masat në mënyrë që të shmangen përshkallëzimet e mëtejshme. • Sipas marrëveshjes, Serbia nuk lëshon më targa "ilegale" ndërsa Kosova nuk i zbaton gjobat. • Kryeministri Albin Kurti pas arritjes së marrëveshjes ka theksuar se në Bruksel është arritur një dakordim dhe jo marrëveshje. • Ndërkohë që Presidenti serb Aleksander Vuçiç ka theksuar se kjo është një arritje e vogël e cila pka për tu shoqëruar me presione të mëdha. • Tensionet në zonë që pasuan vendimin e qeverisë për targat i cili u mor me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për një shtyrje dhjetë muajshe, u shtuan në një periudhë diskutimesh për një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritën e një propozimi evropian, i njohur si nisma franko-gjermane.

10 artikuj për këtë temë.

1 JAVE ME PARE

Reagime pas marrëveshjes së Kosovës dhe Serbisë lidhur me targat

Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi për targat: Kurti:
Mitrovice

KOSOVË- Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u shfaqën me vlerësime të ndryshme për pajtimin e një nate më parë në Bruksel për çështjen e përdorimit të targave të makinave në veriun e Kosovës.

Pajtimi u arrit disa orë para skadimit të shtyrjes prej 48 orësh të vendimit të qeverisë së Kosovës për gjobitjen e atyre që nuk i kanë ndërruar targat e makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se plaët u pajtuan që Serbia të ndërpresë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës ndërsa Kosova të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e makinave. Ai paralajëmroi se së shpejti do të ftojë në takim udhëheqësit e të dy vendeve për të diskutuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre, në dritën e propozimit evropian që u i njohur si propozimi franko-gjerman.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi arritje përfshirjen e kësaj çështjeje në tesktin e deklaratës së zotit Borrell, ndërsa presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, u tha të enjten mediave serbe se Kosova kishte marrëveshje më të mirë para dy ditësh, se sa të mërkurën, duke e cilësuar atë një “fitore të vogël taktike” për Serbinë.

Marrëveshja u mirëprit në shkallë të gjerë nga diplomacia perëndimore. Në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price, thuhet se të dyja palët “bënë një hap gjigant përpara, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, drejt garantimit të paqes dhe qëndrueshmërisë në të gjithë rajonin”.

Bashkimi Evropian tha se pas kësaj marrëveshjeje është koha për t'u përqendruar plotësisht në propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, një nismë e cila u bë e njohur si propozimi franko-gjerman, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Partitë opozitare në Kosovë mbështetën marrëveshjen e mbrëmshme, ndërsa akuzuan qeverinë për veprime të papërgjegjshme gjatë javëve të kaluara. Me 1 nëntor qeveria e Kosovës filloi zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për shtyrjen e afatit. Punonjësit serbë u tërhoqën nga të gjitha institucionet vendase duke krijuar boshllëk në veri dhe duke shtuar tensionet ne zonë.

“Sikur të kishi vepruar përgjegjshëm zoti kryeministër, duke mos i vënë në pikëpyetje edhe aleancat tona më të rëndësishme strategjike me miqtë ndërkombëtarë, unë jam i bindur se këto katër javë të angazhimi tuaj do të duhej të ishin përqendruar në ekonominë në rënie, ngritjen e çmimeve e krizën e energjisë, tema që vërtetë e ndikojnë jetën e qytetarëve”, tha Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Me marrëveshjen për tabelat e kemi evituar rrezikun e parë, pra që të kemi viktima qofshin policë të Kosovës apo qytetarë serbë të veriut. Mirëpo dje me marrëveshjen nuk është zgjidhur situata në veri. Sfida që na pret është rikthimi në institucione i atyre që i kanë lëshuar vendet e punës, apo plotësimi i të gjitha vendeve vakante në rend dhe ligj“, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Atë që ka ndodhur javët e fundit e kemi parë të panevojshme, të dëmshme, tepër populiste. Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë tregon qasjen joserioze dhe paaftësinë tuaj përballë përgjegjësive që keni në raport me vendin dhe qytetarët e Kosovës”, tha Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Por, kryeministri Kurti tha se synimi i tij ishte përshpejtimi i arritjes së marrëveshjes përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

“Dakordimi i mbrëmshëm e vendos parimin e parë negociator të procesit të negociimit të franko gjermanes, evropianes, parimin që ne dhe Serbia jemi palë të barabarta prandaj edhe jemi të emërtuar si ‘parties’ apo palë. Një kornizë e tillë është përparim i fuqishëm në drejtim të faktit që propozimi do të jetë një marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht e obligueshme dhe me njohjen reciproke në qendër”, tha ai.

