Aktualitet

Morën 55 mijë euro nga biznesmeni vlonjat për një masë sigurimi! SPAK i komunikon akuzat 2 ish-prokurorëve të Sarandës, Kledian Llaho dhe Çlirim Shahini

Sipas SPAK, ish-prokurori Kledian Llaho po hetohet për veprën penale të korrupsionit, ndërsa Çlirim Shahini, i cili pas largimit nga sistemi ushtron profesionin e avokatit, akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

23 Dhjetor 2025, 12:58 Nga M.L

Morën 55 mijë euro nga biznesmeni vlonjat për një masë

SARANDË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur zyrtarisht komunikimin e akuzave ndaj dy ish-prokurorëve të Sarandës, të dyshuar për përfshirje në një skemë korrupsioni të lidhur me ndërhyrje në proceset gjyqësore.

Sipas SPAK, ish-prokurori Kledian Llaho po hetohet për veprën penale të korrupsionit, ndërsa Çlirim Shahini, i cili pas largimit nga sistemi ushtron profesionin e avokatit, akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Hetimi lidhet me një çështje penale ndaj Pando Papuçit, i shpallur më herët në kërkim për ndërtim pa leje.

Nga të dhënat hetimore rezulton se Papuçi kishte arritur t’i shmangej drejtësisë për rreth dy vite, por pas arrestimit, masa e sigurisë ndaj tij u ndryshua brenda një kohe shumë të shkurtër gjatë seancës gjyqësore, me kërkesë të prokurorisë. SPAK dyshon se pas këtij zhvillimi qëndronte një marrëveshje e paligjshme, ku ish-prokurorët kërkuan përfitime financiare për të ndikuar në zbutjen e masës së sigurimit.

Sipas akuzës, një pjesë e parave janë marrë përmes ndërmjetësimit të biznesmenit Vasil Bakalli, i cili dyshohet se ka shërbyer si sekser. Hetimet tregojnë se pagesat janë kryer jashtë vendit, ndërsa shuma totale e përfituar për këtë ndërhyrje dyshohet se arrin në dhjetëra mijëra euro.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit ka arritur në përfundimin se Pando Papuçi nuk kishte konsumuar vepër penale për ndërtim pa leje, duke rrëzuar bazën e procedimit penal ndaj tij. Ky vendim ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën e nisjes dhe ndjekjes së çështjes nga organet e akuzës në Sarandë.

Në këtë dosje, nën hetim ndodhet edhe biznesmeni Bakalli, ndërsa për gjyqtaren që miratoi masën e sigurimit nuk janë gjetur prova penale. Kujtohet se më herët, Kolegji i Posaçëm i Apelimit e kishte shkarkuar nga detyra Kledian Llahon, për probleme serioze në deklarimin e pasurisë dhe mangësi profesionale./ Dosja.al

kledian llaho Çlirim shahini spak pando papuçi

Sondazh

Poll