Aktualitet

Vrasja e biznesmenit Mëhalla në Elbasan, Policia jep detaje: Gjendet e djegur makina që përdorën autorët

1 Dhjetor 2025, 11:26 Nga DOSJA
Vrasja e biznesmenit Mëhalla në Elbasan, Policia jep detaje: Gjendet e
Foto Ilustruese

ELBASAN- Policia ka sjell detaje në lidhje me vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla mbrëmjen e djeshme. Mësohet se ditën e sotme është gjetur i djegur automjeti tip "Audi" që është përdorur nga autorët. Makina është gjetur në fshatin Mirakë. 

Njoftimi i Policisë:

Elbasan/Informacion shtesë Në vijim të kontrolleve dhe të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur mbrëmë, ku mbeti i vrarë shtetasi M. M., alias E. H., 43 vjeç, ditën e sotme u konstatua në fshatin Mirakë, automjeti tip "Audi", i djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si ndodhi ngjarja? 

Mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor), biznesmeni Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Range Rover. Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij.

Në momentin kur është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit, ndërsa janë bërë kontrolle në zonë dhe në ambiente të ndryshme për kapjen e autorëve.

Gjithashtu automjeti i përdorur nga ekzekutuesit dyshohet të ketë qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili është larguar me shpejtësi në drejtim të aksit rrugor Elbasan–Librazhd.

Atentatorët pasi janë siguruar se 43-vjeçari ndërroi jetë larguar me Audin e zi në drejtim të aksit Elbasan-Librazhd. Policia ndërkohë njoftoi se një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të krimit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes./Dosja.al

Sondazh

Poll