Pajtimi i mbrëmshëm nuk dha përgjigje në zhvillimet në veri, por derisa kryeministri Kurti tha se pret përshpejtim të procesit të normalizimit, presidenti serb tha se Serbinë e presin ditë të vështira me shumë trysni rreth Kosovës./VOA/

1 JAVE ME PARE

Arritja e konsensusit për targat, deputeti i VV publikon marrëveshjen Kosovë-Serbi për targat

Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi për targat: Kurti:
armend muja

KOSOVË- Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja ka publikuar marrëveshjen e fundit për targat, ku ka listuar dhe dallimet mes pikave të propozuara të hënën dhe ato të firmosura ditën e djeshme.

"Kur po themi se ata që thonë që ajo çka nuk është pranuar të hënën, është pranuar të mërkurën nuk e dinë se për çka po flasin."- shkruan Muja.

Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi për targat: Kurti:
Marreveshja

Në pikat e publikuara nga Muja shihet se të hënën është kërkuar dakrodësimi për targat dhe angazhimi i palëve për të mos shtuar tensionet mes palëve, ndërkohë në pikat e firmosura ditën e djeshme shihet se përpos marrëveshjes për targat u evidentua se do të vijojë dialogu mes palëve në bazë të planit franko-gjerman dhe së dytë që do të zbatohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në të shkuarën.

Ditën e djeshme pas një takimi që zgjati me orë të tëra mes kryenegociatorit të Kosovës Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë Petar Petkoviç, u arrit një marrëveshje për targat ku Kosova u tërhoq nga vënia e gjobave dhe Serbia nga lëshimi i targave KM.

1 JAVE ME PARE

Arritja e marrëveshjes për targa, Peter Stano: BE pret kthimin e serbëve në institucionet e veriut

Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi për targat: Kurti:
Stano

BRUKSEL- Zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha sot se marrëveshja e arritur të mërkurën në mbrëmje nuk është fundi i procesit por fillimi i punës. Ai bëri të ditur se Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, së shpejti do të ftojë liderët e Beogradit dhe Prishtinës në një takim të ri në Bruksel.

I pyetur se çfarë mund të pritet më pas, pasi presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha sot se serbët do të kthehen në institucione kur të plotësohet kushti i dytë, formimi i Asosacionit dhe nëse BE-ja po punon për përmbushjen e këtij kushti, Stano tha se "kthimi i serbëve të Kosovës në institucione ishte një nga pritjet themelore të BE-së dhe se e njëjta vlen edhe për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe".

Ai theksoi se “është e rëndësishme të përmbushen marrëveshjet ekzistuese, që është një mesazh që BE-ja e dërgon gjatë gjithë kohës dhe që vlen për të dyja palët”. Sa i përket hapave të ardhshëm në dialog, Stano thotë se Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme së shpejti do t'i ftojë liderët në një takim të ri në Bruksel.

“Përfaqësuesi i Lartë tashmë ka thënë se do t'i ftojë liderët në Bruksel për të vazhduar punën për normalizimin e marrëdhënieve me ndërmjetësimin e BE-së. Sigurisht, ky nuk është fundi i procesit, puna po zgjatet, marrëveshja e arritur mbrëmë nuk është fundi i procesit, por fillimi i punës, shpresa është se do të na nxjerrë nga kriza e përhershme dhe do të na mundësojë të arrijmë një fazë të re në të cilën do të punojmë për problemet në një mënyrë të qëndrueshme. mënyrë dhe shmangien e krizave të reja”, shpjegoi Stano në konferencën për shtyp.

Ai gjithashtu tha se puna do të vazhdojë në disa nivele dhe se përfaqësuesi special Miroslav Lajçak po punon shumë për të gjetur një mënyrë për të ecur përpara.

Stano tha gjithashtu se Borrell së shpejti do të ftojë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të shkojnë në Bruksel për të zgjatur punën për marrëveshjen e arritur dhe për të filluar, siç tha ai diskutimet për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në propozimin e ndërmjetësit evropian.

1 JAVE ME PARE

Nga plani franko-gjerman te propozimi i Brukselit, çfarë dihet deri më tani?

Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi për targat: Kurti:
Takimi Kosove-Serbi

KOSOVË- Pas arritjes së marrëveshjes për targat ilegale serbe mes Kosovës dhe Serbisë më 23 nëntor, kryediplomati evropian, Josep Borell, paralajmëroi se në ditët në vijim do t’i ftojë liderët e të dyja shteteve në Bruksel për të diskutuar për “Propozimin e Brukselit”, të mbështetur nga Franca dhe Gjermania.

Por, çka dihet deri më tani lidhur me këtë propozim?

