Politike

Kritikat e Shoqatës së Prokurorëve, Rama: S’ka pasur asnjë tentativë për të ulur pagat e gjyqtarëve

Rama thekson se vëmendja e qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor është aq e madhe sa prej rreth një viti po punojnë për të mundësuar ndërtimin e një Poli Drejtësie. 

4 Shkurt 2026, 12:57 Nga I.A
Kritikat e Shoqatës së Prokurorëve, Rama: S’ka pasur
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kritikave të Shoqatës së Prokurorëve në lidhje me sulmet që po i bëhen drejtësisë për pagat e gjyqtarëve. Me anë të një postimi në X, Rama shkruan se nuk ka asnjë tentative nga ana e qeverisë për të ulur pagat e gjyqtarëve.    

Rama thekson se vëmendja e qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor është aq e madhe sa prej rreth një viti po punojnë për të mundësuar ndërtimin e një Poli Drejtësie. Po ashtu Rama ka pyetur shoqatën e prokurorëve, se përse nuk reagojnë për paraburgimet pa gjyq dhe për prezurmimin e pafajësisë. 

Reagimi i plotë:

Paska dalë edhe një shoqatë prokurorësh e re - ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, po brenda afatit për regjistrim - e cila ka deklaruar solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve, duke kërkuar “që të mos ulen pagat”!!! Pra, orvajtja absurde e kategorisë më të privilegjuar të piramidës së pagave të shtetit shqiptar, për t’ia rritur akoma më shumë pagat vetes me gjyq, tani na del si përpjekja e një grupi të diskriminuar nga qeveria, për të ndaluar uljen e pagave!!! A e kuptoni apo jo se çfarë quhet “ulje pagash” në fillin e çuditshëm të këtij arsyetimi? 

Mosngritja e pagave aq sa duan shoqatat e gjyqtarëve!!! Pra, shqip, një pagë që s’më ngrihet sa ç’dua unë, është një pagë e ulur!!! Duket totalisht e pabesueshme, po është shumë fatkeqësisht e vërtetë!  Absurditet total pra, sepse vetëm s’ka pasur asnjë tentativë, po as nuk i ka shkuar mendja askujt për të ulur pagat e gjyqtarëve! Madje kaq e madhe është vëmendja e qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor, sa prej thuajse një viti tanimë po punojmë për të mundësuar ndërtimin e një Poli Drejtësie, si askund në Ballkan, që edhe kushtet e punës së trupës së drejtësisë të jenë njësoj si pagat, më të mirat në rajon! 

Por ndërkohë, s’mund të rri dot pa i shtruar një pyetje kësaj shoqatës së re: Po për shqelmimin e vazhdueshëm si askund në Europë të prezumimit të pafajësisë dhe kthimin e arresteve me burg pa gjyq në një praktikë rutinë, e cila e ka njollosur Shqipërinë botërisht, duke na renditur si dele të zezë në bisht të kontinentit europian dhe kthyer në subjekt publik shqetësimi të Komitetit të Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës, a keni ndonjë gjë për të deklaruar?!/Dosja.al

edi rama shoqata e gjyqtareve shoqata e prokuroreve

Sondazh

Poll