Aktualitet

Heshtja që vret/ Dhuna që shoqëria nuk duhet ta injorojë

Thirrja e fundit e një njeriu në moshën më të bukur e që kishte gjithë jetën përpara.

13 Mars 2026, 21:39 Nga Dojna Mema

Heshtja që vret/ Dhuna që shoqëria nuk duhet ta injorojë

Këtë javë një vajzë 25-vjeçare nga Lezha i dha fund jetës së saj. Përpara se të largohej, la vetëm një fjali: “Nuk dua të më lëndojnë.”

Pesë fjalë.

Thirrja e fundit e një njeriu në moshën më të bukur e që kishte gjithë jetën përpara.

Unë s’e njoh atë vajzë. Por e njoh atë fjali. Dhe ju, nëse jeni të sinqertë me veten, e njihni edhe ju. Sepse bota që na rrethon shpesh është e padrejtë, shtypëse dhe jo rrallë ndihemi të zënë si në çark. Por ajo që nuk na e mëson kush është që jeta nuk është vetëm një moment, ai moment i vështirë kur bota na zë përfund e jeta duket pa kuptim.  Jeta është shumë më e gjatë se aq dhe çdo traumë mund të kapërcehet, dhe jeta një ditë do të marrë vlerë dhe do të bëhet e bukur.

Po si ta kuptosh, kur je në errësirë e nuk ngopesh dot as me frymë?

Kur të duket se ke bërë gabime që nuk do të ndreqen kurrë? Kur të duket sikur ti e meriton të mos jetosh?

Ata që vendosin ta ndërpresin jetën e tyre rrallë e bëjnë pa lënë gjurmë. Ata japin sinjale, por ne jemi tepër të zënë ose i shohim pothuaj gjithmonë vetëm pasi është vonë.

Keni dikë pranë jush që ka kohë që nuk është vetvetja?

Keni dikë që tallet me dhimbjen e tij, sikur të mos ia vlejë ta marrë seriozisht?

Keni dikë që po ju thotë, me heshtjen e tij: “Nuk dua të më lëndojnë?”

Mos prisni. Pyeteni sonte. Jo me mesazh. Me zë. Me prani.

Sepse njerëzit nuk largohen papritur. Largohen pasi kanë pritur shumë kohë që dikush t’i mbrojë e që dikush t’i ndalojë.
Ne mund ta kishim shpëtuar atë vajzë. Jo ne si shtet. Jo ne si sistem.

Ne, njerëzit, që mund të ulim telefonin dhe të qëndrojmë për të dëgjuar thirrjen e asaj që ndihet vetëm./Piranjat news

Sondazh

Poll