Që nga vera nëpër duart e zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë është duke qarkulluar një dokument që u quajt plani franko-gjerman, e që sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, ka për qëllim normalizimin e raporteve mes të Kosovës dhe Serbisë.
 Ky dokument është një propozim i mbështetur nga Franca dhe Gjermania, por që zyrtarët e BE-së e quajtën ‘propozim evropian’.

Derisa dokumenti nuk ka dalë zyrtarisht në opinion, nga goja e politikanëve në Kosovë, e po ashtu edhe në Serbi kanë dalë detaje të rëndësishme. Më i hapuri për propozimin franko-gjerman ka qenë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Në një intervistë për Klan Kosovën, më 8 nëntor, ai deklaroi se “esenca e propozimit është se Serbia heq dorë prej Kosovës”.

“[Propozimi] ndërtohet mbi tri principe. E drejta e barabartë mes shteteve, respektimi reciprok i sovranitetit dhe është e drejta e palëve për vetëvendosje”, tha Konjufca.

Ai e quajti bazë të shëndoshë këtë propozim pasi tha se nëse Serbia pajtohet që të respektojë sovranitetin dhe të drejtën e vetëvendosjes, atëherë, sipas tij, “kjo është më e rëndësishme sesa njohja verbale [nga Serbia]”. Por, Konjufca shprehu edhe rezerva sa i takon këtij propozimi pasi mes tjerash tha se ai obligon Kosovën që të respektojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani. Për disa javë rresht Qeveria dhe Presidenca e Kosovës nuk e pranuan ekzistencën e propozimit franko-gjerman, ani pse një draft ishte publikuar në media.

“Aty, në dokument, Serbia ka për të pranuar gjithçka që prodhon Kosova. Prej pasaportave e duke përfshirë edhe targat”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Më 10 nëntor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, tha se ky propozim “shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme [në dialogun Kosovë-Serbi]". Por, edhe pse nuk ka publikuar ndonjë draft zyrtar, Qeveria e Kosovës i është përgjigjur Bashkimit Evropian me komentet rreth propozimit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vazhdimisht po i shmangë komentet sa i takon përmbajtjes së propozimit franko-gjerman, por për të ishte i interesuar të diskutonte të hënën, më 21 nëntor, në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Bruksel. Këtë ditë, ky propozim, sipas tij, nuk ishte fare në tryezë pasi lehtësuesit e dialogut, përfaqësuesi i Lartë i për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell dhe i emëruari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, “e hoqën nga diskutimi për t’ia përshtatur qëllimin Serbisë” – diskutimin vetëm për targa.

“Qëllimi i madh u hoq nga agjenda. Nevoja e madhe për propozimin evropian me mbështetje franko-gjermane u zhduk nga tavolina duke iu përshtatur qëllimit të Serbisë, presidenti i së cilës kishte ardhur në Bruksel jo për propozimin e BE-së [ i referohet propozimit franko-gjerman] por për targat”, deklaroi Kurti të mërkurën.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, më herët ka thënë se është i pavërtetë çfarëdo pretendimi se Bashkimi Evropian është duke hequr dorë nga propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Kurti më 23 nëntor, para arritjes së marrëveshjes mbi targa, kërkoi që plani i Francës dhe Gjermanisë, i përkrahur nga BE-ja, të vendoset në tryezë "një orë e më parë". Edhe pse i përfshirë aktivisht në negociata, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 1 nëntor, tha se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve Kosovë-Serbi në dy faza, shumicën menjëherë - të tjerat më vonë.

“Është një ide që raportet Kosovë-Serbi të zgjidhen në dy faza ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani kur një pjesë shumë e vogël që ata thonë është 1 për qind por që ne besojmë se është më shumë se 1 për qind do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”, deklaroi Bislimi.

Më të hapur për këtë plan ishin në Serbi. Të parët, zyrtarët serbë thanë se plani nuk ishte shumë në favor të Serbisë. Presidenti Aleksandar Vuçiç, më 8 tetor, tha se dialogu po ndryshonte në esencë pasi tashmë në tavolinë ishte një propozim i dy fuqive të mëdha si Gjermania dhe Franca. Fillimisht Vuçiç tha se Franca dhe Gjermania, kishin propozuar që Serbia të lejojë Kosovën të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara. Kjo do të bëhej në këmbim të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Për Serbinë, për shkak të Kushtetutës, por jo vetëm për shkak të saj, është e papranueshme që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së dhe kjo do të bartë pasojat e veta”, u shpreh Vuçiç.

Vuçiç tha se nuk e ka pranuar e as refuzuar planin franko-gjerman. Ndërsa, ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, tha me 6 nëntor se propozimi franko-gjerman “parasheh që pavarësia e Kosovës është tashmë një punë e kryer”, dhe se këtë Serbia nuk mund të pranojë. Portali informativ Euractiv, publikoi më 9 nëntor një dokument, për të cilin tha se është draft i propozimit franko-gjerman. Dokumenti i publikuar përmban 9 nene.

