Politike

Përmbytjet në Durrës/ Rama përplaset me gazetaren: Injorancë e ububushme. Klodiana Lala: Ku është inceneratori i Tiranës?

Por përgjigjen për këto akuza, Rama e ka marrë nga gazetarja Lala, e cila i kujtoi se nëse inceneratori i Tiranës do të punonte, këto mbetje nuk do të ishin në rrugë.

14 Janar 2026, 13:01 Nga I.A
Përmbytjet në Durrës/ Rama përplaset me gazetaren:
Edi Rama dhe Klodiana Lala

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka replikuar me gazetaren Klodiana Lala ditën e sotme në lidhje me arsyet e përmbytjeve në Shqipëri. Teksa vendi dhe Durrësi ndodheshin nën pushtetin e ujit, Rama atë ditë gjeti fajtorin e përmbytjeve, që sipas tij janë hedhja e shisheve plastike në rrugë dhe jo në kosh.

Por përgjigjen për këto akuza, Rama e ka marrë nga gazetarja Lala, e cila i kujtoi se nëse inceneratori i Tiranës do të punonte, këto mbetje nuk do të ishin në rrugë.

Kjo përgjigje mesa duket nuk i ka pëlqyer kryeministrit, i cili sot vendosi që të kundërpërgjigjej, duke shkruar se gazetarja me një injorancë të ububushme ka deklaruar se inceneratori i Tiranës e ka fajin për shishet e qeset plastike që hidhen rrugëve.

Postimi i Plotë:

Komentatori-torja është gazetar-tare të cili-cilës ia hoqa emrin se nuk më intereson asfare polemika personale, po fakti skandaloz që një zëdhënës-nëse e opinionit publik, me një injorancë të ububushme (nuk flas për etikën apo për shqipshkrimin se pastaj i bie të rritet shumë kërkesa) u thotë qytetarëve se inceneratori i Tiranës e ka fajin për shishet e qeset plastike që hidhen rrugëve të Shqipërisë, e që me erën e pastaj me ujrat e lumenjve bëhen kapica të jashtëzakonshme e zbresin e bllokojnë rregullisht grykërrjedhjet e kanaleve kullues apo ndotin plazhet e detet…

PRA SIPAS TIJ/SAJ HIDHINI PLEHRAT KU TË MUNDENI SE FAJIN E KA INCENERATORI I TR! Normalisht një gazetar nuk urren, nuk shpif, nuk dizinformon, po lexon, informohet dhe informon, por fatkeqësisht lloji i parë shtohet e shtohet (tamam si prurjet e plastikës) në kanalet e informimit, ndërsa lloji i dytë pakësohet dhe publiku përmbytet përditë nga prurjet e urrejtjes,  shpifjes e dizinformimit! Kollaj, të urresh, shpifësh, dizinformosh është kollaj, sepse nuk ka nevojë të lexosh, të mësosh, të kuptosh të vërtetën e të jesh i drejtë dhe i mirëartikuluar, ndërsa e kundërta, uh, e kundërta ka punë e mund të madh!

Ndërkohë që gazetarja Lala i ka kthyer përgjigje kryeministrit Rama, duke e sfiduar që t'i tregonte një foto te inceneratorit të Tiranës. Ndërkohë që në fund i kujtoi se në Durrës janë 1500 shtëpi dhe mijëra hektarë tokë nën ujë dhe banorët po presin dëmshpërblimet. 

Reagimi i Lalës:

I paska dale gjumi mbretit lakuriq...o mbret qe sta tha njeri qe je lakuriq prej 14 vitesh. Te sfidoj te me dergosh nje foto te inceneratorit te Tiranes qe na ka gllaberuar mln euro. Pastaj me etiketo si te duash. Lekura sholle na eshte bere nga balta juaj! Nese ke kurajo perballem ne debat kur te duash! PS. Mos harro ne Durres ke 1500 shtepi dhe mijera hektare toke nen uje. Presin demshperblim

edi rama klodiana lala

Sondazh

Poll