Aktualitet

Rrëzohet ankimimi i Komisionerit Publik, KPA konfirmon Jurida Bajraktarin në Gjykatën Administrative të Apelit

Kjo erdhi pas një pezullimi 1-vjeçar dhe trajnimit që Bajraktari zhvilloi në Shkollën e Magjistraturës.

9 Shkurt 2026, 18:21 Nga E.d
Rrëzohet ankimimi i Komisionerit Publik, KPA konfirmon Jurida
Jurida Bajraktari

TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili në vitin 2023 konfirmoi në detyrë Jurida Bajraktarin. Kjo erdhi pas një pezullimi 1-vjeçar dhe trajnimit që Bajraktari zhvilloi në Shkollën e Magjistraturës. Ajo punon si ndihmëse ligjore pranë Gjykatës Administrative të Apelit.

Por, Komisioneri Publik kishte ankimuar vendimin e KPK-së për qëndrimin e saj në detyrë. Vendimi i sotëm i KPA-së është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. Bëhet me dije se Bajraktari kishte rezultuar me mangësi profesionale, para se të bënte trajnimin në Shkollën e Magjistraturës.

Njoftim vendimi:

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Ina Rama relatore, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 51/2023, datë 06.11.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 701, datë 25.09.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Jurida Bajraktari.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 701, datë 25.09.2023 , që i përket subjektit të rivlerësimit Jurida Bajraktari. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, më datë 09.02.2026, në Tiranë./Dosja.al

jurida bajraktari kpa ndihmëse ligjore

Sondazh

Poll