Fillon me pajtim për marrëdhënie normale mes Kosovës dhe Serbisë, angazhimin për integrim në BE, zgjidhjen e mospajtimeve dhe respektimin e integritetit territorial, respektimin e subjektivitetit të njëra-tjetrës, respektimin e ndërsjellë të juridiksionit, zotimin për rritje të bashkëpunimit në fusha të ndryshme përfshirë ekonomi, shkencë, gjyqësor, fushën e mbrojtjes etj. E, po ashtu, edhe shkëmbimin e misioneve të përhershme si dhe e fundit, pajtimi i palëve që kjo marrëveshje nuk ndikon në marrëveshjet e arritura më parë.

Autenticiteti i këtij dokumenti nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë. Ndërkombëtarët e përfshirë në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Borrell dhe Lajçak, përveç se konfirmuan ekzistencën e planit, thanë se ai ishte propozim i tyre dhe se ishte mbështetur nga Gjermania dhe Franca në veçanti.

“Kemi marrë përgjigje nga të dyja palët. Jemi duke i studiuar dhe mendoj se është një shkas i mirë që duhet të shfrytëzohet për të arritur normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, kishte deklaruar më parë Josep Borrell.

Dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit nuk është duke shkuar ashtu siç ishte planifikuar, pasi kohë pas kohe janë duke u shfaqur kriza si kjo e fundit për çështjen e targave ilegale në pjesën veriore. Tensionet e vazhdueshme në komunat Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut e kanë penguar dialogun. Aktualisht, ka ngecje edhe për shkak se Kosova nuk ka ndërmarrë ndonjë hap drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe – kërkesë kjo e vazhdueshme e Serbisë.

Borrell më 23 nëntor, pas arritjes së marrëveshjes për targa, tha se “palët e kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura në bisedime duhet të zbatohen”. Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

Marrë nga REL

1 JAVE ME PARE

Vuçiç: Kosovën nuk e duam në Kombet e Bashkuara, ju çfarë do na bëni, bombardoni apo kërcënoni?

Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi për targat: Kurti:
Aleksandar Vuçiç

SERBI- Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se serbët e Kosovës nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Ai tentoi të arsyetohet duke thënë se ri-regjistrimi i targave KM po rrjedh krejt normal, dhe se për këtë nuk ka kurrfarë problemi. Duke folur për propozimin e BE-së për marrëveshjen përfundimtare, ai theksoi se Serbia ka vijat e saj të kuqe.

“Ne themi se nuk e duam Kosovën në Kombet e Bashkuara, atëherë çfarë, a do të na bombardoni, të na kërcënoni me sanksione, çfarë”, tha Vuçiç në konferencën e përbashkët me kreun e liderëve serbë të Bosnjës, Millorad Dodik.

1 JAVE ME PARE

Italia: Koha për dialog dhe normalizim të plotë mes Kosovës dhe Serbisë

Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi për targat: Kurti:
Antonio Tajani

ITALI- Ministri italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, kërkoi të enjten nga Kosova dhe Serbia normalizim të plotë të marrëdhënieve, pasi një ditë më parë u arrit një marrëveshje mes dy vendeve për targat. Pas telefonatave me liderët nga Kosova dhe Serbia, Tajani tha se “tani është e nevojshme të vazhdohet në rrugën e dialogut dhe normalizimit të plotë të marrëdhënieve”.

Tajani, i cili i vizitoi kryeqytetet e dy vendeve, Prishtinën dhe Beogradin, të martën, bashke me ministrin italian të Mbrojtjes, Guido Crosetto, shtoi se “e ardhmja e Ballkanit është në Evropë dhe Italia është e gatshme të luajë rol udhëheqës në këtë rajon”.

Italia aktualisht e drejton misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in, dhe është shteti me kontributin më të madh sa i përket numrit të trupave në Kosovë. Para takimit të së mërkurës në Bruksel mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, aleatet perëndimore kishin paralajmëruar se mosmarrëveshja mund të përshkallëzohet në dhunë ndëretnike. Mirëpo, një gjë e tillë u parandalua gjatë negociatave në Bruksel, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kosova është pajtuar të mos vazhdojë tutje me zbatimin e vendimit për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe në RKS, kurse Serbia që të mos lëshojë targa të reja serbe, sikurse ato KM (Kosovska Mitrovica - Mitrovica e Kosovës).

Më 22 nëntor, me kërkesë të SHBA-s, Kurti e kishte shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS - Republika e Kosovës, për t’u dhënë mundësi bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS - Republika e Kosovës, ka pasur tri faza.

