Sport

Anis Mehmeti nuk ndalet në Championship, shënon duke i dhënë një shenjë Sylvinhos!...

Sulmuesit shqiptar i mjaftuan 4 minuta lojë për të zhbllokuar takimin.

26 Dhjetor 2025, 19:58 Nga DOSJA

Anis Mehmeti nuk ndalet në Championship, shënon duke i dhënë

ANGLI - Anis Mehmeti është rikthyer te goli në Angli. Sulmuesi i Kombëtares shënoi në fitoren 2-1 që skuadra e tij Bristol City mori në transfertë ndaj West Bromwich, në duelin e javës së 23-të në Championship.

Sulmuesit shqiptar i mjaftuan 4 minuta lojë për të zhbllokuar takimin. Pas një topi të marrë jashtë zone, Mehmeti lëshoi një gjuajtje të bukur dhe e ndali topin në rrjetë.

Ky gol i dha avantazhin miqve, që shënuan edhe të dytin me McCrorie në minutën e 22-të.

Në fund goli rezultoi i rëndësishëm, pasi i siguroi Bristolit fitoren dhe ngjiten në vendin e gjashtë me 36 pikë të grumbulluara.

Mehmeti ka rezultuar vendimtar këtë sezon me skuadrën angleze, ku është kthyer në një pikë kyçe. Në 23 ndeshje të zhvilluara, sulmuesi 24-vjeçar ka shënuar shtatë gola, ndërsa numëron edhe gjashtë asiste.

Forma e tij e shkëlqyer, ka bërë që të jetë një nga emrat e përfolur në merkato për të ndryshuar ekip. Janë disa klube në gjurmët e Mehmetit, si nga Premier League, por edhe nga jashtë Anglisë.

Vlen të përmendet gjithashtu se pavarësisht formës së shkëlqyer në klubin e tij, sulmuesi shqiptar nuk është ftuar në Kombëtaren prej shumë kohësh.

Mbetet të shihet nëse do të ketë një ftesë për ndeshjet e muajit mars, në “play off” të Botërorit.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll