Aktualitet

Theu arrestin e shtëpisë për të vjedhur! Arrestohet 29-vjeçari në Durrës, në pranga një prej bashkëpunëtorëve, tjetri shpallet në kërkim

Në pranga ka rënë edhe një nga bashkëpunëtorët e tij, ndërkohë që autoritetet vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit tjetër.

24 Nëntor 2025, 10:44 Nga M.L
Theu arrestin e shtëpisë për të vjedhur! Arrestohet
Foto ilustruese

DURRËS- Policia e Durrësit ka arrestuar një 29-vjeçar për vjedhje, teksa ishte në arrest shtëpiak. Në pranga ka rënë edhe një nga bashkëpunëtorët e tij, ndërkohë që autoritetet vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit tjetër.

Gjatë operacionit, janë sekuestruar një automjet dhe veshje që dy të dyshuarit përdornin për t’u maskuar gjatë kryerjes së veprave penale.

Njoftimi:

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Masa”, identifikuan, lokalizuan dhe ndaluan shtetasit:

A. T., 29 vjeç, banues në lagjen nr. 4 Durrës, i dënuar më parë dhe aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për një aksident rrugor me pasojë jetën, i ndodhur në vitin 2022.

M. Ç., 30 vjeç, banues në lagjen nr. 8 Durrës.

Ndalimi i këtyre dy shtetasve u bë pas një pune intensive të ndjekur nga ana e specialistëve të Hetimit të Krimeve, ku ka rezultuar se këta dy shtetas, në bashkëpunim edhe me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar, më datë 18.11.2025, gjatë natës, në lagjen nr. 18 Durrës, në lokalin e shtetasit L. K., kanë vjedhur sende të ndryshme brenda lokalit, me vlerë 3 000 000 lekë të vjetra.

Në vijim të operacionit, u bë e mundur gjetja e automjetit që këta shtetas kishin përdorur për të transportuar sendet e vjedhura, si dhe rrobat që autorët kanë përdorur në vjedhje.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin e bashkëpunëtorit të tyre, zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”./ Dosja.al

policia e durrësit arrest shtepiak

Sondazh

Poll