Faza e parë e qortimit është zbatuar deri më 22 nëntor. Faza e dytë parashihte gjobën prej 150 eurosh për shoferët e makinave me targa të tilla dhe më pas prezantimin e targave të përkohshme deri më 21 prill, datë pas së cilës ishte planifikuar që të mos kishte më makina me targa serbe. Serbia - e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan - duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Marrë nga REL

1 JAVE ME PARE

Kurti thotë se në Bruksel është arritur dakordim, por jo marrëveshje

Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi për targat: Kurti:
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten, para deputetëve të Kuvendit, se të mërkurën në Bruksel nuk ka pasur marrëveshje, por dakordim për targat. “Marrëveshja e mbrëmshme nuk është marrëveshje për targat. Ne u morëm vesh t’i ndalojmë veprimet reciproke, pra ne nuk do të bëjmë gjobitje për targat KM, dhe do t’i japim hapësirë negocimit të propozimit evropian, që më herët quhej franko-gjerman”, tha Kurti në seancën plenare të 24 nëntorit.

Kosova dhe Serbia më 23 nëntor në Bruksel kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe, ku sipas BE-së, Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa me emra të qyteteve të Kosovës.

Pas arritjes së marrëveshjes për targat ilegale serbe ndërmjet dy vendeve, kryediplomati evropian, Josep Borell, paralajmëroi se në ditët në vijim do t’i ftojë liderët e të dyja shteteve në Bruksel për të diskutuar për “Propozimin e Brukselit”, të mbështetur nga Franca dhe Gjermania.

Negociatat janë zhvilluar ndërmjet të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Dy ditë më parë, takimi ndërmjet Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për targat, kishte rezultuar pa sukses.

Kurti u tha deputetëve se në takimin e së hënës i ishte ofruar një dokument me 95 fjalë, brenda të cilit propozimi franko-gjerman, apo propozimi evropian për çështjen e marrëveshjes për normalizim, nuk ka qenë i përfshirë.

Ndërsa tani, sipas tij, situata është më ndryshe, ”dhe është shumë mirë që tash gjithçka është përshpejtuar”.

“Dakordimi i mbrëmshm ka një target kryesor dhe kohor për negocim dhe pajtueshmërinë e palëve lidhur me propozimin e BE-së të mbështetur nga Franca dhe Gjermania, e ajo është sa më shpejt dhe jo më vonë sesa fillimi i pranverës së vitit 2023”, tha ai.

Sipas tij, Kosova nuk e ka pranuar asnjë referencë në një marrëveshje konkrete që të përfshihet në tekstin e marrëveshjes së 23 nëntorit.

"Kur kam qenë unë gjatë bisedimeve, të hënën, insistimi më i madh ka qenë që në dakordimin, i cili bëhet deklaratë e Borellit, të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, tha Kurti.

“Ata e shohin Asociacionin si thelb të normalizimit, ne e shohim njohjen reciproke si thelb të normalizimit dhe është dallim i madh ndërmjet së hënës dhe së mërkurës”, tha ai.

Për formimin e Asociacionit është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, beson se komunat nuk mund të organizohen sipas parimeve etnike.

Dakordimi i mbrëmshëm, tha Kurti, e vendos procesin e negocimit të planit evropian në parimin ku Serbia dhe Kosova janë palë të barabarta.

Sipas tij, një kornizë e tillë është avancim i fuqishëm në drejtim të faktit që propozimi do të jetë një marrëveshje ndërkombëtare, ligjërisht e obligueshme dhe me njohjen reciproke në qendër. Presidenti serb, Vuçiq, tha në Beograd më 24 nëntor se marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për targa, është një fitore e vogël taktike “që do të na çojë në presion edhe më të madh”. Ai shtoi se Beogradi nuk është i interesuar për njohje reciproke me Prishtinën. Marrë nga REL

1 JAVE ME PARE

Propozimi franko-gjerman në tryezë/ Pas marrëveshjes për targat pritet që Kurti dhe Vuçiç të ftohen prapë në Bruksel

Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi për targat: Kurti:
Foto Ilustruese

KOSOVË- Në momentin e fundit arrihet marrëveshja për targat. Borrell paralajmëron takime të reja mes Kurtit dhe Vuçiçit në Bruksel. Presidentja e Kosovës falënderon SHBA për marrëveshjen. Kryediplomati i BE-së Josep Borrel thotë se do të sigurohet që çështjet dhe parimet kryesore që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Palët douhet të kuptojnë se të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për targat dhe palët ranë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Marrëveshja u arrit pak para mesnatës së ditës së mërkurë kur skadonte afati i vënë nga qeveria e Kosovës.

“Serbia do të ndërpresë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës, e Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm, mbi propozimin e paraqitur në muajin shtator nga ndërmjetësuesi i BE-së dhe të mbështetur nga Franca dhe Gjermania”, thuhet në një deklaratë të Josep Borrell. Ai nënvizoi se “Bashkimi Evropian, do të sigurohet që çështjet dhe parimet kryesore që lidhen me normalizimin do të trajtohen në kontekstin e propozimit dhe palët e kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura në bisedime duhet të zbatohen”.

Presidentja falënderon SHBA-në
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu një meritë të veçantë për arritjen e marrëveshjes për targat ia dedikoi SHBA-së, ku tha se “mbështetja e tyre për procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme”. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe i dërguari evropian për bisedimet, Miroslav Lajçak, ku falënderoi “posaçërisht Departamentin Amerikan të Shtetit dhe diplomacinë amerikane për mbështetjen e çmueshme”. Zëdhënësi Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price nga ana e tij, tha se “përgëzohet marrëveshja e të dy vendeve për t’u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë si rrugën më të mirë për të çuar përpara të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës”.

“Përgëzohet vendimi i palëve për të vënë interesat e të gjithë qytetarëve të tyre në krye të vendimmarrjes dhe që të ndërmarrin hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre. Të dyja palët bënë një hap gjigant përpara sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe qëndrueshmërisë në të gjithë rajonin”, shkroi Ned Price. Menjëherë sapo u arri marrëveshja për targat, këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, pati një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Kërkohet angazhimi i SHBA-së
“E falënderova për angazhimin konstruktiv në gjetjen e një rruge përpara për uljen e tensioneve dhe angazhimin për të punuar urgjentisht për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të cilin SHBA-ja e mbështet fuqishëm”, shkroi Chollet në Twitter. Partitë politike opozitare nga ana e tyre, kërkojnë lidership amerikan në bisedimet Kosovë-Serbi, ndërkohë që deri në arritjen e marrëveshjes ishin shumë kritike që kryeministrit Kurti sipas tyre “nuk dëgjonte kërkesat amerikane.

“Mirëpres arritjen e marrëveshjes për targa. Tani të përmbyllet marrëveshja për njohje, me lidership amerikan”, shkroi ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Vetëm dy ditë më parë kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit që patën në Bruksel, nuk arritën rezultate. Kryediplomati evropian Josep Borrel bëri përgjegjës kryeministrin Kurti që siç tha “refuzoi propozimin e BE-së për dalje nga situata e krijuar”. Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e kritikoi ashpër Borrellin për siç tha, “ndryshim të agjendës dhe largimin nga tavolina e diskutimeve të planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Qëllimi i madh u hoq nga agjenda. Nevoja urgjente për propozimin evropian me mbështetje franko-gjermane u zhduk nga tavolina duke ju përshtatur qëllimit të Serbisë, presidenti i së cilës kishte ardhur në Bruksel jo për propozimin e Bashkimit Evropian, por për targat”, tha kryeministri Kurti. E ashpër në reagimin e saj ishte edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, e cila Borrellin e akuzoi për njëanshmëri.

Akuzat ndaj Borrellit
“Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën”, shkroi Osmani në Facebook, duke përmendur disa marrëveshje të arritura mes Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje këto që sipas saj, nuk i ka respektuar Serbia.

Me 1 nëntor qeveria e Kosovës filloi zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për riregjistrimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, me gjithë thirrjet e komunitetit ndërkombëtar për shtyrjen e afatit. Të gjithë punonjësit serbë nga veriu dhe përfaqësuesit e tyre politik u larguan nga institucionet e Kosovës dhe me protesta të një pas njëshme, kundërshtuan vendimet e qeverisë së Kosovës.

Serbët nuk duhet të kenë frikë
Petar Petkoviq, kryenegociator i Serbisë në dialog, tha se pronarët e makinave më targa të lëshuara nga Serbia nuk kanë arsye të kenë frikë nga gjobat e Policisë së Kosovës, duke njoftuar njëkohësisht që targat e deritashme serbe mund të qarkullojnë lirshëm.

“Ato do të vazhdojnë të jenë në përdorim si deri më tani. Kjo do të thotë, ndër të tjera, se absolutisht të gjithë pronarët e makinave që kanë targa KM do të mund të regjistrojnë automjetet e tyre normalisht dhe të zgjasin vlefshmërinë e targave KM. I vetmi vend ku do të ndalemi, është që do të ndalim lëshimin e targave fizike tërësisht të reja KM deri në momentin kur të gjejmë një zgjidhje përfundimtare për targat”, tha Petkoviç.

