Bota

Ukraina akuzon Rusinë se ka deportuar me forcë mbi 210,000 fëmijë: Po privojnë vendin nga e ardhmja

Reuters shkruan se Avokatja e të drejtave të njeriut, Lyudmyla Denisova tha se fëmijët ishin mes 1.2 milionë ukrainasve që Kievi thotë se janë dëbuar kundër vullnetit të tyre. 

13 Maj 2022, 20:04 Nga DOSJA
Ukraina akuzon Rusinë se ka deportuar me forcë mbi 210,000
Femijet ukrainas

UKRAINË- Ukraina tha të premten se Rusia kishte deportuar me forcë më shumë se 210,000 fëmijë që nga pushtimi i saj më 24 shkurt dhe akuzoi Moskën se dëshiron t'i bëjë ata qytetarë rusë. Reuters shkruan se Avokatja e të drejtave të njeriut, Lyudmyla Denisova tha se fëmijët ishin mes 1.2 milionë ukrainasve që Kievi thotë se janë dëbuar kundër vullnetit të tyre. 

Kremlini nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të Reuters për koment mbi akuzat e Denisova në lidhje me dëbimin e një numri të madh fëmijësh dhe shtetasve të tjerë ukrainas. Moska ka mohuar se ka shënjestruar qëllimisht civilët që nga fillimi i asaj që e quan një operacion special ushtarak në Ukrainë dhe thotë se po ofron ndihmë humanitare për ata që duan të largohen nga Rusia.

“Kur nxirren fëmijët tanë, ata shkatërrojnë identitetin kombëtar, e privojnë vendin tonë nga e ardhmja. Ata u mësojnë fëmijëve tanë atje, në rusisht, historinë që (presidenti rus Vladimir) Putin ua ka treguar të gjithëve," tha Denisova.

Rusia i është referuar "refugjatëve" që vijnë në Rusi për t'i shpëtuar luftimeve, veçanërisht nga qyteti jugor ukrainas i Mariupolit, i cili është në duart e rusëve pas disa javësh rrethimi dhe bombardimesh. 

Konventat e Gjenevës të vitit 1949, të cilat përcaktojnë standardet ligjore ndërkombëtare për trajtimin humanitar në konflikt, ndalojnë transferimet masive të dhunshme të civilëve gjatë një konflikti në territorin e fuqisë okupuese, duke e klasifikuar atë si një krim lufte.

(I.A/dosja.al)

Sondazh

Poll