Aktualitet

Shqiptarët dhe Pavarësia

Shqipja, është një nga gjuhët më të vjetra, e më autentike në botë. Një arsye e mjaftueshme për t’u krenuar.

28 Nëntor 2025, 21:27 Nga E. D

Shqiptarët dhe Pavarësia

DOJNA: ​Është 28 nëntor. Festa më e rëndësishme që kemi si komb. Kush ka para, prenotimet i ka bërë me kohë; çarterat janë nisur. Kush nuk ka, shpreson të kapë ndonjë aktivitet falas në qytet.

BESI:​Shumë të tjerë thjesht do rrinë në shtëpi, para televizorit, duke e parë ditën si një të dielë të stërzgjatur.

FLORI:​Nuk Televizori do të jetë plot me fjalime bombastike, kopi-pejst nga 40 vitet e fundit. Instagrami do mbushet me filtra. Do kërcasë më shumë se kurrë Xhamadani vija-vija, dhe “kuq-e-zi mor kuq-e-zi”… Por pyetjen më të rëndëshme, nuk do e artikulojë kush.

DOJNA:​A e duam vërtet Shqipërinë… aq sa e bëjmë të duket në post-e, threads-a dhe story?

FLORI:​Pas 113 vitesh pavarësi, a ndjehemi vërtet të pavarur?

BESI:​A mund të thotë dikush, që këtu jeton një popull që po ndërton diçka të re?

FLORI:​Janë pyetje të mëdha, por ne kemi zgjedhur t’i shmangim. Sepse Pavarësinë e kemi kthyer në event, jo në reflektim. Dhe gjithçka bëjmë në këtë event, ngjan më shumë si një thirrje për ndihmë. Sepse, e vërteta është që në këtë përvjetor të Pavarësisë, Politikisht jemi të dërrmuar, ekonomikisht të varur, institucionalisht të lodhur.

DOJNA:​Sepse edhe pas 113 viteve, Shqipëria nuk është e jona. Shqipëria u përket një grushti njerëzish.

FLORI:​Malet, lumenjtë e lisat nuk janë më ato të Naimit; pas 113 vitesh, janë rrethuar, mbuluar e masakruar me përbindësha prej betoni.

BESI:​Para 113 vitesh, një burrë ishte i barabartë me një burrë. Sot, edhe 1 fëmijë mund të jetë i pabarabartë me 113 mijë burra, varet se fëmija i kujt është.

DOJNA:​Deri dhe gjakmarrja tani pas 113 vjetësh është më keq, më paburrërore, më e ligë.

FLORI:​Edhe sot, pas 113 vjetësh, feja e shqiptarit nuk është shqiptaria.

DOJNA: Ky është paradoksi ynë kombëtar: në ditë feste jemi “shqiponja”, por në 365 ditët e tjera sillemi si grabitqarë ndaj njëri-tjetrit. Ndarje, gjuhë urrejtjeje, korrupsion, padrejtësi — çdo ditë.

BESI:​Sa vlen festa, nëse të nesërmen rikthehemi te e njëjta rutinë që e shqyen Shqipërinë si një rreckë vija-vija?

FLORI:​Në fjalimet formale të 28 Nëntorit, askush s’pranon të thotë: se jemi vendi ku reformat na i bëjnë ambasadat. Kemi flamur, por jo besim tek institucionet. Dhe pa besim, pavarësia është vetëm koncept, jo realitet.

DOJNA: Ne nuk na mungojnë flamujt. Na mungon kultura që i jep flamurit kuptim. Një shoqëri që shpërbëhet nga brenda, e humb pavarësinë pa ia vënë re askush. Shkatërrimi s’vjen me armë – vjen me indiferencë, cinizëm, dhe me atë filozofinë “ça më duhet mua”.

BESI:​Dhe prapë, takoj shqiptarë të mrekullueshëm, kudo nëpër botë. Suksesi i tyre, edhe pse ëshët realizuar jashtë – më bën të ndjehem krenar, sepse janë “një nga ne”.

FLORI:​Historia jonë, është një shembull i jashtëzakonshëm mbiejtese. Një komb kaq i vogël, i rrethuar nga armiq e në prag asgjësimi, por që prapë mbijeton, dhe arrin të mbijetojë, ashtu, me 113 probleme, edhe sot.

DOJNA:​Shqipja, është një nga gjuhët më të vjetra, e më autentike në botë. Një arsye e mjaftueshme për t’u krenuar.

FLORI:​Kur “eventi” i pavarësisë të kalojë, ndoshta duhet të ulemi e të flasim seriozisht për pavarësinë tonë. Sepse pavarësia ka nevojë për njerëz që besojnë në diçka më të madhe se vetja.

BESI:​Nëse duam vërtet pavarësi, duhet të dalim nga “ça më duhet mua” dhe të hyjmë te “kjo më përket mua”.

FLORI:​Ky, do të ishte shpirti i vërtetë i pavarësisë. Gëzuar Shqipëri.

BESI:​Gëzuar shqiptarë.

DOJNA:​Gëzuar mamë. Gëzuar, gjithë nënave./Piranjat.news

Sondazh

Poll