Marrë nga DW

1 JAVE ME PARE

Marrëveshja për targat/ Vuçiç: Fitore e vogël pritet presion edhe më i madh! Të gatshëm të kthehemi në institucione

Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi për targat: Kurti:
Aleksandër Vuçiç

SERBI- Presidentit i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për targa, është një fitore e vogël taktike “që do të na çojë në presion edhe më të madh”. Një ditë më parë, më 23 nëntor, delegacionet e Serbisë dhe Kosovës arritën një marrëveshje për targat e lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës.

Kryediplomati evropian, Josep Borell, ka thënë se Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës. Në konferencën për media, Vuçiq tha të enjten se targat KM “do të mbeten dhe do të mbijetojnë” derisa negociatat janë duke vazhduar.

Ai konfirmoi se nuk do të ketë targa të reja KM, të cilat, sipas tij, ishin rreth 90 sosh në vit.

Vuçiç po ashtu tha se përfaqësuesit serbë janë të gatshëm të kthehen në institucionet e Kosovës, pasi të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Në këtë mënyrë është përgjigjur Vuçiç, i pyetur për qëndrimin në lidhje me zgjedhjet lokale në veri të Kosovës të planifikuara të mbahen më 18 dhjetor, pas largimit të serbëve nga veriu i Kosovës nga institucionet e Kosovës.

Më 5 dhjetor, serbët u larguan nga institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të riregjistruar targat serbe në RKS (Republika e Kosovës) dhe suspendimit të komandantit të policisë rajonale për veriun e Kosovës, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi ta zbatonte atë vendim. Për formimin e Asociacionit është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, beson se komunat nuk mund të organizohen sipas parimeve etnike.

Presidenti i Serbisë shtoi se është e rëndësishme që në Bruksel është theksuar domosdoshmëria e përmbushjes së marrëveshjeve të mëparshme. Vuçiç përsëriti se Serbia nuk do ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, dhe se zyrtarët serbë nuk duan të diskutojnë për këtë.

“Ne nuk e duam Kosovën në OKB dhe çfarë do të bëni atëherë, na bombardoni, na kërcënoni me sanksione”, tha ai.

Ai shtoi se Beogradi nuk është i interesuar për njohje reciproke me Prishtinën. Edhe Lista Serbe e ka mirëpritur marrëveshjen e arritur në Bruksel, dhe ka thënë se targat KM mbeten në përdorim dhe se ato do të mund të vazhdohen, por “të reja nuk të lëshohen tani për tani”. Marrëveshja është mirëpritur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Negociatat janë zhvilluar në Bruksel ndërmjet të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Bislimi ka thënë se pas marrëveshjes së 23 nëntorit, “ne duhet të vazhdojmë bisedimet intensive sa i përket propozimit të BE-së, të përkrahur nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të plotë të marrëdhënieve”. Takimi në Bruksel është zhvilluar vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.

Më 22 nëntor, me kërkesë të SHBA-s, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS - Republika e Kosovës, për t’u dhënë mundësi bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS - Republika e Kosovës, ka pasur tri faza. Faza e parë e qortimit është zbatuar deri më 22 nëntor. Faza e dytë parashihte gjobën prej 150 eurosh për shoferët e makinave me targa të tilla dhe më pas prezantimin e targave të përkohshme deri më 21 prill, datë pas së cilës ishte planifikuar që të mos kishte më makina me targa serbe. Serbia, e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan - duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Marrë nga REL

1 JAVE ME PARE

Varhelyi: Marrëveshja për targat është e suksesshme për ta shmangur përshkallëzimin

Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi për targat: Kurti:
Oliver Varhelyi

BRUKSEL- Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes së mbrëmshme për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai ka shkruar se marrëveshja është e suksesshme për ta shmangur përshkallëzimin.

“Negociatat duhet të vazhdojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar Varhelyi në Twitter.

Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian më 23 nëntor kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe. Negociatat janë zhvilluar në Bruksel mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç. Kryediplomati evropian, Josep Borell, ka thënë se Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka falënderuar Ambasadën amerikane në Kosovë për angazhimin e saj në arritjen e marrëveshjes për targat ilegale serbe.

dialogu kosove-serbi arrihet marreveshja per targat

Sondazh

Poll

Aksidenti me dy viktima në autostradën Tiranë-Durrës, makina mori para bordurat e rrugës

Aksidenti me dy viktima në autostradën Tiranë-Durrës, makina mori para bordurat e rrugës

VIDEO- Shpërthimi me tritol në butikun në Durrës, ja si u dëmtua biznesi i gruas

Berisha dhe demokratët 'zaptojnë' Kuvendin

Me pistoleta dhe kallashnikovë në Range Rover/ Arrestohen 4 "të fortët" në Tiranë

