Aktualitet

Nuk justifikonte dot pasuritë, KPA lë në fuqi vendimin për shkarkimin e ish-gjyqtaren e Durrësit

Në vitin 2015, ajo u kallëzua në Prokurori nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për dyshime për fshehje pasurie.

17 Shkurt 2026, 17:39 Nga E.d
Nuk justifikonte dot pasuritë, KPA lë në fuqi vendimin
Shpëtime Pitaku

TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për shkarkimin nga detyra të Shpëtime Pitakut. Ky është një vendim përfundimtar dhe vjen pas ankimimit që bëri ish-gjyqtarja e Durrësit.

Pitaku e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993. Ajo ka punuar prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Durrës. Në vitin 2015, ajo u kallëzua në Prokurori nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për dyshime për fshehje pasurie. Megjithatë hetimi ndaj saj u mbyll pa rezultat.

Në vitin 2023, banesa e saj ra pre e një grabitje. Disa persona vodhën brënda ambienteve të banesës së saj 2 mijë euro dhe disa bizhuteri. Shpëtime Pitaku pati deklaruar se posedon edhe 7 pasuri të paluajtshme. Ajo ka deklaruar një klinikë dentare dhe 5 lokale.

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Albana Shtylla relatore, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 54/2024, datë 23.12.2024, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Shpëtime Pitaku kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 790, datë 26.07.2024.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 790, datë 26.07.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Shpëtime Pitaku. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, në Tiranë, më datë 17.02.2026.”, thuhet në vendim./Dosja.al

durrës ish-gjyqtarja kpa

Sondazh

Poll