Politike

Berisha: Kushtetuta pezullon edhe gjykatësit kushtetues, por Rama po përdor mercenarët e llojit Papajorgji dhe Beci

Berisha përmendi me emër gjyqtaren Fiona Papajorgji dhe Sandër Beci, duke ngritur dyshime për integritetin e tyre dhe duke aluduar për ndikime politike në vendimmarrje.

18 Shkurt 2026, 13:13 Nga I.A

Berisha: Kushtetuta pezullon edhe gjykatësit kushtetues, por Rama po

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha, deklaroi se Kushtetuta e vendit parashikon pezullimin nga detyra edhe të gjyqtarëve kushtetues, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor, “mercenarë” brenda sistemit për të mbrojtur interesa politike. Në një deklaratë nga mbledhja e grupit parlamentar të PD-së, Berisha kritikoi katër gjyqtarë që nuk votuan në favor të masës së SPAK ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku.

Berisha përmendi me emër gjyqtaren Fiona Papajorgji dhe Sandër Beci, duke ngritur dyshime për integritetin e tyre dhe duke aluduar për ndikime politike në vendimmarrje. Sipas Berishës, Kushtetuta i jep legjitimitet pezullimit të një zyrtari, pavarësisht degës së pushtetit, me përjashtim të rasteve kur mandati buron drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve, si deputetët dhe kryetarët e bashkive.

"Ishin të pandërgjegjshëm, pa karakter, katër gjykatësit që nuk votuan së bashku me të tjerë në favor të masës së SPAK për Lubi Ballukun. Imagjinoni ju Fionën, Papajorgjin, një ekstremiste ekstreme. Ta pyes unë atë, zonjë, kur Kushtetuta të pezullon ty që je në hierarkinë më të lartë të këtij shteti, na thuaj pak, thuaju pak shqiptarëve pse nuk pezullohet Lubi Balluku apo ka paguar? Dhe sa të paguar ty dhe të tjerët apo atë Sandër Becin me kompani. Shikoni se çfarë turpesh ka.

Dhe tani ky, për të shpëtuar ligjin, se e di se ky ligj nuk qëndron, vetëm një njeri si ai mund të ndërmarrë një nismë të tillë, tani thotë po u përfshi edhe ju. Dhe me mercanarë të llojit Papajorgji apo Beci, beson se do mund ta bëjë të përtypshëm ligjin. Këta nuk kanë ligj as moral. Kodi i tyre etik është vetëm hajnia, vjedhja dhe vetëm vjedhja. Që në momentin që Kushtetuta thotë se gjykatësi kushtetues pezullohet nga detyra, Kushtetuta, libri themelor i shtetit, i ka dhënë legjitimitet masës së pezullimit pavarësisht nga dega e pushtetit, përveçse kur ai buron direkt nga populli.

Kur buron direkt nga sovrani. Deputeti dhe kryetarët e bashkive. Këta kemi ne pushtet që buron direkt nga qytetarët. Po, kur ke kryer me çdo firmë krime dhe plaçkë, sigurisht që verbohesh, nuk lexon dot as Kushtetutë, nuk lexon as ligje, nuk njeh asnjë normë morale," tha Berisha./Dosja.al

sali berisha

Sondazh

Poll