Bota

Pas përplasjes me Trump, republikania e profilit të lartë Marjorie Taylor Greene jep dorëheqjen nga Kongresi

Greene, dikur një nga yjet kryesorë të lëvizjes pro-Trump (MAGA), publikoi një deklaratë me video në rrjetet sociale, ku njoftoi se do të largohej nga Kongresi më 5 janar 2026.

22 Nëntor 2025, 07:44 Nga E. D
Pas përplasjes me Trump, republikania e profilit të lartë
Donald Trump, Marjorie Taylor Greene

SHBA- Kongresmenja republikane e Georgias, Marjorie Taylor Greene, ka njoftuar se do të japë dorëheqjen nga mandati i saj, një kthesë e papritur për një nga figurat më të spikatura republikane, pas një përplasjeje publike me Presidentin Donald Trump. Greene, dikur një nga yjet kryesorë të lëvizjes pro-Trump (MAGA), publikoi një deklaratë me video në rrjetet sociale, ku njoftoi se do të largohej nga Kongresi më 5 janar 2026.

Ajo ka qenë një nga mbrojtëset më të zjarrta të Trump në Kongres, por thirrjet e saj të vazhdueshme për publikimin e dosjeve të lidhura me pedofilin e ndjerë Jeffrey Epstein çuan në një konflikt të hapur me presidentin, i cili më pas e quajti atë tradhtare.

“Refuzoj të jem një ‘grua e rrahur’ që shpreson se gjithçka do të kalojë dhe të përmirësohet vetë,” tha ajo në video.

Trump, i cili kishte kërcënuar të mbështeste një rivale republikane për ta rrëzuar Greene nga posti, e përshëndeti dorëheqjen e saj duke e quajtur lajm të shkëlqyer për vendin gjatë një interviste për ABC News. Në njoftimin e saj, Greene tha se "nuk donte që distrikiti im i dashur të përballej me një garë paraprake të ashpër dhe përçarëse kundër meje, të nxitur nga presidenti për të cilin të gjithë kemi luftuar, vetëm që unë të vazhdoja të luftoja për rizgjedhje, ndërkohë që republikanët rrezikojnë të humbasin zgjedhjet e mesit të mandatit”.

Greene ka qenë një nga figurat më këmbëngulëse që kërkonte publikimin e dokumenteve të lidhura me Epstein një temë që dikur e bashkonte Trumpin me bazën e tij, por që tanimë është kthyer në pikë përçarjeje. Trump kishte kalur muaj duke pretenduar se çështja e Epstein ishte një shpërqendrim i fabrikuar nga kundërshtarët e tij politikë për të zbehur arritjet e administratës së tij.

“Mbrojtja e grave amerikane që u përdhunuan që në moshën 14 vjeç, u trafikuan dhe u shfrytëzuan nga burra të pasur e të fuqishëm, nuk duhet të çojë në atë që unë të quhem tradhtare dhe të kërcënohem nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, për të cilin kam luftuar,” tha Greene në letrën e saj të dorëheqjes.

Vendimi i saj vjen pas një periudhe të tensionuar që përfshiu jo vetëm përplasjen me Trump, por edhe kërcënime të drejtpërdrejta për jetën e saj. Në një intervistë për CNN, Greene kërkoi ndjesë për “retorikën toksike” të së kaluarës dhe foli për kërcënimet që, sipas saj, janë shtuar ditët e fundit.

E zgjedhur për herë të parë në vitin 2020, Greene u bë një nga figurat më të zëshme dhe më polemike të Partisë Republikane, e njohur për teoritë konspirative dhe deklaratat nxitëse, shpesh të dënuara publikisht edhe nga anëtarë të partisë së saj. Ajo u largua nga Freedom Caucus pas një konflikti të brendshëm dhe humbi komisionet kongresuale pas deklaratave që mbështesnin dhunën kundër demokratëve.

Kohët e fundit, Greene u pozicionua hapur kundër Trump, duke e kritikuar për fokus të tepërt në politikën e jashtme dhe për mungesë të veprimit në çështjet e brendshme. Ajo madje u rreshtua përkrah demokratëve për çështjen e subvencioneve të programit Affordable Care Act, ndërsa akuzoi administratën për fshehje të dosjeve të rastit Jeffrey Epstein.

Pas rezistencës së fortë politike, Trump firmosi këtë javë një ligj për transparencën e dosjeve të Epstein, një fitore që Greene e mbështeti fuqishëm. Largimi i saj pritet të krijojë menjëherë tronditje në Kongres, ku kryetari Mike Johnson tashmë përballet me një shumicë minimale dhe tensione të vazhdueshme brenda kampit republikan./Dosja.al

marjorie taylor greene donald trump

Sondazh

Poll