Aktualitet

"Kam kërkuar heqjen e mandatit për deputetë!" Në garë për kreun e SPAK, Xholi për rrëmbimin e dy biznesmenëve: I detyruan të hapnin varret dhe…

Gjatë fjalës së tij, Xholi ka theksuar angazhimin e tij në hetime të ndërlikuara dhe të rëndësishme, përfshirë rastet e rrëmbimit të dy biznesmenëve në Gjirokastër, si dhe çështje të tjera që kanë përfshirë dhunë dhe kërkesa të shumave të konsiderueshme monetare.

11 Dhjetor 2025, 09:42 Nga M.L
"Kam kërkuar heqjen e mandatit për deputetë!" Në
Adnan Xholi

TIRANA- Kandidati për kreun e ri të SPAK, Adnan Xholi, ka shpalosur para Këshillit të Lartë të Prokurorisë programin e tij dhe eksperiencën e gjatë në sistemin e drejtësisë, duke nisur nga hetimet e para që nga viti 1997. Gjatë fjalës së tij, Xholi ka theksuar angazhimin e tij në hetime të ndërlikuara dhe të rëndësishme, përfshirë rastet e rrëmbimit të dy biznesmenëve në Gjirokastër, si dhe çështje të tjera që kanë përfshirë dhunë dhe kërkesa të shumave të konsiderueshme monetare.

Xholi ka trajtuar edhe hetime ndaj zyrtarëve të lartë politikë, përfshirë dy deputetë dhe një kryetar bashkie, duke kërkuar heqjen e mandateve dhe ndjekjen ligjore të tyre. Gjithashtu ai ka udhëhequr hetime paralele në kuadër të Prokurorisë së Posaçme, duke përfshirë grupe kriminale që kryenin vjedhje të shumta dhe aktivitete ndërkufitare.

Gjatë prezantimit të tij, më tej Xholi ka theksuar rëndësinë e pavarësisë së prokurorëve dhe të drejtësisë së pandikuar nga presionet politike.

“Jam emëruar në vitin 1999 si prokuror në Gjirokastër. Jam angazhuar në hetimin e çështjeve sensitive që kishin ndodhur në vitin 1997. Kam prezantuar rastin e vrasjes të quajtura si ‘vrasja e Glinës’ në vitin 1997, një grup kriminal i armatosur me shtrirje në aksin Vorë-Tepelenë kishin krijuar mekanizëm për të grabitur shtetasit shqiptarë që punonin dhe jetonin në Greqi, dhe u zinin kurth në pikën kufitare.

Njëri nga anëtarët hiqej si taksist dhe bashkëpunëtorët e prisnin ne rrugë. Katër shtetas shqiptarë u vranë nga ky grup. Janë identifikuar autorët dhe janë dënuar të gjithë, për ekzekutorin kam kërkuar ’dënim të përjetshme’.

Dy çështje të tjera kanë të bëjnë me rrëmbimin e biznesmenëve. Dy biznesmenë u rrëmbyen, një në fshatin Peshkopi dhe një në qytetin e Gjirokastrës.  I rrëmbyen për një periudhë 9-18 ditë, ushtruan dhunë psikologjike dhe fizike. Duke i detyruar të hapnin varrin e tyre me qëllim të merrnin shumat monetare të kërkuara, ishin 100 mln dhrami”, tha Xholi.

Për pozicionin e kreut të SPAK garojnë katër prokurorë: Adnand Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gogaj dhe Klodian Braho.  Për herë të parë një grua kandidon për drejtuese të SPAK. Kandidatët do të paraqesin para anëtarëve të KLP platformat e tyre për drejtimin e SPAK dhe më pas do të votohet për emrin që do të drejtojë SPAK./ Dosja.al

adnan xholi zgjedhja e kreut te ri te spak

Sondazh

Poll