Politike

Gjyqtarët kërkojnë rritje page/ Shoqata e Prokurorëve: Debatet publike që lidhen me Drejtësinë, duhet të jenë të balancuara

Në një sqarim për opinion publik, shoqata thotë se vlerëson debatet që lidhen me sistemin e drejtësisë.

4 Shkurt 2026, 09:30 Nga D.S
Gjyqtarët kërkojnë rritje page/ Shoqata e Prokurorëve:
foto ilustruese

TIRANË-  Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar në lidhje me debatin për rritjen e pagave, ku pak më parë reagoi edhe kryeministri Edi Rama. Në një sqarim për opinion publik, shoqata thotë se vlerëson debatet që lidhen me sistemin e drejtësisë.

Sipas shoqatës, çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës. Ndër të tjera, Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shpreh besimin e saj në Gjykatën Kushtetuese si autoriteti legjitim për të dhënë fjalën përfundimtare në këtë proces.

Njoftimi i Shoqatës së Prokurorëve:

"Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të zhvillimeve të fundit dhe debatit publik rreth gjykimit kushtetues mbi pagat e magjistratëve, në përmbushje të misionit dhe veprimtarisë së saj, e konsideron të domosdoshme të shprehë një qëndrim zyrtar në funksion të mbrojtjes së parimeve të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë vlerëson se debatet publike për çështje që lidhen me sistemin e drejtësisë duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme, të balancuar dhe me respekt për rolin kushtetues të magjistratëve. Çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë i bashkohet qëndrimeve publike dhe kërkimeve të argumentuara tashmë në mënyrë shteruese nga shoqatat e gjyqtarëve përpara Gjykatës Kushtetuese. Theksojmë se çdo ndryshim ligjor që passjell regres në standardet e njohura më parë dhe ulje të pagave të magjistratëve, përbën cenim të garancive kushtetuese.

Në një shtet demokratik dhe të së drejtës, pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë në tërësi përbën një parim themelor, i cili duhet të respektohet nga të gjithë aktorët institucionalë dhe publikë, veçanërisht në faza të ndjeshme përpara vendimmarrjes. Në këtë kontekst, gjykimi kushtetues i inicuar nga shoqatat e gjyqtarëve duhet të përfundojë i pandikuar nga çdo presion i jashtëm apo instrumentalizim i opinionit publik.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shpreh besimin e saj të plotë në Gjykatën Kushtetuese si autoriteti i vetëm legjitim për të dhënë fjalën përfundimtare në këtë proces, si dhe mbështet çdo përpjekje institucionale dhe civile që synon forcimin e rendit kushtetues, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe mbrojtjen e standardeve demokratike në vend.", deklaroi Shoqata./Dosja.al

kerkuan rritje rrogash debatet publike që lidhen me drejtësinë duhet të jenë të balancuara shoqata e prokuroreve

Sondazh

Poll