Bota

Plani i paqes me 28 pika nga SHBA/ Zelensky: Ose do humbasim partneritetin tonë kryesor, ose do humbasim dinjitetin

Zelensky u tha qytetarëve se vendi është i thirrur të zgjedhë ose 28 pikat e vështira, ose një dimër jashtëzakonisht të vështirë.

21 Nëntor 2025, 17:18 Nga E.d
Plani i paqes me 28 pika nga SHBA/ Zelensky: Ose do humbasim partneritetin
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky

UKRAINA- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka përdorur një ton dramatik, duke iu drejtuar popullit të vendit të tij pas presionit të fortë të palës amerikane për të pranuar planin e paqes me 28 pika të Donald Trump. 

"Kjo është një nga kohërat më të vështira në historinë tonë. Në këtë moment, Ukraina mund të përballet me një zgjedhje shumë të vështirë: ose humbjen e dinjitetit, ose rrezikun e humbjes së një partneri kyç", theksoi Volodymyr Zelensky, duke shtuar se nuk do ta tradhtojë interesin kombëtar të Ukrainës dhe se do të punojë shpejt dhe në mënyrë efektive me SHBA-në. 

Zelensky u tha qytetarëve se vendi është i thirrur të zgjedhë ose 28 pikat e vështira, ose një dimër jashtëzakonisht të vështirë. Ai tha se aleatët e Ukrainës, kryesisht duke nënkuptuar Shtetet e Bashkuara, do të presin një përgjigje për planin amerikan. Presidenti ukrainas thotë se zyrtarët e vendit të tij do të punojnë gjatë fundjavës dhe javës së ardhshme dhe për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

"Tani për tani, presioni mbi Ukrainën është ndër më të rëndët. Do të paraqes argumente, do të bind dhe do të propozoj alternativa, por nuk do t’i japim armikut asnjë bazë për të thënë se është Ukraina që nuk dëshiron paqe. Kjo nuk do të ndodhë”, tha ai.

Mediat e huaja shkruajnë se presidenti Zelensky vlerëson lëvdatat për kombin heroik ukrainas që lufton pushtimin rus, por thekson se ukrainasit janë nën një presion të paimagjinueshëm, ndërsa sulmet e përditshme vazhdojnë. Deklaratat e presidentit ukrainas vijnë pas raportimeve se SHBA-të, të cilat duan që marrëveshja e paqes të nënshkruhet deri të enjten e ardhshme, më 27 nëntor.  

Volodymyr Zelensky pritet të zhvillojë bisedime me zëvendëspresidentin e SHBA-së J.D. Vance, për të diskutuar planin e Uashingtonit për t'i dhënë fund luftës. Raporti thotë se koha dhe detajet e sakta të bisedës nuk janë përcaktuar ende, por axhenda do të përqendrohet ekskluzivisht në kuadrin e paqes që po zhvillohet nga administrata amerikane./Dosja.al

ukraina shba volodymyr zelensky

Sondazh

Poll