Berisha shton akuzën ndaj Ballës: Te ndjek hija e avokatit Ravik Gurra

VIDEO E SHERRIT/ Berisha akuzon Ballen per vrasjen e avokatit Ravik Gurra

PA KOMENT- Shkodra 'nën ujë', ja si duket qyteti

Protesta kundër traut në Divjakë, një betoniere brenda parkut

EKSKLUZIVE- Lulzim Basha takohet me Ben Blushin ne Panairin e Librit, merr me vete edhe vajzën

Balla: Berishës iu dogjën tre marrëveshje tek Porti i Durrësit, koncensionarët po i kërkojnë lekët

Balla-Spahos: Do shkosh tek Porti i Durrësit me pistoletë si Strazimiri, s'keni zgjidhje tjetër

Ndërtimi i rrugëve/Balla 'shigjeton' Partinë e Lirisë:Mondi bëj kallëzime, kishin ministritë në 2017

Balla 'lëshon' gojën: Saliut i rri mendja tek vëllezërit Kariç, na vjen dhe zor t'i përmendim...

Elisa Spiropali realizon "ëndrrën" e fëmijërisë me Berishën, del LIVE me të, tregon 2 gishta

Perplasje mes banoreve dhe Policise ne Divjake

Berisha 'shënjestron' Ulsi Manjën: Vetëm dy mushka kanë mbetur pa u punësuar në fshatin tënd

Berisha bllokon foltoren dhe del në Facebook: Jam live në gjithë botën, mos ma qani hallin mua!

Berisha: Parlamentin e komandojne grupet kriminale

Dëshmia e Orges Xhelilit para avokatëve: Policët bashkiakë më goditën

ME VIDEO- PLAS KEQ SHERRI në Komision, Braçe e humb kontrollin, "shpërthen": Ik ore pirdhu!

Protesta e opozitës, pamjet nga Bulevadi, mijëra qytetarë të mbledhur

Sherri i plotë i Ramës me dy deputetët e PD: Ta tregoj unë ty, do të shkatërroj!

Balla: Kokoneshi jashtë rrezikut për jetën

Veliaj takon Papa Françeskun: Jemi takuar në Tiranë...e aprovuam ndërtimin e bustit të Nënë Terezës

Droge mes karameleve ne Tirane

Grida Duma lë mandatin, kolegët e saj në lot, Açka dhe Gjekmarkaj të përlotur

Grida Duma lë mandatin e deputetes së Partisë Demokratike

Masakra e Lushnjes, babai i Leart Haxhiut: Djali im është i pafajshëm, se di ku është

Përdhunues serial, MOMENTI i arrestimit të Spartak Dyrmishit

Nga një armë në çdo raft rrobash, çfarë gjeti Policia gjatë aksionit në Shkodër

Dalin PAMJET nga megaaksioni në Korçë

Qeni i prish mitingun Ramës, të gjithë meken, kryeministri: Po lëre në punën e vetë...

Ibrahim Lici mesazh audio nga Turqia: Jetoj i lirë, nuk jam arrestuar

Arrestohet Agim Gjata, qelloi mbi RENEA

Meta: O Edi, o lepurush, do të shporrim me poezinë ‘liri a vdekje’ të Havzi Nelës

Pakti PD PL, Meta: Kryetari i Keshillit super politikan

Paloka 'korrekt' me orarin, takohet me Bardhin në një lokal para parlamentit

Alibeaj-Majkos: Je kokrra e komunistit! Deputeti socialist: Budalla! Dosjet s'mund të hapen për...

Flet avokati i vellezerve Mollaj: Tina genjen, e shantazhojne

Durrësi zgjohet nën ujë

Tetori rozë, vajzat dhe gratë e FA i bashkohen fushatës sensibilizuese kundër kancerit të gjirit

NIS PROTESTA në Elbasan/ Qytetarët fikin makinat në shenjë rebelimi, rreshtohen në shesh

Alibeaj pranoi bashkëpunimin, do nisin negociatat/ Berisha: E mirëpres. S'tërhiqem nga Primaret

Demokrati emocionet për 'doktorin'! I bie telefoni kur po fliste me Berishën,e përplas në tokë

Privatizimi i ish-klubit ‘Partizani’, dëshmon Qirjazi: MM më kërkoi firmën, bëra ç’ishte e ligjshme

Tiranë, bënin kontrabandë me veshje, pije, cigare dhe rroba, 3 të arrestuar në 2 operacione

Me 14 emigrantë në Morinë, arrestohet 19-vjeçari, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij

Rrumbullaku ngre strukturë për emërimet në polici: Riformatim ekipeve që hetojnë krimin

Me dy kallashnikovë në shtëpi e municion luftarak, arrestohet 31-vjeçari në Dibër

"Porsche", "Maseratti" e 'Mercedes Benz", arrestohet 52-vjeçari që shiste mjetet e vjedhura në BE