Aktualitet

Dosja Veliaj/ Mbahet sot seanca e radhës e gjyqit për kryebashkiakun e Tiranës

Ky proces vijon pasi Gjykata e Posaçme vendosi kalimin e çështjes për gjykim që më datë 9 shkurt.

24 Mars 2026, 09:11 Nga D.S
Dosja Veliaj/ Mbahet sot seanca e radhës e gjyqit për kryebashkiakun e
Erion Veliaj

TIRANË- Sot zhvillohet seanca e dytë gjyqësore në themel për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, si dhe 28 persona të tjerë të përfshirë në këtë dosje. Ky proces vijon pasi Gjykata e Posaçme vendosi kalimin e çështjes për gjykim që më datë 9 shkurt.

Në seancën e parë të mbajtur më 9 mars, Veliaj nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga avokatja e caktuar kryesisht, Valentina Teodoresku. Gjatë kësaj seance, GJKKO pranoi kërkesën e tij të përsëritur për t'u njohur me të gjitha aktet hetimore të dosjes.

Pavarësisht pretendimeve të Veliajt se procesi nuk duhet të ishte ende në fazën e themelit, SPAK ka vepruar me shpejtësi pas vendimit të gjykatës. Vetëm një ditë pas miratimit të kërkesës, agjentët e BKH-së i dorëzuan atij 28 mijë faqe dokumentacion, të ndara në 72 fashikuj, për të garantuar mbrojtjen e tij efektive.

Për çfarë akuzohet Veliaj?

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.

Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal./Dosja.al

 

veliaj

Sondazh

Poll