FOTO- Atentati te 'Kodra e Diellit', njollat e gjakut ende në vendngjarje
TIRANË- Fotoja më poshtë është nga zona e 'Kodrës së Diellit' në kryeqytet. Në foto shihet njollat e gjakut në oborrin e pallatit ku jetonte Sanaj, i cili u vra një natë më parë nga persona ende të paidentifikuar.
Ai ishte duke u ndjekur nga autorët që nga Lezha, aty ku mori pjesë në dasmën e mikut të tij, e deri në Tiranë. Ai është qëlluar nga një makinë tip “Benz” në lëvizje. Sanaj ishte duke mbyllur makinën te garazhi i pallatit ku jetonte dhe është takuar me tre persona të njohur në trotuar.
Autorët janë afruar me makinë dhe nga një distancë e afërt e kanë qëlluar me breshëri me kallashnikov. Sanaj ka tentuar t’i shmanget plumbave por nuk ka mundur, ndërsa është dërguar i pajetë në spital me plagë në trup. Persona që kanë qenë në vendngjarje i kanë ardhur në ndihmë duke e nisur për në spital.
Autorët kanë arritur të largohen dhe makina e tyre tip “Benz” u gjet e djegur pas ngjarjes, në Qafë Kashar, ndërsa brenda saj u gjet një kallashnikov. Makina ishte me targa të vjedhura vetëm pak ditë më parë në Tiranë.
Familja Sanaj, në vitin 2010 ka pasur konflikt me familjen Kola për shkak të ngacmimit të një vajze. Konflikti u ashpërsua dhe vëllai i vogël i Briken Sanajt plagosi një prej djemve të familjes Kola. Mes familjeve nisi një hasmëri që pavarësisht përpjekjeve për pajtim nuk u realizua. Për shkak të konfliktit, pista kryesore ku po hetohet për vrasjen është hakmarrja, ndërsa ende nuk ka asnjë gjurmë të autorëve.
Aktualisht, policia ka marrë në pyetje disa persona të cilët dyshohet se mund të kenë dijeni për vrasjen.




