Art&Argëtim

Në 84-vjetorin e lindjes shkrimtari Rexhep Qosja merr dhuratën e veçantë, del në treg romani i ri “Të fshehtat e treguar

25 Qershor 2020, 09:10 Nga DOSJA
Në 84-vjetorin e lindjes shkrimtari Rexhep Qosja merr dhuratën e

TIRANË– Sot më 25 qershor, shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur Rexhep Qosja feston 84-vjetorin e lindjes. E në këtë ditë kaq të veçantë për të, ai ka marrë edhe dhuratën më të bukur. Bëhet fjalë për daljen në treg të romanit të tij më të ri, me titullin “Të fshehtat e treguara”.

Qosja ka lindur më 25 qershor 1936 në Qifllak të Rahovecit, dhe sot ai njihet si një nga shkrimtarët dhe akademikët shqiptarë më të vlerësuar, gjithashtu edhe si një anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Kujtojmë se shkrimtari 84-vjeçar është autor i mbi 50 librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike.

Mes shumë urimesh për ditëlindjen, bie në sy edhe urimi i publicistit Fatmir Toci për akademikun Qosja.

“Ai është dhe mbetet njëri prej protagonistëve të realitetit të sotëm historik e kulturor shqiptar, figurë poliedrike e shkencëtarit, prozatorit, dramaturgut dhe kritikut letrar, eseistit dhe publicistit, mendimtarit dhe pedagogut, polemistit dhe intelektualit atdhetar e qytetar, që e ka lidhur jetën dhe krijimtarinë e tij me fatet e vendit dhe të kombit të tij, të kombit tonë një dhe të pandarë.”– ka shkruar Toci përmes një postimi në Facebook.

Veprat e Qoses:

Qosja ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në lëmin e studimeve letrare dhe është i njohur për sintezat e mëdha shkencore në fushën e historisë së letërsisë e të mendimit teoriko-letrar, me një sërë botimesh ku trajton autorë, vepra dhe periudha historiko-letrare dhe ku për herë të parë bën sintezën e madhe të historisë së popullit shqiptar, të letërsisë dhe të kulturës së tij pa ndarje kufijsh politikë, kulturorë dhe historikë, duke i parë ata si një të tërë me zhvillimet historike të Evropës dhe si një etni socio-kulturore, politike e gjuhësore në zhvillimin e qytetërimit të tyre.

Veprat e tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Sfinga e gjallë”, “Beselam pse më flijojnë”, “Bardha”, “Çështja shqiptare – historia dhe politika” dhe “Populli i ndaluar” janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Dramat e tij janë shfaqur në teatrot e Kosovës, të Shqipërisë, në disa qendra në ish-Jugosllavi dhe në Europë. Shkrimet e tij publicistike kundër politikës serbe ndaj shqiptarëve të botuara në shtypin kroat e slloven, shënuan fillimin e dejugosllavizimit të mendimit politik shqiptar në Kosovë. Rexhep Qosja kreu studimet e larta në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës dhe u specializua në shkencën e letërsisë në Universitetin e Beogradit.

Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoraturës me punimin “Asdreni, jeta dhe vepra e tij”. Më 1972, u zgjodh bashkëpunëtor i lartë e pastaj këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, si dhe profesor i estetikës dhe drejtues i studimeve për filologji në Fakultetin Filologjik të Prishtinës Ka qenë kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re” dhe për 11 vjet drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Ka qenë kryetar i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike të Kosovës, anëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje dhe anëtar i Kryesisë së këtij delegacioni. Ka qenë anëtar i Këshillit Administrativ dhe i Këshillit të Përgjithshëm të Kosovës.

Është anëtar i Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës që prej themelimit të saj dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në vitin 1998 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit” i Republikës së Shqipërisë. Është shpallur “Qytetar Nderi” i qyteteve Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë. Në vitin 2012 Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi serinë e plotë të veprave të tij në 29 vëllime.

A.C/Dosja.al

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

kulture kulture rexhep qosja rexhep qosja

Sondazh

Poll

Art&Argëtim 25 Qershor 2020, 08:48

PRISHTINË– Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qënë gjithmonë kundër Gjykatës Speciale. Pas ngritjes së aktakuzës për presidentin Hashim Thaç...