Sport

VIDEO/ ‘Thriller’ në Londër, Fulham gati i ngriu buzëqeshjen Manchester Cityt…

‘Craven Cottage’ në Londër u bë arena e një ndeshjeje ‘thriller’ në ndeshjet e radhës së Premier League angleze teksa Fulham dhe Manchester City u bënë protagoniste të një festivali golash në fushën e lojës me skuadrën e Pep Guardiolës që fitoi me rezultatin 5-4.

3 Dhjetor 2025, 00:17 Nga DOSJA

VIDEO/ ‘Thriller’ në Londër, Fulham gati i ngriu

ANGLI - Gjithcka nisi në minutën e 17-të ku Manchester City mori avantazhin me të zakonshmin Erling Haaland për t’i dhënë avantazhin 1-0 skuadrës së Guardiolës.

Skuadra e Citizens ishte e papërmbajtshme dhe në minutën e 38-të Tijjani Reijnders dyfishoi shifrat për Manchester City që gjithsesi nuk e la me kaq, teksa në minutën e 44-t rezultati shkoi në 3-0 pas golit të Phil Foden. Në minutat shtesë  Emile Smith Rowe shkurtoi diferencën e golave në 3-1 dhe më këto shifra u mbyll pjesa e parë.

Në fillimin e pjesës së dytë, në minutën e 48-të, Foden plotësoi dygolëshin personal duke shënuar golin e katërt për Manchester City dhe 6 minuta më vonë erdhi autogoli i Berge për të çuar rezultatin 5-1. U duk se cdo gjë ishte e  mbyllur dhe Fulham i shkatërruar, por londinezët  në minutën e 57-të shënuan golin e dytë me Iwobi.

Ky gol i dha krahë skuadrës së Fulham që në minutën e 72-të dhe 78-të shënoi edhe dy herë, në të dy rastet me Chukweze për ta çuar rezultatin në 5-4 dhe në pankinën e City filluan të ndiheshin drithërimat.

Fulham ishte totalisht në lojë dhe kërkoi të barazojë shifrat në 5-5, por Manchester City rezistoi dhe arriti të mbyllë ndeshjen me rezultatin 5-4, duke marrë këtë fitore që e ngjit në kuotën e 28 pikëve, 2 më pak se Arsenali që këtë të mërkurë pret Brentfordin në Emirates Stadium.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll