Aktualitet

Aksidenti fatal që i mori jetën 7-vjeçarit, Policia jep detaje: Identifikohen dhe vihen në pranga drejtuesit e 2 automjeteve 

Në pranga ka rënë Tomorr Shukulli, rreth 55 vjeç dhe Valentina Koltraku, rreth 42 vjeçe. I mituri fillimisht është përplasur nga 55-vjeçari dhe më pas nga shoferja 42-vjeçare.

24 Shkurt 2026, 22:43 Nga E. D
Aksidenti fatal që i mori jetën 7-vjeçarit, Policia jep
foto ilustuese

TIRANË- Policia ka zbardhur autorët e  aksidentit të ndodhur mesditën e sotme, në rrugën “Kastriotët”, me pasojë vdekjen e një të mituri. Blutë njoftojnë, se janë identifikuar dhe vënë në pranga drejtuesit e 2 automjeteve të përfshira në këtë aksident.

Në pranga ka rënë Tomorr Shukulli, rreth 55 vjeç dhe Valentina Koltraku, rreth 42 vjeçe. I mituri fillimisht është përplasur nga 55-vjeçari dhe më pas nga shoferja 42-vjeçare. Ndërkohë, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë: 

Tiranë/Zbardhen autorësia dhe rrethanat e aksidentit të ndodhur mesditën e sotme, në rrugën “Kastriotët”, me pasojë vdekjen e një të mituri.

Identifikohen dhe vihen në pranga drejtuesit e 2 automjeteve të përfshira në këtë aksident.

Gjenden dhe sekuestrohen 2 automjetet.

Si rezultat i hetimeve të kryera nga grupi i posaçëm, menjëherë pas aksidentit të ndodhur rreth orës 11:20 të datës 24.02.2026, në rrugën “Kastriotët”, si pasojë e të cilit humbi jetën një 7 vjeçar, specialistët e qarkullimit rrugor identifikuan dhe arrestuan autorët e dyshuar të rastit, shtetasit T. Sh., 55 vjeç dhe V. K., 42 vjeçe.

Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se i mituri është përplasur fillimisht nga automjeti që drejtonte 55-vjeçari dhe më pas nga automjeti që drejtonte shtetasja V. K.

Të dy drejtuesit e automjeteve janë larguar nga vendi i aksidentit.
Gjatë veprimeve hetimore, 55-vjeçari, i cili e ka transportuar të miturin, në spital, ka tentuar të mohojë dijeninë rreth aksidentit.

Hetimet vijojnë për të individualizuar dhe dokumentuar përgjegjësinë penale të secilit prej të arrestuarve. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./Dosja.al

policia e tiranes

Sondazh

Poll