Aktualitet

VENDIMI/ I akuzuar për masakrën e Kuçovës në 1997! GJKKO rrëzon kërkesën e të dënuarit me burgim të përjetshëm Fran Marashi për regjimin e posaçëm

Mësohet se, Gjyqtari Erjon Bani, pasi shqyrtoi ankimimin, vendosi ta shpallë të papranueshme kërkesën e të dënuarit për të rrëzuar vendimin e ministrit të Drejtësisë, që e izolonte atë prej vitit të kaluar në regjimin “41 bis”.

20 Shkurt 2026, 16:17 Nga E. D

VENDIMI/ I akuzuar për masakrën e Kuçovës në 1997!

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka marrë sot vendimin lidhur me kërkesën e depozituar më 30 janar të këtij viti nga i dënuari përjetë për masakrën e Urës Vajgurore më 1997, Fran Marashi. Mësohet se, Gjyqtari Erjon Bani, pasi shqyrtoi ankimimin, vendosi ta shpallë të papranueshme kërkesën e të dënuarit për të rrëzuar vendimin e ministrit të Drejtësisë, që e izolonte atë prej vitit të kaluar në regjimin “41 bis”.

Vitin e kaluar, ndaj tij është dhënë edhe dënimi me izolim përjetë, për vrasjen e 4 policëve në Berat, që u dogjën të gjallë pas goditjes së blindit me antitank.

Konkretisht më 30 janar 2026, Marashi iu drejtua gjykatës me një kërkesë për kundërshtimin e urdhrit nr. 620, datë 13.12.2024, të Ministrit të Drejtësisë, “Për vendosjen në regjim të posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë”.

Vendimi i GJKKO-së:

Kërkuesi Fran Marashi me datë 30.01.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Kundërshtimin e urdhërit nr. 620, datë 13.12.2024 të Ministrit të Drejtësisë “Për vendosjen në regjim të posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë të të burgosurit Fran Marashi”.

-Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112 dhe 471 pika 5 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe vendimet nr. 28, datë 16.12.2008; nr. 11, datë 05.04.2013 dhe nr. 4, datë 23.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese, me vendimin nr. 119, datë 20.02.2026, vendosi:

-Papranueshmërinë e kërkesës penale me nr. 119 Regjistri Themeltar, datë 30.01.2026, me Kërkues: Fran Marashi, me objekt: Shfuqizimin e urdhrit nr. 620, datë 13.12.2024 të Ministrit të Drejtësisë “Për vendosjen në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë të të burgosurit Fran Marashi” pasi çështja ka mbetur pa objekt.

-Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi./Dosja.al

Sondazh

Poll