Politike

“Gërdeci”/ Kërkoi përjashtimin e Irena Gjokës, GJKKO rrëzon sërish kërkesën e Fatmir Mediut! Avokati: S’mund të akuzohet ministri se nuk njeh kalibrat, ka funksion politik

Pasi u mor në shqyrtim kërkesa, u vendos se ajo ishte në papajtueshmëri me afatet procedurale dhe për pasojë, mosrespektimi i afatit ka sjellë papranueshmërinë e kërkesës së avokatëve. Përballë saj dhe prokurorit Arben Kraja, avokati Henrik Ligori kundërshtoi disa nga parashtrimet e Prokurorisë së Posaçme.

10 Mars 2026, 10:20 Nga E. D

“Gërdeci”/ Kërkoi përjashtimin e Irena Gjokës,

TIRANË- Seanca për gjykimi e dosjes Gërdeci ka vijuar këtë të martë në GJKKO, ku ku ish-ministri Fatmir Mediu është marrë i pandehur për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Bëhet me dije se gjyqtarja Atalanta Zeqiraj ka rrëzuar kërkesën për përjashtimin e Irena Gjokës nga gjykimi i dosjes “Gërdeci”.

Pasi u mor në shqyrtim kërkesa, u vendos se ajo ishte në papajtueshmëri me afatet procedurale dhe për pasojë, mosrespektimi i afatit ka sjellë papranueshmërinë e kërkesës së avokatëve. Përballë saj dhe prokurorit Arben Kraja, avokati Henrik Ligori kundërshtoi disa nga parashtrimet e Prokurorisë së Posaçme.

Sipas avokatit, sa i takon akuzës për municionet, nuk ka asnjë akt ligjor që i ndan në kalibër të madh dhe kalibër të vogël. Gjithashtu avokati ka theksuar se s’mund të akuzohet ministri se nuk njeh kalibrat.

"Ministria e Mbrojtjes është një strukturë me dy krerë: një pjesë politike dhe pjesa tjetër Shtabi i Përgjithshëm. Personat që kanë pasur përgjegjësi për Gërdecin kanë marrë përgjegjësitë e tyre. Sa i takon akuzës për municionet, nuk ka asnjë akt ligjor që i ndan në kalibër të madh dhe kalibër të vogël.

Ministri i Mbrojtjes përgjigjet për politikat e ministrisë. Nuk mund të akuzohet se nuk i njeh kalibrat, pasi me këtë punë merret Shtabi i Përgjithshëm. Si mund t’i ngarkohet një ministri politik përgjegjësi teknike? Sa i takon akuzës për transportin, nuk është detyra e ministrit, sepse ka struktura që merren me faturat. Duket se akuza e ngritur nga prokuroria është e pambështetur," tha avokati.

Ish-ministri, Mediu po hetohet për çështjen ‘Gërdeci’, tragjedi e cila ndodhi në 15 mars të vitit 2008, ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve mbetën 26 të vrarë dhe qindra të plagosur. Mediu po gjykohet për dy akuza, atë të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues”. Ish-ministri ka mohuar akuzat ndaj tij, duke u shprehur se gjatë detyrës ka zbatuar gjithnjë ligjin./Dosja.al

gërdeci

Sondazh

Poll