Politike

"Funksioni i ministrit nuk është asnjë lloj e drejte themelore e njeriut", Berisha: Pezullimi nga detyra nuk është përfshirë në garancitë kushtetuese

Gjatë një konference për mediat, Berisha u shpreh se  pezullimi nga detyra nuk është përfshirë në garancitë kushtetuese.

27 Nëntor 2025, 13:06 Nga E.d
"Funksioni i ministrit nuk është asnjë lloj e drejte
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar ditën e sotme se funksioni i ministrit nuk është e drejte themelore e njeriut. Gjatë një konference për mediat, Berisha u shpreh se  pezullimi nga detyra nuk është përfshirë në garancitë kushtetuese.

Ai tha se neni 103 i Kushtetutës thotë se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetëve dhe kjo është interpretuar nga vetë Edi Rama dhe Belinda Balluku si imunitet për pezullimin. Lideri i PD-së tha se ushtrimi i një detyre ekzekutive nuk është pjesë e funksionit normal të deputetit si një i zgjedhur me ligj elektoral, dhe se mbrojtja nga pezullimi në detyrë nuk është përfshirë në garancitë kushtetuese. 

"Neni 103 i Kushtetutës, paragrafi i tretë thotë se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetëve dhe kjo është interpretuar nga disa lakej të qeverisë dhe nga vetë Edi Rama dhe Lubi Balluku si imunitet për pezullimin. Është absolutisht pa bazë dhe e gënjeshtërt. Termi imunitet përdoret disa herë në Kushtetutë në kontekstin e mbrojtjes që gëzojnë institucionet të ndryshme kushtetuese si Avokati i Popullit, gjykatësi, etj, ndonëse Kushtetuta nuk ka një përkufizim unik për çdo rast. Me rastin e deputetit, mbrojtja kufizohet tek mendimet e shprehura në Kuvend. Pra, ka të bëjë me të drejtat themelore të njeriut. Të deputetit. Pra, mbrojtja kufizohet tek mendimet e shprehura në Kuvend, votat e dhëna, ushtrimin e funksionit në kolegjialitet parlamentar, pra të gjitha këto i mbron imuniteti parlamentar. Kjo mbrojtje përkthehet në mënyrë specifike nga Kushtetuta si garanci ndaj heqjes së lirisë të çfarëdo forme, kontrolli të banesës pa autorizim të parlamentit. Për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, imuniteti kufizohet tek mbrojtja për mendimet e shprehura dhe vendimet e dhëna, me kusht që këto të mos jepen për një interes vetjak ose në keqbesim.

Po kështu për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, neni 137, kryetarin e KLSH, neni 65, Avokatin e Popullit, neni 61/3, në të gjitha këto raste, mbrojtja që jep Kushtetuta është specifike. Pra ajo i përcakton fushat ku shtrihet mbrojtja. Në rastin e deputetit, mbrojtja përfshin dy kategori. Heqjen e lirisë në çfarëdo lloj forme pa autorizim të Kuvendit. Kontrollin e banesës pa autorizim të Kuvendit. Kurse funksioni i ministrit nuk është asnjëlloj e drejte themelore e njeriut. Nuk përfshihet kërrkund veçse në mendjen e sëmurë të hajdutëve Rama-Balluku. Mbrojtja quhet e plotë nëse respektohen këto dy kategori. Pra liria në çfarëdo dhe kontrolli i banesës. Por ushtrimi i një detyre ekzekutive nuk është pjesë e funksionit normal të deputetit si një i zgjedhur me ligj elektoral, dhe për pasojë, mbrojtja nga pezullimi në detyrë nuk është përfshirë në garancitë kushtetuese. Këta shkojnë edhe dhi e zgjebosur, edhe bishtin e mbajnë përpjetë. Guxojnë edhe t’i drejtohen gjykatës pasi janë kapur me presh në dorë." tha Berisha./Dosja.al

sali berisha edi rama belinda balluku

Sondazh

Poll