Sport

Superiorja/ Dinamo luan “tenis” me Tiranën, “errësirë” në tunelin bardheblu…

‘Nëndetësja’ triumfon 6-2 në derbi dhe futet sërish në garën për titull

3 Dhjetor 2025, 22:13 Nga DOSJA

Superiorja/ Dinamo luan “tenis” me Tiranën,

TIRANE - Dinamo ka arritur një fitore të madhe në derbin ndaj Tiranës, duke triumfuar 6-2. Sfida e luajtur në “Arenën Kombëtare” foli vetëm për ekipin e Ilir Dajës, që dominoi takimin nga fillimi në fund.

“Nëndetësja” kaloi në avantazh që në minutën e 5-të me anë të Guindos dhe pas gjashtë minutash, ishte Qardaku që dyfishoi shifrat. Nuk kaloi shumë dhe në minutën e 25-të, Bregu shënoi edhe golin e tretë.

Pesë minuta nga fundi i pjesës së parë, Rafa Freitas shënoi një supergol për Tiranën, duke krijuar një mirazh te ekipi bardheblu për një kthesë.

Por “shpresa” u shua që në startin e pjesës së dytë, me Vilën që gjithashtu shënoi një supergol, i katërti për Dinamon në minutën e 47-të.

Në minutën e 61-të Qardaku shënoi golin e pestë, ndërsa pas 4 minutash, Bregu kompletoi dopietën personale me anë të një 11-metërshi, teksa shënoi të gjashtin për Dinamon.

Bardheblutë gjetën edhe një gol që shërbeu vetëm për statistikë në minutën e 76-të me anë të Etien Tares, i cili fiksoi shifrat 6-2 për Dinamon. Me këtë fitore, Dinamo rikthehet në garën për titull, duke u ngjitur në vendin e katërt me 23 pikë, 3 më pak se Elbasani kryesues.

Nga ana tjetër, Tirana duket se nuk po ngre kokë dhe makthi i rënies nga kategoria mund të kthehet në realitet, pasi bardheblutë numërojnë vetëm 7 pikë pas 14 javësh dhe ndodhen në vendin e fundit.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll