Bota

Ndalimi i importeve masive, naftë pa taksa, heqje e TVSH-së/ ZBARDHEN kërkesat e fermerëve grekë për qeverinë

Në listën e kërkesave janë vendosja e çmimeve minimale të garantuara për produktet bujqësore, energjia elektrike për bujqësinë me çmim 7 cent për kilovat/orë, si dhe refuzimi i integrimit të OPEKEPE në Autoritetin e të Ardhurave Publike (AADE).

14 Dhjetor 2025, 17:28 Nga E. D
Ndalimi i importeve masive, naftë pa taksa, heqje e TVSH-së/ ZBARDHEN
pamje nga vendngjarja

GREQI- Fermerët grek pas disa ditësh në protesta, i kanë dërguar sot listën e kërkesave të tyre qeverisë dhe kryeministrit Kyriakos Mitsotakis. Në listën e kërkesave janë vendosja e çmimeve minimale të garantuara për produktet bujqësore, energjia elektrike për bujqësinë me çmim 7 cent për kilovat/orë, si dhe refuzimi i integrimit të OPEKEPE në Autoritetin e të Ardhurave Publike (AADE).

Kërkesat e fermerëve përfshijnë gjithashtu një referencë më të gjerë politike ndaj luftës në Ukrainë, pasi ata shprehin kundërshtimin e tyre ndaj rishpërndarjes së burimeve të Politikës së Përbashkët Bujqësore në favor të përgatitjes së luftës. 

Pavarësisht thirrjeve të qeverisë, fermerët refuzuan ftesën e kryeministrit për dialog me përfaqësuesit e tyre në Rezidencën Maximou të hënën pasdite. Ata deklarojnë se do t’i kalojnë festat në bllokadat rrugore, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa paralajmërojnë intensifikim të protestave.

Kërkesat e fermerëve

1.Ndërprerja e represionit shtetëror, autoritarizmit dhe gjykimeve ndaj fermerëve; shfuqizimi i të gjitha çështjeve penale që lidhen me protestat, me vendim të Parlamentit.

2.Pagesa e menjëhershme e të gjitha detyrimeve financiare që qeveria u ka fermerëve.

3.Çmime minimale të garantuara që mbulojnë koston e prodhimit dhe sigurojnë të ardhura të qëndrueshme.

4.Ulje e kostos së prodhimit: naftë pa taksa, energji elektrike bujqësore me tavan çmimi 7 cent/kWh, shfuqizim i bursës së energjisë, subvencione për inputet bujqësore dhe heqje e TVSH-së.

5.Kompensim i humbjes së të ardhurave për vitin 2025 për produktet që shiten nën koston e prodhimit.

6.Projekte infrastrukturore për bujqësinë (ujitje, mbrojtje nga përmbytjet dhe zjarret, rrugë bujqësore).

7.Ndryshim i rregullores së ELGA-s për sigurim dhe kompensim 100% nga fatkeqësitë natyrore dhe sëmundjet.

8.Lidhja e subvencioneve me prodhimin real bujqësor dhe blegtoral.

9.Shfuqizimi i ATAK–KAEK për toka nën 20 dynymë dhe pagesa e menjëhershme e të gjitha AFM-ve të bllokuara.

10.Ndalimi i importeve masive dhe i “grekizimit” të produkteve të huaja.

11.Ngrirje e borxheve ndaj institucioneve shtetërore dhe bankave, me shlyerje pa interes.

13.Pa ulje të fondeve të Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP).

14.Shfuqizimi i fletës elektronike të transportit nga ara.

15.Dyfishim i menjëhershëm i pensioneve bujqësore.

Në mënyrë të veçantë, fermerët theksojnë dy çështje urgjente:

1-Sëmundjet në blegtori, me vaksinim, kompensim të plotë për kafshët e asgjësuara dhe rindërtim falas të tufave.

2-Skandali OPEKEPE, me kërkesë për kthimin e fondeve të përvetësuara tek përfituesit realë, zbardhjen e përgjegjësive politike dhe penale dhe refuzimin e integrimit të institucionit në AADE.

Pas refuzimit të fermerëve për dialog, përfaqësues të botës së biznesit reaguan ashpër. Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Athinës (EBEA), Giannis Bratakos, deklaroi se “problemet nuk zgjidhen me refuzim dhe as me pengmarrjen e shoqërisë dhe ekonomisë”.

Në të njëjtën linjë, shoqatat e biznesit dhe industrisë nga Selaniku theksuan se kur shteti fton për dialog në nivelin më të lartë institucional dhe ftesa refuzohet, përgjegjësia nuk është më e njëanshme. Nga ana tjetër, kryeministri Kyriakos Mitsotakis theksoi se dialogu nuk mund të zhvillohet me ultimatume, duke shtuar se bllokadat rrugore dëmtojnë ekonominë, shoqërinë dhe vetë kërkesat e fermerëve.

Ai riafirmoi se dera e qeverisë mbetet e hapur për fermerët dhe blegtorët që dëshirojnë dialog, ndërsa paralajmëroi një paketë të re mbështetjeje financiare, brenda kufijve të ekonomisë kombëtare dhe rregullave evropiane. Në të njëjtën kohë, Mitsotakis theksoi se mbetet i panegociueshëm qëndrimi për reformimin e OPEKEPE përmes integrimit në AADE, duke e cilësuar këtë hap si thelbësor për modernizimin e sektorit primar.

Si janë përshkallëzuar protestat deri më tani?

Fillimisht protestat nisën me tubime pranë komunave bujqësore, ku fermerët kërkuan dialog me autoritetet lokale dhe ministrinë e bujqësisë. Por duke mos marrë asnjë reagim nga këta të fundit, mijëra traktorë u vendosën në rrugët kryesore, duke bllokuar autostrada strategjike, si Autostradat që lidhin Athinën me Selanikun, Rrugët e Thesalisë, aksi Kakavijë-Janinë dhe Lidhjet kryesore drejt Maqedonisë dhe Epirit.

Këto bllokada shkaktuan ngadalësim masiv të qarkullimit dhe ndërprerjen e transportit të mallrave. Fermerët zgjeruan më tej protestat duke bllokuar, Pikat kufitare me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut si dhe disa porte të rëndësishme, ku janë ndaluar kamionë dhe tragete me mallra bujqësore./Dosja.al

protesta ne greqi

Sondazh

Poll

Bota 14 Dhjetor 2025, 08:00 E.d

Në formë të mirë fizike

Foto ilustruese Shtatë vjet më parë, kur lufta tregtare e SHBA-së me Kinën sapo kishte filluar, Ministria e Shkencës dhe Tekn...