Politike

Gjergji Erebara: Ulja e akcizës kompensohet nga rritja e çmimeve të karburanteve

Erebara argumenton se ulja e paralajmëruar prej 20% e akcizës, nga 39 lekë për litër, përkthehet në një reduktim prej rreth 7.8 lekësh për akcizën dhe rreth 1.3 lekësh për TVSH-në mbi të.

21 Mars 2026, 08:07 Nga I.A
Gjergji Erebara: Ulja e akcizës kompensohet nga rritja e çmimeve
Gjergji Erebara

TIRANË- Gazetari Gjergji Erebara ka reaguar lidhur me vendimin e fundit për uljen e akcizës së karburanteve, duke e cilësuar atë si një masë më shumë politike sesa ekonomike. Sipas tij, ndryshimi i qëndrimit të qeverisë krahasuar me vitin krizën e vitit 2022 tregon rritje të presionit publik. Ai thekson se, ndryshe nga ajo periudhë kur autoritetet refuzonin ndërhyrjen dhe paralajmëronin për pasoja ndaj tregtarëve, sot është vendosur të aplikohet ulja e akcizës, çka sipas tij lidhet me frikën nga reagimi qytetar.

Erebara argumenton se ulja e paralajmëruar prej 20% e akcizës, nga 39 lekë për litër, përkthehet në një reduktim prej rreth 7.8 lekësh për akcizën dhe rreth 1.3 lekësh për TVSH-në mbi të. Megjithatë, ai thekson se kjo ulje neutralizohet nga rritja e çmimeve të importit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare. Në përfundim, ai vlerëson se ndonëse kriza aktuale është më e lehtë krahasuar me atë të vitit 2022, reagimi i qeverisë këtë herë tregon një rritje të ndjeshme të presionit dhe pakënaqësisë publike.

Postimi i Plotë:

Lajmi i parë është që Rama ka aq shumë frikë, sa në dallim me vitin 2022, sot ka vendosur të ulë akcizën e karburanteve. Nëse e mbani mend, në atë kohë, Belinda Balluku i bërtiste importuesve të karburanteve: "Do t'ju djegin!" ndërsa i paralajmëronte për rrezikun e revolucionit. Lajmi i dytë është që ulja e akcizës kompensohet totalisht nga rritja e çmimit. Rama do të vijojë të ketë të njëjtën shumë parash për të bërë tenderë dhe rroga patronazhistësh parazitarë si më parë. Premtimi për uljen e akcizës me 20% nga 39 lekë për litër që është tani do të thotë 7.8 lekë ulje për akcizën dhe 1.3 lekë ulje për TVSH mbi akcizën. Siç shihet në këtë grafik nga Reuters, çmimi i diezelit të importit është rritur nga 750 usd për ton para luftës, në 1330 usd për tonë. Toni ka afërsisht 1160 litra. Nëse llogarit në lekë, (usd kushton 82 lekë, toni i naftes ka afërsisht 1160 litra), rritja e çmimit do t'i japë qeverisë rreth 9 lekë TVSh shtesë, aq sa do të ulë te akciza. Kriza e vitit 2022 ishte ku e ku më e rëndë se sa kjo e sotmja. Por fakti që atëherë nuk veproi dhe tani po vepron, tregon se bashkë me çmimin e naftës është rritur edhe niveli i frikës nga revolucioni.

gjergji erebara

Sondazh

Poll