Politike

Formimi i qeverisë së re në Kosovë/ Kurti paralajmëron emra të rinj në ekzekutiv

Në zgjedhjet e fundit, të 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit mori më shumë se 50 për qind të votave.

4 Shkurt 2026, 20:56 Nga E. D
Formimi i qeverisë së re në Kosovë/ Kurti paralajmëron
Albin Kurti

KOSOVË- Kryeministri, Albin Kurti ka paralajmëruar ndryshime në kabinetin e qeverisë “Kurti 3” në raport me emrat që i pati prezantuar në Kuvend, para se vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Kurti ka deklaruar se do jenë shumë prej emrave që i ka propozuar si vetë ai dhe Glauk Konjufca, por nuk do të jenë identikë. 

“Do të ketë shumë prej emrave që tashmë i kam prezantuar edhe unë dhe Glauk Konjufca vjeshtën e vitit të kaluar, mirëpo nuk do të jenë identikë. Do të ketë edhe emra të tjerë”, deklaroi Kurti për mediat në Podujevë.

Në listën e të propozuarve nga Kurti ishin përfshirë emra të rinj, teksa ishin lënë jashtë ai i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i ministres në detyrë të Tregtisë e Industrisë, Rozeta Hajdari, i ministrit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci. Për postin e ministrit të Infrastrukturës, Kurti pati propozuar kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha.

Detyrën për ta udhëhequr ministrinë e re, atë për Familje e Mirëqenie Sociale, ia pati besuar Andin Hotit. E në atë për Kulturë dhe Turizëm e pati propozuar aktorin Fatmir Spahiu. Për ministre të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kurti kishte propozuar Fitore Pacollin, e cila nuk ka mbajtur post ministror në Qeverinë Kurti 2.

Ndërkohë, ministren e deritanishme e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e pati propozuar që të marrë drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, e cila më parë është udhëhequr nga Albulena Haxhiu. Në dy raste, pos Kurtit edhe Glauk Konjufca si mandatar për kryeministër, patën propozuar rritjen e numrit të ministrive nga 15 në 19.

Në zgjedhjet e fundit, të 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit mori më shumë se 50 për qind të votave. Këto vota i mjaftojnë për të formuar qeverinë në bashkëpunim vetëm me pakicat./Dosja.al

albin kurti

Sondazh

Poll